Emrat – Prezantohen 12 drejtorët e rinj të Policisë në qarqe

Dymbëdhjetë drejtoritë e Policisë në Qarqe do të kenë nga sot drejtues të rinj. Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha prezantoi këtë të enjte 12 drejtorët e rinj, në një dalje për mediat.

Ata janë:

Elton Alushi – Drejtor i Policisë Tiranës
Vilson Bala – Drejtor i Policisë Durrës
Skënder Hitaj – Drejtor i Policisë Fier
Fatmir Hoxha – Drejtor i Policisë Elbasan
Fatmir Lleshaj – Drejtor i Policisë Shkodër
Erion Ahmeti – Drejtor i Policisë Korçë
Elidon Çela – Drejtor i Policisë Vlorë
Altin Mena – Drejtor i Policisë Lezhë
Altin Merizaj – Drejtor i Policisë Gjirokastër
Luigj Vathi – Drejtor i Policisë Berat
Gentian Berberi – Drejtor i Policisë Kukës
Artion Duka – Drejtor i Policisë Dibër

Gjatë fjalës së tij, ministri Hoxha ka kërkuar që drejtuesit e rinj të Policisë së Shtetit duhet të kenë reagim të shpejtë ndaj ngjarjeve kriminale. Hoxha shtoi se masakra e Shkodrës me 4 viktima duhet të zbardhet sa më shpejt dhe autorët të vendosen para drejtësisë. Më tej, ministri tha se duhet të marrin fund shqetësimet e qytetarëve që ngacmohen nga punonjës policie të papërgjegjshëm për riparimin e avllisë apo të shkallëve.

Ndryshimet në kupolën e Policisë erdhën pasi në postin e ministrit të Brendshëm Taulant Balla u zëvendësua nga Ervin Hoxha. Ky i fundit urdhëroi çeljen e një konkursi për zgjedhjen e kreut të ri të Policisë së Shtetit, më pas nisi procedura për zgjedhjen e drejtuesve të 12 Qarqeve dhe shefave të komisariateve. Teksa në krye të Policisë së Shtetit u zgjodh Ilir Proda, këtë të enjte u mësuan edhe drejtuesit e qarqeve. Në vijim, do të zbardhen edhe emrat e shefave të rinj të komisariateve.

Konkursi i Policisë është kritikuar si fasadë, kryesisht nga opozita.

Lexo edhe:

Nga akuzat për lidhje me krimin te njollat në karrierë/ Kush është Ilir Proda, i zgjedhuri si kryepolici i ri