Edhe Gjykata e Lartë nën urdhrat e Xhafajt/ Rrëzon kërkesën e Salianjit për liri

Pas gjykatës së Tiranës dhe asaj të Apelit, edhe Gjykata e Lartë është vënë nën urdhrat e pushtetit, duke vendosur vijimin e burgosjes politike të ish-deputetit Ervin Salianji.

Këtë të Martë, Gjykata e Lartë zhvilloi seancën gjyqësore në lidhje me kërkesën e ish-deputetit, Ervin Salianji, për pezullim të ekzekutimit të dënimit me burg. Seanca u zhvillua në dhomë këshillimi, pa praninë e palëve, nga një Kolegj Penal me relator Sokol Binajn dhe anëtarë, Sandër Simonin dhe Ilir Panda.

Në fund, gjykata rrëzoi kërkesën e Salianjit, për pezullimin e vendimit të Apelit, dhënë muajin e kaluar.

Ervin Salianji u dënua nga Gjykata e Apelit më 26 Shtator me një vit burgim për kallëzim të rremë, në procedimin penal që nisi pas kallëzimit publik që ish-deputeti bëri ndaj vëllait trafikant të ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

Më një vendim politik, Gjykata e Tiranës dhe më pas ajo e Apelit dënuan me burgim ish-deputetin vetëm sepse ushtroi detyrën dhe denoncoi lidhjet e krimit me pushtetin.

Pas tyre, për llogari të pushtetit dhe ish-ministrit Fatmir Xhafaj, edhe Gjykata e Lartë u bë pjesë e turpit të drejtësisë, duke lënë në qeli ish-deputetin.