(VIDEO) Supersfida e Bundesligës, Bayern dhe Leverkusen ndahen me barazim

Bayern Munchen barazoi 1-1 me Bayer Leverkusen, në supersfidën e Bundesligës, të mbajtur në “Allianz Arena”. Në pjesën e parë dominuan bavarezët me mbajtjen e topit, por pa mundur dot të tregohen konkret para portës së kampionëve të Gjermanisë.

“Aspirinat” kaluan në avantazh në minutën 30-të,  mesfushori shqiptar Granit Xhaka shërbeu në mënyrë perfekte për Andrich, i cili me një të djathtë nga distanca dërgoi topin në rrjetë.

Të besuarit e Kompany u kundërpërgjigjën me Pavloviç, me një perlë të vërtetë në minutën e 39-të. Në fraksionin e dytë, skuadrat u treguan të kujdesshme, teksa mbizotëroi frika e pësimit të golit.

Në të 87-tën, Muller rrëzohet në zonë, Bayern pretendon penallti, por nuk mendoi kështu arbitri, që vijoi lojën normalisht.

Në fund, pa fitues, me Bayern që me 13 pikë ruan kreun e klasifikimit. ndërsa djemtë e Alonsos janë në vendin e 3-të me 10 pikë.

(VIDEO)

Gjatë ditës janë luajtur edhe ndeshje të tjera të Bundesligës, ku spikat triumfi i pastër 4-0 i Leipzig ndaj Augsburgut. Sfida mes Volfsburgut dhe Shtutgartit u mbyll me barazimin 2-2.

Mainz u mposht në shtëpi nga Heidenheim me shifrat 0-2 dhe të dyja skuadrat e mbyllën me nga 10 lojtarë.

St. Pauli fitoi në transfertën me Frajburgun ndërsa Mynshegladbah fitoi në fund me shifrat 1-0 kundër Union Berlinit.

gijotina.com/

The post (VIDEO) Supersfida e Bundesligës, Bayern dhe Leverkusen ndahen me barazim appeared first on GIJOTINA.