Ish-trajneri i Ukrainës pas humbjes me Shqipërinë: Më vjen turp nga këta “qumështorë”!

Ish-trajneri i kombëtares së Ukrainës Jozsef Szabo është shprehur tepër i zhgënjyer ndaj verdhebluve pas humbjes 2-1 përballë Shqipërisë.

Jozsef Szabo i ka cilësuar “qumështorë” disa prej lojtarëve të Ukrainës, duke thënë se ata me atë paraqitje nuk do të mund të transferohen në skuadra të mëdha.

“Më vjen turp dhe lëndim për lojën e kombëtares së Ukrainës! Nuk fjeta mbrëmë për shkak të tyre! Nuk e prisja këtë. Ata ende duhet të thithin gjinjtë e nënave të tyre. Ata nuk dinë të luajnë futboll”, tha ai.

Nga ana tjetër, ai ka folur edhe për ndeshjen që Ukraina do të ketë me Republikën Çeke, teksa thotë se nuk pret asgjë të mirë nga kjo përballje.

“Nuk pres asgjë të mirë. Çekia është skuadër më e mirë se Shqipëria dhe luan në shtëpi. Të mos mendojnë lojtarët dhe stafi i ekipit kombëtar se po kritikoj. Kjo është dhimbja e zemrës sime. Kam luajtur futboll të mirë dhe kam trajnuar. Skuadra ime luajti në kushte të barabarta kundër Francës, Gjermanisë, Portugalisë dhe tani… Unë e mbështes futbollin me gjithë zemër, ndaj mund të shpreh mendimin tim. Nuk më pëlqen mënyra se si po luajnë lojtarët tanë sot”, shtoi Szabo./Opinion.al