{"id":87396,"date":"2026-05-14T07:48:14","date_gmt":"2026-05-14T07:48:14","guid":{"rendered":"https:\/\/zennihost.com\/test\/2026\/05\/14\/nafta-kontrabande-ne-gjirin-e-durresit-si-tentoi-rusia-te-anashkalonte-sanksionet-dhe-financonte-luften\/"},"modified":"2026-05-14T07:48:14","modified_gmt":"2026-05-14T07:48:14","slug":"nafta-kontrabande-ne-gjirin-e-durresit-si-tentoi-rusia-te-anashkalonte-sanksionet-dhe-financonte-luften","status":"publish","type":"post","link":"https:\/\/zennihost.com\/test\/2026\/05\/14\/nafta-kontrabande-ne-gjirin-e-durresit-si-tentoi-rusia-te-anashkalonte-sanksionet-dhe-financonte-luften\/","title":{"rendered":"Nafta kontraband\u00eb n\u00eb gjirin e Durr\u00ebsit, si tentoi Rusia t\u00eb anashkalonte sanksionet dhe financonte luft\u00ebn \u2013"},"content":{"rendered":"<div>\n<p>N\u00eb nj\u00eb dit\u00eb t\u00eb ngroht\u00eb dimri t\u00eb shkurtit t\u00eb vitit 2023, nj\u00eb anije-cistern\u00eb nafte q\u00eb lundronte me emrin Grace Felix mb\u00ebrriti n\u00eb gjirin e Durr\u00ebsit, duke transportuar 21 mij\u00eb ton\u00eb gazoil.<\/p>\n<p>Dokumentet q\u00eb mbante kapiteni rus i anijes deklaronin se karburanti kishte origjin\u00eb nga Azerbajxhani, por autoritetet shqiptare dyshuan se itinerari dhe t\u00eb dh\u00ebnat e l\u00ebvizjes s\u00eb saj n\u00eb Mesdhe tregonin nj\u00eb tjet\u00ebr histori.<\/p>\n<p>Ngarkesa ishte transferuar n\u00eb bordin e Grace Felix n\u00eb Gjirin e Lakonis\u00eb, pran\u00eb brigjeve t\u00eb Greqis\u00eb, nga nj\u00eb tjet\u00ebr anije-cistern\u00eb q\u00eb ishte nisur disa jav\u00eb m\u00eb her\u00ebt nga porti rus Novorossiysk, n\u00eb Detin e Zi. Transferimi nga nj\u00eb anije n\u00eb nj\u00eb tjet\u00ebr \u2013 nj\u00eb praktik\u00eb e p\u00ebrdorur shpesh p\u00ebr t\u00eb fshehur origjin\u00ebn e ngarkes\u00ebs \u2013 ngriti dyshime se nafta ishte n\u00eb fakt ruse dhe, si e till\u00eb, subjekt i sanksioneve.<\/p>\n<p>Anija u ndalua dhe ngarkesa e saj iu n\u00ebnshtrua inspektimeve.<\/p>\n<p>Kjo nuk do t\u00eb ishte hera e fundit q\u00eb Grace Felix, e riem\u00ebrtuar m\u00eb pas Mestral, do t\u00eb dyshohej p\u00ebr transportim t\u00eb paligjsh\u00ebm t\u00eb produkteve energjetike ruse, tregtia e t\u00eb cilave kufizohet nga sanksionet e vendosura nga Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe vendet e G7+.<\/p>\n<p>Sh\u00ebrbimet ukrainase t\u00eb inteligjenc\u00ebs e akuzojn\u00eb kompanin\u00eb administruese t\u00eb anijes, Cymare Shipmanagement Ltd, si dhe personat q\u00eb q\u00ebndrojn\u00eb pas saj, se jan\u00eb pjes\u00eb e s\u00eb ashtuquajtur\u00ebs \u201cflota hije\u201d ruse [shadow fleet], nj\u00eb burim ky\u00e7 t\u00eb ardhurash p\u00ebr makinerin\u00eb ushtarake t\u00eb Kremlinit n\u00eb Ukrain\u00eb.<\/p>\n<p>N\u00eb vitin 2025, autoritetet ukrainase vendos\u00ebn sanksione ndaj anijes-cistern\u00eb dhe kapitenit t\u00eb saj, duke i p\u00ebrfshir\u00eb n\u00eb nj\u00eb list\u00eb t\u00eb zez\u00eb t\u00eb hartuar nga Drejtoria e Inteligjenc\u00ebs Ushtarake t\u00eb Ukrain\u00ebs, GUR.<\/p>\n<p>Kjo list\u00eb p\u00ebrfshin qindra anije t\u00eb dyshuara p\u00ebr transportimin e produkteve energjetike ruse, arm\u00ebve dhe drith\u00ebrave t\u00eb vjedhura nga territoret ukrainase t\u00eb pushtuara.<\/p>\n<p>T\u00eb pakt\u00ebn nj\u00eb duzin\u00eb prej tyre kan\u00eb vizituar portet shqiptare q\u00eb prej nisjes s\u00eb pushtimit t\u00eb plot\u00eb rus n\u00eb shkurt t\u00eb vitit 2022, duke ngritur pik\u00ebpyetje mbi zbatimin e sanksioneve t\u00eb vendosura nga qeveria shqiptare kund\u00ebr Mosk\u00ebs.<\/p>\n<p>Zbatimi i kufizimeve tregtare ndaj Rusis\u00eb dhe produkteve t\u00eb saj energjetike mbetet nj\u00eb sfid\u00eb p\u00ebr komunitetin nd\u00ebrkomb\u00ebtar, ve\u00e7an\u00ebrisht p\u00ebr Shqip\u00ebrin\u00eb, e cila nd\u00ebrkoh\u00eb e ka d\u00ebnuar luft\u00ebn e Rusis\u00eb n\u00eb Ukrain\u00eb me tone t\u00eb ashpra.<\/p>\n<p>\u201cVende si Shqip\u00ebria, ku gjurmimi i naft\u00ebs kontraband\u00eb nuk \u00ebsht\u00eb n\u00eb nivelet m\u00eb t\u00eb mira\u2026 jan\u00eb vulnerab\u00ebl p\u00ebr naft\u00ebn kontraband\u00eb q\u00eb mund t\u00eb vij\u00eb nga Rusia.,\u201d tha Ledion Krisafi, studiues i marr\u00ebdh\u00ebnieve nd\u00ebrkomb\u00ebtare.<\/p>\n<p>\u201cPor, n\u00eb thelb, p\u00ebr tregun shqiptar nuk ka shum\u00eb r\u00ebnd\u00ebsi n\u00ebse \u00ebsht\u00eb naft\u00eb ruse kontraband\u00eb apo nga ndonj\u00eb vend tjet\u00ebr, sido q\u00eb t\u00eb jet\u00eb ngelet kontraband\u00eb dhe institucionet duhet t\u00eb b\u00ebjn\u00eb pun\u00ebn e tyre.\u201d<\/p>\n<p>P\u00ebrmes nj\u00eb avokati, Cymare Shipmanagement Ltd mohoi kategorikisht akuzat ukrainase q\u00eb lidhin anijet e saj me nj\u00eb \u201cflot\u00eb hije\u201d ruse.<\/p>\n<p>\u201cNuk ka absolutisht asnj\u00eb baz\u00eb p\u00ebr pretendimet se anija \u2018Mestral\u2019 (ish-\u2018Grace Felix\u2019) apo ndonj\u00eb anije tjet\u00ebr e administruar nga Cymare \u00ebsht\u00eb p\u00ebrfshir\u00eb n\u00eb aktivitete q\u00eb bien ndesh me rregulloret dhe k\u00ebrkesat e sanksioneve t\u00eb Bashkimit Evropian, Mbret\u00ebris\u00eb s\u00eb Bashkuar apo Shteteve t\u00eb Bashkuara,\u201d tha kompania n\u00eb nj\u00eb p\u00ebrgjigje me shkrim.<\/p>\n<p>Duke kritikuar ndalimin e anijes-cistern\u00eb n\u00eb Shqip\u00ebri n\u00eb vitin 2023, Cymare theksoi se asnj\u00eb akuz\u00eb apo procedur\u00eb formale nuk ishte ngritur ndonj\u00ebher\u00eb kund\u00ebr anijes, pronar\u00ebve apo ekuipazhit t\u00eb saj.<\/p>\n<p>\u201cNuk kishte asnj\u00eb prov\u00eb q\u00eb t\u00eb tregonte se nafta n\u00eb bordin e \u2018Grace Felix\u2019 ishte me origjin\u00eb ruse dhe testet zyrtare t\u00eb kryera nga organi shtet\u00ebror p\u00ebrkat\u00ebs treguan t\u00eb kund\u00ebrt\u00ebn,\u201d deklaroi kompania. \u201cAnija dhe pronar\u00ebt e ngarkes\u00ebs s\u00eb saj kan\u00eb p\u00ebsuar humbje t\u00eb konsiderueshme gjat\u00eb k\u00ebsaj periudhe.\u201d<\/p>\n<p><strong>Sanksionet ndaj energjis\u00eb<\/strong><\/p>\n<p>N\u00eb prill, Bashkimi Evropian miratoi paket\u00ebn e nj\u00ebzet\u00eb t\u00eb sanksioneve kund\u00ebr Rusis\u00eb, k\u00ebt\u00eb her\u00eb t\u00eb p\u00ebrqendruar tek e ashtuquajtura \u201cflot\u00eb hije\u201d. Deri tani, blloku ka futur n\u00eb list\u00ebn e zez\u00eb m\u00eb shum\u00eb se 630 anije, kryesisht cisterna t\u00eb vjetra me struktura pron\u00ebsie jo transparente, duke ua ndaluar hyrjen n\u00eb portet evropiane. Nj\u00eb embargo mbetet n\u00eb fuqi p\u00ebr importet detare t\u00eb naft\u00ebs ruse dhe n\u00ebnprodukteve t\u00eb saj, nd\u00ebrsa vendet e G7+, p\u00ebrfshir\u00eb Kanadan\u00eb, Japonin\u00eb dhe Britanin\u00eb, kan\u00eb vendosur nj\u00eb tavan \u00e7mimi prej 44 dollar\u00ebsh p\u00ebr fu\u00e7i p\u00ebr blerjet e naft\u00ebs ruse.<\/p>\n<p>Elisabeth Braw, studiuese e lart\u00eb n\u00eb Atlantic Council n\u00eb Uashington, tha se \u201cflota hije\u201d \u00ebsht\u00eb thelb\u00ebsore q\u00eb Rusia t\u00eb vazhdoj\u00eb shitjen e eksportit t\u00eb saj kryesor.<\/p>\n<p>\u201cRusia mund t\u00eb eksportoj\u00eb ligj\u00ebrisht naft\u00eb n\u00ebn \u00e7mimin tavan t\u00eb vendosur, por kjo \u00ebsht\u00eb shum\u00eb m\u00eb pak fitimprur\u00ebse ose gjeneron t\u00eb ardhura t\u00eb kufizuara,\u201d tha Braw. Me \u201cflot\u00ebn hije\u201d, Rusia mund t\u00eb transportoj\u00eb dhe eksportoj\u00eb naft\u00eb mbi kufirin e lejuar t\u00eb \u00e7mimit.\u201d<\/p>\n<p>\u201cPrandaj \u00ebsht\u00eb e qart\u00eb se Rusia ka interes t\u00eb madh n\u00eb p\u00ebrdorimin e k\u00ebsaj flote.\u201d<\/p>\n<p>Gonzalo Saiz Erausquin, studiues n\u00eb Royal United Services Institute n\u00eb Lond\u00ebr, tha se flota \u00ebsht\u00eb zgjeruar n\u00eb m\u00ebnyr\u00eb eksponenciale q\u00eb prej sanksioneve t\u00eb vendosura n\u00eb vitin 2022.<\/p>\n<p>\u201cVler\u00ebsohet se flota hije e Rusis\u00eb mund t\u00eb p\u00ebrb\u00ebhet nga rreth nj\u00eb mij\u00eb anije,\u201d tha Saiz Erausquin p\u00ebr BIRN, duke v\u00ebn\u00eb n\u00eb dukje se numri mund t\u00eb luhatet pasi disa prej anijeve u sh\u00ebrbejn\u00eb edhe vendeve t\u00eb tjera n\u00ebn sanksione, si Irani.<\/p>\n<p>Saiz Erausquin tha se \u00ebsht\u00eb e v\u00ebshtir\u00eb t\u00eb p\u00ebrcaktohet sasia e naft\u00ebs q\u00eb transportohet nga kjo flot\u00eb apo t\u00eb ardhurat q\u00eb ajo gjeneron p\u00ebr Rusin\u00eb, por shtoi: \u201cN\u00eb kulmin e saj, ajo transportonte rreth 80 p\u00ebr qind t\u00eb naft\u00ebs bruto ruse t\u00eb eksportuar n\u00eb rrug\u00eb detare.\u201d<\/p>\n<p>Gjurmimi i lidhjeve mes flot\u00ebs hije ruse dhe shtetit mbetet nj\u00eb nga sfidat kryesore p\u00ebr hetuesit, tha Saiz Erausquin. Sipas tij, megjith\u00ebse ekzistojn\u00eb dyshime p\u00ebr p\u00ebrfshirjen e sh\u00ebrbimeve ruse t\u00eb inteligjenc\u00ebs, si FSB apo GRU, provat e drejtp\u00ebrdrejta jan\u00eb t\u00eb v\u00ebshtira p\u00ebr t\u2019u siguruar.<\/p>\n<p>\u201cNatyra e sofistikuar e k\u00ebtyre operacioneve l\u00eb t\u00eb kuptohet qart\u00eb p\u00ebr p\u00ebrfshirje shtet\u00ebrore,\u201d tha ai. Por, shtoi m\u00eb tej, rrjeti nuk kontrollohet ekskluzivisht nga shteti.<\/p>\n<p>\u201cMe shum\u00eb gjasa, kemi t\u00eb b\u00ebjm\u00eb me nj\u00eb kombinim aktor\u00ebsh shtet\u00ebror\u00eb dhe jo shtet\u00ebror\u00eb t\u00eb p\u00ebrfshir\u00eb n\u00eb ekosistemin m\u00eb t\u00eb gjer\u00eb t\u00eb flot\u00ebs hije.\u201d<\/p>\n<p><strong>Transferimi nga anija n\u00eb anije<\/strong><\/p>\n<p>Anija Grace Felix u nis nga porti i Rouenit n\u00eb Franc\u00eb n\u00eb janar 2023 dhe hyri n\u00eb Mesdhe, duke ndjekur nj\u00eb itinerar p\u00ebrmes Ngushtic\u00ebs s\u00eb Gjibraltarit drejt Peloponezit. N\u00eb t\u00eb nj\u00ebjt\u00ebn periudh\u00eb, sipas dokumenteve gjyq\u00ebsore, nj\u00eb cistern\u00eb me emrin Fidan, q\u00eb lundronte n\u00ebn flamurin e Turqis\u00eb, mori nj\u00eb ngarkes\u00eb n\u00eb portin rus t\u00eb Novorossiyskut dhe u drejtua p\u00ebrmes Dardaneleve drejt Egjeut.<\/p>\n<p>N\u00eb fillim t\u00eb muajit pasues, sipas dosjes hetimore, dy cisternat u takuan n\u00eb uj\u00ebra nd\u00ebrkomb\u00ebtare n\u00eb Gjirin e Lakonis\u00eb, pran\u00eb qytetit Kalamata n\u00eb Greqi, ku kryen nj\u00eb transferim \u201cnga anija n\u00eb anije\u201d, ose STS (ship-to-ship).<\/p>\n<p>Operacioni u zhvillua jasht\u00eb porteve dhe pa mbik\u00ebqyrje t\u00eb drejtp\u00ebrdrejt\u00eb doganore.<\/p>\n<p>M\u00eb pas, Grace Felix u drejtua drejt uj\u00ebrave territoriale shqiptare dhe mb\u00ebrriti n\u00eb terminalin e naft\u00ebs n\u00eb Porto Romano, n\u00eb Durr\u00ebs, n\u00eb mesin e shkurtit 2023, por nuk u ankorua. Autoritetet shqiptare u njoftuan p\u00ebr dyshime mbi dokumentacionin e ngarkes\u00ebs dhe nj\u00eb task-forc\u00eb hipi n\u00eb anije p\u00ebr t\u00eb kryer inspektim.<\/p>\n<p>Sipas hetimeve t\u00eb Prokuroris\u00eb s\u00eb Durr\u00ebsit, dokumentet shoq\u00ebruese p\u00ebr gazoilin deklaronin se karburanti kishte origjin\u00eb nga Azerbajxhani dhe ishte n\u00eb pron\u00ebsi t\u00eb nj\u00eb kompanie me baz\u00eb n\u00eb Emiratet e Bashkuara Arabe, t\u00eb quajtur Solid Energy Solution DMCC.<\/p>\n<p>Megjithat\u00eb, t\u00eb dh\u00ebnat e itinerarit t\u00eb analizuara nga Qendra Nd\u00ebrinstitucionale Operacionale Detare (QNOD), e cila monitoron uj\u00ebrat detare shqiptare, ngrit\u00ebn dyshime mbi origjin\u00ebn e karburantit.<\/p>\n<p>Kompania shqiptare q\u00eb kishte porositur ngarkes\u00ebn, AV International Group, refuzoi ta finalizonte blerjen, duke p\u00ebrmendur dokumentacionin e paplot\u00eb. M\u00eb 21 shkurt 2023, Prokuroria e Durr\u00ebsit hapi nj\u00eb hetim penal ndaj kapitenit rus t\u00eb Grace Felix n\u00ebn dyshimin p\u00ebr kontraband\u00eb.<\/p>\n<p>Inspektorati Shtet\u00ebror Teknik dhe Industrial i Shqip\u00ebris\u00eb analizoi mostrat e gazoilit t\u00eb transportuar nga Grace Felix, por prokuror\u00ebt nuk arrit\u00ebn t\u00eb provojn\u00eb p\u00ebrfundimisht se ai kishte origjin\u00eb ruse.<\/p>\n<p>Pas m\u00eb shum\u00eb se nj\u00eb viti hetimesh dhe procedurash gjyq\u00ebsore, prokuroria vendore i rr\u00ebzoi akuzat, duke p\u00ebrmendur munges\u00eb provash t\u00eb mjaftueshme. Gjykata e Durr\u00ebsit e mbylli \u00e7\u00ebshtjen n\u00eb prill 2025, ndon\u00ebse gjyqtari Rexhep Bekteshi theksoi n\u00eb vendimin e tij: \u201cPas shqyrtimit t\u00eb dosjes dhe provave, gjykata konstaton se kjo nuk \u00ebsht\u00eb nj\u00eb \u00e7\u00ebshtje ku provohet se i pandehuri \u00ebsht\u00eb i pafajsh\u00ebm.\u201d<\/p>\n<p>Krisafi, studiuesi i marr\u00ebdh\u00ebnieve nd\u00ebrkomb\u00ebtare, tha se rasti i Grace Felix tregon nevoj\u00ebn p\u00ebr nj\u00eb qasje m\u00eb t\u00eb koordinuar dhe m\u00eb vigjilente nga autoritetet shqiptare.<\/p>\n<p>\u201cAjo q\u00eb qeveria shqiptare mund t\u00eb b\u00ebj\u00eb \u00ebsht\u00eb koordinimin m\u00eb i mir\u00eb me vendet si Greqia dhe Italia q\u00eb jan\u00eb fqinje dhe q\u00eb kan\u00eb mund\u00ebsi m\u00eb t\u00eb m\u00ebdha gjurmimi, p\u00ebr \u00e7do anije q\u00eb ka qoft\u00eb dhe dyshimin m\u00eb t\u00eb vog\u00ebl,\u201d tha ai.<\/p>\n<p>\u201cGjithashtu \u00e7do anije e till\u00eb q\u00eb vjen n\u00eb portet shqiptare duhet kontrolluar imt\u00ebsisht, por ama rregjistrimi dhe pron\u00ebsia e tyre shpesh \u00ebsht\u00eb n\u00eb nj\u00eb rrjet t\u00eb nd\u00ebrlikuar q\u00eb duhet koh\u00eb p\u00ebr ta shqyrtuar\u201d, shtoi ai.<\/p>\n<p><strong>Lufta dhe sanksionet<\/strong><\/p>\n<p>E nd\u00ebrtuar n\u00eb vitin 2008, Grace Felix menaxhohej nga kompania me baz\u00eb n\u00eb Qipro, Cymare Shipmanagement Ltd kur u ndalua nga autoritetet shqiptare n\u00eb shkurt 2023. N\u00eb korrik t\u00eb vitit 2023, menaxhimi i anijes kaloi te Cymare Navigation FZC, e regjistruar n\u00eb Emiratet e Bashkuara Arabe. N\u00eb janar 2024, emri i anijes u ndryshua n\u00eb Mestral dhe, sipas platform\u00ebs s\u00eb t\u00eb dh\u00ebnave t\u00eb anijeve Equasis, ajo \u00ebsht\u00eb n\u00eb pron\u00ebsi t\u00eb Mestral Shipping Ltd, me seli n\u00eb Limasol t\u00eb Qipros. Aktualisht ajo lundron n\u00ebn flamurin e Panamas\u00eb.<\/p>\n<p>N\u00ebn emrin Mestral, cisterna \u00ebsht\u00eb akuzuar nga autoritetet ukrainase p\u00ebr p\u00ebrfshirje n\u00eb t\u00eb pakt\u00ebn dy raste eksporti t\u00eb naft\u00ebs bruto dhe produkteve t\u00eb naft\u00ebs me origjin\u00eb ruse gjat\u00eb vitit 2025.<\/p>\n<p>Sipas t\u00eb dh\u00ebnave t\u00eb publikuara nga Drejtoria e Inteligjenc\u00ebs Ushtarake t\u00eb Ukrain\u00ebs (GUR), anija ka lundruar n\u00eb m\u00ebnyr\u00eb t\u00eb p\u00ebrs\u00ebritur me sistemin e identifikimit automatik AIS t\u00eb fikur gjat\u00eb dy viteve t\u00eb fundit dhe \u00ebsht\u00eb p\u00ebrfshir\u00eb n\u00eb l\u00ebvizje t\u00eb dyshimta pran\u00eb porteve ruse n\u00eb Detin e Zi, si dhe n\u00eb uj\u00ebrat pran\u00eb Greqis\u00eb, Turqis\u00eb dhe Libis\u00eb.<\/p>\n<p>N\u00eb shtator 2025, sipas GUR, cisterna transportoi rreth 30,500 ton\u00eb produkte nafte nga porti rus i Tamanit drejt Turqis\u00eb. Nj\u00eb muaj m\u00eb von\u00eb, ajo ngarkoi gati 30,000 ton\u00eb n\u00ebnprodukte nafte nga terminali Sheskharis n\u00eb portin e Novorossiyskut, me destinacion Tunizin\u00eb. N\u00eb at\u00eb rast, sipas GUR, d\u00ebrgues ishte kompania ruse e sanksionuar PJSC Lukoil, nd\u00ebrsa operohej me qira nga nj\u00ebsia tregtare Litasco.<\/p>\n<p>Autoritetet ukrainase raportojn\u00eb gjithashtu se Mestral ka ndaluar n\u00eb porte n\u00eb territore t\u00eb pushtuara ukrainase, p\u00ebrfshir\u00eb portin Kamysh-Burun n\u00eb shtator 2025. M\u00eb 11 prill 2025, Ukraina sanksionoi kapitenin e anijes, Sergei Smaznov. N\u00eb dhjetor t\u00eb vitit t\u00eb kaluar, Kievi sanksionoi edhe vet\u00eb anijen.<\/p>\n<p>Sipas GUR, Mestral nuk \u00ebsht\u00eb e vetmja anije e \u201cflot\u00ebs hije\u201d e lidhur me Cymare Navigation FZC. Kompania administron disa cisterna nafte q\u00eb autoritetet ukrainase besojn\u00eb se p\u00ebrdoren p\u00ebr t\u00eb shmangur embargon nd\u00ebrkomb\u00ebtare ndaj Rusis\u00eb.<\/p>\n<p>Nd\u00ebr drejtor\u00ebt e Cymare figuron Nikolay Spichenok, shtetas britanik, i cili ka qen\u00eb drejtues i departamentit teknik t\u00eb menaxhimit t\u00eb flot\u00ebs n\u00eb kompanin\u00eb ruse t\u00eb sanksionuar, PJSC Sovcomflot n\u00eb periudh\u00ebn 2012\u20132015.<\/p>\n<p>Sovcomflot \u00ebsht\u00eb kompania m\u00eb e madhe shtet\u00ebrore ruse e transportit detar, q\u00eb ofron sh\u00ebrbime p\u00ebr prodhimin \u2018offshore\u2019 t\u00eb hidrokarbureve dhe transportin e naft\u00ebs, produkteve t\u00eb naft\u00ebs dhe gazit t\u00eb l\u00ebngsh\u00ebm. Anijet e saj u sh\u00ebrbejn\u00eb kryesisht kompanive dhe tregtar\u00ebve m\u00eb t\u00eb m\u00ebdhenj rus\u00eb t\u00eb naft\u00ebs dhe gazit.<\/p>\n<p>\u201cQ\u00eb nga viti 2023 e deri m\u00eb sot, flota e cisternave e grupit t\u00eb kompanive Cymare Shipmanagement Ltd (Qipro) dhe Cymare Navigation FZC (EBA) ka furnizuar vazhdimisht Rusin\u00eb me t\u00eb ardhura nga nafta p\u00ebr t\u00eb mb\u00ebshtetur luft\u00ebn e saj kund\u00ebr Ukrain\u00ebs, duke maskuar operacionet p\u00ebrmes regjistrimeve t\u00eb kompanive n\u00eb shtetet an\u00ebtare t\u00eb BE-s\u00eb,\u201d tha GUR n\u00eb nj\u00eb deklarat\u00eb n\u00eb janar.<\/p>\n<p>Spichenok \u00ebsht\u00eb aktualisht ose ka qen\u00eb drejtor i dy kompanive t\u00eb tjera detare n\u00eb Qipro \u2013 Peremoga Investment Ltd dhe SCF Management Services. Kjo e fundit zot\u00ebron jahtin Olympia, i cili sipas disa raportimeve mediatike, i \u00ebsht\u00eb dhuruar Vladimir Putin n\u00eb vitin 2005 nga miliarderi dhe ish-pronari i klubit t\u00eb futbollit Chelsea, Roman Abramovich. P\u00ebrfaq\u00ebsuesit e t\u00eb dyve i kan\u00eb mohuar k\u00ebto raportime.<\/p>\n<p>Jahti 57 metra i gjat\u00eb \u00ebsht\u00eb nd\u00ebr 100 m\u00eb t\u00eb m\u00ebdhenjt\u00eb n\u00eb bot\u00eb dhe vler\u00ebsohet rreth 50 milion\u00eb dollar\u00eb. N\u00eb qershor 2022, Shtetet e Bashkuara e vendos\u00ebn Olympia-n n\u00eb list\u00ebn e pasurive t\u00eb bllokuara n\u00eb kuad\u00ebr t\u00eb sanksioneve ndaj Rusis\u00eb.<\/p>\n<p>Cymare i hodhi posht\u00eb akuzat ukrainase si t\u00eb pabaza. Sipas kompanis\u00eb, besueshm\u00ebria e informacionit t\u00eb sh\u00ebrbimeve ukrainase t\u00eb inteligjenc\u00ebs \u00ebsht\u00eb \u201cshum\u00eb e ul\u00ebt, n\u00eb mos e diskutueshme\u201d, duke i akuzuar ato p\u00ebr aplikim t\u00eb \u201clogjik\u00ebs ekonomike t\u00eb luft\u00ebs\u201d.<\/p>\n<p>\u201c\u00cbsht\u00eb e vet\u00ebkuptueshme se agjencit\u00eb e inteligjenc\u00ebs ukrainase jan\u00eb, sipas p\u00ebrkufizimit, sekrete dhe manipuluese, shpesh duke p\u00ebrdorur mediat p\u00ebr t\u00eb form\u00ebsuar opinionin publik ose p\u00ebr t\u2019i sh\u00ebrbyer interesave strategjike komb\u00ebtare, dhe p\u00ebr t\u00eb avancuar narrativ\u00ebn e tyre si mjet agjende,\u201d tha kompania.<\/p>\n<p>\u201cGrupi Cymare operon n\u00eb m\u00ebnyr\u00eb transparente, t\u00eb hapur dhe n\u00eb p\u00ebrputhje t\u00eb plot\u00eb me regjimin e sanksioneve t\u00eb OFAC (Zyra Amerikane p\u00ebr Kontrollin e Aseteve t\u00eb Huaja), BE-s\u00eb dhe Mbret\u00ebris\u00eb s\u00eb Bashkuar, dhe nuk ka pasur asnj\u00ebher\u00eb kritika apo pretendime nga asnj\u00eb institucion per\u00ebndimor apo organizat\u00eb nd\u00ebrkomb\u00ebtare detare.\u201d<\/p>\n<p>Sipas saj, \u00e7do transport i ngarkesave me origjin\u00eb ruse kryhet n\u00eb p\u00ebrputhje me rregulloret e sanksioneve dhe gjithmon\u00eb brenda kufijve t\u00eb \u00e7mimeve t\u00eb lejuara, i shoq\u00ebruar me dokumentacion p\u00ebrkat\u00ebs. Kompania shtoi se t\u00eb gjitha k\u00ebto operacione jan\u00eb njoftuar dhe miratuar nga siguruesit P&amp;I dhe H&amp;M Insurers.<\/p>\n<p>Cymare mohoi gjithashtu q\u00eb anijet e saj t\u00eb fikin sistemin AIS, duke theksuar se \u201cnd\u00ebrprerje t\u00eb sinjalit ndodhin her\u00eb pas here p\u00ebr shkak t\u00eb humbjes s\u00eb lidhjes n\u00eb Detin e Zi dhe nuk jan\u00eb rezultat i fikjes s\u00eb q\u00ebllimshme nga ekuipazhi\u201d.<\/p>\n<p>\u201cDeti i Zi aktualisht \u00ebsht\u00eb zon\u00eb lufte dhe anijet q\u00eb operojn\u00eb aty i n\u00ebnshtrohen nd\u00ebrhyrjeve periodike n\u00eb frekuenca radioje, t\u00eb cilat mund t\u00eb shkaktojn\u00eb humbje ose nd\u00ebrprerje t\u00eb AIS, GPS dhe sinjaleve LRIT.\u201d<\/p>\n<p>Cymare tha se pun\u00ebsimi i Spichenok ka p\u00ebrfunduar n\u00eb vitin 2020, ndon\u00ebse t\u00eb dh\u00ebnat e regjistrit t\u00eb biznesit n\u00eb Qipro ende e listojn\u00eb at\u00eb si drejtor kompanie.<\/p>\n<p>Kompania q\u00eb zot\u00ebronte karburantin e ngarkuar n\u00eb Grace Felix n\u00eb shkurt 2023 \u00ebsht\u00eb gjithashtu e dyshuar p\u00ebr lidhje me flot\u00ebn hije q\u00eb i sh\u00ebrben Kremlinit. Solid Energy Solution DMCC, me baz\u00eb n\u00eb Dubai, zot\u00ebron dy cisterna t\u00eb sanksionuara nga autoritetet ukrainase.<\/p>\n<p>Solid Energy Solution DMCC nuk iu p\u00ebrgjigj k\u00ebrkes\u00ebs p\u00ebr koment.<\/p>\n<p><strong>K\u00ebrc\u00ebnim mjedisor<\/strong><\/p>\n<p>E ashtuquajtura \u201cflot\u00eb hije\u201d e Rusis\u00eb nuk \u00ebsht\u00eb nj\u00eb struktur\u00eb formale, por nj\u00eb rrjet anijesh q\u00eb transportojn\u00eb mallra t\u00eb sanksionuara, tha Elisabeth Braw nga Atlantic Council.<\/p>\n<p>K\u00ebto nuk jan\u00eb linja t\u00eb rregullta transporti detar dhe pronar\u00ebt e tyre synojn\u00eb t\u00eb mbeten anonim\u00eb, duke zot\u00ebruar zakonisht vet\u00ebm nj\u00eb ose dy anije dhe duke operuar p\u00ebrmes adresave fiktive n\u00eb juridiksione \u2018offshore\u2019 si Emiratet e Bashkuara Arabe apo ishujt Seychelles.<\/p>\n<p>Roli i juridiksioneve offshore shpesh keqkuptohet, tha Braw. N\u00eb k\u00ebt\u00eb rast, q\u00ebllimi nuk \u00ebsht\u00eb shmangia e taksave, por regjistrimi n\u00eb vende ku autoritetet e shteteve q\u00eb vendosin sanksione kan\u00eb aft\u00ebsi t\u00eb kufizuara nd\u00ebrhyrjeje.<\/p>\n<p>\u201cPra, nuk do t\u00eb doje t\u00eb ishe pronar i nj\u00eb anijeje t\u00eb flot\u00ebs hije me baz\u00eb n\u00eb Mbret\u00ebrin\u00eb e Bashkuar apo n\u00eb Xhersi, sepse autoritetet mund t\u00eb nd\u00ebrmarrin veprime kund\u00ebr teje,\u201d tha Braw p\u00ebr BIRN.<\/p>\n<p>Edhe kur identifikohen, megjithat\u00eb, hap\u00ebsira p\u00ebr veprim mbetet e kufizuar. Autoritetet mund t\u00eb nd\u00ebrhyjn\u00eb vet\u00ebm n\u00eb rastet e shkeljeve teknike, si mungesa e sigurimit apo problemet e siguris\u00eb detare, t\u00eb cilat nuk p\u00ebrb\u00ebjn\u00eb domosdoshm\u00ebrish vepra penale.<\/p>\n<p>\u201cNuk \u00ebsht\u00eb e paligjshme t\u00eb operosh apo t\u00eb zot\u00ebrosh nj\u00eb anije t\u00eb flot\u00ebs hije,\u201d tha Braw, duke theksuar se sanksionet ndaj Rusis\u00eb nuk jan\u00eb globale.<\/p>\n<p>\u201cK\u00ebto jan\u00eb sanksione t\u00eb vendosura vet\u00ebm nga vendet per\u00ebndimore,\u201d tha ajo. \u201cAnijet ende lundrojn\u00eb ligj\u00ebrisht midis Rusis\u00eb, Indis\u00eb dhe Kin\u00ebs.\u201d<\/p>\n<p>Fshehja e pron\u00ebsis\u00eb dhe manipulimi i gjurm\u00ebve t\u00eb tregtis\u00eb jan\u00eb n\u00eb thelb t\u00eb m\u00ebnyr\u00ebs si funksionon flota hije, tha Gonzalo Saiz Erausquin nga Royal United Services Institute.<\/p>\n<p>Sipas tij, kompanit\u00eb q\u00eb menaxhojn\u00eb k\u00ebto anije shpesh jan\u00eb struktura fiktive, t\u00eb krijuara n\u00eb disa juridiksione nj\u00ebkoh\u00ebsisht, me q\u00ebllim fshehjen e pronar\u00ebve p\u00ebrfitues dhe shmangien e p\u00ebrgjegj\u00ebsis\u00eb ligjore.<\/p>\n<p>Nj\u00eb nga praktikat m\u00eb t\u00eb zakonshme \u00ebsht\u00eb ndryshimi i vazhduesh\u00ebm i flamurit t\u00eb anijeve \u2013 \u201cflag hopping\u201d \u2013 duke i regjistruar ato n\u00eb shtete me mbik\u00ebqyrje m\u00eb t\u00eb dob\u00ebt. Kur k\u00ebto shtete t\u00ebrhiqen n\u00ebn presion diplomatik, anijet k\u00ebrkojn\u00eb regjistrim gjetk\u00eb, ndonj\u00ebher\u00eb duke p\u00ebrdorur edhe flamuj t\u00eb rrem\u00eb dhe, n\u00eb disa raste, duke u kthyer praktikisht n\u00eb anije pa shtet\u00ebsi.<\/p>\n<p>N\u00eb t\u00eb nj\u00ebjt\u00ebn koh\u00eb, zinxhir\u00ebt e furnizimit fshihen p\u00ebrmes transferimeve nga nj\u00eb anije n\u00eb nj\u00eb tjet\u00ebr n\u00eb det t\u00eb hapur dhe p\u00ebrzierjes s\u00eb naft\u00ebs, duke ndryshuar p\u00ebrb\u00ebrjen e saj kimike dhe duke e b\u00ebr\u00eb t\u00eb v\u00ebshtir\u00eb p\u00ebrcaktimin e origjin\u00ebs. K\u00ebto praktika shoq\u00ebrohen me dokumente t\u00eb falsifikuara q\u00eb pretendojn\u00eb p\u00ebrputhje me tavanet e \u00e7mimeve ose burime jo t\u00eb sanksionuara.<\/p>\n<p>\u201cPasi e p\u00ebrzien deri n\u00eb nj\u00eb nivel ku ndryshohet p\u00ebrb\u00ebrja molekulare, b\u00ebhet shum\u00eb e v\u00ebshtir\u00eb t\u00eb vler\u00ebsohet origjina e sakt\u00eb e asaj nafte,\u201d tha Saiz Erausquin, duke theksuar se ky kompleksitet e b\u00ebn verifikimin teknik dhe ligjor t\u00eb ngarkes\u00ebs jasht\u00ebzakonisht t\u00eb v\u00ebshtir\u00eb.<\/p>\n<p>\u201cFlota hije\u201d e Rusis\u00eb p\u00ebrb\u00ebn nj\u00eb k\u00ebrc\u00ebnim p\u00ebr Ukrain\u00ebn, sigurin\u00eb detare dhe mjedisin, paralajm\u00ebroi Braw, e cila tha se roli i saj kryesor \u00ebsht\u00eb gjenerimi i t\u00eb ardhurave nga nafta p\u00ebr t\u00eb financuar luft\u00ebn e Rusis\u00eb n\u00eb Ukrain\u00eb.<\/p>\n<p>\u201cPa flot\u00ebn hije, Rusia do t\u00eb kishte shum\u00eb munges\u00eb parash dhe me shum\u00eb gjasa nuk do t\u00eb ishte n\u00eb gjendje ta mbante k\u00ebt\u00eb luft\u00eb kund\u00ebr Ukrain\u00ebs,\u201d tha ajo.<\/p>\n<p>Por n\u00eb rajone si Deti Balltik dhe Deti i Zi, numri i madh i anijeve t\u00eb vjetra dhe shpesh t\u00eb pasigurta rrit rrezikun e aksidenteve.<\/p>\n<p>\u201cK\u00ebto anije, p\u00ebr shkak se jan\u00eb n\u00eb gjendje t\u00eb dob\u00ebt, p\u00ebrb\u00ebjn\u00eb k\u00ebrc\u00ebnim p\u00ebr mjedisin kudo q\u00eb shkojn\u00eb,\u201d tha Braw. \u201cDhe kemi par\u00eb derdhje nafte n\u00eb vende t\u00eb ndryshme, dhe \u00e7do derdhje e till\u00eb \u00ebsht\u00eb e tep\u00ebrt.\u201d<\/p>\n<p><strong>Gruri i vjedhur i Ukrain\u00ebs<\/strong><\/p>\n<p>Sanksionet nd\u00ebrkomb\u00ebtare ndaj Rusis\u00eb nuk synojn\u00eb vet\u00ebm produktet energjetike ruse, por edhe tregtin\u00eb me territoret e pushtuara ukrainase.<\/p>\n<p>N\u00eb fund t\u00eb vitit 2023, Organizata Nd\u00ebrkomb\u00ebtare Detare (IMO) miratoi nj\u00eb rezolut\u00eb q\u00eb d\u00ebnon agresionin rus dhe u b\u00ebri thirrje shteteve an\u00ebtare t\u00eb informojn\u00eb anijet tregtare, pronar\u00ebt, operator\u00ebt dhe siguruesit e tyre p\u00ebr statusin e mbyllur t\u00eb porteve ukrainase n\u00eb k\u00ebto territore.<\/p>\n<p>Megjithat\u00eb, kjo nuk e ka ndalur Rusin\u00eb nga eksportimi i drithrave dhe produkteve t\u00eb tjera nga rajonet e pushtuara, shpesh duke e fshehur origjin\u00ebn e tyre.<\/p>\n<p>\u201cD\u00ebrgesat direkte nga portet e pushtuara \u2013 Sevastopol, Feodosia, Kerch, Berdyansk dhe Mariupol \u2013 kryesisht shkojn\u00eb drejt Siris\u00eb, Egjiptit dhe Turqis\u00eb,\u201d tha Katerina Yaresko, gazetare investigative me baz\u00eb n\u00eb Kharkiv n\u00eb projektin SeaKrime (Myrotvorets Center), duke shtuar se raste jan\u00eb identifikuar edhe p\u00ebr Jemenin, Iranin, Algjerin\u00eb dhe vende t\u00eb tjera.<\/p>\n<p>Sipas Yaresko-s, metoda t\u00eb tjera p\u00ebrfshijn\u00eb edhe transportet tranzit t\u00eb grurit p\u00ebrmes porteve ruse si Kavkaz, si dhe falsifikimin e certifikatave t\u00eb origjin\u00ebs dhe dokumenteve fitosanitare.<\/p>\n<p>Ministri i Jasht\u00ebm ukrainas, Andrii Sybiha ka akuzuar Rusin\u00eb se ka vjedhur m\u00eb shum\u00eb se dy milion\u00eb ton\u00eb drithra nga territoret e pushtuara vet\u00ebm n\u00eb vitin 2025, dhe rreth 15 milion\u00eb ton\u00eb q\u00eb prej vitit 2022.<\/p>\n<p>Ndryshe nga nafta, importet e grurit rus nuk jan\u00eb t\u00eb ndaluara dhe n\u00eb vitin 2025, Shqip\u00ebria importoi rreth 30 milion\u00eb euro mallra nga Rusia. Megjithat\u00eb, ngjash\u00ebm me importet e naft\u00ebs, disa prej anijeve q\u00eb transportojn\u00eb grur\u00eb drejt porteve shqiptare jan\u00eb t\u00eb sanksionuara, n\u00ebn dyshime p\u00ebr transportim t\u00eb drithrave t\u00eb vjedhura nga territoret e pushtuara ukrainase.<\/p>\n<p>T\u00eb pakt\u00ebn n\u00ebnt\u00eb anije mallrash t\u00eb identifikuara nga GUR si t\u00eb p\u00ebrfshira n\u00eb tregtin\u00eb e paligjshme t\u00eb grurit kan\u00eb vizituar portet shqiptare gjat\u00eb kat\u00ebr viteve t\u00eb fundit.<\/p>\n<p>P\u00ebr Yaresko-n, fakti q\u00eb k\u00ebto anije nisen nga portet ruse n\u00eb rajonet e Detit t\u00eb Zi dhe Detit t\u00eb Azov duhet t\u00eb sh\u00ebrbej\u00eb si sinjal p\u00ebr t\u00eb nisur kontakte me institucionet shtet\u00ebrore ukrainase p\u00ebr t\u00eb sqaruar statusin e tyre.<\/p>\n<p>\u201cN\u00eb Ukrain\u00eb ka disa procedime penale penale ndaj k\u00ebtyre anijeve,\u201d tha ajo. \u201cNxjerrja e burimeve nga territoret e pushtuara ukrainase \u00ebsht\u00eb krim lufte.\u201d\/BIRN<\/p>\n<p><!-- CONTENT END 2 --><\/p>\n<\/div>","protected":false},"excerpt":{"rendered":"<p>N\u00eb nj\u00eb dit\u00eb t\u00eb ngroht\u00eb dimri t\u00eb shkurtit t\u00eb vitit 2023, nj\u00eb anije-cistern\u00eb nafte q\u00eb lundronte me emrin Grace Felix mb\u00ebrriti n\u00eb gjirin e Durr\u00ebsit, duke transportuar 21 mij\u00eb ton\u00eb gazoil. Dokumentet q\u00eb mbante kapiteni rus i anijes deklaronin se karburanti kishte origjin\u00eb nga Azerbajxhani, por autoritetet shqiptare dyshuan se itinerari dhe t\u00eb dh\u00ebnat e [&hellip;]<\/p>\n","protected":false},"author":0,"featured_media":0,"comment_status":"open","ping_status":"open","sticky":false,"template":"","format":"standard","meta":{"footnotes":""},"categories":[1],"tags":[],"class_list":["post-87396","post","type-post","status-publish","format-standard","hentry","category-uncategorized"],"_links":{"self":[{"href":"https:\/\/zennihost.com\/test\/wp-json\/wp\/v2\/posts\/87396","targetHints":{"allow":["GET"]}}],"collection":[{"href":"https:\/\/zennihost.com\/test\/wp-json\/wp\/v2\/posts"}],"about":[{"href":"https:\/\/zennihost.com\/test\/wp-json\/wp\/v2\/types\/post"}],"replies":[{"embeddable":true,"href":"https:\/\/zennihost.com\/test\/wp-json\/wp\/v2\/comments?post=87396"}],"version-history":[{"count":0,"href":"https:\/\/zennihost.com\/test\/wp-json\/wp\/v2\/posts\/87396\/revisions"}],"wp:attachment":[{"href":"https:\/\/zennihost.com\/test\/wp-json\/wp\/v2\/media?parent=87396"}],"wp:term":[{"taxonomy":"category","embeddable":true,"href":"https:\/\/zennihost.com\/test\/wp-json\/wp\/v2\/categories?post=87396"},{"taxonomy":"post_tag","embeddable":true,"href":"https:\/\/zennihost.com\/test\/wp-json\/wp\/v2\/tags?post=87396"}],"curies":[{"name":"wp","href":"https:\/\/api.w.org\/{rel}","templated":true}]}}