{"id":87183,"date":"2026-05-13T06:48:15","date_gmt":"2026-05-13T06:48:15","guid":{"rendered":"https:\/\/zennihost.com\/test\/2026\/05\/13\/dubai-shqiptar-apo-zhvatja-e-portit-marreveshaj-rama-alabbar-cfare-fshihet-pas-durres-marina\/"},"modified":"2026-05-13T06:48:15","modified_gmt":"2026-05-13T06:48:15","slug":"dubai-shqiptar-apo-zhvatja-e-portit-marreveshaj-rama-alabbar-cfare-fshihet-pas-durres-marina","status":"publish","type":"post","link":"https:\/\/zennihost.com\/test\/2026\/05\/13\/dubai-shqiptar-apo-zhvatja-e-portit-marreveshaj-rama-alabbar-cfare-fshihet-pas-durres-marina\/","title":{"rendered":"Dubai shqiptar apo zhvatja e Portit? Marr\u00ebveshaj Rama-Alabbar, \u00e7far\u00eb fshihet pas \u201cDurr\u00ebs Marina\u201d \u2013"},"content":{"rendered":"<div>\n<p>M\u00eb 29 n\u00ebntor t\u00eb vitit 2020, nd\u00ebrtesa m\u00eb e lart\u00eb e bot\u00ebs, Burj Khalifa do t\u00eb ngjyrosej Kuq e Zi. Video u shp\u00ebrnda n\u00eb rrjetet sociale edhe nga Kryeministri Edi Rama, i cili falenderonte kompanin\u00eb \u2018Emmar\u2019 t\u00eb sip\u00ebrmarr\u00ebsit nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Mohamed Alabbar, p\u00ebr k\u00ebt\u00eb nder t\u00eb madh q\u00eb i b\u00ebnte Shqip\u00ebris\u00eb. Shp\u00ebrfaqja e flamurit shqiptar n\u00eb kull\u00ebn m\u00eb t\u00eb lart\u00eb t\u00eb planetit, nuk nxiti ndonj\u00eb dyshim se pas saj do t\u00eb fshihej nj\u00eb marr\u00ebveshje, q\u00eb do ta linte Shqip\u00ebrin\u00eb pa port.<\/p>\n<p>Mohamed Alabbar ishte nj\u00eb em\u00ebr i panjohur p\u00ebr Shqip\u00ebrin\u00eb derisa, marketingu i flamurit shqiptar n\u00eb Dubai n\u00ebp\u00ebrmjet kull\u00ebs s\u00eb nd\u00ebrtuar nga Alabbar, ndoshta do t\u2019i b\u00ebnte shqiptar\u00ebt t\u00eb krijonin nj\u00eb simpati p\u00ebr sip\u00ebrmarr\u00ebsin arab.<\/p>\n<p>Madje, p\u00ebr t\u2019u hyr\u00eb dhe m\u00eb shum\u00eb n\u00eb zem\u00ebr shqiptar\u00ebve, Alabbar u shfaq dhe si bamir\u00ebs ku mori p\u00ebrsip\u00ebr q\u00eb t\u00eb zbatonte nj\u00eb projekt t\u00eb Emirateve Arabe p\u00ebr nd\u00ebrtimin e mbi 900 apartamenteve n\u00eb Spitall\u00eb, t\u00eb cilat do t\u2019u jepeshin banor\u00ebve t\u00eb prekur nga t\u00ebrmeti i 26 n\u00ebntorit 2019.<\/p>\n<p>I shoq\u00ebruar nga Edi Rama dhe Arben Ahmetaj, dy jav\u00eb pas spektaklit n\u00eb Burj Khalifa, Alabbar mb\u00ebrriti n\u00eb k\u00ebnet\u00ebn e Durr\u00ebsit p\u00ebr t\u00eb nd\u00ebrtuar banesa p\u00ebr t\u00eb prekurit nga t\u00ebrmeti. Por si\u00e7 e thot\u00eb dhe populli, \u2018nderi lahet me nder\u2019, edhe kjo reklam\u00eb p\u00ebr Shqip\u00ebrin\u00eb, fshihte pas nj\u00eb nder q\u00eb asnj\u00eb shqiptari nuk do t\u2019ia kishte marr\u00eb mendja.<\/p>\n<p>K\u00ebt\u00eb nder e zbuloi Belinda Balluku kur n\u00eb 10 gushtin e vitit 2022, ashtu t\u00eb nxir\u00eb nga plazhi i asaj vere, ministrat e kabinetit me n\u00eb krye kryeministrin Edi Rama, zgjodh\u00ebn q\u00eb t\u00eb prishnin pushimet p\u00ebr t\u00eb firmosur marr\u00ebveshjen e bashk\u00ebpunimit mes qeveris\u00eb dhe shoq\u00ebris\u00eb \u2018Eagle Hills\u2019 p\u00ebr projektin \u2018Durr\u00ebs Marina\u2019.<\/p>\n<p>Pra, kjo deklarat\u00eb e Belinda Ballukut, konfirmon se projekti p\u00ebr shuarjen e portit t\u00eb Durr\u00ebsit dhe transferimin e tij n\u00eb Porto Romano, kishin nisur shum\u00eb p\u00ebrpara se sa n\u00eb kull\u00ebn Burj Khalifa t\u00eb shfaqej flamuri shqiptar. Madje, negociatat kishin kaluar n\u00eb faza t\u00eb ndryshme, duke p\u00ebrfshir\u00eb edhe dark\u00ebn e ministrave t\u00eb kabinetit n\u00eb restorantin e Nusretit n\u00eb Dubai. N\u00eb at\u00eb koh\u00eb, kryetari i PD, Lulzim Basha, m\u00eb dat\u00ebn 10 janar 2021, publikoi nj\u00eb video, ku shfaqeshin ministrat e kabinetit duke darkuar n\u00eb restorantin luksoz.<\/p>\n<p>Basha q\u00eb akuzonte qeverin\u00eb p\u00ebr shpenzimet e luksit teksa vendi p\u00ebrmbytej nga reshjet e shiut. Nd\u00ebrsa qeveria justifikohej se parat\u00eb p\u00ebr dark\u00ebn me biftek\u00eb vi\u00e7i te Nusreti e kishin paguar miqt\u00eb arab\u00eb.<\/p>\n<p><em>Edi Rama: \u2018Informohu q\u00eb t\u00eb mos flas\u00ebsh mbrapsht, sepse as nuk kan\u00eb shkuar p\u00ebr qejf, pasi nuk kan\u00eb shpenzuar asgj\u00eb nga taksat e tua n\u00eb k\u00ebt\u00eb rast pasi t\u00eb gjitha shpenzimet jan\u00eb mbuluar nga pala mikprit\u00ebse q\u00eb \u00ebsht\u00eb nj\u00eb nd\u00ebr grupet m\u00eb t\u00eb m\u00ebdha t\u00eb bot\u00ebs, i interesuar p\u00ebr t\u00eb investuar n\u00eb Shqip\u00ebri\u2019.<\/em><\/p>\n<p>Kryeministri kishte t\u00eb drejt\u00eb. Ministrat nuk ishin p\u00ebr qejf, ata ishin p\u00ebr t\u00eb negociuar me Alabbarin faljen e portit t\u00eb Durr\u00ebsit. Kjo u v\u00ebrtetua n\u00eb prill t\u00eb vitit 2021, kur n\u00eb nj\u00eb takim n\u00eb terminalin e kontenier\u00ebve, n\u00eb prani t\u00eb qindra durrsak\u00ebve, Edi Rama u prezantoi atyre Dubain shqiptar, q\u00eb sipas tij do t\u00eb ishte nj\u00eb investim 2 miliard\u00eb eurosh i Alabbar vet\u00ebm gjat\u00eb faz\u00ebs s\u00eb nd\u00ebrtimit.<\/p>\n<p><em>Edi Rama:<\/em>\u00a0\u201c<em>Porti i ri turistik, nd\u00ebr m\u00eb t\u00eb m\u00ebdhenjt\u00eb e Mesdheut, do t\u00eb injektoj\u00eb vet\u00ebm gjat\u00eb nd\u00ebrtimit nga kompania e madhe globale \u2018Emaar Group\u2019, 2 miliard\u00eb euro dhe do t\u00eb ndryshoj\u00eb struktur\u00ebn e industris\u00eb s\u00eb re t\u00eb Turizmit Shqiptar.\u00a0Impakti i k\u00ebtij investimi q\u00eb kryhet nga kompania q\u00eb nd\u00ebrtoi Portin e Dubait dhe ka autor\u00ebsin\u00eb e nd\u00ebrtimeve m\u00eb spektakolare n\u00eb Emiratet e Bashkuara, e n\u00eb plot vende t\u00eb bot\u00ebs, do t\u00eb ndryshoj\u00eb thelb\u00ebsisht ekonomin\u00eb e qarkut t\u00eb Durr\u00ebsit si edhe do t\u00eb krijoj\u00eb nj\u00eb efekt ekonomik zinxhir n\u00eb krejt bregdetin shqiptar, ku ka nisur nd\u00ebrtimi i Portit t\u00eb Ri Turistik t\u00eb Sarand\u00ebs, do t\u00eb nis\u00eb deri n\u00eb qershor nd\u00ebrtimi i Portit t\u00eb ri Turistik t\u00eb Vlor\u00ebs dhe sipas Planit 2021-2025 do t\u00eb nis\u00eb brenda vitit 2023 nd\u00ebrtimi i Portit t\u00eb Ri Turistik t\u00eb Sh\u00ebngjinit\u201d.<\/em><\/p>\n<p>Ngjarjet u finalizuan, kur m\u00eb 30 janar 2023, u n\u00ebnshkrua marr\u00ebveshja p\u00ebr zhvillimin e \u2018Durr\u00ebs Marina\u2019, e cila i hapte zyrtarisht rrug\u00eb pun\u00ebs p\u00ebr nd\u00ebrtimin e objekteve n\u00eb Portin e Durr\u00ebsit.<\/p>\n<p>E teksa Alabbarit i falej Porti aktual i Durr\u00ebsit, n\u00eb fjal\u00ebn e saj p\u00ebrpara qytetar\u00ebve, Belinda Balluku mundohej t\u00eb justifikohej me nd\u00ebrtimin e Portit t\u00eb Porto Romanos, q\u00eb sipas saj kishte t\u00ebrhequr interesin e mbi 40 investitor\u00ebve t\u00eb huaj.<\/p>\n<p>Por, emisioni \u2018N\u00eb Sh\u00ebnjest\u00ebr\u2019 nuk po i rikthehet m\u00eb asaj afere, pasi e denoncoi pak jav\u00eb m\u00eb par\u00eb. Porti i Porto Romanos sot \u00ebsht\u00eb nj\u00eb projekt i d\u00ebshtuar, nd\u00ebrsa fakti \u00ebsht\u00eb q\u00eb n\u00eb Durr\u00ebs \u00e7do dit\u00eb e m\u00eb shum\u00eb po ngushtohet perimetri i operimit n\u00eb portin aktual.<\/p>\n<p><strong>KOMPANIA \u2018DURR\u00cbS MARINA\u2019<\/strong><\/p>\n<p>N\u00eb t\u00eb nj\u00ebjt\u00ebn dit\u00eb q\u00eb firmosej marr\u00ebveshja p\u00ebr zhvillimin\u00a0 e \u2018Durr\u00ebs Yacht Marina\u2019, firmosej edhe krijimi i shoq\u00ebris\u00eb \u2018Durr\u00ebs Marina\u2019. Pra, m\u00eb 30 janar 2023, nd\u00ebrsa n\u00eb QKB u regjistrua n\u00eb dat\u00ebn 23 shkurt 2023. Aksioner t\u00eb shoq\u00ebris\u00eb ishin kompania \u2018Eagle Hills Real Estate Development\u2019 shpk, n\u00eb pron\u00ebsi t\u00eb shtetasit Mohamed Ali Rashed Alabbar dhe kompania \u2018Albanian Seaports Development Company\u2019 n\u00eb pron\u00ebsi t\u00eb Portit t\u00eb Durr\u00ebsit. Aksionet u ndan\u00eb 67 % p\u00ebr kompanin\u00eb e Alabbar dhe 33 % p\u00ebr kompanin\u00eb n\u00eb pron\u00ebsi t\u00eb Autoritetit Portual Durr\u00ebs.<\/p>\n<p>K\u00ebshilli Drejtues i shoq\u00ebris\u00eb \u2018Durr\u00ebs Marina\u2019 p\u00ebrb\u00ebhej nga Rauf Muhammad, Mostafa Monir Mostafa Elkady dhe Elisabeta Hajuralli, si p\u00ebrfaq\u00ebsues t\u00eb \u2018Eagle Hills\u2019 dhe Elira Kokona dhe Ermal Nufi si p\u00ebrfaq\u00ebsues t\u00eb Agjencis\u00eb s\u00eb Investimeve Strategjike.<\/p>\n<p>Shoq\u00ebria shtet\u00ebrore, \u2018Albanian Seaports Development Company\u2019, n\u00eb pron\u00ebsi t\u00eb Autoritetit Portual Durr\u00ebs u themelua me kapital themeltar 10 milion lek\u00eb, por n\u00eb vitin 2024, kapitali u rrit n\u00eb vler\u00ebn e 11.9 milion lek\u00ebve, duke shkuar n\u00eb total n\u00eb vler\u00ebn e 21.9 milion lek\u00eb apo rreth 220 mij\u00eb euro.<\/p>\n<p>An\u00ebtar t\u00eb k\u00ebshillit mbikqyr\u00ebs t\u00eb kompanis\u00eb shtet\u00ebrore, q\u00eb u b\u00eb aksionere n\u00eb Marin\u00ebn e jahteve n\u00eb Durr\u00ebs ishin fillimisht: Alket Malo, Pirro Vengu, Andrea Shllaku, Aleks Marku dhe Rafaelo Rexho, nd\u00ebrsa deri n\u00eb shtator 2025, an\u00ebtar\u00ebt jan\u00eb ndryshuar disa her\u00eb.<\/p>\n<p>Por le t\u00eb kthehemi te thelbi i investigimit ton\u00eb, parat\u00eb!<\/p>\n<p>Kapitali themeltar i shoq\u00ebris\u00eb \u2018Durr\u00ebs Yacht Marina\u2019, ishte vet\u00ebm 3.5 milion lek\u00eb, apo rreth 35 mij\u00eb euro.<\/p>\n<p>Sipas tabel\u00ebs q\u00eb shihni n\u00eb ekran, kompania n\u00eb pron\u00ebsi t\u00eb Portit t\u00eb Durr\u00ebsit, \u2018Albanian Seaports Development Company\u2019, ka derdhur 1 155 mij\u00eb lek cash apo rreth 11 550 euro p\u00ebr kapitalin nd\u00ebrsa \u2018Eagle Hills\u2019 e Mohamed Alabbar, ka derdhur diferenc\u00ebn prej 23 450 euro.<\/p>\n<p>Deri k\u00ebtu, vlen t\u00eb theksohet se shoq\u00ebria \u2018Durr\u00ebs Marina\u2019, mori nga aksioner\u00ebt vet\u00ebm 35 mij\u00eb euro si kapital themeltar n\u00eb vitin 2023, nd\u00ebrkoh\u00eb q\u00eb shitjet i kishte shum\u00eb m\u00eb her\u00ebt, ende pa u miratuar lejet e nd\u00ebrtimit apo vet\u00eb kontrata koncensionare p\u00ebr marrjen e portit t\u00eb Durr\u00ebsit.<\/p>\n<p>Me dat\u00eb 5 Maj 2023, me vendim t\u00eb asambles\u00eb s\u00eb p\u00ebrgjithshme t\u00eb aksionar\u00ebve, u miratua rritja e kapitalit n\u00eb mas\u00ebn 745 080 000 lek\u00eb, q\u00eb \u00ebsht\u00eb vlerw e barazvlefshme n\u00eb lek\u00eb e rritjes prej 7 000 000 euro, n\u00ebp\u00ebrmjet kontributeve n\u00eb para.<\/p>\n<p>Kapitali q\u00eb pas zmadhimit u b\u00eb 748 580 000 lek\u00eb. M\u00eb dat\u00eb 17 Tetor 2025, me vendim t\u00eb asambles\u00eb s\u00eb p\u00ebrgjithshme t\u00eb aksionar\u00ebve, u miratua rritja e kapitalit n\u00eb mas\u00ebn 580 920 000 lek\u00eb, ekuivalenti n\u00eb lek\u00eb i vler\u00ebs prej 6 000 000 euro, n\u00ebp\u00ebrmjet kontributit t\u00eb ortakut \u2018Eagle Hills Real Estate Development\u2019.<\/p>\n<p>Pas zmadhimit kapitali i shoq\u00ebris\u00eb u b\u00eb 1 329 500 000 \u00a0lek\u00eb.<\/p>\n<p>Pra aktualisht kapitali i shoq\u00ebris\u00eb \u00ebsht\u00eb rreth 13 milion\u00eb euro.<\/p>\n<p>K\u00ebto jan\u00eb para, q\u00eb nuk kan\u00eb ardhur nga xhepat e investitorit, pasi injektimi i kapitalit \u00ebsht\u00eb b\u00ebr\u00eb pasi shoq\u00ebria ka nisur shitjet e apartamenteve.<\/p>\n<p>Th\u00ebn\u00eb m\u00eb thjesht\u00eb, Mohamed Alabbar, deri m\u00eb tani nuk nxjerr para nga xhepi p\u00ebr t\u00eb zhvilluar projektin \u2018Durr\u00ebs Marina\u2019.<\/p>\n<p>Ai thjesht ka mbledhur parat\u00eb e qytetar\u00ebve nga shitja e apartamenteve, dhe ato po i investon n\u00eb projekt.<\/p>\n<p>N\u00eb k\u00ebt\u00eb m\u00ebnyr\u00eb, Alabbar jo vet\u00ebm q\u00eb shmang risqet q\u00eb paraqet projekti nga pik\u00ebpamja financiare, pasi edhe n\u00ebse projekti d\u00ebshton n\u00eb t\u00eb ardhmen, Alabbar nuk humb asgj\u00eb, pasi nuk ka investuar parat\u00eb e tij.<\/p>\n<p>Por edhe pse kompania nuk ishte krijuar ende, edhe pse lejet e nd\u00ebrtimit nuk ishin dh\u00ebn\u00eb ende, Mohamed Alabbar nisi t\u00eb ark\u00ebtonte para nga shitjet e apartamenteve n\u00eb \u2018aj\u00ebr\u2019 n\u00eb \u2018Marin\u00ebn e Jahteve\u2019 n\u00eb Durr\u00ebs.<\/p>\n<p>Kujtojm\u00eb se edhe ligji p\u00ebr miratimin e marr\u00ebveshjes nd\u00ebrmjet K\u00ebshillit t\u00eb Ministrave t\u00eb Republik\u00ebs s\u00eb Shqip\u00ebris\u00eb dhe \u2018Eagle Hills Real Estate Development\u2019, \u2018Albanian Seaports Development Company\u2019 sh.a., dhe \u2018NSHMI Development\u2019 L.L.C., p\u00ebr projektin e investimit strategjik \u2018Marina &amp; Jahtet e Durr\u00ebsit\u2019 u miratua n\u00eb kuvend n\u00eb 24 N\u00ebntor 2022, pra n\u00eb t\u00eb nj\u00ebjt\u00ebn koh\u00eb q\u00eb kishin nisur shitjet.<\/p>\n<p>Gjithashtu, shitjet nis\u00ebn nd\u00ebrkoh\u00eb q\u00eb ky ligj ishte objekt ankimi n\u00eb Gjykat\u00ebn Kushtetuese, e cila do t\u00eb shprehej me nj\u00eb vendim pro projektit, por me z\u00ebra kund\u00ebr, p\u00ebr t\u00eb cil\u00ebn do t\u00eb flasim m\u00eb von\u00eb.<\/p>\n<p>P\u00ebr dy vitet e para t\u00eb aktivitetit, 2023 dhe 2024, ku \u2018Durr\u00ebs Marina\u2019 ka dor\u00ebzuar bilancet n\u00eb Qendr\u00ebn Komb\u00ebtare t\u00eb Biznesit, rezulton se shoq\u00ebria ka ark\u00ebtuar rreth 60 milion\u00eb euro nga shitjet e apartamenteve, ndon\u00ebse rezulton se asnj\u00eb prej tyre ende nuk u \u00ebsht\u00eb dor\u00ebzuar klient\u00ebve.<\/p>\n<p>Konkretisht, p\u00ebr vitin 2023 \u2018Durr\u00ebs Marina\u2019 ark\u00ebtoi rreth 1.8 miliard\u00eb lek\u00eb nga shitja e apartamenteve, apo rreth 22 milion\u00eb euro, nd\u00ebrsa p\u00ebr vitin 2024 shitjet arrit\u00ebn vler\u00ebn e 4.1 miliard\u00eb lek\u00ebve apo rreth 44 milion\u00eb euro.<\/p>\n<p>Th\u00ebn\u00eb ndryshe, rreth 66 milion\u00eb euro ark\u00ebtime nga shtija e apartamenteve n\u00eb aj\u00ebr, nd\u00ebrkoh\u00eb q\u00eb asnj\u00eb prej apartamenteve ende nuk \u00ebsht\u00eb dor\u00ebzuar\u00a0 te klient\u00ebt.<\/p>\n<p>Kompania, p\u00ebr dy vitet q\u00eb ka dor\u00ebzuar bilancet n\u00eb QKB, deklaron rreth 10 milion\u00eb euro humbje, pasi fitimi do t\u00eb deklarohet vet\u00ebm pasi apartamentet t\u2019u dor\u00ebzohen personave q\u00eb i kan\u00eb bler\u00eb ato paraprakisht.<\/p>\n<p>Nga ana tjet\u00ebr, referuar bilanceve t\u00eb vitit 2023 dhe 2024, vlera e investimit deri n\u00eb 31 dhjetor 2024, ka qen\u00eb sa nj\u00eb e treta e t\u00eb ardhurave t\u00eb ark\u00ebtuara p\u00ebr shitjen e apartamenteve q\u00eb jan\u00eb n\u00eb process.<\/p>\n<p>Konkretisht, sipas bilanceve, rezulton se punimet n\u00eb proces p\u00ebr vitin 2023 ka qen\u00eb n\u00eb shum\u00ebn e 789 milion lek\u00ebve, nd\u00ebrsa p\u00ebr vitin 2024 kjo shum\u00eb arriti n\u00eb 3.4 miliard\u00eb lek\u00eb, apo rreth 35 milion\u00eb euro.<\/p>\n<p>Th\u00ebn\u00eb ndryshe, se teksa qytetar\u00ebt i kan\u00eb dh\u00ebn\u00eb Alabbarit rreth 66 milion\u00eb euro p\u00ebr dy vitet e para t\u00eb projektit p\u00ebr blerje apartamentesh, investitori nga Emiratet Arabe, ka investuar jo m\u00eb shum\u00eb se 43 milion\u00eb euro p\u00ebr t\u00eb nj\u00ebjt\u00ebn periudh\u00eb.<\/p>\n<p>Ndaj, nisur nga ky trend, parashikimi \u00ebsht\u00eb se investitori Arban, n\u00eb momentin e rakordimit t\u00eb bilanceve dhe dor\u00ebzimin e apartamenteve, mund t\u00eb rezultoj\u00eb me norma fitimi q\u00eb arrijn\u00eb m\u00eb shum\u00eb se dyfishi i vler\u00ebs s\u00eb investimit.<\/p>\n<p>Por sesa t\u00eb interesuar jan\u00eb shqiptar\u00ebt p\u00ebr blerjen e apartamenteve n\u00eb \u2018Durr\u00ebs Marina\u2019, na vijn\u00eb n\u00eb ndihm\u00eb p\u00ebrs\u00ebri bilancet e kompanis\u00eb.<\/p>\n<p>Te z\u00ebri i shpenzimeve t\u00eb konsulenc\u00ebs, kompania deklaron se p\u00ebr vitin 2023 ka shpenzuar rreth 2.4 milion\u00eb euro vet\u00ebm p\u00ebr reklama dhe n\u00eb vitin 2024 shuma e shpenzuar shkon n\u00eb rreth 1.8 milion\u00eb euro.<\/p>\n<p>Pra, n\u00eb vet\u00ebm dy vite, Alabbar, nga parat\u00eb q\u00eb u ka marr\u00eb qytetar\u00ebve p\u00ebr blerje apartamentesh ka shpenzuar mbi 4.4 milion\u00eb euro p\u00ebr reklama.<\/p>\n<p>Madje, ironike por e v\u00ebrtet\u00eb, shuma e shpenzuar p\u00ebr reklama, \u00ebsht\u00eb shum\u00eb m\u00eb e madhe se rrogat totale t\u00eb personelit.<\/p>\n<p>Sipas bilanceve, p\u00ebr dy vite, kompania ka shpenzuar rreth 3.6 milion\u00eb euro paga neto p\u00ebr punonj\u00ebsit, t\u00eb cil\u00ebt n\u00eb fakt do t\u00eb duhet t\u00eb ishin nj\u00eb nga z\u00ebrat kryesor t\u00eb shpenzimeve, pasi duhet t\u00eb punojn\u00eb p\u00ebr t\u00eb dor\u00ebzuar n\u00eb koh\u00eb apartamentet te qytetar\u00ebt q\u00eb kan\u00eb paguar miliona euro p\u00ebr blerje pronash. P\u00ebr vitin 2023, kompania deklaron 24 punonj\u00ebs, me pag\u00eb totale bruto prej rreth 1 milion\u00eb eurosh.<\/p>\n<p>Nd\u00ebrsa deri m\u00eb 31 dhjetor 2024, numri i punonj\u00ebsve shkon n\u00eb rreth 49 persona. Mir\u00ebpo, kompania \u2018Symphony Real Estate Development\u2019, e krijuar enkas nga Alabbar p\u00ebr t\u00eb qen\u00eb aksionere n\u00eb \u2018Durr\u00ebs Marina\u2019, kur mori statusin e Investitorit Strategjik, n\u00eb vitin 2021, ka deklaruar se do t\u00eb pun\u00ebsohen gjat\u00eb faz\u00ebs s\u00eb nd\u00ebrtimit mbi 1200 persona<\/p>\n<p>Pra, mbetet p\u00ebr t\u2019u verifikuar n\u00ebse numri i punonj\u00ebsve ka shkuar n\u00eb 1200 duke llogaritur k\u00ebtu edhe n\u00ebnkontraktor\u00ebt, q\u00eb po kryejn\u00eb punimet fizike?!<\/p>\n<p>Nga t\u00eb dh\u00ebna t\u00eb hapura, kjo shif\u00ebr rezulton se nuk \u00ebsht\u00eb arritur, duke ngritur dyshime edhe p\u00ebr shkeljen e nj\u00eb nga kritereve t\u00eb marrjes s\u00eb statusit t\u00eb investitorit strategjik, p\u00ebr t\u00eb cilin do t\u00eb ndalemi m\u00eb holl\u00ebsisht n\u00eb vijim<em>.<\/em><\/p>\n<p><strong>PROCEDURA E PORTIT TE DURRESIT<\/strong><\/p>\n<p>Historia e dh\u00ebnies s\u00eb Portit t\u00eb Durr\u00ebsit p\u00ebr nd\u00ebrtimin e nj\u00eb marine jahtesh, ka nisur q\u00eb her\u00ebt n\u00eb mandatin e par\u00eb kur socialist\u00ebt erdh\u00ebn n\u00eb pushtet. M\u00eb 25 N\u00ebntor 2015, qeveria shqiptare, miratoi nj\u00eb marr\u00ebveshje me Emiratet e Bashkuara Arabe, p\u00ebr nxitjen dhe mbrojtjen e investimeve. N\u00eb nenin 3 pika 1, parashikohej nxitja dhe krijimi i kushteve t\u00eb favorshme nga secila pal\u00eb p\u00ebr investitor\u00ebt e pal\u00ebs tjet\u00ebr p\u00ebr kryerjen e investimeve n\u00eb territorin e saj si dhe pranimin e k\u00ebtyre investimeve n\u00eb p\u00ebrputhje me rregulloret p\u00ebrkat\u00ebse.<\/p>\n<p>N\u00eb vitin 2020, Kuvendi ratifikoi marr\u00ebveshjen: \u2018P\u00ebr bashk\u00ebpunimin ekonomik nd\u00ebrmjet K\u00ebshillit t\u00eb Ministrave t\u00eb Republik\u00ebs s\u00eb Republik\u00ebs s\u00eb Shqip\u00ebris\u00eb dhe qeveris\u00eb s\u00eb Emirateve t\u00eb Bashkuara Arabe\u2019, sipas tekstit bashk\u00eblidhur k\u00ebtij ligji, pjes\u00eb p\u00ebrb\u00ebr\u00ebse e tij.<\/p>\n<p>Neni 6 i marr\u00ebveshjes ka p\u00ebrcaktuar, nd\u00ebr t\u00eb tjera, list\u00ebn e projekteve specifike q\u00eb konsiderohen t\u00eb nj\u00eb natyre strategjike n\u00eb p\u00ebrmbushjen e objektivave t\u00eb k\u00ebsaj marr\u00ebveshjeje dhe marr\u00ebveshjeve t\u00eb m\u00ebparshme ekonomike e t\u00eb bashk\u00ebpunimit midis dy pal\u00ebve, konkretisht: rizhvillimi i Portit t\u00eb Durr\u00ebsit; mund\u00ebsit\u00eb e investimeve n\u00eb industrin\u00eb e turizmit, bujq\u00ebsis\u00eb dhe logjistik\u00ebs n\u00eb Vlor\u00eb, Sarand\u00eb dhe Ksamil; investimet n\u00eb fush\u00ebn e turizmit n\u00eb zon\u00ebn e P\u00ebrmetit.<\/p>\n<p>Po sipas k\u00ebtij neni, kontratat, programet dhe projektet strategjike t\u00eb r\u00ebna dakord, n\u00eb p\u00ebrputhje me k\u00ebt\u00eb marr\u00ebveshje, nuk do t\u00eb jen\u00eb n\u00eb asnj\u00eb prej pal\u00ebve q\u00eb u n\u00ebnshtrohen prokurimit publik, tenderit publik, procedur\u00ebs konkuruese publike ose ndonj\u00eb procedur\u00eb tjet\u00ebr t\u00eb p\u00ebrcaktuar n\u00eb legjislacionin komb\u00ebtar t\u00eb Republik\u00ebs s\u00eb Shqip\u00ebris\u00eb ose t\u00eb EBA-s\u00eb pas ratifikimit t\u00eb saj.<\/p>\n<p>N\u00eb at\u00eb koh\u00eb, kjo marr\u00ebveshje u d\u00ebrgua n\u00eb Gjykat\u00ebn Kushtetuese nga opozita, e cila k\u00ebrkoi shfuqizimin e saj.<\/p>\n<p>Por Gjykata Kushtetuese e cil\u00ebsoi si t\u00eb ligjshme marr\u00ebveshjen duke e l\u00ebn\u00eb n\u00eb fuqi.<\/p>\n<p>N\u00eb vitin 2021, Agjencia Shqiptare e Zhvillimit t\u00eb Investimeve, me firm\u00eb t\u00eb Edi Ram\u00ebs, i dha statusin e investitorit strategjik p\u00ebr projektin e investimit \u2018Marina &amp; Jahtet e Durr\u00ebsit\u201d (Durr\u00ebs Yachts &amp; Marina), si nj\u00eb projekt i integruar turistik dhe i nj\u00eb r\u00ebnd\u00ebsie strategjike p\u00ebr vendin, t\u00eb kusht\u00ebzuar me realizimin e detyrave, planit t\u00eb veprimit t\u00eb parashikuar n\u00eb k\u00ebt\u00eb vendim, si dhe me finalizimin e nj\u00eb marr\u00ebveshje p\u00ebr form\u00ebn e bashk\u00ebpunimit midis pal\u00ebve, t\u00eb vlefshme sipas parashikimeve ligjore t\u00eb zbatueshme.<\/p>\n<p>Sipas k\u00ebtij vendimi, projekti do t\u00eb zhvillohet n\u00eb nj\u00eb sip\u00ebrfaqe af\u00ebrsisht 79 ha, n\u00eb zon\u00ebn e Portit t\u00eb Durr\u00ebsit, i ndar\u00eb n\u00eb 2 faza zhvillimi dhe do t\u00eb realizohet nga subjekti aplikues \u2018Symphony Real Estate Development\u2019 sh.p.k., si nj\u00eb projekt i integruar me port turistik dhe struktura akomoduese elitare, rezidenca me standard t\u00eb lart\u00eb dhe sh\u00ebrbime n\u00eb funksion t\u00eb tyre.<\/p>\n<p>N\u00eb vendim jan\u00eb parashikuar edhe masat mb\u00ebshtet\u00ebse q\u00eb i jepen zhvillimit t\u00eb projektit.<\/p>\n<p>N\u00eb 29 Dhjetor 2021, qeveria i kalon Ministris\u00eb s\u00eb Financave 80.9 ha tok\u00eb t\u00eb portit t\u00eb Durr\u00ebsit,\u00a0 me q\u00ebllim q\u00eb prona t\u2019i jepej investitorit.<\/p>\n<p>N\u00eb 18 korrik 2022, Komiteti i Investimeve Strategjike, ndryshon vendimin p\u00ebr \u2018Durr\u00ebs Marina\u2019, duke e \u00e7uar n\u00eb 15 vjet statusin e investitorit strategjik nga 7 q\u00eb ishte parashikuar n\u00eb vendimin fillestar.<\/p>\n<p>Po n\u00eb vitin 2022, Kuvendi miraton\u00a0 marr\u00ebveshjen kuad\u00ebr, nd\u00ebrmjet K\u00ebshillit t\u00eb Ministrave t\u00eb Republik\u00ebs s\u00eb Shqip\u00ebris\u00eb dhe \u2018Eagle Hills Real Estate Development\u2019, \u2018Albanian Seaports Development Company\u2019, sh.a. dhe \u2018Nshmi Development\u2019 L.L.C, p\u00ebr projektin e investimit strategjik \u2018Marina &amp; Jahtet e Durr\u00ebsit\u2019.<\/p>\n<p>N\u00eb Nenin 2 t\u00eb marr\u00ebveshjes, qeveria vendos t\u2019i fal\u00eb jo vet\u00ebm pron\u00ebn publike Mohamed Alabbarit, por nj\u00ebkoh\u00ebsisht ta p\u00ebrjashtoj\u00eb at\u00eb edhe nga pagesa e taksave n\u00eb infrastruktur\u00eb dhe ajo e kontributit p\u00ebr strehimin social.<\/p>\n<p><em><strong>LIGJI<\/strong><\/em><\/p>\n<p><em><strong>Neni 2<\/strong><\/em><\/p>\n<p><em><strong>Regjimi i posa\u00e7\u00ebm n\u00eb zbatim t\u00eb marr\u00ebveshjes:\u00a0<\/strong>\u201c<\/em><em>Shoq\u00ebria e p\u00ebrbashk\u00ebt p\u00ebr realizimin e projektit \u2018Marina &amp; Jahtet e Durr\u00ebsit\u2019 p\u00ebrjashtohet nga detyrimi p\u00ebr t\u00eb paguar taks\u00ebn e ndikimit n\u00eb infrastruktur\u00eb p\u00ebr nd\u00ebrtimet e reja dhe kontributin e strehimit social, sipas legjislacionit n\u00eb fuqi p\u00ebr sistemin e taksave vendore dhe legjislacionit n\u00eb fuqi p\u00ebr strehimin social. Vlera e detyrimit t\u00eb p\u00ebrjashtuar \u00ebsht\u00eb pjes\u00eb e kontributit t\u00eb shtetit shqiptar n\u00eb investim, sipas marr\u00ebveshjes s\u00eb p\u00ebrcaktuar n\u00eb nenin 1, t\u00eb k\u00ebtij ligji\u201d.<\/em><\/p>\n<p>Jo vet\u00ebm kaq, por skandali thellohet dhe m\u00eb tej, pasi n\u00eb relacionin shpjegues, qeveria nuk sakt\u00ebson se sa do t\u00eb jet\u00eb p\u00ebrfitimi i shtetit nga marr\u00ebveshja me Mohamed Alabbar p\u00ebr nd\u00ebrtimin e Durr\u00ebsit duke u shprehur se shteti do t\u00eb ket\u00eb p\u00ebrfitimin nga kjo marr\u00ebveshje, por pa sakt\u00ebsuar vler\u00ebn.<\/p>\n<p><em><strong>Relacioni:\u00a0<\/strong>\u201c<\/em><em>Shteti do t\u00eb ket\u00eb p\u00ebrfitim nga pjes\u00ebmarrja n\u00eb k\u00ebt\u00eb investim. Pjes\u00ebmarrja shtet\u00ebrore propozohet n\u00eb nivele t\u00eb tilla, t\u00eb cilat nuk shuajn\u00eb ose e reduktojn\u00eb ndjesh\u00ebm riskun operacional n\u00eb ngarkim t\u00eb investitorit. Pavar\u00ebsisht veprimeve t\u00eb aksionarit privat kuota e aksionerit shtet\u00ebror nuk do t\u00eb c\u00ebnohet.\u00a0Toka, bregdeti dhe deti p\u00ebrkat\u00ebs, prona shtet\u00ebrore k\u00ebto t\u00eb patjet\u00ebrsueshme te privati edhe pas zhvillimit, do t\u2019i n\u00ebnshtrohen proceseve moderne t\u00eb pastrimit ambiental dhe fizik.\u00a0Pronat private dhe publike rreth zon\u00ebs, objekt zhvillimi, do t\u00eb p\u00ebsojn\u00eb nj\u00eb rritje vlere t\u00eb konsiderueshme duke qen\u00eb se do t\u00eb ndodhen nj\u00eb zon\u00ebn pran\u00eb nj\u00eb zhvillimi modern e luksoz.\u00a0Aktiviteti i portit nuk do t\u00eb nd\u00ebrpritet dhe as pengohet gjat\u00eb fazave t\u00eb projektit\u201d.<\/em><\/p>\n<p>Gjithashtu n\u00eb relacion shkruhet se Projekti do t\u00eb zhvillohet n\u00eb dy faza relativisht t\u00eb ndara nga nj\u00ebra-tjetra n\u00eb hap\u00ebsir\u00eb dhe n\u00eb koh\u00eb, por q\u00eb do t\u00eb jen\u00eb t\u00eb integruara n\u00eb p\u00ebrfundim t\u00eb projektit.<\/p>\n<p>Buxheti\/kostoja e investimit t\u00eb projektit \u00ebsht\u00eb parashikuar t\u00eb jet\u00eb 2 081 347 054 (dy miliard\u00eb e tet\u00ebdhjet\u00eb e nj\u00eb milion e treqind e dyzet\u00eb e shtat\u00eb mij\u00eb e pes\u00ebdhjet\u00eb e kat\u00ebr euro). Investimi total n\u00eb faz\u00ebn 1 vler\u00ebsohet t\u00eb jet\u00eb 595 256 904 dhe p\u00ebr faz\u00ebn 2, 1 486 090 150.<\/p>\n<p>Pra, nisur nga k\u00ebto t\u00eb dh\u00ebna, kur n\u00eb dy vitet e para jan\u00eb investuar vet\u00ebm 43 milion\u00eb euro, me nj\u00eb p\u00ebrllogaritje t\u00eb thjesht\u00eb investimi i 2 miliard\u00eb eurove p\u00ebr nd\u00ebrtimin e \u2018Marin\u00ebs s\u00eb Jahteve\u2019 n\u00eb Durr\u00ebs do t\u00eb k\u00ebrkoj\u00eb disa dhjet\u00ebra vjet.<\/p>\n<p>Pra, qytetar\u00ebt q\u00eb po blejn\u00eb sot apartamente n\u00eb Durr\u00ebs, ku n\u00eb vet\u00ebm 2 vjet (referuar bilanceve t\u00eb vitit 2024 jan\u00eb shpenzuar rreth 66 milion\u00eb euro), qytetar\u00ebt do mund ta g\u00ebzojn\u00eb Marin\u00ebn e Jahteve, pra apartamentet e tyre vet\u00ebm pas s\u00eb paku 50-70 vjet\u00ebsh.<\/p>\n<p>Por le t\u00eb kthehemi te vendimi i Gjykat\u00ebs Kushtetuese. N\u00eb padin\u00eb e ngritur n\u00eb Gjykat\u00ebn Kushtetuese, renditen nj\u00eb seri faktor\u00ebsh se pse duhet rr\u00ebzuar kjo marr\u00ebveshje.<\/p>\n<p>N\u00eb pik\u00ebn 14.11.2, jepen vler\u00ebsimet financiare ku shtetit, sipas vendimit t\u00eb gjykat\u00ebs kushtetuese, ky projekt do ti kushtoj\u00eb qindra milion\u00eb euro.<\/p>\n<p><em><strong>Gjykata Kushtetuese:\u00a0<\/strong>\u201c<\/em><em>Projekti shoq\u00ebrohet me shpenzime t\u00eb m\u00ebdha financiare p\u00ebr shtetin. Vlera e tok\u00ebs publike \u2018t\u00eb falur\u2019 arrin n\u00eb 124 milion\u00eb euro, nd\u00ebrsa e truallit rreth 400 milion euro. Taksa e ndikimit n\u00eb infrastruktur\u00eb kap vler\u00ebn 84 milion\u00eb euro, nd\u00ebrsa detyrimi p\u00ebr strehimin social llogaritet n\u00eb shum\u00ebn 58.5 milion\u00eb euro. Po k\u00ebshtu, n\u00eb m\u00ebnyr\u00eb indirekte, shteti ngarkohet me detyrimin e pastrimit t\u00eb territorit me nj\u00eb kosto rreth 25 milion\u00eb euro. Ndarja e kostove t\u00eb kredis\u00eb, si detyrimin p\u00ebr aksionerin shtet\u00ebror, i korrespondon nj\u00eb vlere prej 8.25 milion\u00eb eurosh.<\/em><\/p>\n<p>Totali i kontributit n\u00eb investim t\u00eb pal\u00ebs shtet\u00ebrore arrin vler\u00ebn 299.75 milion\u00eb euro, ku nuk jan\u00eb llogaritur kredia prej 50.5 milion\u00eb eurosh e marr\u00eb p\u00ebr nd\u00ebrtimin e terminalit t\u00eb pasagjer\u00ebve dhe rregullimin e infrastruktur\u00ebs s\u00eb portit, grantet e Bashkimit Evropian (BE), kostot e financimit t\u00eb portit t\u00eb ri, pretendimet e kompanive gjermane dhe turke q\u00eb kan\u00eb paditur n\u00eb arbitrazh shtetin shqiptar n\u00eb vler\u00ebn 140 milion\u00eb euro, kostot p\u00ebr t\u00eb \u00e7uar n\u00eb kufi t\u00eb zon\u00ebs s\u00eb projektit infrastruktur\u00ebn p\u00ebrkat\u00ebse rrugore, kanalizimet, energjin\u00eb, ujin etj.<\/p>\n<p>Pra, me nj\u00eb llogari t\u00eb thjesht\u00eb, shteti shqiptar, b\u00ebhet investitor n\u00eb Marin\u00ebn e Durr\u00ebsit me rreth 300 milion\u00eb euro, pa llogaritur k\u00ebtu vler\u00ebn e pron\u00ebs s\u00eb falur q\u00eb shkon n\u00eb rreth 524 milion\u00eb euro.<\/p>\n<p>Por n\u00eb pretendimet e tij, Autoriteti Portual Durr\u00ebs, si aksioner te \u2018Durr\u00ebs Marina\u2019, e justifikon faljen e tok\u00ebs me argumenta jo shum\u00eb bind\u00ebs.<\/p>\n<p>Sipas APD, 20% e tok\u00ebs s\u00eb dh\u00ebn\u00eb p\u00ebr \u2018Durr\u00ebs Marina\u2019 do t\u00eb t\u00eb kthehet n\u00eb hap\u00ebsir\u00eb publike p\u00ebr qytetin e Durr\u00ebsit.<\/p>\n<p><strong>Autoriteti Portual Durr\u00ebs:\u00a0<\/strong><em>\u201cPretendimet p\u00ebr c\u00ebnimin e s\u00eb drejt\u00ebs s\u00eb pron\u00ebs publike jan\u00eb t\u00eb pabazuara, pasi pasuria e paluajtshme e v\u00ebn\u00eb n\u00eb dispozicion t\u00eb projektit p\u00ebrb\u00ebn kontribut t\u00eb shtetit n\u00eb investim.\u00a0 Pron\u00ebsia e tok\u00ebs do t\u2019i kaloj\u00eb pjes\u00eb-pjes\u00eb zhvilluesit, shoq\u00ebris\u00eb s\u00eb p\u00ebrbashk\u00ebt \u2018Durr\u00ebs Marina\u2019 sh.a., ku shteti zot\u00ebron 33 % t\u00eb aksioneve. Sipas nenit 10.8 t\u00eb marr\u00ebveshjes kuad\u00ebr dhe Marr\u00ebveshjes s\u00eb Marin\u00ebs, pron\u00ebsia e infrastruktur\u00ebs kritike detare, p\u00ebrfshir\u00eb kalatat, basenin e portit dhe kanalin hyr\u00ebs do t\u00eb mbeten gjithmon\u00eb pron\u00eb shtet\u00ebrore dhe e patjet\u00ebrsueshme.<\/em><\/p>\n<p>Nga zona zhvillimore prej 60 hektar\u00ebsh, 20% e truallit do t\u00eb kthehet n\u00eb hap\u00ebsir\u00eb publike p\u00ebr qytetin e Durr\u00ebsit, e cila do t\u00eb jet\u00eb n\u00eb pron\u00ebsi t\u00eb shtetit.<\/p>\n<p>Vendimi i Gjykat\u00ebs Kushtetuese, nxjerr n\u00eb pah dhe nj\u00eb detaj tjet\u00ebr, i cili nuk \u00ebsht\u00eb i sakt\u00ebsuar n\u00eb relacionin shpjegues t\u00eb marr\u00ebveshjes. Sipas relacionit sakt\u00ebsohet vet\u00ebm se investimi do t\u00eb kap shifrat prej 2 miliard\u00eb eurosh, i ndar\u00eb n\u00eb dy faza. Por te vendimi i Gjykat\u00ebs Kushtetuese zbulohet se investimi real nuk do t\u00eb jet\u00eb kurr\u00eb aq para. Sipas shpjegimeve t\u00eb b\u00ebra nga Autoriteti Portual Durr\u00ebs, vlera prej 2 miliard\u00eb eurosh, n\u00ebnkupton edhe asete t\u00eb tjera q\u00eb nuk lidhen direkt me investimin.<\/p>\n<p><strong>Autoriteti Portual Durr\u00ebs:\u00a0<\/strong><em>\u201cPo n\u00eb kuad\u00ebr t\u00eb k\u00ebtij parimi, pretendimet e k\u00ebrkuesit se investimi prej 2 miliard\u00eb eurosh i investitorit \u00ebsht\u00eb joreal, \u00ebsht\u00eb i pabazuar, pasi marr\u00ebveshja e vitit 2015 p\u00ebrcakton qart\u00eb se krahas parave n\u00eb investim p\u00ebrfshihen edhe pasurit\u00eb e paluajtshme, aksionet, letrat me vler\u00eb, obligacionet, huat, t\u00eb drejtat dhe pretendimet p\u00ebr para, sipas kontratave q\u00eb kan\u00eb nj\u00eb vler\u00eb financiare, pron\u00ebsia intelektuale. Nga ana tjet\u00ebr, kontrata tip e zhvillimit p\u00ebr investimet n\u00eb turiz\u00ebm, e miratuar me VKM-n\u00eb nr. 691, dat\u00eb 5 tetor 2016, ashtu si edhe kontratat koncesionare, t\u00eb cilat jan\u00eb n\u00ebnshkruar nga t\u00eb gjitha qeverit\u00eb shqiptare, pavar\u00ebsisht spektrit politik, k\u00ebrkon si kusht p\u00ebr efektivitetin e saj konfirmimin nga investitori q\u00eb ka gjetur financimin. Zhvillimi i projekteve, p\u00ebrfshir\u00eb edhe ato madhore, nuk varet nga vlera e kapitalit fillestar t\u00eb shoq\u00ebris\u00eb, por nga sh\u00ebndeti financiar dhe mund\u00ebsia p\u00ebr t\u00eb gjetur financim\u201d.<\/em><\/p>\n<p>Pra, th\u00ebn\u00eb ndryshe, sipa<em>s k\u00ebsaj logjike, Alabbar mund t\u00eb deklaroj\u00eb edhe kull\u00ebn Burj Khalifa si pjes\u00eb t\u00eb sh\u00ebndetit financiar t\u00eb kompanis\u00eb, dhe ta deklaroj\u00eb si pjes\u00eb t\u00eb investimit.<\/em><\/p>\n<p><em>Pas shqyrtimit t\u00eb k\u00ebtyre pretendimeve, n\u00eb 21 Shkurt 2025, Gjykata Kushtetuese rr\u00ebzoi k\u00ebrkes\u00ebn e deputet\u00ebve t\u00eb opozit\u00ebs duke e l\u00ebn\u00eb n\u00eb fuqi marr\u00ebveshjen.<\/em><\/p>\n<p><em>Vendimi u mor n\u00eb nj\u00eb koh\u00eb q\u00eb qeveria, po n\u00eb fillim t\u00eb vitit 2025 kishte miratuar edhe disa dhjet\u00ebra leje t\u00eb tjera zhvillimi p\u00ebr projektin \u2018Durr\u00ebs Marina\u2019.<\/em><\/p>\n<p><em>Nga ana tjet\u00ebr, teksa Gjykata Kushtetuese vendosi me shumic\u00eb an\u00ebtar\u00ebsh t\u00eb rr\u00ebzonte k\u00ebrkes\u00ebn e deputet\u00ebve t\u00eb opozit\u00ebs p\u00ebr shfuqizimin e ligjit, dy an\u00ebtar\u00eb t\u00eb k\u00ebsaj gjykate, kan\u00eb dh\u00ebn\u00eb mendim pjes\u00ebrisht kund\u00ebr, duke e cil\u00ebsuar ligjin, nga pik\u00ebpamja formale, si antikushtetues.<\/em><\/p>\n<p>Gjyqtarja Marsida Xhaferllari, rendit s\u00eb paku shtat\u00eb argumente kushtetuese se pse ligji i miratuar n\u00eb Kuvend p\u00ebr marr\u00ebveshjen mes qeveris\u00eb shqiptare dhe kompanis\u00eb s\u00eb Alabbar \u00ebsht\u00eb antikushtetues.<\/p>\n<p>N\u00eb pik\u00ebn 6 dhe 7 t\u00eb argumenteve t\u00eb saj, Xhaferllari sakt\u00ebson se miratimi i kontratave administrative, me ligj, q\u00eb \u00ebsht\u00eb kthyer n\u00eb norm\u00eb nga Kuvendi, po denatyron sistemin normativ t\u00eb vendit, sepse nj\u00eb ligj i till\u00eb merr tiparet e aktit individual, ai zbatohet p\u00ebr nj\u00eb marr\u00ebdh\u00ebnie juridike t\u00eb caktuar ndaj subjekteve t\u00eb individualizuara dhe shteron n\u00eb zbatimin e tij.<\/p>\n<p>Nj\u00eb ligji t\u00eb till\u00eb i mungojn\u00eb karakteristikat e aktit normativ, ai \u00ebsht\u00eb pa p\u00ebrmbajtje, nuk rregullon situata dhe sjellje n\u00eb m\u00ebnyr\u00eb t\u00eb p\u00ebrgjithshme.<\/p>\n<p>M\u00eb tej n\u00eb pik\u00ebn 7, Marsida Xhaferllari deklaron se qasja e Kuvendit p\u00ebr miratimin me ligj t\u00eb marr\u00ebveshjes, p\u00ebrmes procedur\u00ebs parlamentare ligjv\u00ebn\u00ebse, deformon edhe procedurat e kontrollit gjyq\u00ebsor t\u00eb saj, si nj\u00eb akt t\u00eb vullnetit t\u00eb pal\u00ebve.<\/p>\n<p>K\u00ebshtu, p\u00ebr sa koh\u00eb q\u00eb marr\u00ebveshja nuk p\u00ebrb\u00ebn akt normativ, veshja e saj me ligj e p\u00ebrjashton nga juridiksioni i zakonsh\u00ebm gjyq\u00ebsor, nd\u00ebrsa Gjykat\u00ebn e vendos n\u00eb situat\u00ebn q\u00eb t\u00eb pranoj\u00eb n\u00eb juridiksionin e saj kontrollin e akteve me natyr\u00eb individuale.<\/p>\n<p>Nd\u00ebrsa n\u00eb p\u00ebrfundim, k\u00ebrkonte q\u00eb ligji t\u00eb shfuqizohej nga koleg\u00ebt e saj, q\u00eb n\u00eb fakt b\u00ebn t\u00eb kund\u00ebrt\u00ebn.<\/p>\n<p><strong>Marsida Xhaferllari:\u00a0<\/strong><em>\u201cN\u00eb p\u00ebrmbledhje t\u00eb arsyeve t\u00eb m\u00ebsip\u00ebrme dhe bazuar n\u00eb nenet 4, 81\u201385, 116 dhe 131, shkronja \u2018a\u2019, t\u00eb Kushtetut\u00ebs, vler\u00ebsoj se ligji objekt kund\u00ebrshtimi \u00ebsht\u00eb i papajtuesh\u00ebm me Kushtetut\u00ebn n\u00eb aspektin formal, p\u00ebr sa koh\u00eb q\u00eb Kuvendi ka vepruar n\u00eb kund\u00ebrshtim me kompetencat dhe procedur\u00ebn parlamentare ligjv\u00ebn\u00ebse. P\u00ebr rrjedhoj\u00eb, Gjykata duhej t\u00eb kishte pranuar k\u00ebrkes\u00ebn pjes\u00ebrisht dhe t\u00eb vendoste shfuqizimin e ligjit objekt k\u00ebrkese\u201d.<\/em><\/p>\n<p>Gjyqtari Ilir Toska futet m\u00eb n\u00eb brend\u00ebsi t\u00eb ligjit, ku konstaton se s\u00eb paku tre nene t\u00eb tij, 1, 3 dhe neni 4, jan\u00eb antikushtetues dhe p\u00ebr k\u00ebt\u00eb arsye ligji duhet t\u00eb shfuqizohej.<\/p>\n<p>Ai argumenton fillimisht se \u2018Nd\u00ebrhyrja e Kuvendit n\u00eb k\u00ebt\u00eb rast p\u00ebrmes miratimit me ligj t\u00eb marr\u00ebveshjes kuad\u00ebr, t\u00eb statutit t\u00eb shoq\u00ebris\u00eb s\u00eb p\u00ebrbashk\u00ebt, t\u00eb marr\u00ebveshjes s\u00eb zhvillimit dhe kontrat\u00ebs p\u00ebr transferimin e titullit t\u00eb pron\u00ebsis\u00eb dhe t\u00eb marr\u00ebveshjes \u2018P\u00ebr Marin\u00ebn e Durr\u00ebsit\u2019, pra p\u00ebrmes nj\u00eb akti me natyr\u00eb t\u00eb p\u00ebrgjithshme, e b\u00ebn k\u00ebt\u00eb veprimtari jokushtetuese.<\/p>\n<p><em>Kuvendi ka nd\u00ebrhyr\u00eb p\u00ebr rregullimin e nj\u00eb \u00e7\u00ebshtjeje q\u00eb i p\u00ebrket vler\u00ebsimit dhe miratimit nga pushteti ekzekutiv, duke qen\u00eb p\u00ebrpara nj\u00eb marr\u00ebveshjeje vullneti, q\u00eb n\u00eb praktik\u00eb realizohet p\u00ebrmes ofert\u00ebs dhe pranimit t\u00eb saj, pra me natyr\u00eb t\u00eb past\u00ebr ekzekutive.<\/em><\/p>\n<p><em>Vullneti i ligjv\u00ebn\u00ebsit n\u00eb k\u00ebt\u00eb rast nuk \u00ebsht\u00eb i shprehur n\u00eb cil\u00ebsin\u00eb e organit p\u00ebrfaq\u00ebsues t\u00eb vullnetit t\u00eb popullit, pra si vullnet i nj\u00eb lloji autoritar, por vet\u00ebm me synimin p\u00ebr t`i dh\u00ebn\u00eb vler\u00eb juridike dispozitave t\u00eb nj\u00eb marr\u00ebveshjeje q\u00eb \u00ebsht\u00eb detyruese dhe sjell pasoja vet\u00ebm ndaj pal\u00ebve t\u00eb saj.<\/em><\/p>\n<p><em>Madje, sipas gjyqtarit Toska, miratimi i tre neneve t\u00eb sip\u00ebrmendura nga Kuvendi, pengon gjykatat e nivelit t\u00eb zakonsh\u00ebm, q\u00eb t\u00eb mbrojn\u00eb interesat e pal\u00ebs shtet n\u00eb k\u00ebt\u00eb rast.<\/em><\/p>\n<p><strong>Ilir Toska:\u00a0<\/strong><em>\u201cNd\u00ebrhyrja e Kuvendit n\u00eb k\u00ebt\u00eb rast p\u00ebrmes miratimit me ligj t\u00eb marr\u00ebveshjes kuad\u00ebr, t\u00eb statutit t\u00eb shoq\u00ebris\u00eb s\u00eb p\u00ebrbashk\u00ebt, t\u00eb marr\u00ebveshjes s\u00eb zhvillimit dhe kontrat\u00ebs p\u00ebr transferimin e titullit t\u00eb pron\u00ebsis\u00eb dhe t\u00eb marr\u00ebveshjes \u2018P\u00ebr Marin\u00ebn e Durr\u00ebsit\u2019, pra p\u00ebrmes nj\u00eb akti me natyr\u00eb t\u00eb p\u00ebrgjithshme, e b\u00ebn k\u00ebt\u00eb veprimtari jokushtetuese. Kuvendi ka nd\u00ebrhyr\u00eb p\u00ebr rregullimin e nj\u00eb \u00e7\u00ebshtjeje q\u00eb i p\u00ebrket vler\u00ebsimit dhe miratimit nga pushteti ekzekutiv, duke qen\u00eb p\u00ebrpara nj\u00eb marr\u00ebveshjeje vullneti, q\u00eb n\u00eb praktik\u00eb realizohet p\u00ebrmes ofert\u00ebs dhe pranimit t\u00eb saj, pra me natyr\u00eb t\u00eb past\u00ebr ekzekutive. Vullneti i ligjv\u00ebn\u00ebsit n\u00eb k\u00ebt\u00eb rast nuk \u00ebsht\u00eb i shprehur n\u00eb cil\u00ebsin\u00eb e organit p\u00ebrfaq\u00ebsues t\u00eb vullnetit t\u00eb popullit, pra si vullnet i nj\u00eb lloji autoritar, por vet\u00ebm me synimin p\u00ebr t`i dh\u00ebn\u00eb vler\u00eb juridike dispozitave t\u00eb nj\u00eb marr\u00ebveshjeje q\u00eb \u00ebsht\u00eb detyruese dhe sjell pasoja vet\u00ebm ndaj pal\u00ebve t\u00eb saj\u201d.<\/em><\/p>\n<p>\u00cbsht\u00eb e qart\u00eb nga kaq sa ju treguam, se miratimi i k\u00ebtij ligji, q\u00eb i hapi rrug\u00eb shkat\u00ebrrimit t\u00eb pasuris\u00eb m\u00eb t\u00eb r\u00ebnd\u00ebsishme ekonomike dhe strategjike p\u00ebr shqiptar\u00ebt, Portit t\u00eb Durr\u00ebsit, ka qen\u00eb i orkestruar n\u00eb m\u00ebnyr\u00eb t\u00eb till\u00eb q\u00eb gjith\u00e7ka t\u00eb favorizonte biznesmenin Mohamed Alabbar.<\/p>\n<p>Dhe rezultatet e k\u00ebtij ligji t\u00eb pakt\u00ebn deri m\u00eb sot, tregojn\u00eb se i vetmi q\u00eb ka p\u00ebrfituar \u00ebsht\u00eb biznesmeni arab, Mohamed Alabbar.<\/p>\n<p>80 ha truall me vler\u00eb 520 milion\u00eb euro, portin m\u00eb t\u00eb madh t\u00eb vendit n\u00eb sh\u00ebrbim t\u00eb resortit t\u00eb tij dhe mbi t\u00eb gjitha, zhvatja e mbi 66 milion\u00eb euro n\u00eb vet\u00ebm dy vite p\u00ebr t\u00eb nd\u00ebrtuar apartamente, t\u00eb cilat nuk dihet kurr\u00eb se kur do t\u2019i g\u00ebzojn\u00eb ata q\u00eb i kan\u00eb porositur.<\/p>\n<p>E gjitha kjo nisi me nj\u00eb propagand\u00eb t\u00eb madhe dhe angazhim personal t\u00eb Edi Ram\u00ebs dhe Belinda Ballukut, t\u00eb cil\u00ebt premtuan se Alabbar do t\u00eb investonte 2 miliard\u00eb euro n\u00eb Durr\u00ebs, por q\u00eb n\u00eb fakt, nga dokumentet e deritanishme, rezulton se Alabbar p\u00ebrfitoi nj\u00eb pasuri publike me vler\u00eb mbi gjysm\u00eb miliardi euro duke investuar vet\u00ebm 23 mij\u00eb euro si kapital themeltar p\u00ebr shoq\u00ebrin\u00eb \u2018Durr\u00ebs Marina\u2019.<\/p>\n<p>Pjesa tjet\u00ebr e parave t\u00eb injektuara n\u00eb kapital apo dhe investim, jan\u00eb t\u00eb ardhurat nga shuma mbi 66 milion\u00eb euro e kontratave t\u00eb klient\u00ebve q\u00eb kan\u00eb parapaguar p\u00ebr apartamente n\u00eb marin\u00ebn e Durr\u00ebsit.\/ Emisioni \u201cN\u00eb Sh\u00ebnjest\u00ebr\u201d<\/p>\n<p><!-- CONTENT END 2 --><\/p>\n<\/div>","protected":false},"excerpt":{"rendered":"<p>M\u00eb 29 n\u00ebntor t\u00eb vitit 2020, nd\u00ebrtesa m\u00eb e lart\u00eb e bot\u00ebs, Burj Khalifa do t\u00eb ngjyrosej Kuq e Zi. Video u shp\u00ebrnda n\u00eb rrjetet sociale edhe nga Kryeministri Edi Rama, i cili falenderonte kompanin\u00eb \u2018Emmar\u2019 t\u00eb sip\u00ebrmarr\u00ebsit nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Mohamed Alabbar, p\u00ebr k\u00ebt\u00eb nder t\u00eb madh q\u00eb i b\u00ebnte Shqip\u00ebris\u00eb. Shp\u00ebrfaqja [&hellip;]<\/p>\n","protected":false},"author":0,"featured_media":0,"comment_status":"open","ping_status":"open","sticky":false,"template":"","format":"standard","meta":{"footnotes":""},"categories":[1],"tags":[],"class_list":["post-87183","post","type-post","status-publish","format-standard","hentry","category-uncategorized"],"_links":{"self":[{"href":"https:\/\/zennihost.com\/test\/wp-json\/wp\/v2\/posts\/87183","targetHints":{"allow":["GET"]}}],"collection":[{"href":"https:\/\/zennihost.com\/test\/wp-json\/wp\/v2\/posts"}],"about":[{"href":"https:\/\/zennihost.com\/test\/wp-json\/wp\/v2\/types\/post"}],"replies":[{"embeddable":true,"href":"https:\/\/zennihost.com\/test\/wp-json\/wp\/v2\/comments?post=87183"}],"version-history":[{"count":0,"href":"https:\/\/zennihost.com\/test\/wp-json\/wp\/v2\/posts\/87183\/revisions"}],"wp:attachment":[{"href":"https:\/\/zennihost.com\/test\/wp-json\/wp\/v2\/media?parent=87183"}],"wp:term":[{"taxonomy":"category","embeddable":true,"href":"https:\/\/zennihost.com\/test\/wp-json\/wp\/v2\/categories?post=87183"},{"taxonomy":"post_tag","embeddable":true,"href":"https:\/\/zennihost.com\/test\/wp-json\/wp\/v2\/tags?post=87183"}],"curies":[{"name":"wp","href":"https:\/\/api.w.org\/{rel}","templated":true}]}}