{"id":76738,"date":"2026-03-17T07:48:31","date_gmt":"2026-03-17T07:48:31","guid":{"rendered":"https:\/\/zennihost.com\/test\/2026\/03\/17\/kur-u-mor-vesh-se-mehmet-shehu-kishte-vrare-veten-liria-i-tha-babait-hajdar-krushku-kadriu-mbaroi-ajo-e-parandjeu-te-keqen-madje-kur-vdiq-hysni-kapo-deshmia\/"},"modified":"2026-03-17T07:48:31","modified_gmt":"2026-03-17T07:48:31","slug":"kur-u-mor-vesh-se-mehmet-shehu-kishte-vrare-veten-liria-i-tha-babait-hajdar-krushku-kadriu-mbaroi-ajo-e-parandjeu-te-keqen-madje-kur-vdiq-hysni-kapo-deshmia","status":"publish","type":"post","link":"https:\/\/zennihost.com\/test\/2026\/03\/17\/kur-u-mor-vesh-se-mehmet-shehu-kishte-vrare-veten-liria-i-tha-babait-hajdar-krushku-kadriu-mbaroi-ajo-e-parandjeu-te-keqen-madje-kur-vdiq-hysni-kapo-deshmia\/","title":{"rendered":"\u201cKur u mor vesh se Mehmet Shehu kishte vrar\u00eb veten, Liria i tha babait; Hajdar, krushku Kadriu, mbaroi\u2019, ajo e parandjeu t\u00eb keqen, madje, kur vdiq Hysni Kapo\u2026\u201d\/ D\u00ebshmia e rrall\u00eb e Agron Aranitasit"},"content":{"rendered":"<p>Nga AGRON ARANITASI<\/p>\n<p>Pjesa e dyt\u00eb<\/p>\n<p>T\u00cb V\u00cbRTETAT Q\u00cb BESOJ<\/p>\n<p>-AGJENTI FRANCEZ \u2013<\/p>\n<p>Hyrje<br \/>\nKur fillova t\u00eb shkruaj librin, \u201cT\u00eb v\u00ebrtetat q\u00eb besoj\u201d, nuk kisha menduar t\u00eb shkruaja p\u00ebr veten time. Shtysa, e par\u00eb, m\u00eb lindi kur u njoha me dosjet e Sigurimit t\u00eb Shtetit p\u00ebr survejimin e shtetasit Agron Hajdar Aranitasi. Ato dosje jan\u00eb, nj\u00eb d\u00ebshmi m\u00eb shum\u00eb, se si mund t\u00eb persekutohej dikush, i cili, n\u00eb nj\u00eb \u00e7ast t\u00eb caktuar, vendosej n\u00eb radh\u00ebn e armiqve t\u00eb pushtetit popullor. Nuk merrej parasysh asgj\u00eb, as si kishte punuar, as si ishte sjellur, as si kishte jetuar. Nuk merrej parasysh as q\u00ebndrimi i prind\u00ebrve, v\u00ebllez\u00ebrve dhe kush\u00ebrinjve t\u00eb shumt\u00eb, t\u00eb cil\u00ebt, automatikisht, i n\u00ebnshtroheshin goditjes s\u00eb eg\u00ebr dhe vuanin pasoja pa patur asnj\u00eb faj.<\/p>\n<p>Kapitulli i Par\u00eb<\/p>\n<p>Origjina familjare<\/p>\n<p>Liri Arapi (Aranitasi)<\/p>\n<p>\u201cPas \u00e7lirimit kam punuar n\u00eb sektor\u00eb t\u00eb ndrysh\u00ebm. N\u00eb vitet 1945-\u201846 kam punuar si drejtoresh\u00eb shkolle dhe p\u00ebrgjegj\u00ebse e gruas n\u00eb n\u00ebnprefektur\u00ebn e qendr\u00ebs s\u00eb Kor\u00e7\u00ebs. M\u00eb 1947, kam qen\u00eb an\u00ebtare e komitetit t\u00eb partis\u00eb n\u00eb Rajonin Nr. 3 n\u00eb Tiran\u00eb. N\u00eb qershor 1947, u caktova an\u00ebtare e redaksis\u00eb s\u00eb revist\u00ebs \u201cShqiptarja e Re\u201d. Aty q\u00ebndrova deri n\u00eb prill 1948 dhe pas plenumit t\u00eb VIII-t\u00eb t\u00eb Komitetit Qendror t\u00eb PKSH-s\u00eb, m\u00eb larguan nga sekretariati (i komitetit t\u00eb partis\u00eb-sh\u00ebn. im), gjoja, me pretekstin se kishin nevoj\u00eb p\u00ebr n\u00eb arsim, por n\u00eb t\u00eb v\u00ebrtet\u00eb se nuk kishin besim te un\u00eb (familja Arapi njihej si nj\u00eb familje me q\u00ebndrime t\u00eb forta pro-kosovare-sh\u00ebn. im). Pas k\u00ebsaj u caktova me pun\u00eb n\u00eb Vlor\u00eb si p\u00ebrgjegj\u00ebse e kursit pedagogjik.<\/p>\n<p>N\u00eb shtator 1948 (pas plenumit t\u00eb IX-t\u00eb t\u00eb partis\u00eb-sh\u00ebn. im), kur burri im u transferua n\u00eb Peshkopi, shkova edhe un\u00eb atje si drejtore e shkoll\u00ebs 7-vje\u00e7are. Pas Kongresit t\u00eb partis\u00eb (n\u00ebntor 1948), ne u transferuam n\u00eb Tiran\u00eb dhe un\u00eb u caktova si an\u00ebtare e seksionit t\u00eb Agit-propit (agjitacionit dhe propagand\u00ebs) n\u00eb kryesin\u00eb e Sindikatave. M\u00eb von\u00eb kam punuar n\u00eb sekretariatin e K\u00ebshillit t\u00eb P\u00ebrgjithsh\u00ebm t\u00eb Gruas (vendim i sekretariatit t\u00eb Komitetit Qendror me nr. 1258\/44, dat\u00eb 28 gusht 1949), si sekretare e kolegjiumit t\u00eb revist\u00ebs \u201cShqiptarja e Re\u201d dhe m\u00eb von\u00eb si an\u00ebtare e sekretariatit dhe p\u00ebrgjegj\u00ebse e seksionit t\u00eb jasht\u00ebm. Gjat\u00eb koh\u00ebs q\u00eb punoja n\u00eb sekretariat, jam d\u00ebrguar n\u00eb Bashkimin Sovjetik si pjes\u00eb e delegacionit fshatar.<\/p>\n<p>Nga Presidiumi i Kuvendit Popullor m\u00eb jan\u00eb akorduar dekoratat e Kujtimit, e \u00c7lirimit dhe e Trim\u00ebris\u00eb. N\u00eb vitin 1948 jam graduar oficere me grad\u00ebn aspirant. Vazhdoj shkoll\u00ebn e partis\u00eb me korrespondenc\u00eb (t\u00eb cil\u00ebn e ka mbaruar shk\u00eblqyesh\u00ebm-sh\u00ebn. im). P\u00ebrpiqem t\u00eb kryej sa m\u00eb mir\u00eb detyrat q\u00eb m\u00eb ngarkohen. M\u00eb mir\u00eb se n\u00eb \u00e7do sektor tjet\u00ebr mund t\u00eb jap n\u00eb sektorin e shtypit\u201d.<\/p>\n<p>Kor\u00e7\u00eb, m\u00eb 23 maj 1952<\/p>\n<p>An\u00ebtarja e P.P. Shqip\u00ebris\u00eb<\/p>\n<p>Liri Aranitasi<\/p>\n<p>Duhet sh\u00ebnuar se Liria \u00ebsht\u00eb treguar e kujdesshme n\u00eb p\u00ebrpilimin e biografis\u00eb s\u00eb saj. Ajo nuk shkruan asnj\u00eb fjal\u00eb p\u00ebr dy kontrollet q\u00eb i ishin b\u00ebr\u00eb deri n\u00eb vitin 1948. Nuk shkruan asnj\u00eb fjal\u00eb p\u00ebr q\u00ebndrimin e mbajtur prej saj, kur u vra Vllasi. Ajo shkruan se n\u00eb vitin 1946; \u201cu fol se Vllas Arapi ishte vrar\u00eb\u201d. N\u00eb t\u00eb v\u00ebrtet\u00eb, dit\u00ebn q\u00eb m\u00ebsoi p\u00ebr vrasjen e tij, ajo u vesh me t\u00eb zeza dhe u nis nga Kor\u00e7a drejt familjes s\u00eb saj n\u00eb Vlor\u00eb. Donte t\u00eb merrte pjes\u00eb n\u00eb varrimin e t\u00eb v\u00ebllait.<\/p>\n<p>Varrim nuk pati, trupi i Vllasit nuk iu dor\u00ebzua familjes. Si\u00e7 tregojn\u00eb dokumentet e Deg\u00ebs s\u00eb Brendshme Durr\u00ebs, trupi i tij u gjet, diku, midis Kavaj\u00ebs dhe Peqinit dhe po aty u varros (nga Forcat e Ndjekjes) n\u00eb bregun e lumit, i cili, m\u00eb von\u00eb, i mori dhe i zhduku mbetjet e tij. Pavar\u00ebsisht se Liria nuk flet p\u00ebr k\u00ebt\u00eb ngjarje, at\u00eb e sh\u00ebnojn\u00eb n\u00eb dokumentet e saj (n\u00eb vitin 1946) an\u00ebtar\u00ebt e komisionit t\u00eb Qarkorit, q\u00eb kontrollonin pun\u00ebn e saj:<\/p>\n<p>Konkluzion<\/p>\n<p>\u201cJemi dakord me karakteristik\u00ebn e mir\u00eb q\u00eb i \u00ebsht\u00eb b\u00ebr\u00eb, por shtojm\u00eb se me vrasjen e v\u00ebllait t\u00eb saj, Vlosh (Vllas-sh\u00ebn. im) Arapi, Liria \u00ebsht\u00eb prekur, ka shkuar pran\u00eb familjes, por ka marr\u00eb leje. E vjet\u00ebr n\u00eb Ushtri dhe Parti. Jo shum\u00eb aktive n\u00eb pun\u00ebt e Partis\u00eb. Element i squet dhe q\u00eb mund t\u00eb shkoj\u00eb p\u00ebrpara\u201d.<\/p>\n<p>Firmosur nga Jani Suljoti, Stefi Kotmilo dhe Mihallaq Gjinikasi. Kontrolli tjet\u00ebr \u00ebsht\u00eb b\u00ebr\u00eb n\u00eb vitin 1948, kur, pas d\u00ebnimit t\u00eb Ko\u00e7i Xoxes dhe prishjes me jugosllav\u00ebt, u b\u00eb spastrimi i radh\u00ebve t\u00eb partis\u00eb. N\u00eb t\u00eb shkruhet: \u201cN\u00eb formular \u00ebsht\u00eb treguar e kujdesshme. Duhej t\u00eb kishte shkruar m\u00eb shum\u00eb, mund\u00ebsit\u00eb p\u00ebr k\u00ebt\u00eb i ka patur.<\/p>\n<p>Para \u00e7lirimit edukata e saj nuk ka qen\u00eb shum\u00eb e mir\u00eb, ka qen\u00eb nj\u00eb edukat\u00eb fetare (n\u00eb biografit\u00eb e saj Liria gjithnj\u00eb ka p\u00ebrmendur se kishte qen\u00eb shum\u00eb besimtare, e besimit t\u00eb krishter\u00eb). Ka qen\u00eb e lidhur ngusht\u00eb me L\u00ebvizjen Nacional\u00e7lirimtare q\u00eb n\u00eb koh\u00ebn m\u00eb t\u00eb par\u00eb. Ka punuar (n\u00eb terren) dhe m\u00eb von\u00eb \u00ebsht\u00eb hedhur n\u00eb radh\u00ebt e ushtris\u00eb N-\u00c7l. Ka luftuar dhe q\u00ebndrimi i saj ka qen\u00eb i mir\u00eb. Megjithat\u00eb, koh\u00ebt e fundit, \u00ebsht\u00eb treguar e pakujdesshme\u2026i ka munguar aktiviteti. Nuk i merr \u00e7\u00ebshtjet seriozisht. \u00cbsht\u00eb pak e afruar me shok\u00ebt\u201d.<\/p>\n<p>Mendimi p\u00ebrfundimtar i Komisionit t\u00eb Kontrollit: \u201cJemi t\u00eb mendimit q\u00eb shoqes Liri Aranitasi, t\u2019i jepet tesera e partis\u00eb\u201d. Komisioni Vandush Vin\u00e7ani, Petro Bobicka dhe Rafail Qeleshi. T\u00eb gjith\u00eb pranojn\u00eb q\u00eb \u00ebsht\u00eb e zgjuar, e p\u00ebrgatitur, e aft\u00eb p\u00ebr pun\u00eb n\u00eb agjit-prop, n\u00eb sekretariatin e Gruas, p\u00ebrve\u00e7se partizane e vjet\u00ebr, por, n\u00eb fund sh\u00ebnojn\u00eb se; \u201ckoh\u00ebt e fundit rendimenti i saj ka r\u00ebn\u00eb, nuk i merr pun\u00ebt seriozisht, \u00ebsht\u00eb mbyllur n\u00eb guask\u00ebn e saj\u201d. Arsyen, pse mbahet ky q\u00ebndrim, e zbulon dokumenti i m\u00ebposht\u00ebm, p\u00ebr t\u00eb cilin Liria nuk ka patur dijeni:<\/p>\n<p>\u201c\u00cbsht\u00eb e ngritur politikisht, e kupton vij\u00ebn e partis\u00eb, por nuk e zbaton plot\u00ebsisht\u2026! Me rastin e gjyqit (t\u00eb deputet\u00ebve-sh\u00ebn. im) \u00ebsht\u00eb treguar e m\u00ebshirshme me Enver Zazanin (!) (ky ishte deputet dhe mik i Tol Arapit. U d\u00ebnua me vdekje-sh\u00ebn. im). \u00c7mon diskusionet e Shefqet Bej\u00ebs (!) si t\u00eb nj\u00eb njeriu t\u00eb zgjuar (deputet, i d\u00ebnuar me vdekje-sh\u00ebn. im). Flet p\u00ebr dob\u00ebsin\u00eb e gjyqtar\u00ebve tan\u00eb (!), t\u00eb cil\u00ebt i ve n\u00eb loj\u00eb si p\u00ebr t\u00eb kaluar koh\u00ebn. Merr n\u00ebp\u00ebr goj\u00eb t\u00eb metat e kooperativave dhe i bisedon me k\u00ebdo, pa marr\u00eb parasysh se c\u00ebnon \u00e7\u00ebshtje t\u00eb partis\u00eb (!). S\u2019ka studiuar teori dhe nuk studion edhe tani, sepse, si\u00e7 thot\u00eb vet\u00eb, ka mbi kok\u00eb sht\u00ebpi dhe familje e \u00e7iliminjt\u00eb e saj.<\/p>\n<p>Ka qen\u00eb p\u00ebrgjegj\u00ebse arsimi n\u00eb rajon, tani \u00ebsht\u00eb an\u00ebtare redaksie. K\u00ebt\u00eb e ka pritur shum\u00eb mir\u00eb, \u00ebsht\u00eb puna q\u00eb i p\u00eblqen m\u00eb shum\u00eb. Ka rendiment t\u00eb mir\u00eb, por do kishte m\u00eb shum\u00eb sikur t\u00eb mos ngutej. I p\u00eblqejn\u00eb shum\u00eb t\u00eb th\u00ebnat e t\u00eb thashat, \u00ebsht\u00eb shum\u00eb kurioze. Asnj\u00eb p\u00ebrmir\u00ebsim nuk ka b\u00ebr\u00eb dhe nuk mund t\u00eb b\u00ebj\u00eb n\u00eb k\u00ebt\u00eb drejtim. \u00cbsht\u00eb shum\u00eb kok\u00ebfort\u00eb dhe shum\u00eb e padisiplinuar. K\u00ebt\u00eb e tregon edhe ndaj superior\u00ebve. \u00cbsht\u00eb n\u00eb gjendje t\u00eb jap\u00eb mir\u00eb mendimet n\u00eb mbledhje. Flet e shkruan mir\u00eb\u201d. Firmosur Nexhmije Hoxha.<\/p>\n<p>Kur Liria ishte me studime n\u00eb Shkoll\u00ebn e Lart\u00eb t\u00eb Partis\u00eb n\u00eb Mosk\u00eb, organizata baz\u00eb, pjes\u00eb e s\u00eb cil\u00ebs ishte, mori n\u00eb shqyrtim q\u00ebndrimin e Xhavit Qeses, funksionar i lart\u00eb n\u00eb Komitetin e Partis\u00eb n\u00eb Tiran\u00eb, q\u00eb ishte me studime, n\u00eb t\u00eb nj\u00ebjt\u00ebn shkoll\u00eb. N\u00eb muajin mars 1957 organizata baz\u00eb d\u00ebnoi veprimtarin\u00eb e Qeses, i hoqi t\u00eb drejt\u00ebn q\u00eb t\u00eb vazhdonte studimet dhe e ktheu n\u00eb Tiran\u00eb. Pas pak ai u arrestua. Liria nuk kishte marr\u00eb pjes\u00eb n\u00eb diskutimet p\u00ebr \u00e7\u00ebshtjen e tij.<\/p>\n<p>P\u00ebr k\u00ebt\u00eb, me motivacionin se \u201cnuk ishte treguar vigjilente dhe luftarake p\u00ebr mbrojtjen e vij\u00ebs s\u00eb partis\u00eb\u201d, iu dha v\u00ebrejtje. N\u00eb muajin gusht 1957, sekretariati i Komitetit Qendror t\u00eb partis\u00eb e zyrtarizoi mas\u00ebn dhe urdh\u00ebroi q\u00eb ajo t\u00eb sh\u00ebnohej n\u00eb dokumentet e saj. Dokumenti p\u00ebrkat\u00ebs mban firm\u00ebn e drejtorit t\u00eb drejtoris\u00eb s\u00eb organeve t\u00eb Partis\u00eb, Rinis\u00eb dhe Bashkimeve Profesionale, Pirro Kondi.<\/p>\n<p>N\u00eb dosjen e saj partiake ndodhet edhe d\u00ebftesa, q\u00eb d\u00ebshmon se Liria kishte mbaruar, me korrespondenc\u00eb, Shkoll\u00ebn e Partis\u00eb me rezultate t\u00eb shk\u00eblqyera (Shkolla ishte dy vje\u00e7are dhe drejtohej nga Petro Lalaj-sh\u00ebn. im). Po aty ndodhet diploma e Liri Aranitasit p\u00ebr mbarimin shk\u00eblqyesh\u00ebm t\u00eb Shkoll\u00ebs s\u00eb Lart\u00eb t\u00eb Partis\u00eb n\u00eb Mosk\u00eb, pran\u00eb Komitetit Qendror t\u00eb Partis\u00eb Komuniste t\u00eb Bashkimit Sovjetik (1954-1957). N\u00eb shtatorin e vitit 1957, pas kthimit nga Bashkimi Sovjetik, Liria caktohet pedagoge n\u00eb Shkoll\u00ebn e Partis\u00eb n\u00eb Tiran\u00eb, ku ishte drejtor Jorgji Sota. N\u00eb mars 1958 transferohet n\u00eb Vlor\u00eb dhe punon n\u00eb kabinetin e Komitetit t\u00eb Partis\u00eb t\u00eb qytetit. N\u00eb fillim t\u00eb vitit 1960 kthehet n\u00eb Tiran\u00eb dhe rifillon pun\u00ebn si pedagoge n\u00eb Shkoll\u00ebn e Lart\u00eb t\u00eb Partis\u00eb. Jorgji Sota ishte larguar dhe, n\u00eb vend t\u00eb tij, kishte ardhur Fiqret Shehu. Prej k\u00ebtu n\u00eb dosjen e Liri Aranitasit nuk gjendet asnj\u00eb dokument i aktivitetit t\u00eb saj.<\/p>\n<p>Karriera e Liri Aranitasit, n\u00eb vitet 1960-1973<\/p>\n<p>K\u00ebto jan\u00eb vitet kur Liri Aranitasi pati karrier\u00ebn e saj m\u00eb t\u00eb madhe. Por edhe k\u00ebto vite ishin plot me ngjarje shqet\u00ebsuese p\u00ebr t\u00eb. Reminishencat e s\u00eb kaluar\u00ebs nxirrnin kok\u00ebn her\u00eb pas here. K\u00ebshtu, n\u00eb vitin 1961, disa muaj para prishjes s\u00eb marr\u00ebdh\u00ebnieve me sovjetik\u00ebt, kryetari i Deg\u00ebs s\u00eb Brendshme t\u00eb Vlor\u00ebs, nj\u00eb gjeneral i njohur, arrestoi Tol Arapin. Pse? Sepse, i provokuar nga nj\u00eb shok i tij, edhe ai nj\u00eb plak mbi 80 vje\u00e7, kishte shprehur q\u00ebndrime antisovjetike.<\/p>\n<p>Shoku (q\u00eb n\u00eb fakt ishte B.p. i Sigurimit), i kishte th\u00ebn\u00eb: \u201cToli, k\u00ebta tan\u00ebt i kan\u00eb pun\u00ebt keq. Po prishen me sovjetik\u00ebt\u201d. Toli i ishte p\u00ebrgjigjur: \u201cNuk thua shyqyr! Ti e di q\u00eb un\u00eb nuk i kam patur kurr\u00eb qejf sllav\u00ebt. Por, po na sulmuan, nip\u00ebrit e mi do i sjell te ti n\u00eb fshat\u201d. Kaq mjaftoi dhe, plaku i njohur i Vlor\u00ebs, p\u00ebrfundoi n\u00eb qelin\u00eb e Deg\u00ebs. Gjenerali thirri edhe f\u00ebmij\u00ebt e tij, t\u00eb gjith\u00eb t\u00eb rritur e familjar\u00eb, dhe filloi demaskimin e babait t\u00eb tyre. Liria, pasi e m\u00ebsoi ngjarjen, shkoi te Hysni Kapo (e te kush tjet\u00ebr!).<\/p>\n<p>Ky i fundit telefonoi Kadri Hazbiun dhe urdh\u00ebroi q\u00eb plaku i Arapajve, t\u00eb lirohej menj\u00ebher\u00eb, kurse kryetarit t\u00eb Deg\u00ebs t\u2019i hiqej v\u00ebrejtje. N\u00eb gjyqin e Kadri Hazbiut, ish-gjenerali u shfaq si nj\u00eb nga d\u00ebshmitar\u00ebt m\u00eb t\u00eb eg\u00ebr kund\u00ebr tij. Kjo mund t\u00eb quhej normale p\u00ebr koh\u00ebn, por nuk ishte normale akuza se Kadri Hazbiu \u201cnuk kishte lejuar demaskimin e vjehrrit t\u00eb Hajdar Aranitasit\u201d. \u00c7\u2019pun\u00eb kishte Hajdar Aranitasi, n\u00eb \u00e7\u00ebshtjen q\u00eb po gjykohej?! Kryetari i Deg\u00ebs po hakmerrej, sepse, pak koh\u00eb pas asaj q\u00eb ndodhi me Tol Arapin, at\u00eb e transferuan n\u00eb Tiran\u00eb.<\/p>\n<p>E caktuan, me t\u00eb nj\u00ebjtin pozicion, pra kryetar Dege, n\u00eb Ministrin\u00eb e Brendshme. Por kjo nuk i kishte p\u00eblqyer. Pas disa vitesh, n\u00eb nj\u00eb plenum t\u00eb Komitetin Qendror p\u00ebr let\u00ebrsin\u00eb dhe artet (1965), Mehmet Shehu vuri n\u00eb sh\u00ebnjest\u00ebr Fatos Arapin (bashk\u00eb me Qamil Buxhelin dhe Dhimit\u00ebr Xhuvanin). Duke analizuar nj\u00eb vjersh\u00eb t\u00eb Fatosit, Mehmeti e akuzoi at\u00eb si; \u201cnj\u00eb njeri q\u00eb nuk pajtohet me realitetin e ri t\u00eb Shqip\u00ebris\u00eb Socialiste\u201d.<\/p>\n<p>Ison ia mbajti Fiqret Shehu, e cila mori n\u00eb analiz\u00eb nj\u00eb vep\u00ebr t\u00eb Fatosit, \u201cDrama e nj\u00eb partizani pa em\u00ebr\u201d. Ajo e akuzoi at\u00eb p\u00ebr \u201ctendenca deheroizimi dhe se dram\u00ebn ia kishte kushtuar t\u00eb v\u00ebllait, Vllasit\u201d. Kush e di si do kishte shkuar fati i poetit, Fatos Arapi, po t\u00eb mos kishte nd\u00ebrhyr\u00eb Enver Hoxha. N\u00eb fjal\u00ebn p\u00ebrmbyll\u00ebse t\u00eb plenumit, ai, pasi foli p\u00ebr gabimet e disa letrar\u00ebve, i mbrojti ata duke th\u00ebn\u00eb se; \u201ckishin gabuar, por ishin djem t\u00eb partis\u00eb\u201d. Kam folur p\u00ebr dit\u00eblindjen e Mehmetit dhe q\u00ebndrimin e tij ndaj Vllasit (e cil\u00ebsoi armik) dhe Fatosit (e cil\u00ebsoi revizionist).<\/p>\n<p>Kur t\u00eb sulmon kryeministri, aq m\u00eb tep\u00ebr kur e b\u00ebn k\u00ebt\u00eb para nj\u00ebzet personave t\u00eb tjer\u00eb, \u00ebsht\u00eb nj\u00eb gj\u00eb q\u00eb sjell pasoja t\u00eb r\u00ebnda. Po at\u00eb dit\u00eb (10 janar 1968), fjal\u00ebt e Mehmetit i m\u00ebsuan qindra vet\u00eb. Por, n\u00eb vitin 1968, Liri Aranitasi dhe i shoqi ishin b\u00ebr\u00eb t\u00eb njohur brenda vendit. Kishin edhe shum\u00eb miq dhe shok\u00eb me pesh\u00eb. Midis t\u00eb tjer\u00ebve kishin Hysni Kapon e Manush Myftiun, bashk\u00ebluft\u00ebtar\u00eb n\u00eb Brigad\u00ebn e V-t\u00eb. Me nd\u00ebrhyrjen e tyre, por edhe me aprovimin e Enver Hoxh\u00ebs, kjo ngjarje u tejkalua. Madje Mehmeti i k\u00ebrkoi t\u00eb falur asaj. Liria vazhdonte pun\u00ebn si pedagoge n\u00eb Shkoll\u00ebn e Partis\u00eb \u201cVladimir Ili\u00e7 Lenin\u201d. Puna i ecte mir\u00eb, por marr\u00ebdh\u00ebniet e saj me Fiqret Shehun mbeteshin gjithnj\u00eb t\u00eb acaruara.<\/p>\n<p>Ajo nuk e donte Fiqretin. Nuk e duronte p\u00ebr arroganc\u00ebn dhe nd\u00ebrhyrjet e saj t\u00eb vazhdueshme n\u00eb procesin m\u00ebsimor. Kam qen\u00eb d\u00ebshmitar se si, pas prishjes me Mosk\u00ebn dhe lidhjet me Pekinin zyrtar, Fiqreti i nd\u00ebrhynte deri n\u00eb leksionet e saj. I k\u00ebrkonte q\u00eb t\u00eb fuste n\u00eb to citate dhe materiale nga \u201cVeprat e Zgjedhura\u201d t\u00eb Mao Ce Dunit. Nj\u00eb gj\u00eb e till\u00eb e nevrikoste Lirin\u00eb. Por, kishte nj\u00eb arsye madhore q\u00eb tendoste marr\u00ebdh\u00ebniet e saj me Fiqretin. Midis tyre endej fantazma e Vllasit. Liria i konsideronte Fiqretin dhe Mehmetin, si shkaktar\u00ebt kryesor\u00eb t\u00eb asaj \u00e7ka ndodhi me t\u00eb v\u00ebllan\u00eb. Un\u00eb besoj se nuk e kishte gabim.<\/p>\n<p>N\u00eb \u201cVepr\u00ebn\u201d e dyt\u00eb (t\u00eb kolan\u00ebs s\u00eb \u201cVeprave t\u00eb Zgjedhura\u201d) Enver Hoxha kritikon Mehmetin dhe Fiqretin, si; \u201cfajtor\u00eb t\u00eb dezertimit t\u00eb Vllas Arapit\u201d. A kishte qen\u00eb k\u00ebshtu? Kur Idriz Seiti (p\u00ebr t\u00eb cilin kam folur m\u00eb par\u00eb), doli nga burgu (1991), ai m\u00eb foli p\u00ebr dezertimin e Vllasit. Idrizi mbronte Mehmetin (ai njihej si njeri i tij) dhe fajin ia hidhte Dushanit. Padyshim Dushani kishte influencuar n\u00eb dezertimin e Vllasit. Me urdh\u00ebr t\u00eb tij ishin vrar\u00eb, prapa krah\u00ebve, disa udh\u00ebheq\u00ebs partizan\u00eb n\u00eb Qarkun e Vlor\u00ebs.<\/p>\n<p>Kujtojm\u00eb k\u00ebtu Mynyr Xhindin dhe Fejzo Gjomem\u00ebn. Edhe p\u00ebr Vllasin u vendos eliminimi i tij. Dushani nuk i donte njer\u00ebzit q\u00eb flisnin p\u00ebr \u00e7\u00ebshtjen e Kosov\u00ebs dhe bashkimin e saj me Shqip\u00ebrin\u00eb. Megjithat\u00eb, sjellja e Mehmetit, pas dezertimit t\u00eb Vllasit, dhe q\u00ebndrimi, q\u00eb ai mbajti ndaj familjes Arapi pas luft\u00ebs, hedhin dyshime p\u00ebr p\u00ebrfshirjen e Mehmetit n\u00eb vrasjen e tij. Marr\u00ebdh\u00ebniet; Mehmet Shehu-familja Arapi, ishin gjithnj\u00eb t\u00eb acaruara.<\/p>\n<p>Kam folur p\u00ebr p\u00ebrplasjet dhe kritikat e Liris\u00eb p\u00ebr pun\u00ebn e Fiqretit n\u00eb \u201cShkoll\u00ebn e Partis\u00eb\u201d. Grupi i pedagog\u00ebve, n\u00eb shkoll\u00eb, ishte ndar\u00eb n\u00eb dy pjes\u00eb, n\u00eb ata q\u00eb nuk e p\u00eblqenin Fiqretin dhe n\u00eb ata q\u00eb nuk p\u00eblqente Fiqreti. Liria, kuptohet, ishte edhe n\u00eb grupin e par\u00eb, edhe n\u00eb grupin e dyt\u00eb. Q\u00ebndrimi i saj u b\u00eb shqet\u00ebsues p\u00ebr Komitetin e Partis\u00eb t\u00eb Tiran\u00ebs, q\u00eb drejtohej nga Manush Myftiu. Ai nd\u00ebrhyri dhe, \u201cp\u00ebr t\u00eb sh\u00ebndoshur situat\u00ebn\u201d, e largoii Lirin\u00eb. Ajo u em\u00ebrua instruktore n\u00eb Komitetin e Partis\u00eb, n\u00eb sektorin e propagand\u00ebs, pran\u00eb Fadil Pa\u00e7ramit. Aty punoi pes\u00eb vjet.<\/p>\n<p>Detyra e saj kryesore ishte p\u00ebrgatitja e materialeve q\u00eb i \u00e7oheshin Byros\u00eb Politike. N\u00eb nj\u00eb moment emri i saj u propozua si z\u00ebvend\u00ebskryeredaktore e revist\u00ebs \u201cRruga e Partis\u00eb\u201d, organ i Komitetit Qendror t\u00eb PPSH-s\u00eb. Ajo nuk pranoi, gjithnj\u00eb me t\u00eb nj\u00ebjtin justifikim se kishte mbi kurriz nj\u00eb familje me kat\u00ebr burra. Shkoi te Hysni Kapo dhe ai e hoqi nga lista e kandidat\u00ebve p\u00ebr at\u00eb vend. N\u00eb vitin 1971, ajo k\u00ebrkoi t\u00eb shkonte si pedagoge e Ekonomis\u00eb n\u00eb Universitetin Shtet\u00ebror t\u00eb Tiran\u00ebs. Kishte kaluar nj\u00eb operacion p\u00ebr heqjen e nj\u00eb tumori, q\u00eb, p\u00ebr fat t\u00eb mir\u00eb, rezultoi beninj. K\u00ebt\u00eb e p\u00ebrdori si justifikim, por, arsyeja kryesore, si\u00e7 m\u00eb ka th\u00ebn\u00eb at\u00ebher\u00eb, ishte se \u201cpuna e partis\u00eb me njer\u00ebzit t\u00eb krijonte shum\u00eb armiq\u201d.<\/p>\n<p>Manushi, kur e d\u00ebgjoi, i propozoi q\u00eb t\u00eb shkonte sekretare partie n\u00eb Universitet, por, edhe n\u00eb k\u00ebt\u00eb rast, ajo nuk pranoi. Nuk kishte d\u00ebshir\u00eb t\u00eb merrej me pun\u00eb partie. Liria ishte me fat. Hysniu dhe Manushi, dikur nd\u00ebr drejtuesit kryesor\u00eb n\u00eb Qarkun e Vlor\u00ebs, e njihnin mir\u00eb, ashtu si\u00e7 njihnin mir\u00eb edhe bashk\u00ebshortin e saj. Ata ia plot\u00ebsuan d\u00ebshir\u00ebn. Dy vitet e fundit, para se t\u00eb dilte n\u00eb pension, Liria punoi si pedagoge n\u00eb Universitet, n\u00eb deg\u00ebn e Ekonomis\u00eb. Pastaj, n\u00eb vitin 1973, doli n\u00eb pension.<\/p>\n<p>Jeta n\u00eb pension, gjithnj\u00eb e angazhuar me pun\u00eb<\/p>\n<p>Liria vazhdonte t\u00eb b\u00ebnte pjes\u00eb n\u00eb K\u00ebshillin e P\u00ebrgjithsh\u00ebm t\u00eb BGSH-s\u00eb (Bashkimi i Grave t\u00eb Shqip\u00ebris\u00eb), ku ishte an\u00ebtare prej shum\u00eb e shum\u00eb vjet\u00ebsh. Vazhdonte, gjithashtu, t\u00eb punonte si z\u00ebvend\u00ebskryetare e BGSH-s\u00eb p\u00ebr Tiran\u00ebn (jo funksionare), edhe k\u00ebtu e zgjedhur dhe rizgjedhur disa her\u00eb. Vazhdonte pun\u00ebn n\u00eb sekretariatin e revist\u00ebs \u201cShqiptarja e Re\u201d. T\u00eb gjitha k\u00ebto pa asnj\u00eb shp\u00ebrblim financiar.<\/p>\n<p>Puna e saj vler\u00ebsohej. Prej vitit 1960 e deri n\u00eb vitin 1980, Liri Aranitasi u shp\u00ebrblye me kat\u00ebr dekorata shtet\u00ebrore, pa llogaritur k\u00ebtu dekorat\u00ebn e \u201c40-vjetorit t\u00eb PPSH\u201d-s\u00eb, q\u00eb iu dha an\u00ebtar\u00ebve t\u00eb partis\u00eb me nj\u00eb stazh an\u00ebtar\u00ebsie prej 30 vjet e lart. Dukej sikur, m\u00eb n\u00eb fund, jeta e saj kishte marr\u00eb qet\u00ebsin\u00eb p\u00ebr t\u00eb cil\u00ebn ishte p\u00ebrpjekur gjithmon\u00eb. Ishte b\u00ebr\u00eb edhe gjyshe.<\/p>\n<p>Por, nuk ishte e th\u00ebn\u00eb\u2026! Dit\u00ebn, kur u mor vesh se Mehmet Shehu kishte vrar\u00eb veten, Liria i tha Hajdarit: \u201cHajdar, krushku mbaroi\u201d! Ajo e parandjeu t\u00eb keqen q\u00eb po vinte. Madje, q\u00eb kur vdiq Hysni Kapo, ajo kishte patur nj\u00eb ndjenj\u00eb pasigurie p\u00ebr t\u00eb ardhmen. Situata u r\u00ebndua pas arrestimit t\u00eb Kadri Hazbiut. Bashk\u00eb me Hajdarin u vun\u00eb n\u00eb sh\u00ebnjest\u00ebr. Organizata baz\u00eb e partis\u00eb e lagjes (kryesisht pensionist\u00eb), u nda m\u00eb dysh. Kishte nga ata q\u00eb k\u00ebrkonin p\u00ebrjashtimin e tyre nga partia. Midis tyre dallohej, ish-gjenerali, Sejdin Avdia. Kishte nga ata q\u00eb u pozicionuan pro tyre, ku dallohej \u201cHeroi i Popullit\u201d, ish-gjenerali Vehbi Hoxha.<\/p>\n<p>Ai i mbrojti dhe u p\u00ebrpoq q\u00eb ata mos d\u00ebnoheshin nga organizata. Vehbiu u mb\u00ebshtet edhe nga nj\u00eb ish-an\u00ebtar i Komitetit Qendror t\u00eb PPSH-s\u00eb, Seit Bushati. Por, n\u00eb fund, si zakonisht, vendimin e mori Enver Hoxha. Liria dhe Hajdari shp\u00ebtuan me nga nj\u00eb v\u00ebrejtje t\u00eb r\u00ebnd\u00eb me sh\u00ebnim n\u00eb kart\u00ebn e an\u00ebtarit t\u00eb partis\u00eb. F\u00ebmij\u00ebt e tyre u larguan nga Tirana. Vladimiri u \u00e7ua n\u00eb Vlor\u00eb dhe Komiteti Ekzekutiv i qytetit e caktoi me pun\u00eb n\u00eb nj\u00eb fshat. G\u00ebzimi, q\u00eb nuk kishte mbushur ende vitin n\u00eb Tiran\u00eb (deri at\u00ebher\u00eb kishte punuar, p\u00ebr m\u00eb shum\u00eb se dhjet\u00eb 10 vjet, n\u00eb Fier), u d\u00ebrgua n\u00eb minier\u00ebn e Kurbneshit. I madhi, Agroni\u2026historia e tij dihet.\/Memorie.al<\/p>\n<p>\u00a9 BalkanWeb<\/p>","protected":false},"excerpt":{"rendered":"<p>Nga AGRON ARANITASI Pjesa e dyt\u00eb T\u00cb V\u00cbRTETAT Q\u00cb BESOJ -AGJENTI FRANCEZ \u2013 Hyrje Kur fillova t\u00eb shkruaj librin, \u201cT\u00eb v\u00ebrtetat q\u00eb besoj\u201d, nuk kisha menduar t\u00eb shkruaja p\u00ebr veten time. Shtysa, e par\u00eb, m\u00eb lindi kur u njoha me dosjet e Sigurimit t\u00eb Shtetit p\u00ebr survejimin e shtetasit Agron Hajdar Aranitasi. Ato dosje jan\u00eb, [&hellip;]<\/p>\n","protected":false},"author":0,"featured_media":0,"comment_status":"open","ping_status":"open","sticky":false,"template":"","format":"standard","meta":{"footnotes":""},"categories":[1],"tags":[],"class_list":["post-76738","post","type-post","status-publish","format-standard","hentry","category-uncategorized"],"_links":{"self":[{"href":"https:\/\/zennihost.com\/test\/wp-json\/wp\/v2\/posts\/76738","targetHints":{"allow":["GET"]}}],"collection":[{"href":"https:\/\/zennihost.com\/test\/wp-json\/wp\/v2\/posts"}],"about":[{"href":"https:\/\/zennihost.com\/test\/wp-json\/wp\/v2\/types\/post"}],"replies":[{"embeddable":true,"href":"https:\/\/zennihost.com\/test\/wp-json\/wp\/v2\/comments?post=76738"}],"version-history":[{"count":0,"href":"https:\/\/zennihost.com\/test\/wp-json\/wp\/v2\/posts\/76738\/revisions"}],"wp:attachment":[{"href":"https:\/\/zennihost.com\/test\/wp-json\/wp\/v2\/media?parent=76738"}],"wp:term":[{"taxonomy":"category","embeddable":true,"href":"https:\/\/zennihost.com\/test\/wp-json\/wp\/v2\/categories?post=76738"},{"taxonomy":"post_tag","embeddable":true,"href":"https:\/\/zennihost.com\/test\/wp-json\/wp\/v2\/tags?post=76738"}],"curies":[{"name":"wp","href":"https:\/\/api.w.org\/{rel}","templated":true}]}}