{"id":65807,"date":"2026-01-22T21:48:18","date_gmt":"2026-01-22T21:48:18","guid":{"rendered":"https:\/\/zennihost.com\/test\/2026\/01\/22\/pse-nato-nuk-u-perfshi-ne-porto-romano-nje-kompani-ruse-pas-asaj-qe-fitoi-tenderin\/"},"modified":"2026-01-22T21:48:18","modified_gmt":"2026-01-22T21:48:18","slug":"pse-nato-nuk-u-perfshi-ne-porto-romano-nje-kompani-ruse-pas-asaj-qe-fitoi-tenderin","status":"publish","type":"post","link":"https:\/\/zennihost.com\/test\/2026\/01\/22\/pse-nato-nuk-u-perfshi-ne-porto-romano-nje-kompani-ruse-pas-asaj-qe-fitoi-tenderin\/","title":{"rendered":"Pse NATO nuk u p\u00ebrfshi n\u00eb Porto Romano? Nj\u00eb kompani ruse pas asaj q\u00eb fitoi tenderin \u2013"},"content":{"rendered":"<div>\n<p>N\u00eb vitet e fundit, NATO ka paralajm\u00ebruar p\u00ebr p\u00ebrdorimin nga Rusia t\u00eb taktikave hibride dhe ndikimit ekonomik p\u00ebr t\u00eb minuar sigurin\u00eb euro-atlantike, p\u00ebrfshir\u00eb rreziqet ndaj infrastruktur\u00ebs kritike. Nj\u00eb nga m\u00ebnyrat p\u00ebr t\u00eb dep\u00ebrtuar n\u00eb infrastruktur\u00ebn kritike \u00ebsht\u00eb p\u00ebrdorimi i kompanive offshore, t\u00eb cilat mbulojn\u00eb pronar\u00ebt e v\u00ebrtet\u00eb.<\/p>\n<p>Sipas t\u00eb dh\u00ebnave publike, n\u00eb projektin e portit t\u00eb ri t\u00eb Durr\u00ebsit shfaqet nj\u00eb kompani offshore e regjistruar n\u00eb Qipro, e cila n\u00eb t\u00eb kaluar\u00ebn ka pasur rol administrativ n\u00eb struktura ku jan\u00eb p\u00ebrfshir\u00eb edhe entitete t\u00eb sanksionuara ruse. Kjo kompani paraqitet aktualisht n\u00eb dokumentacion si pjes\u00eb e struktur\u00ebs administrative t\u00eb projektit t\u00eb Porto-Romanos, nj\u00eb infrastruktur\u00eb detare me r\u00ebnd\u00ebsi strategjike p\u00ebr nj\u00eb vend an\u00ebtar t\u00eb NATO-s, \u00e7ka ngre pyetje mbi standardet e transparenc\u00ebs dhe verifikimit.<\/p>\n<p>Nga k\u00ebrkimet rezulton se i gjith\u00eb procesi nga projektimi deri te faza finale p\u00ebr tenderin e nd\u00ebrtimit t\u00eb Portit t\u00eb Ri t\u00eb Durr\u00ebsit n\u00eb Porto Romano mund t\u00eb jet\u00eb nj\u00eb afer\u00eb jo vet\u00ebm me pasoja n\u00eb buxhetin e shtetit, por mund t\u00eb rrezikoj\u00eb marr\u00ebdh\u00ebniet me NATO-n p\u00ebr shkak t\u00eb munges\u00ebs s\u00eb transparenc\u00ebs nga qeveria shqiptare.<\/p>\n<p>M\u00eb 28 tetor 2025, n\u00eb konferenc\u00ebn p\u00ebr shtypit p\u00ebr Portin e ri t\u00eb Durr\u00ebsit, ku ishin ishin t\u00eb pranish\u00ebm edhe drejtuesit e Autoritetit Portual Durr\u00ebs, zv.kryeministrja Belinda Balluku do t\u00eb deklaronte se porti i Durr\u00ebsit p\u00ebr qeverin\u00eb shqiptare ka qen\u00eb nj\u00eb prioritet.<\/p>\n<p>\u201cKemi k\u00ebrkuar gjithmon\u00eb q\u00eb t\u00eb drejtohej nga profesionist\u00eb, t\u00eb cil\u00ebt jo vet\u00ebm njohin transportin, por nga ana tjet\u00ebr me aft\u00ebsin\u00eb negociuese me trupa nd\u00ebrkomb\u00ebtar\u00eb, pasi porti i ri i Durr\u00ebsit, parashikohet dhe \u00ebsht\u00eb n\u00eb vullnetin politik t\u00eb qeveris\u00eb shqiptare, q\u00eb t\u00eb jet\u00eb nj\u00eb baz\u00eb e NATO-s, nj\u00eb baz\u00eb e NATO-s e vendosur n\u00eb zem\u00ebr t\u00eb Mesdheut dhe padyshim n\u00eb Shqip\u00ebri, si aleati m\u00eb besnik i k\u00ebsaj force t\u00eb jasht\u00ebzakonshme, bashk\u00ebsie t\u00eb jasht\u00ebzakonshme\u201d, do t\u00eb deklaronte ministrja e Infrastruktur\u00ebs dhe Energjis\u00eb Belinda Balluku.<\/p>\n<p>Deklaratat e zv.kryeministres Balluku jan\u00eb kontradiktore sepse nuk p\u00ebrputhen me dokumentet zyrtare fillestare t\u00eb tenderit p\u00ebr hartimin e projektit t\u00eb detajuar teknik t\u00eb Portit t\u00eb ri tregtar t\u00eb Integruar t\u00eb Durr\u00ebsit n\u00eb Porto Romano. N\u00eb qershor 2021 Autoriteti Portual Durr\u00ebs, asokohe n\u00ebn drejtimin e Pirro V\u00ebngut, sot Ministri aktual i Mbrojtjes, do t\u00eb hapte gar\u00ebn p\u00ebr k\u00ebt\u00eb tender me fond limit 1,14 miliard\u00eb lek\u00eb ose 11 milion\u00eb euro.<\/p>\n<p>Si shumica e tenderave me vler\u00eb t\u00eb lart\u00eb, edhe gara p\u00ebr k\u00ebt\u00eb tender do t\u00eb njollosej pasi do t\u00eb sh\u00ebnohej me flamur t\u00eb kuq nga \u201cOpenprocurement.al\u201d, platform\u00eb e AIS-it. Sipas k\u00ebsaj t\u00eb fundit, flamuri i kuq paraqet dyshime p\u00ebr korrupsion, duke u favorizuar kompania fituese e tenderit nga APD-ja. N\u00eb rastin e Porto Romanos, t\u00eb gjitha kompanit\u00eb do t\u00eb skualifikoheshin, duke u shpallur automatikisht fitues bashkimi i kompanive t\u00eb huaja dhe shqiptare \u201cHASKONINGDHV NEDERLAND B.V\u201d, \u201cADEC ENGINEERING CONSULTANCY LLC\u201d, \u201cABKONS\u201d shpk, \u201cTAULANT\u201d dhe \u201cGEO-ENG\u201d shpk me vler\u00eb 952 milion\u00eb lek\u00eb.<br \/>Propaganda se ky do t\u00eb ishte nj\u00eb tender strategjik p\u00ebr Aleanc\u00ebn do t\u00eb binte disa muaj pas lidhjes s\u00eb tenderit pasi ish Drejtori V\u00ebngu kishte l\u00ebn\u00eb jasht\u00eb masterplanit NATO-n.<\/p>\n<p>N\u00eb shtator 2022, tenderit do ti shtoheshin edhe 232 milion\u00eb lek\u00eb shtes\u00eb p\u00ebr bashkimin e kompanive fituese sepse duhet t\u00eb realizohej dhe nj\u00eb baz\u00eb detare p\u00ebr NATO-n, duke dyfishuar periudh\u00ebn e hartimit t\u00eb projektit n\u00eb 15 muaj, nga 8 muaj q\u00eb ishte fillimisht.<\/p>\n<p>Sipas Autoritetit Portual Durr\u00ebs, projekti i infrastruktur\u00ebs i destinuar per akostimin e mjeteve detare dhe sheshet n\u00eb sh\u00ebrbim p\u00ebr Forcat e Armatosura nuk i p\u00ebrmbahej kapaciteteve t\u00eb k\u00ebrkuara nga NATO.<br \/>Vet\u00eb dokumenti pranon se kapacitetet e parashikuara n\u00eb masterplanin fillestar nuk p\u00ebrmbushnin k\u00ebrkesat e Aleanc\u00ebs p\u00ebr akomodimin e mjeteve detare aleate, p\u00ebrfshir\u00eb anije t\u00eb tonazhit t\u00eb r\u00ebnd\u00eb si destroyer-at. Kjo do t\u00eb thot\u00eb se, n\u00eb momentin e hartimit dhe n\u00ebnshkrimit t\u00eb kontrat\u00ebs fillestare, projekti nuk ishte teknikisht i gatsh\u00ebm p\u00ebr p\u00ebrdorim nga NATO, pavar\u00ebsisht deklaratave publike.<\/p>\n<p>Dokumenti i tenderit tregon se kjo nuk ka qen\u00eb e reflektuar n\u00eb projektimin fillestar dhe \u00ebsht\u00eb formalizuar vet\u00ebm p\u00ebrmes nj\u00eb shtese kontraktore gjat\u00eb zbatimit.<\/p>\n<p>News 24 kontaktoi deg\u00ebn qendrore n\u00eb Holland\u00eb t\u00eb kompanis\u00eb \u201cHaskoning B.V\u201d, p\u00ebr t\u00eb marr\u00eb informacion p\u00ebrsa i p\u00ebrket arsyeve se pse nuk ishte p\u00ebrfshir\u00eb n\u00eb masterplan edhe infrastruktura p\u00ebr NATO-n, pyetje e cila ngeli pa p\u00ebrgjigje.<\/p>\n<p>Gjithashtu edhe Autoriteti Portual nuk pati asnj\u00eb koment n\u00eb lidhje me k\u00ebt\u00eb fakt.<\/p>\n<p>Sipas Kapitenit t\u00eb Rangut t\u00eb Par\u00eb Artur Me\u00e7ollarit, ky port ka mang\u00ebsi n\u00eb planifikim.<\/p>\n<p>\u201cPorto Romano u doli si alternativ\u00eb, n\u00eb momentin q\u00eb u dha porti i Durr\u00ebsit. Pra, p\u00ebr t\u00eb liruar portin e Durr\u00ebsit, duhet nj\u00eb port tjet\u00ebr dhe u shpik historia e Porto Romanos, projekt i cili u b\u00eb pa vizibilitet. Nuk kemi n\u00eb dor\u00eb nj\u00eb studim fizibiliteti. At\u00ebhere, pas k\u00ebsaj, kryeministri p\u00ebr t\u2019i dh\u00ebn\u00eb nj\u00eb lloj vizibiliteti, nj\u00eb lloj q\u00ebndrueshm\u00ebrie Porto Romanos, shpiku historin\u00eb e portit t\u00eb NATO-s, e baz\u00ebs s\u00eb NATO-s n\u00eb Porto Romano\u201d, deklaroi ish zv. shef i Forcace Detare p\u00ebr \u201cVetting\u201d Artur Me\u00e7ollari.<\/p>\n<p>Sipas Me\u00e7ollarit, nj\u00eb qasje e NATO-s n\u00eb Porto Romano, do t\u2019i jepte portit q\u00ebndrueshm\u00ebri dhe fizibilitet. N\u00eb fakt, ish zv.Shefi i FD-s\u00eb Me\u00e7ollari ka t\u00eb drejt\u00eb q\u00eb nuk ka nj\u00eb studim fizibiliteti p\u00ebr portin e ri.<\/p>\n<p>News24 i b\u00ebri k\u00ebrkes\u00eb zyrtare Autoritetit Portual Durr\u00ebs p\u00ebr studimin e fizibilitetit p\u00ebr k\u00ebt\u00eb projekt, por Autoriteti refuzon t\u00eb na vendosi n\u00eb dispozicion dokumentin.<\/p>\n<p>Nj\u00eb shqet\u00ebsim t\u00eb ngjash\u00ebm ka ngritur edhe eksperti i ekonomis\u00eb Zef Pre\u00e7i, i cili shprehet se n\u00eb raportet zyrtare t\u00eb Autoritetit Portual t\u00eb Durr\u00ebsit nuk gjen publikime p\u00ebr investimet.<\/p>\n<p>\u201cN\u00eb faqen zyrtare gjen letra trajnimesh, udh\u00ebtimesh, sh\u00ebtitjesh, por nuk thot\u00eb gj\u00eb p\u00ebr raportin financiar.<\/p>\n<p>Sa fitime sigurohen dhe si do t\u00eb investohen? E nj\u00ebjta gj\u00eb sa i takon programit buxhetor afatmes\u00ebm, q\u00eb parashikohen para, por q\u00eb m\u00eb shum\u00eb jan\u00eb p\u00ebr t\u00eb mbajtur ndonj\u00eb premtim t\u00eb fsheht\u00eb se sa p\u00ebr t\u00eb sjell\u00eb zhvillim, q\u00eb lidhen me volume mallrash, q\u00eb lidhen me hekurudh\u00ebn, q\u00eb lidhet me vendet e rajonit\u201d, do t\u00eb deklaronte p\u00ebr \u201cVetting\u201d eksperti Pre\u00e7i.<\/p>\n<p>Duke shfletuar t\u00eb dh\u00ebnat publike rezulton se Komisioni i Vler\u00ebsimit t\u00eb Ofertave t\u00eb Autoritetit Portual p\u00ebr tenderin e hartimit t\u00eb projektit ka favorizuar bashkimin e kompanive pasi \u201cTAULANT\u201d shpk dhe \u201cGEO-ENG\u201d shpk nuk plot\u00ebsojn\u00eb kriteret p\u00ebr xhiron vjetore, e cila duhet t\u00eb jet\u00eb 458 milion\u00eb lek\u00eb t\u00eb pakt\u00ebn n\u00eb nj\u00ebrin nga vitet 2018, 2019 ose 2020.<\/p>\n<p>Ky fakt zbulohet nga vet\u00eb institucioni, i cili p\u00ebr t\u00eb nj\u00ebjt\u00ebn arsye q\u00eb ka skualifikuar bashkimin e kompanive \u201cROGAN ASSOCIATES EL\u201d, \u201cMOFFAT &amp; NICHOL\u201d dhe \u201cINFRAPLAN\u201d, nuk ka skualifikuar grupin e kompanive fituese. N\u00eb lidhje me k\u00ebt\u00eb fakt, deri n\u00eb publikimin e k\u00ebtij materiali, Autoriteti Portual Durr\u00ebs dhe kompania hollandeze \u201cRoyal Haskoning B.V\u201d nuk dhan\u00eb asnj\u00eb koment.<\/p>\n<p><strong>Porti i Ri p\u00ebrplas qeverin\u00eb me aleat\u00ebt per\u00ebndimor\u00eb<\/strong><br \/>Nga tenderi i projektimit te tenderi p\u00ebr nd\u00ebrtimin e Portit t\u00eb Ri n\u00eb Porto Romano do t\u00eb ndodhnin disa ndryshime n\u00eb ligjin p\u00ebr Prokurimin Publik n\u00eb vitin 2024, q\u00eb do t\u00eb p\u00ebrcaktonin drejtp\u00ebrdrejt procesin p\u00ebr tenderat dhe nd\u00ebrtimin e k\u00ebtij porti.<\/p>\n<p>N\u00eb qershor 2024, qeveria shqiptare do t\u00eb autorizonte Autoritetin Portual t\u00eb Durr\u00ebsit p\u00ebr t\u00eb negociuar drejtp\u00ebrdrejt dhe p\u00ebr t\u00eb lidhur marr\u00ebveshje konsulence me kompanin\u00eb nd\u00ebrkomb\u00ebtare hollandeze \u201cRoyal Haskoning DHV\u201d, brenda fush\u00ebs s\u00eb kompetenc\u00ebs s\u00eb saj, nj\u00eb fush\u00eb me interes strategjik p\u00ebr proceset e konkurrimit, kontraktimit, nd\u00ebrtimit dhe mbik\u00ebqyrjes s\u00eb portit t\u00eb ri t\u00eb integruar t\u00eb Durr\u00ebsit n\u00eb Porto-Romano.<\/p>\n<p>Pra, kompanis\u00eb q\u00eb ka hartuar projektin teknik, do ti caktoheshin edhe proceset e tjera duke vendosur p\u00ebr \u00e7do gj\u00eb tjet\u00ebr dhe duke ngritur dyshime p\u00ebr konflikte interesi pasi kompania q\u00eb hartoi projektin, do t\u00eb ishte pjes\u00eb e Komisionit t\u00eb Vler\u00ebsimit t\u00eb Ofertave p\u00ebr shpalljen e fituesve p\u00ebr nd\u00ebrtimin e portit.<br \/>Ajo q\u00eb ngre pik\u00ebpyetje p\u00ebr k\u00ebt\u00eb projekt \u00ebsht\u00eb fakti, q\u00eb ky port t\u00eb ket\u00eb kapacitete t\u00eb m\u00ebdhaja, duhet t\u00eb ket\u00eb lidhje me hekurudh\u00ebn, gj\u00eb q\u00eb nuk e ka. P\u00ebrtej k\u00ebtyre problemeve, qeveria shqiptare p\u00ebr vendosjen e infrastruktur\u00ebs hekurudhore do t\u00eb duhet t\u00eb b\u00ebj\u00eb investime shtes\u00eb p\u00ebr k\u00ebt\u00eb port.<\/p>\n<p>Do t\u00eb ishte ky projekt madh\u00ebshtor q\u00eb do t\u00eb sillte nj\u00eb p\u00ebrplasje indirekte midis Bashkimit Europian dhe qeveris\u00eb shqiptare. N\u00eb raportin e fundit 2025 t\u00eb Komisionit Europian vihet theksi te dispozita kalimtare n\u00eb ligjin e ri p\u00ebr Prokurimin Publik, q\u00eb autorizon institucionet publike t\u00eb qeveris\u00eb qendrore t\u00eb negociojn\u00eb dhe t\u00eb lidhin marr\u00ebveshje nd\u00ebrkomb\u00ebtare konsulence n\u00eb zona me interes strategjik. Sipas Bashkimit Europian, ky ndryshim n\u00eb ligjin e Prokurimit Publik mbyll konkurrenc\u00ebn pasi vazhdon t\u00eb ngrej\u00eb shqet\u00ebsime lidhur me p\u00ebrputhshm\u00ebrin\u00eb e saj me modelin e Bashkimit Europian dhe me Marr\u00ebveshjen e Stabilizim-Asociimit.<\/p>\n<p>Sipas raportit, n\u00eb thelb dokumentet e tenderit krijojn\u00eb nj\u00eb pamje t\u00eb p\u00ebrbashk\u00ebt, Porto Romano \u00ebsht\u00eb trajtuar si projekt strategjik n\u00eb nivel politik dhe gjeopolitik, por kjo strategji nuk \u00ebsht\u00eb reflektuar q\u00eb n\u00eb fillim n\u00eb projektimin teknik dhe procedurat e prokurimit.<\/p>\n<p>Sipas ish zv.shefit t\u00eb Forcave Detare Artur Me\u00e7ollari, ky projekt ka sjell\u00eb mosdakord\u00ebsi midis Bashkimit Europian dhe qeveris\u00eb.<\/p>\n<p>\u201cBashkimi Europian e ka kontestuar \u00e7\u00ebshtjen e portit t\u00eb Durr\u00ebsit, p\u00ebr m\u00ebnyr\u00ebn se si \u00ebsht\u00eb tenderuar sepse bie ndesh me nenin 73 t\u00eb marr\u00ebveshjes s\u00eb Asiociim-Stabilizimit. Si e till\u00eb, k\u00ebto kan\u00eb \u00e7uar n\u00eb d\u00ebshtimin deri tani t\u00eb projektit t\u00eb Porto Romanos dhe un\u00eb jam i bindur q\u00eb projekti i Porto Romanos nuk do t\u00eb realizohet asnj\u00ebher\u00eb, sepse ai nuk \u00ebsht\u00eb fizib\u00ebl dhe nuk \u00ebsht\u00eb nj\u00eb projekt, i cili do t\u2019i rezistoj\u00eb koh\u00ebs\u201d, u shpreh ish zv. Shefi i FA-s\u00eb Me\u00e7ollari.<\/p>\n<p>Ai shton m\u00eb tej se NATO ka pes\u00eb vite q\u00eb studion Pash\u00eb Alimanin dhe Porto Romano \u00ebsht\u00eb hedhur posht\u00eb nga ata.<\/p>\n<p>\u201cNATO konsideron si port\u00eb hyr\u00ebse portin e Durr\u00ebsit aktual, jo Porto Romanon, pavar\u00ebsisht \u00e7far\u00eb tha kryeministri Edi Rama q\u00eb do ta japi me koncesion. Edhe Bashkimi Europian shikon akoma si port\u00eb hyr\u00ebse portin e Durr\u00ebsit dhe jo Porto Romanon\u201d, tha Me\u00e7ollari.<\/p>\n<p>Raporti i Komisionit Europian thekson se pavar\u00ebsisht planeve zyrtare, nuk jan\u00eb nd\u00ebrmarr\u00eb hapa konkret p\u00ebr zhvendosjen e aktivitetit tregtar nga portet ekzistuese drejt Porto Romanos, nd\u00ebrkoh\u00eb q\u00eb qeveria ka vendosur ta financoj\u00eb projektin p\u00ebrmes buxhetit t\u00eb shtetit dhe jo nj\u00eb partneriteti publik-privat.<\/p>\n<p>T\u00eb nj\u00ebjtin qendrim si Me\u00e7ollari p\u00ebrsa i p\u00ebrket prezenc\u00ebs s\u00eb NATO-s n\u00eb portin e ri n\u00eb Porto Romano ka edhe urbanisti Artan Ka\u00e7ani.<\/p>\n<p>\u201cP\u00ebr momentin NATO nuk ka pranuar q\u00eb t\u00eb pozicionohet n\u00eb k\u00ebt\u00eb lloj porti, p\u00ebr vet\u00eb faktin e problemeve sizmike q\u00eb ndodhen aty, por nj\u00ebkoh\u00ebsisht edhe t\u00eb problemeve q\u00eb tham\u00eb pak m\u00eb par\u00eb, t\u00eb fush\u00ebs s\u00eb karburanteve, e cila do e b\u00ebnte shum\u00eb t\u00eb v\u00ebshtir\u00eb mbrojtjen ushtarake n\u00eb nj\u00eb kusht t\u00eb till\u00eb\u201d, deklaroi p\u00ebr \u201cVetting\u201d urbanisti Ka\u00e7ani.<\/p>\n<p>Ai vazhdon m\u00eb tej se mungon infrastruktura ky\u00e7, q\u00eb \u00ebsht\u00eb infrastruktura hekurudhore dhe q\u00eb duhet t\u00eb ishte aset i ofruar nga shteti shqiptar.<\/p>\n<p>M\u00ebnyra e planifikimit t\u00eb qeveris\u00eb shqiptare ngre pik\u00ebpyetje p\u00ebr projektin, kur vet\u00eb zona p\u00ebr nd\u00ebrtimin e Portit t\u00eb ri ka probleme me aktivitetin e lart\u00eb sizmik.<\/p>\n<p>\u201cJan\u00eb p\u00ebrpjekur p\u00ebrpara disa viteve t\u00eb nd\u00ebrtojn\u00eb platform\u00ebn e betonit dhe t\u00eb rrug\u00ebs, kan\u00eb ngulur kolonat prej 20 metrash dhe kolonat pilota i ka p\u00ebrpir\u00eb toka. Jan\u00eb zhdukur kolonat. K\u00ebtu kuptojm\u00eb q\u00eb bashkimi i pllakave tektonike, nuk \u00ebsht\u00eb nj\u00eb shaka. \u00cbsht\u00eb di\u00e7ka shum\u00eb serioze, e cila nes\u00ebr do t\u00eb vendos\u00eb n\u00eb rrezik t\u00eb gjitha investimet\u201d, tha urbanisti Ka\u00e7ani.<\/p>\n<p>Sipas urbanistit Ka\u00e7ani, firmat e nd\u00ebrtimit t\u00eb cilat kan\u00eb marr\u00eb p\u00ebrsip\u00ebr nd\u00ebrtimin e portit t\u00eb Durr\u00ebsit, tashm\u00eb jan\u00eb duke g\u00ebrryer pjes\u00ebn veriore t\u00eb kodr\u00ebs s\u00eb Durr\u00ebsit, p\u00ebr t\u00eb gjetur nj\u00eb bazament gjithmon\u00eb e m\u00eb t\u00eb q\u00ebndruesh\u00ebm, q\u00eb t\u00eb vendosin kalat\u00ebn dhe hyrjen e portit.<\/p>\n<p><strong>Porto Romano, kush \u00ebsht\u00eb kompania me lidhje ruse?<\/strong><br \/>Nj\u00eb muaj pasi qeveria shqiptare do t\u00eb autorizonte kompanin\u00eb hollandeze \u201cRoyal Haskoning DHV\u201d p\u00ebr t\u00eb realizuar t\u00eb gjith\u00eb procedurat, n\u00eb korrik 2024 Autoriteti Portual Durr\u00ebs do t\u00eb hapte tenderin me procedur\u00eb t\u00eb kufizuar me fond limit 39,3 miliard\u00eb lek\u00eb ose 393 milion\u00eb euro p\u00ebr nd\u00ebrtimin e portit t\u00eb ri n\u00eb Porto Romano, faza 1. Tenderi do t\u00eb anulohej pasi nuk do t\u00eb kishte asnj\u00eb ofert\u00eb t\u00eb volitshme.<\/p>\n<p>N\u00eb fund t\u00eb dhjetorit 2024, Autoriteti Portual do t\u00eb rihapte tenderin, por gara me dy faza do t\u00eb shoq\u00ebrohej me ankesa dhe kund\u00ebrshtime nga konkurrent\u00ebt nd\u00ebrkomb\u00ebtar\u00eb p\u00ebr shkak t\u00eb skualifikimeve nga Komisioni i Vler\u00ebsimit t\u00eb Ofertave.<\/p>\n<p>Skualifikimet e kompanive me reputacion nd\u00ebrkomb\u00ebtar kan\u00eb ngritur ndryshime p\u00ebr gar\u00eb t\u00eb paracaktuar.<\/p>\n<p>N\u00eb faz\u00ebn e par\u00eb \u00ebsht\u00eb skualifikuar kompania \u201cJan De Nul nv\u201d, e cila ka b\u00ebr\u00eb ankes\u00eb pasi mungesa e nj\u00eb dokumentacioni p\u00ebr projektet q\u00eb ka realizuar, nuk mund t\u00eb jet\u00eb pretekst p\u00ebr nj\u00eb kompani q\u00eb ka realizuar projekte nd\u00ebrkomb\u00ebtare t\u00eb afirmuara.<\/p>\n<p>Problemi m\u00eb i madh \u00ebsht\u00eb fakti se Komisioni i Vler\u00ebsimit t\u00eb Ofertave t\u00eb Autoritetit Portual ka refuzuar ta shqyrtoj\u00eb ankes\u00ebn sepse sipas ligjit p\u00ebr t\u00eb shqyrtuar nj\u00eb ankes\u00eb duhet paguar 0,5% e vler\u00ebs s\u00eb tenderit, pra konsorciumi i p\u00ebrfaq\u00ebsuar nga \u201cJan De Nul nv\u201d duhet t\u00eb paguante 2 milion\u00eb euro p\u00ebr t\u2019iu d\u00ebgjuar ankesa. Ankesa \u00ebsht\u00eb refuzuar edhe nga Komisioni i Prokurimit Publik, q\u00eb ishte n\u00ebn drejtimin e personit t\u00eb pandehur nga SPAK, Jonaid Myzyri, tashm\u00eb i pezulluar nga detyra. Ky i fundit nuk e ka pranuar ankes\u00ebn, pavar\u00ebsisht se kompania ka ngritur problemin se nj\u00eb pages\u00eb e till\u00eb brenda 2 dit\u00ebsh k\u00ebrkon koh\u00eb p\u00ebr miratime dhe sipas kompanis\u00eb, ajo ka qen\u00eb n\u00eb dijeni p\u00ebr ta b\u00ebr\u00eb k\u00ebt\u00eb pages\u00eb pas faz\u00ebs s\u00eb kualifikimit dhe jo n\u00eb faz\u00ebn parakualifikuese.<\/p>\n<p>Sipas ekspertit Pre\u00e7i, kuadri ligjor duhet respektuar ashtu si\u00e7 \u00ebsht\u00eb, por nuk duhen anashkaluar ankesat.<\/p>\n<p>\u201c\u00cbsht\u00eb e v\u00ebrtet\u00eb ajo q\u00eb thoni ju q\u00eb \u00ebsht\u00eb nj\u00eb shum\u00eb e madhe, por ajo zhbllokohet pas shqyrtimit t\u00eb ankes\u00ebs. Kjo nuk do t\u00eb thot\u00eb q\u00eb Komisioni i Prokurimit Publik dhe Agjencia e Prokurimit Publik dhe Sh\u00ebrbimet Inteligjente t\u00eb mos verifikojn\u00eb motivet e ankes\u00ebs dhe t\u00eb mos marrin vendime\u201d, deklaroi eksperti Pre\u00e7i p\u00ebr rastin e skualifikimit.<\/p>\n<p>N\u00eb faz\u00ebn e dyt\u00eb t\u00eb tenderit kan\u00eb kaluar kompania hollandeze \u201cVan Oord Dredging and Marine Contractors B.V.\u201d dhe nj\u00eb kompani tjet\u00ebr, e cila ashtu si kompania franceze \u00ebsht\u00eb skualifikuar me pretekstin se nuk kishte b\u00ebr\u00eb ekuivalentimin e licencave, nd\u00ebrkoh\u00eb q\u00eb hollandez\u00ebt pretendojn\u00eb se kjo do t\u00eb realizohej para n\u00ebnshkrimit t\u00eb kontrat\u00ebs n\u00eb rast t\u00eb fitimit t\u00eb tenderit.<\/p>\n<p>Kompania hollandeze nuk \u00ebsht\u00eb mjaftuar me kaq, por ka d\u00ebrguar let\u00ebr n\u00eb Kryeministri, te Ministria e Infrastruktur\u00ebs dhe Energjis\u00eb, te Autoriteti Portual i Durr\u00ebsit, si dhe kan\u00eb v\u00ebn\u00eb n\u00eb dijeni ambasadorin hollandez n\u00eb Shqip\u00ebri p\u00ebr \u00e7\u00ebshtjen e tenderit.<\/p>\n<p>Skualifikimi i konkurrenc\u00ebs dhe l\u00ebnia deri n\u00eb fund t\u00eb gar\u00ebs t\u00eb vet\u00ebm nj\u00eb kompanie \u201cArchirodon Construction (Overseas) Company Limited\u201d, duke e ber\u00eb automatikisht fituese, ka ngritur pik\u00ebpyetje p\u00ebr pron\u00ebsin\u00eb dhe transparenc\u00ebn q\u00eb k\u00ebrkojn\u00eb projekte t\u00eb infrastrukturave kritike.<\/p>\n<p>Sipas ekspertit Pre\u00e7i, Bashkimi Europian ka vendosur rregulla p\u00ebrsa i takon infrastruktur\u00ebs kritike, nevoj\u00ebs p\u00ebr nj\u00eb mekaniz\u00ebm \u201cscreening\u201d, mekaniz\u00ebm shqyrtimi t\u00eb investimeve t\u00eb k\u00ebsaj natyre, ku porti b\u00ebn pjes\u00eb te investimet kritike t\u00eb vendit.<\/p>\n<p>\u201cK\u00ebto element\u00eb te ne mungojn\u00eb dhe vazhdohet me t\u00eb nj\u00ebjtin rit\u00ebm. Kjo gj\u00eb krijon mund\u00ebsi dhe p\u00ebrfitime p\u00ebr dik\u00eb t\u00eb dyshuar dhe q\u00eb \u00ebsht\u00eb n\u00eb hetim apo do t\u00eb hetohet s\u00eb af\u00ebrmi dhe n\u00eb t\u00eb nj\u00ebjt\u00ebn koh\u00eb nuk garanton cil\u00ebsi t\u00eb vepr\u00ebs publike\u201d, u shpreh eksperti Pre\u00e7i.<\/p>\n<p>Por ky projekt \u00ebsht\u00eb kthyer n\u00eb nj\u00eb thik\u00eb me dy presa pasi mund t\u00eb sjell\u00eb probleme jo vet\u00ebm me buxhetin e shtetit, por edhe me sigurin\u00eb rajonale.<\/p>\n<p>Pik\u00ebpyetjet p\u00ebr kompanit\u00eb e lidhura m\u00eb par\u00eb me kompani apo entitete ruse t\u00eb sansksionuara nga Shtetet e Bashkuara t\u00eb Amerik\u00ebs, Bashkimi Europian dhe Britania e Madhe do t\u00eb lindnin me kompanit\u00eb n\u00eb faz\u00ebn e dyt\u00eb t\u00eb tenderit p\u00ebr portin e ri.<\/p>\n<p>M\u00eb 4 prill 2025, zv.kryeministrja Balluku do t\u00eb publikonte n\u00eb faqen zyrtare t\u00eb platform\u00ebs \u201cMeta\u201d (Facebook) se n\u00eb faz\u00ebn e dyt\u00eb p\u00ebr nd\u00ebrtimin e portit t\u00eb ri kishin kaluar dy kompani, hollandez\u00ebt \u201cVan Oord Dredging and Marine Contractors b.v\u201d dhe kompania greke me seli n\u00eb Holland\u00eb \u201cArchirodon Construction (Overseas) Company Limited\u201d.<\/p>\n<p>Por si\u00e7 e p\u00ebrmend\u00ebm m\u00eb sip\u00ebr, hollandez\u00ebt do t\u00eb skualifikoheshin dhe n\u00eb gar\u00eb do t\u00eb ngelej kompania \u201cArchirodon\u201d, e cila n\u00eb fund t\u00eb janarit 2026 do t\u00eb shpallet automatikisht fituese si kompania e vetme e ngelur n\u00eb gar\u00eb.<\/p>\n<p>Publikimi i emrave t\u00eb kompanis\u00eb nga zv.kryeministrja Balluku ngre probleme me transparenc\u00ebn sepse thuhet se kompania \u00ebsht\u00eb greke me seli n\u00eb Holland\u00eb nd\u00ebrkoh\u00eb q\u00eb kompania e paraqitur p\u00ebr tenderin e ka deg\u00ebn n\u00eb Qipro. Ky vend njihet p\u00ebr p\u00ebrdorimin e strukturave offshore, t\u00eb cilat, n\u00eb raste t\u00eb ndryshme nd\u00ebrkomb\u00ebtare jan\u00eb p\u00ebrdorur edhe nga entitete t\u00eb sanksionuara, nd\u00ebrsa identifikimi i pronar\u00ebve fundor\u00eb k\u00ebrkon nivele m\u00eb t\u00eb larta verifikimi.<\/p>\n<p>Sipas ish Zv.Shefit t\u00eb Forcave Detare Me\u00e7ollari historit\u00eb me \u201coffshore\u201d mund t\u00eb rezultojn\u00eb problematike.<br \/>\u201cKjo mua m\u00eb b\u00ebn t\u00eb dyshoj q\u00eb k\u00ebtu kemi n\u00eb fakt, me pushtetar\u00eb shqiptar\u00eb sepse shoh nj\u00eb lloj fenomeni, ku kemi kompani \u201coffshore\u201d, ka m\u00eb shum\u00eb q\u00ebndrueshm\u00ebri dhe rezistenc\u00eb, p\u00ebr t\u00eb mos prishur statuskuon dhe kjo t\u00eb l\u00eb t\u00eb dyshosh\u201d, tha Dr. Me\u00e7ollari p\u00ebr rastin e offshorit.<\/p>\n<p>Kompanit\u00eb n\u00eb zona si Malta dhe Qipro ngren\u00eb pik\u00ebpyetje p\u00ebr pron\u00ebsin\u00eb, por edhe p\u00ebr investimet n\u00eb infrastruktur\u00ebn kritike si aeroportet, energjia dhe portet.<\/p>\n<p>Si\u00e7 e kemi p\u00ebrmendurr edhe m\u00eb sip\u00ebr, kompania \u201cArchirodon Construction (Overseas) Company Limited\u201d nuk \u00ebsht\u00eb n\u00eb Holland\u00eb, por e ka deg\u00ebn n\u00eb Qipro.<\/p>\n<p>Struktura korporative e kompanis\u00eb s\u00eb p\u00ebrfshir\u00eb n\u00eb projekt shtrihet n\u00eb Qipro, ku n\u00eb t\u00eb kaluar\u00ebn kan\u00eb figuruar edhe individ\u00eb me role drejtuese ose administrative q\u00eb kan\u00eb pasur lidhje me kompani dhe entitete ruse t\u00eb sanksionuara nga Bashkimi Europian, Shtetet e Bashkuara t\u00eb Amerik\u00ebs dhe Mbret\u00ebria e Bashkuar. Ndon\u00ebse nuk p\u00ebrb\u00ebjn\u00eb prov\u00eb shkeljeje ligjore, e vendosin projektin n\u00eb qend\u00ebr t\u00eb nevoj\u00ebs p\u00ebr transparenc\u00eb t\u00eb shtuar dhe verifikim t\u00eb thelluar.<\/p>\n<p>Sipas t\u00eb dh\u00ebnave publike, kompania qipriote \u201cCYMANCO SERVICES LIMITED\u201d paraqitet n\u00eb dokumentet zyrtare t\u00eb Regjistrit t\u00eb Kompanive qipriote si sekretare e kompanis\u00eb q\u00eb ka fituar tenderin p\u00ebr nd\u00ebrtimin e portit t\u00eb ri n\u00eb Durr\u00ebs. Ky rol sipas ligjit qipriot \u00ebsht\u00eb formal dhe ligjor, nuk n\u00ebnkupton pron\u00ebsi apo kontroll ekonomik mbi kompanin\u00eb, por p\u00ebrfshin akses t\u00eb plot\u00eb n\u00eb struktur\u00ebn ligjore dhe funksionimin administrativ t\u00eb saj.<\/p>\n<p>T\u00eb dh\u00ebnat publike tregojn\u00eb se Cymanco Services Limited ka vepruar si sekretare korporative p\u00ebr kompani ku Albert Avdolyan rezulton i regjistruar si drejtor ose figur\u00eb e lidhur. Avdolyan \u00ebsht\u00eb oligark rus i p\u00ebrfshir\u00eb n\u00eb list\u00ebn e sanksioneve t\u00eb Bashkimit Europian n\u00eb shkurt 2025.<\/p>\n<p>N\u00eb disa raportime investigative nd\u00ebrkomb\u00ebtare q\u00eb dokumentojn\u00eb skema t\u00eb dyshuara korrupsioni dhe devijimi fondesh, ku p\u00ebrfshihen oligark\u00eb ukrainas me lidhje t\u00eb forta ruse del \u201cCYMANCO SERVICES LIMITED\u201d. Sipas k\u00ebtyre burimeve, CYMANCO shfaqet n\u00eb zinxhir\u00eb administrativ\u00eb dhe ligjor t\u00eb p\u00ebrdorur n\u00eb struktura offshore, t\u00eb lidhura me figura si Dmytro Firtash, i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara t\u00eb Amerik\u00ebs p\u00ebr aktivitete t\u00eb lidhura me Rusin\u00eb, p\u00ebrfshir\u00eb marr\u00ebdh\u00ebnie me krimin e organizuar dhe mb\u00ebshtetje t\u00eb ndikimit rus n\u00eb Ukrain\u00eb, si edhe Mykola Martynenko, ish-deputet ukrainas i hetuar n\u00eb Zvic\u00ebr dhe Ukrain\u00eb p\u00ebr p\u00ebrvet\u00ebsim fondesh, ryshfet dhe pastrim parash.<\/p>\n<p>Raportimet e publikuara nga \u201ccrime.hab.media\u201d tregojn\u00eb se k\u00ebto skema dyshohet se kan\u00eb devijuar fonde nga nd\u00ebrmarrje shtet\u00ebrore strategjike ukrainase, p\u00ebrfshir\u00eb \u201cUnited Mining and Chemical Company\u201d (UMCC) dhe \u201cOdesa Port Plant\u201d, duke shkaktuar humbje q\u00eb tejkalojn\u00eb shum\u00ebn rreth 13 milion\u00eb dollar\u00eb. Fondet jan\u00eb kanalizuar p\u00ebrmes nj\u00eb rrjeti kompanish guack\u00eb n\u00eb Qipro, Austri dhe Zvic\u00ebr, duke p\u00ebrfituar interesat industriale t\u00eb lidhura me biznesin e titanit t\u00eb Firtashit n\u00eb periudh\u00ebn para vitit 2014.<\/p>\n<p>Sipas t\u00eb dh\u00ebnave t\u00eb publikuara n\u00eb databaza nd\u00ebrkomb\u00ebtare \u201cCYMANCO SERVICES LIMITED\u201d ka qen\u00eb me rol sekretarie edhe te \u201cLUKOIL SECURITIES LIMITED\u201d, e cila \u00ebsht\u00eb n\u00eb pron\u00ebsi t\u00eb grupit Lukoil. Ky i fundit \u00ebsht\u00eb nj\u00eb nga korporatat m\u00eb t\u00eb m\u00ebdha ruse t\u00eb naft\u00ebs, e cila ka qen\u00eb subjekt i v\u00ebmendjes nd\u00ebrkomb\u00ebtare p\u00ebr shkak t\u00eb lidhjeve t\u00eb saj me shtetin rus dhe p\u00ebrfshirjes n\u00eb regjime sanksionesh pas agresionit t\u00eb Rusis\u00eb n\u00eb Ukrain\u00eb. Edhe pse jo \u00e7do entitet i lidhur me mark\u00ebn Lukoil \u00ebsht\u00eb automatikisht i sanksionuar, lidhjet korporative dhe strukturore me k\u00ebt\u00eb grup konsiderohen t\u00eb ndjeshme nga k\u00ebndv\u00ebshtrimi i siguris\u00eb dhe transparenc\u00ebs.<\/p>\n<p>S\u00eb fundmi, n\u00eb shkurt t\u00eb vitit 2025 do t\u00eb sanksionohej biznesmeni Michel Litvak sepse Per\u00ebndimi e konsideron at\u00eb pjes\u00eb t\u00eb rrethit t\u00eb biznesmen\u00ebve q\u00eb mb\u00ebshtesin ekonomikisht sektor\u00eb strategjik\u00eb t\u00eb Federat\u00ebs Ruse, n\u00eb nj\u00eb kontekst t\u00eb lidhur drejtp\u00ebrdrejt me luft\u00ebn n\u00eb Ukrain\u00eb.<\/p>\n<p>T\u00eb dh\u00ebnat publike tregojn\u00eb se edhe tek ky rast, \u201cCYMANCO SERVICES LIMITED\u201d ka vepruar si sekretare korporative n\u00eb nj\u00eb kompani, ku Litvak ka qen\u00eb i regjistruar si drejtor, \u00e7ka e vendos k\u00ebt\u00eb ofrues sh\u00ebrbimesh n\u00eb fokus t\u00eb verifikimeve mbi p\u00ebrputhshm\u00ebrin\u00eb me regjimin e sanksioneve.<\/p>\n<p>Edhe pse kjo kompani ka nd\u00ebrprer\u00eb marr\u00ebdh\u00ebniet me entitete t\u00eb sanksionuara, fakti q\u00eb e nj\u00ebjta kompani vazhdon t\u00eb p\u00ebrdoret si sekretare nga \u201cArchirodon Construction (Overseas) Company Limited\u201d, nj\u00eb kompani e p\u00ebrfshir\u00eb n\u00eb procedura p\u00ebr projekte infrastrukturore strategjike si porti i ri i Durr\u00ebsit, ngre pyetje legjitime mbi masat e verifikimit dhe menaxhimin e rrezikut ligjor.<\/p>\n<p>K\u00ebto pyetje marrin r\u00ebnd\u00ebsi shtes\u00eb n\u00eb kontekstin e ndryshimeve t\u00eb regjimit t\u00eb sanksioneve t\u00eb Bashkimit Europian gjat\u00eb viteve 2025-2026, ku paketat e reja kan\u00eb forcuar ndalimin e anashkalimit indirekt t\u00eb sanksioneve, kan\u00eb zgjeruar p\u00ebrgjegj\u00ebsin\u00eb e kompanive p\u00ebr \u201cdue diligence\u201d dhe kan\u00eb vendosur theks t\u00eb ve\u00e7ant\u00eb mbi rolin e nd\u00ebrmjet\u00ebsve dhe strukturave offshore. <strong>News 24<\/strong><\/p>\n<p><!-- CONTENT END 2 --><\/p>\n<\/div>","protected":false},"excerpt":{"rendered":"<p>N\u00eb vitet e fundit, NATO ka paralajm\u00ebruar p\u00ebr p\u00ebrdorimin nga Rusia t\u00eb taktikave hibride dhe ndikimit ekonomik p\u00ebr t\u00eb minuar sigurin\u00eb euro-atlantike, p\u00ebrfshir\u00eb rreziqet ndaj infrastruktur\u00ebs kritike. Nj\u00eb nga m\u00ebnyrat p\u00ebr t\u00eb dep\u00ebrtuar n\u00eb infrastruktur\u00ebn kritike \u00ebsht\u00eb p\u00ebrdorimi i kompanive offshore, t\u00eb cilat mbulojn\u00eb pronar\u00ebt e v\u00ebrtet\u00eb. Sipas t\u00eb dh\u00ebnave publike, n\u00eb projektin e portit [&hellip;]<\/p>\n","protected":false},"author":0,"featured_media":0,"comment_status":"open","ping_status":"open","sticky":false,"template":"","format":"standard","meta":{"footnotes":""},"categories":[1],"tags":[],"class_list":["post-65807","post","type-post","status-publish","format-standard","hentry","category-uncategorized"],"_links":{"self":[{"href":"https:\/\/zennihost.com\/test\/wp-json\/wp\/v2\/posts\/65807","targetHints":{"allow":["GET"]}}],"collection":[{"href":"https:\/\/zennihost.com\/test\/wp-json\/wp\/v2\/posts"}],"about":[{"href":"https:\/\/zennihost.com\/test\/wp-json\/wp\/v2\/types\/post"}],"replies":[{"embeddable":true,"href":"https:\/\/zennihost.com\/test\/wp-json\/wp\/v2\/comments?post=65807"}],"version-history":[{"count":0,"href":"https:\/\/zennihost.com\/test\/wp-json\/wp\/v2\/posts\/65807\/revisions"}],"wp:attachment":[{"href":"https:\/\/zennihost.com\/test\/wp-json\/wp\/v2\/media?parent=65807"}],"wp:term":[{"taxonomy":"category","embeddable":true,"href":"https:\/\/zennihost.com\/test\/wp-json\/wp\/v2\/categories?post=65807"},{"taxonomy":"post_tag","embeddable":true,"href":"https:\/\/zennihost.com\/test\/wp-json\/wp\/v2\/tags?post=65807"}],"curies":[{"name":"wp","href":"https:\/\/api.w.org\/{rel}","templated":true}]}}