{"id":61656,"date":"2026-01-02T16:21:35","date_gmt":"2026-01-02T16:21:35","guid":{"rendered":"https:\/\/zennihost.com\/test\/2026\/01\/02\/thirrja-e-von-der-leyen-per-te-riarmatosur-evropen-te-kujton-fushatat-e-bunkerizimit\/"},"modified":"2026-01-02T16:21:35","modified_gmt":"2026-01-02T16:21:35","slug":"thirrja-e-von-der-leyen-per-te-riarmatosur-evropen-te-kujton-fushatat-e-bunkerizimit","status":"publish","type":"post","link":"https:\/\/zennihost.com\/test\/2026\/01\/02\/thirrja-e-von-der-leyen-per-te-riarmatosur-evropen-te-kujton-fushatat-e-bunkerizimit\/","title":{"rendered":"Thirrja e Von der Leyen, p\u00ebr t\u00eb riarmatosur Evrop\u00ebn t\u00eb kujton fushatat e bunkerizimit"},"content":{"rendered":"<p><span>\u00c7do dhjetor t\u00eb viteve t\u00eb fundit, m\u00eb kujtohet nj\u00eb moment kur Jeremy Corbyn, at\u00ebher\u00eb lider i opozit\u00ebs Laburiste n\u00eb Mbret\u00ebrin\u00eb e Bashkuar, citoi nj\u00eb pjes\u00eb nga nj\u00eb fjalim i Vitit t\u00eb Ri q\u00eb m\u00eb dukej tep\u00ebr i njohur. \u201cKy vit do t\u00eb jet\u00eb m\u00eb i v\u00ebshtir\u00eb se viti i kaluar,\u201d tha ai. Fjal\u00ebt e Corbyn m\u00eb dukeshin t\u00eb njohura sepse ai po citonte Enver Hoxh\u00ebn, udh\u00ebheq\u00ebsin fam\u00ebkeq komunist t\u00eb vendit tim t\u00eb lindjes, Shqip\u00ebris\u00eb, i cili m\u00eb pas vazhdonte: \u201cNga ana tjet\u00ebr, do t\u00eb jet\u00eb m\u00eb i leht\u00eb se viti i ardhsh\u00ebm.\u201d Ky koment shkaktoi nj\u00eb stuhi reagimesh: disa e pan\u00eb at\u00eb si nj\u00eb d\u00ebshmi se Laburist\u00ebt ishin shnd\u00ebrruar n\u00eb nj\u00eb sekt marksist, nd\u00ebrsa t\u00eb tjer\u00eb denoncuan pandjeshm\u00ebrin\u00eb e tij ndaj traumave t\u00eb pambyllura t\u00eb s\u00eb kaluar\u00ebs komuniste t\u00eb Shqip\u00ebris\u00eb.<\/span><\/p>\n<p><span>N\u00ebn \u201cXhaxhi Enverin\u201d, Shqip\u00ebria e pjes\u00ebs m\u00eb t\u00eb madhe t\u00eb f\u00ebmij\u00ebris\u00eb sime ishte nj\u00eb nga vendet m\u00eb t\u00eb izoluara n\u00eb bot\u00eb, e shk\u00ebputur si nga Lindja \u201crevizioniste\u201d, ashtu edhe nga Per\u00ebndimi \u201cimperialist\u201d. Ajo ekzistonte n\u00eb kapsul\u00ebn e vet kohore, nj\u00eb realitet i ashp\u00ebr i form\u00ebsuar p\u00ebrmes besnik\u00ebris\u00eb, propagand\u00ebs, survejimit dhe shtypjes s\u00eb disidenc\u00ebs. Perceptimi i saj p\u00ebr t\u00eb ardhmen ushqehej nga mite t\u00eb s\u00eb kaluar\u00ebs p\u00ebr sakrifica heroike dhe vet\u00ebmjaftueshm\u00ebri, t\u00eb ngulitura n\u00eb komplotet e nj\u00eb agresioni t\u00eb huaj t\u00eb af\u00ebrt.<\/span><\/p>\n<p><span>\u00c7do Vit i Ri sillte paranoja t\u00eb reja, mungesa t\u00eb reja, masa t\u00eb reja disiplinore, thirrje t\u00eb reja p\u00ebr durim. I vetmi investim i q\u00ebndruesh\u00ebm q\u00eb b\u00ebnte shteti ishin bunker\u00ebt. Si mund t\u00eb krahasohej kjo qoft\u00eb edhe s\u00eb largu me at\u00eb q\u00eb po ndodhte n\u00eb Per\u00ebndim?<\/span><\/p>\n<p><span>E megjithat\u00eb, pavar\u00ebsisht humorit t\u00eb zi q\u00eb shqiptar\u00ebt dhe shum\u00eb t\u00eb tjer\u00eb nuk arrinin ta vler\u00ebsonin n\u00eb at\u00eb koh\u00eb, fjalimi i Corbyn \u2013 dhe ai citim \u2013 rezultoi, \u00e7udit\u00ebrisht, profetik. Ai p\u00ebrshkruante zymt\u00ebsin\u00eb dhe ankthin me t\u00eb cilin nj\u00eb pjes\u00eb e madhe e s\u00eb majt\u00ebs e ka pritur \u00e7do Vit t\u00eb Ri q\u00eb prej vitit 2016. At\u00ebher\u00eb, Brexit-i dukej si katastrofa p\u00ebrfundimtare. \u201cRimarrja e kontrollit\u201d, slogani triumfues i daljes s\u00eb Britanis\u00eb nga Bashkimi Evropian, shkaktoi nj\u00eb drith\u00ebrim\u00eb tek elitat kozmopolite n\u00eb mbar\u00eb Per\u00ebndimin.<\/span><\/p>\n<p><span>Teksa shum\u00eb njer\u00ebz nxitonin t\u00eb grumbullonin mallra n\u00eb rast t\u00eb nj\u00eb Brexit-i \u201cpa marr\u00ebveshje\u201d, m\u00eb kujtohet se m\u00eb pyet\u00ebn n\u00ebse pamja e rafteve gjysm\u00eb bosh n\u00eb supermarket\u00eb m\u00eb kujtonte Shqip\u00ebrin\u00eb e Hoxh\u00ebs (nuk ma kujtonte). Por me kalimin e koh\u00ebs \u2013 pas zgjedhjes s\u00eb par\u00eb t\u00eb Donald Trump-it si president i SHBA-s\u00eb, nj\u00eb pandemie globale, luft\u00ebrave n\u00eb Ukrain\u00eb dhe Gaz\u00eb dhe rikthimit t\u00eb Trump-it n\u00eb Sht\u00ebpin\u00eb e Bardh\u00eb \u2013 edhe kund\u00ebrshtar\u00ebt m\u00eb t\u00eb flakt\u00eb t\u00eb Brexit-it mund ta pranojn\u00eb sot se paniku i tyre ishte disi i tepruar.<\/span><\/p>\n<p><span>Apo ndoshta jo? Vitin e ardhsh\u00ebm, Brexit-i do t\u00eb sh\u00ebnoj\u00eb dhjet\u00ebvjetorin e tij \u2013 sigurisht nj\u00eb moment simbolik i r\u00ebnd\u00ebsish\u00ebm n\u00eb epok\u00ebn aktuale t\u00eb globalizimit. Referendumi sinjalizoi nj\u00eb rikthim n\u00eb nj\u00eb bot\u00eb ku shtetet jan\u00eb gjithnj\u00eb e m\u00eb t\u00eb izoluara nga nj\u00ebri-tjetri, institucionet mbahen peng t\u00eb vullnetit arbitrar t\u00eb individ\u00ebve dhe sundimi i ligjit duket se \u00ebsht\u00eb n\u00eb r\u00ebnie t\u00eb pakthyeshme.<\/span><\/p>\n<p><span>Viti q\u00eb vjen nuk ka gjasa t\u00eb jet\u00eb ndryshe. Thirrja e mb\u00ebshtet\u00ebsve t\u00eb Brexit-it p\u00ebr t\u00eb \u201crimarr\u00eb kontrollin\u201d \u2013 dikur me t\u00eb pakt\u00ebn nj\u00eb cip\u00eb ndershm\u00ebrie intelektuale, pasi lidhej me debate legjitime mbi sovranitetin \u2013 ka degraduar n\u00eb nj\u00eb narrativ\u00eb t\u00eb plot\u00eb konspirative. Kontrolli, na thuhet tani, \u00ebsht\u00eb i pamundur, p\u00ebr shkak t\u00eb k\u00ebrc\u00ebnimit t\u00eb p\u00ebrhersh\u00ebm q\u00eb paraqesin t\u00eb huajt dhe ata q\u00eb konsiderohen t\u00eb paaft\u00eb p\u00ebr t\u2019u \u201cintegruar\u201d.<\/span><\/p>\n<p><span>E ardhmja duket se ofron vet\u00ebm nj\u00eb p\u00ebrzierje frike dhe paranoje. \u00c7far\u00eb tjet\u00ebr mund t\u00eb pritet n\u00eb nj\u00eb bot\u00eb ku tregjet e vetme q\u00eb zgjerohen me siguri i p\u00ebrkasin sektorit ushtarak dhe ku inovacioni teknologjik duket gjithnj\u00eb e m\u00eb shum\u00eb i p\u00ebrkushtuar n\u00eb p\u00ebrsosjen e artit t\u00eb shkat\u00ebrrimit t\u00eb nd\u00ebrsjell\u00eb? N\u00eb gjith\u00eb k\u00ebt\u00eb panoram\u00eb, ku mund t\u00eb gjesh ende shpres\u00eb?<\/span><\/p>\n<p><span><strong>Nj\u00eb rrug\u00eb tjet\u00ebr<\/strong><\/span><\/p>\n<p><span>N\u00eb esen\u00eb e tij t\u00eb vitit 1784, \u201cIdea for a Universal History With a Cosmopolitan Purpose\u201d, (Ideja p\u00ebr nj\u00eb histori universale me q\u00ebllim kozmopolit), filozofi gjerman Immanuel Kant u p\u00ebrpoq t\u00eb gjente nj\u00eb k\u00ebndv\u00ebshtrim nga i cili historia mund t\u00eb interpretohej si di\u00e7ka m\u00eb shum\u00eb sesa nj\u00eb spektak\u00ebl i mjeruesh\u00ebm dhune, padrejt\u00ebsie dhe irracionaliteti, dhe t\u00eb zbulohej nj\u00eb model q\u00eb i sh\u00ebrbente zhvillimit t\u00eb prirjeve morale. Kjo ishte e v\u00ebshtir\u00eb, mendonte Kant, sepse qeniet njer\u00ebzore nuk ndjekin gjithmon\u00eb at\u00eb q\u00eb \u00ebsht\u00eb n\u00eb interesin e tyre racional. Ato kan\u00eb vullnet t\u00eb lir\u00eb, i cili u mund\u00ebson t\u00eb dallojn\u00eb at\u00eb q\u00eb \u00ebsht\u00eb e drejt\u00eb, por nj\u00ebkoh\u00ebsisht i l\u00eb t\u00eb ekspozuar ndaj gabimit.<\/span><\/p>\n<p><span>Paradoksalisht, Kant-i e identifikoi te lufta \u2013 m\u00eb sakt\u00eb, tek irracionaliteti i luft\u00ebs \u2013 nj\u00eb rrug\u00eb ky\u00e7e drejt shpres\u00ebs. Ai besonte se do t\u00eb vinte nj\u00eb koh\u00eb kur lufta do t\u00eb b\u00ebhej jo vet\u00ebm plot\u00ebsisht shkat\u00ebrrimtare dhe e pasigurt, por edhe ekonomikisht e paq\u00ebndrueshme \u2013 nj\u00eb burim borxhi dhe rr\u00ebnimi t\u00eb pafund. Sipas tij, p\u00ebrshkall\u00ebzimi i konfliktit midis interesave t\u00eb shteteve dhe zgjerimit t\u00eb tregtis\u00eb globale do t\u00eb b\u00ebnin q\u00eb \u201cndikimi i \u00e7do tronditjeje n\u00eb nj\u00eb shtet t\u00eb reflektohej n\u00eb t\u00eb gjith\u00eb t\u00eb tjer\u00ebt\u201d, saq\u00eb do t\u00eb duhej t\u00eb shfaqej nj\u00eb konfigurim i ri politik. Ai parashikonte nj\u00eb federat\u00eb kozmopolite n\u00eb t\u00eb ardhmen q\u00eb \u201cnuk ka shembull n\u00eb bot\u00ebn e shkuar\u201d.<\/span><\/p>\n<p><span>P\u00ebrfundimisht, bota prodhoi nj\u00eb shembull t\u00eb till\u00eb, megjith\u00ebse t\u00eb pap\u00ebrsosur. Kant kishte parashikuar se \u201cpas shum\u00eb shkat\u00ebrrimeve, p\u00ebrmbysjeve dhe madje edhe shterimit t\u00eb plot\u00eb t\u00eb fuqive t\u00eb tyre\u201d, natyra do t\u2019i \u201cshtynte njer\u00ebzit drejt asaj q\u00eb arsyeja mund t\u2019ua kishte treguar edhe pa kaq shum\u00eb p\u00ebrvoj\u00eb t\u00eb hidhur\u201d. Profecia e tij dukej se u p\u00ebrmbush kur, n\u00eb kushtet e makthshme t\u00eb kampit t\u00eb internimit n\u00eb Ventotene, ku Musolini kishte internuar rival\u00ebt e tij demokrat\u00eb, Altiero Spinelli dhe Ernesto Rossi shkruan nj\u00eb manifest q\u00eb propozonte nj\u00eb Evrop\u00eb federale, n\u00eb t\u00eb cil\u00ebn shtetet do t\u00eb lidheshin jo nga pushtimi, por nga bashk\u00ebpunimi.<\/span><\/p>\n<p><span>Manifesti i Ventotenes u b\u00eb m\u00eb pas frym\u00ebzim p\u00ebr Komunitetin Evropian t\u00eb Qymyrit dhe \u00c7elikut dhe, p\u00ebrfundimisht, p\u00ebr Bashkimin Evropian \u2013 nj\u00eb p\u00ebrpjekje historikisht e paprecedent\u00eb p\u00ebr t\u2019i shnd\u00ebrruar interesat e p\u00ebrbashk\u00ebta ekonomike n\u00eb nj\u00eb projekt moral dhe politik. N\u00eb mesin e viteve 2000, ky projekt ishte ende shum\u00eb i gjall\u00eb. Ne auditor\u00ebt universitare flitej me shum\u00eb entuziaz\u00ebm mbi t\u00eb ardhmen e Evrop\u00ebs si nj\u00eb institucion mbikomb\u00ebtar, t\u00eb ndar\u00eb n\u00eb debatin se si t\u00eb kthehej integrimi funksional n\u00eb nj\u00eb trup\u00eb politike q\u00eb ngrihet mbi \u201ct\u00eb drejt\u00ebn\u201d, jo mbi \u201cforc\u00ebn\u201d. Ishte nj\u00eb koh\u00eb kur evropian\u00ebt ende mund t\u00eb imagjinonin nj\u00eb konvent\u00eb kushtetuese p\u00ebr \u201cNe, popujt e Evrop\u00ebs\u201d. Ishte nj\u00eb moment shprese.<\/span><\/p>\n<p><span><strong>M\u00eb jep streh\u00eb<\/strong><\/span><\/p>\n<p><span>Paradoksalisht, i vetmi vend ku sot ajo \u00ebnd\u00ebrr duke se \u00ebsht\u00eb ende gjall\u00eb \u00ebsht\u00eb Shqip\u00ebria, e cila duket se ka hyr\u00eb s\u00ebrish n\u00eb nj\u00eb tjet\u00ebr kapsul\u00eb kohore, nj\u00eb realitet alternativ q\u00eb m\u00eb kujton romanin Time Shelter t\u00eb shkrimtarit bullgar Georgi Gospodinov, ku njer\u00ebzit mund t\u00eb zgjedhin epok\u00ebn historike n\u00eb t\u00eb cil\u00ebn d\u00ebshirojn\u00eb t\u00eb jetojn\u00eb. P\u00ebr shqiptar\u00ebt, epoka ideale \u00ebsht\u00eb BE-ja e mesit dhe fundit t\u00eb viteve 1990, p\u00ebraf\u00ebrsisht nga n\u00ebnshkrimi i Traktatit t\u00eb Mastrihtit deri te projekti kushtetues. Zgjedhjet n\u00eb Shqip\u00ebri zhvillohen dhe fitohen me premtimin e an\u00ebtar\u00ebsimit n\u00eb BE; ligje miratohen brenda nat\u00ebs p\u00ebr t\u2019u p\u00ebrafruar me acquis communautaire.<\/span><\/p>\n<p><span>Por ka nj\u00eb \u00e7mim. N\u00eb bregdetin shqiptar, n\u00eb qytetet e Sh\u00ebngjinit dhe Gjadrit, qendrat e emigrant\u00ebve t\u00eb nd\u00ebrtuara nga Italia p\u00ebr t\u00eb strehuar azilk\u00ebrkues t\u00eb deportuar jan\u00eb nj\u00eb kujtes\u00eb e rendit kohor n\u00eb t\u00eb cilin jeton sot pjesa tjet\u00ebr e Evrop\u00ebs, dhe nj\u00eb pjes\u00eb e madhe e bot\u00ebs. Aty gjejm\u00eb nj\u00eb hap\u00ebsir\u00eb kufitare midis idealit kozmopolit dhe nj\u00eb distopie t\u00eb s\u00eb ardhmes.<\/span><\/p>\n<p><span>N\u00eb nj\u00eb fjalim t\u00eb mbajtur n\u00eb parlamentin italian n\u00eb mars 2025, kryeministrja Giorgia Meloni e artikuloi k\u00ebt\u00eb rend t\u00eb ri m\u00eb qart\u00eb se kushdo tjet\u00ebr. Jo \u00e7udit\u00ebrisht, ajo sulmoi edhe Manifestin e Ventotenes, autor\u00ebt e t\u00eb cilit shkruanin: \u201cProblemi i par\u00eb q\u00eb duhet zgjidhur, pa t\u00eb cilin \u00e7do p\u00ebrparim tjet\u00ebr do t\u00eb jet\u00eb vet\u00ebm sip\u00ebrfaq\u00ebsor, \u00ebsht\u00eb eliminimi p\u00ebrfundimtar i ndarjes s\u00eb Evrop\u00ebs n\u00eb shtete sovrane komb\u00ebtare.\u201d<\/span><\/p>\n<p><span>P\u00ebr k\u00ebt\u00eb q\u00ebllim, Spinelli dhe Rossi mb\u00ebshtesnin (mes shum\u00eb dispozitave t\u00eb arsyeshme) ndarjen e pushteteve, r\u00ebnd\u00ebsin\u00eb e demokratizimit t\u00eb ekonomis\u00eb, rolin e p\u00ebrfshirjes kulturore dhe domosdoshm\u00ebrin\u00eb politike t\u00eb mobilizimit t\u00eb nj\u00eb koalicioni t\u00eb gjer\u00eb partish progresiste. K\u00ebsaj, Meloni iu kund\u00ebrp\u00ebrgjigj: \u201cNuk e di n\u00ebse kjo \u00ebsht\u00eb Evropa juaj, por sigurisht q\u00eb nuk \u00ebsht\u00eb e imja,\u201d duke shtuar se shpresonte q\u00eb ata q\u00eb po e mbronin dokumentin t\u00eb mos e kishin lexuar at\u00eb.<\/span><\/p>\n<p><span>E megjithat\u00eb, pothuajse askush jasht\u00eb Italis\u00eb nuk e vuri re k\u00ebt\u00eb. Ndoshta sepse Evropa e sotme i ngjan shum\u00eb m\u00eb tep\u00ebr vizionit t\u00eb partis\u00eb s\u00eb Melon-it, V\u00ebllez\u00ebrit e Italis\u00eb, sesa atij t\u00eb federalist\u00ebve t\u00eb hersh\u00ebm evropian\u00eb. Kontributi i elit\u00ebs evropiane n\u00eb imagjinimin e s\u00eb ardhmes tani konsiston kryesisht n\u00eb duartrokitjen e modelit t\u00eb Melon-it p\u00ebr \u201cmenaxhimin e emigracionit\u201d, ose n\u00eb lajkatime t\u00eb bujshme ndaj Trump-it, me shpres\u00ebn p\u00ebr t\u00eb siguruar l\u00ebshime tregtare modeste. Sa p\u00ebr thirrjen m\u00eb t\u00eb fundit t\u00eb presidentes s\u00eb Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, p\u00ebr t\u00eb \u201criarmatosur Evrop\u00ebn\u201d, kjo, e pranoj, m\u00eb kujton fushatat e nd\u00ebrtimit t\u00eb bunker\u00ebve n\u00eb Shqip\u00ebri.<\/span><\/p>\n<p><span>Teksa mendoj p\u00ebr vitin q\u00eb vjen, e gjej veten duke u rikthyer edhe nj\u00ebher\u00eb te Kanti dhe kujtes\u00ebs s\u00eb tij se, n\u00eb \u00e7\u00ebshtjet njer\u00ebzore, askush nuk mund ta parashikoj\u00eb me siguri t\u00eb ardhmen. Nj\u00eb \u201chistori hamend\u00ebsuese\u201d, shkruante ai, ndryshon nga historia natyrore sepse rrjedha e ngjarjeve njer\u00ebzore varet nga liria, jo nga domosdoshm\u00ebria. E vetmja profeci q\u00eb mund t\u00eb b\u00ebhet realitet \u00ebsht\u00eb ajo q\u00eb profeti ndihmon ta sjell\u00eb n\u00eb jet\u00eb.<\/span><\/p>\n<p><span>Prandaj, n\u00eb vend q\u00eb t\u00eb spekuloj p\u00ebr at\u00eb q\u00eb ka gjasa t\u00eb ndodh\u00eb, do t\u00eb parap\u00eblqeja t\u00eb flisja p\u00ebr shpres\u00ebn \u2013 at\u00eb lloj shprese q\u00eb V\u00e1clav Havel e p\u00ebrshkroi si shpres\u00eb pa optimiz\u00ebm: nj\u00eb detyr\u00eb morale q\u00eb mbahet gjall\u00eb edhe kur perspektivat duken t\u00eb zymta. \u00cbsht\u00eb shpresa p\u00ebr t\u00eb par\u00eb s\u00ebrish idet\u00eb q\u00eb dikur i dhan\u00eb jet\u00eb institucioneve evropiane t\u00eb rikthehen n\u00eb rrug\u00eb, n\u00eb mbrojtje t\u00eb t\u00eb drejtave t\u00eb emigrant\u00ebve dhe kund\u00ebr makineris\u00eb s\u00eb luft\u00ebs. P\u00ebrparimi nuk \u00ebsht\u00eb kurr\u00eb i garantuar, por \u00ebsht\u00eb gjithmon\u00eb i mundur, me kusht q\u00eb t\u00eb veprojm\u00eb sikur t\u00eb ishte. Duke menduar me k\u00ebt\u00eb logjik\u00eb t\u00eb historis\u00eb hamend\u00ebsuese, nuk do t\u00eb b\u00ebnim keq t\u00eb ringjallnim frym\u00ebn e rezistenc\u00ebs q\u00eb na dha socializmin kozmopolit t\u00eb Manifestit t\u00eb Ventotenes.<\/span><\/p>\n<p><span>*<strong>Artikulli i shkrimtares dhe filozofes Lea Ypi \u00ebsht\u00eb shkruar p\u00ebr<em>\u00a0<a href=\"https:\/\/www.reporter.al\/tag\/project-syndicate\/\">Project Syndicate <\/a><\/em>me titull origjinal \u201c2026, shpres\u00eb pa optimiz\u00ebm\u201d<\/strong><\/span><\/p>\n<p>The post <a href=\"https:\/\/lapsi.al\/2026\/01\/02\/thirja-e-von-der-leyen-per-te-riarmatosur-evropen-te-kujton-fushatat-e-bunkerizimit\/\">Thirrja e Von der Leyen, p\u00ebr t\u00eb riarmatosur Evrop\u00ebn t\u00eb kujton fushatat e bunkerizimit<\/a> appeared first on <a href=\"https:\/\/lapsi.al\/\">Lapsi.al<\/a>.<\/p>","protected":false},"excerpt":{"rendered":"<p>\u00c7do dhjetor t\u00eb viteve t\u00eb fundit, m\u00eb kujtohet nj\u00eb moment kur Jeremy Corbyn, at\u00ebher\u00eb lider i opozit\u00ebs Laburiste n\u00eb Mbret\u00ebrin\u00eb e Bashkuar, citoi nj\u00eb pjes\u00eb nga nj\u00eb fjalim i Vitit t\u00eb Ri q\u00eb m\u00eb dukej tep\u00ebr i njohur. \u201cKy vit do t\u00eb jet\u00eb m\u00eb i v\u00ebshtir\u00eb se viti i kaluar,\u201d tha ai. Fjal\u00ebt e Corbyn [&hellip;]<\/p>\n","protected":false},"author":0,"featured_media":0,"comment_status":"open","ping_status":"open","sticky":false,"template":"","format":"standard","meta":{"footnotes":""},"categories":[1],"tags":[],"class_list":["post-61656","post","type-post","status-publish","format-standard","hentry","category-uncategorized"],"_links":{"self":[{"href":"https:\/\/zennihost.com\/test\/wp-json\/wp\/v2\/posts\/61656","targetHints":{"allow":["GET"]}}],"collection":[{"href":"https:\/\/zennihost.com\/test\/wp-json\/wp\/v2\/posts"}],"about":[{"href":"https:\/\/zennihost.com\/test\/wp-json\/wp\/v2\/types\/post"}],"replies":[{"embeddable":true,"href":"https:\/\/zennihost.com\/test\/wp-json\/wp\/v2\/comments?post=61656"}],"version-history":[{"count":0,"href":"https:\/\/zennihost.com\/test\/wp-json\/wp\/v2\/posts\/61656\/revisions"}],"wp:attachment":[{"href":"https:\/\/zennihost.com\/test\/wp-json\/wp\/v2\/media?parent=61656"}],"wp:term":[{"taxonomy":"category","embeddable":true,"href":"https:\/\/zennihost.com\/test\/wp-json\/wp\/v2\/categories?post=61656"},{"taxonomy":"post_tag","embeddable":true,"href":"https:\/\/zennihost.com\/test\/wp-json\/wp\/v2\/tags?post=61656"}],"curies":[{"name":"wp","href":"https:\/\/api.w.org\/{rel}","templated":true}]}}