{"id":45368,"date":"2025-10-09T15:48:18","date_gmt":"2025-10-09T15:48:18","guid":{"rendered":"https:\/\/zennihost.com\/test\/2025\/10\/09\/mashtrimet-milioneshe-me-call-center-rrenjet-ne-shqiperi-fijet-cojne-tek-amant-josifi-ish-ortaku-i-olsi-rames\/"},"modified":"2025-10-09T15:48:18","modified_gmt":"2025-10-09T15:48:18","slug":"mashtrimet-milioneshe-me-call-center-rrenjet-ne-shqiperi-fijet-cojne-tek-amant-josifi-ish-ortaku-i-olsi-rames","status":"publish","type":"post","link":"https:\/\/zennihost.com\/test\/2025\/10\/09\/mashtrimet-milioneshe-me-call-center-rrenjet-ne-shqiperi-fijet-cojne-tek-amant-josifi-ish-ortaku-i-olsi-rames\/","title":{"rendered":"Mashtrimet milion\u00ebshe me call center: Rr\u00ebnj\u00ebt n\u00eb Shqip\u00ebri, fijet \u00e7ojn\u00eb tek Amant Josifi, ish-ortaku i Olsi Ram\u00ebs"},"content":{"rendered":"<p>E gjitha filloi me nj\u00eb k\u00ebrkim t\u00eb thjesht\u00eb n\u00eb Google me fjal\u00ebt: \u201cmund\u00ebsi investimi\u201d. Nj\u00eb pasdite t\u00eb zakonshme qershori n\u00eb vitin 2019, Carina Christine Breunig dhe bashk\u00ebshorti i saj, Christoph regjistruan t\u00eb dh\u00ebnat e tyre n\u00eb nj\u00eb platform\u00eb online investimesh t\u00eb quajtur Globalix.<\/p>\n<p>Brenda pak minutash ra telefoni. N\u00eb linj\u00eb ishte nj\u00eb burr\u00eb me z\u00eb t\u00eb qet\u00eb dhe t\u00eb sigurt q\u00eb u prezantua si Adrian Ross, menaxheri i tyre i investimeve. Ross e ndihmoi zotin Breunig p\u00ebr verifikimin e llogaris\u00eb s\u00eb tij si klient dhe fillimisht ai i transferoi 250 dhe 750 euro. M\u00eb pas, shum\u00eb m\u00eb tep\u00ebr.<\/p>\n<p>Gjat\u00eb muajve q\u00eb pasuan, Adrian Ross e nxiste q\u00eb t\u00eb kryente vazhdimisht depozita, duke i th\u00ebn\u00eb se vet\u00ebm n\u00eb k\u00ebt\u00eb m\u00ebnyr\u00eb do t\u00eb mundej t\u00eb kapte pozicione m\u00eb t\u00eb mira tregtare fitimprur\u00ebse. Christoph e ndiqte ecurin\u00eb e investimeve nga kompjuteri i tij, duke par\u00eb n\u00eb ekran grafik\u00eb q\u00eb ngjiteshin, fitime q\u00eb rriteshin dhe bonuse q\u00eb akumuloheshin\u00a0 \u2013 koh\u00eb gjat\u00eb s\u00eb cil\u00ebs ai i transferoi platform\u00ebs 995 mij\u00eb euro n\u00eb total.<\/p>\n<p>Megjith\u00ebse ishte investitor me eksperienc\u00eb dhe pronar i nj\u00eb biznesi, Christoph nuk e dinte se ato q\u00eb i shfaqeshin p\u00ebrpara syve nuk ishin kontrata t\u00eb v\u00ebrteta dhe se n\u00eb an\u00ebn tjet\u00ebr t\u00eb linj\u00ebs telefonike, pas pseudonimit Adrian Ross fshihej nj\u00eb i ri shqiptar, operator n\u00eb nj\u00eb call-center n\u00eb Tiran\u00eb.<\/p>\n<p>Nj\u00eb vit m\u00eb von\u00eb, pas nj\u00eb serie t\u00eb d\u00ebshtuar p\u00ebrpjekjesh p\u00ebr t\u2019i t\u00ebrhequr fondet, Christoph kuptoi se kishte r\u00ebn\u00eb viktim\u00eb e nj\u00eb skeme mashtruese dhe iu drejtua policis\u00eb.<\/p>\n<p>Historia e \u00e7iftit Breuning nga zona e Aschaffenburg, nj\u00eb qytet rreth 40 kilometra n\u00eb lindje t\u00eb Frankfurtit n\u00eb skajin veriper\u00ebndimor t\u00eb landit t\u00eb Bavaris\u00eb n\u00eb Gjermani, nuk \u00ebsht\u00eb e izoluar. Autoritetet policore kund\u00ebr krimit kibernetik n\u00eb Bavari mor\u00ebn nj\u00eb duzin\u00eb kall\u00ebzimesh t\u00eb ngjashme mes viteve 2019-2021 nga qytetar\u00eb t\u00eb mashtruar nga t\u00eb pakt\u00ebn 5 platforma investimesh online.<\/p>\n<p>Hetimet e m\u00ebtejshme zbuluan se pas platformave q\u00ebndronte nj\u00eb grup i strukturuar kriminal q\u00eb operonte n\u00ebp\u00ebrmjet disa call centar-ash n\u00eb Izrael, Serbi dhe Shqip\u00ebri \u2013 e quajtur \u201cBlue Energy Call\u201d.<\/p>\n<p>Nd\u00ebrsa viktimat shtriheshin edhe n\u00eb Greqi apo Mbret\u00ebrin\u00eb e Bashkuar, vet\u00ebm n\u00eb Gjermani kjo skem\u00eb mashtruese, bazuar n\u00eb rastet e raportuara, ka shkaktuar miliona euro d\u00ebm financiar ndaj 105 individ\u00ebve. Megjithat\u00eb, prokuror\u00ebt gjerman\u00eb besojn\u00eb se numri i rasteve t\u00eb paraportuara nga viktimat \u00ebsht\u00eb i konsideruesh\u00ebm dhe vlera e d\u00ebmit n\u00eb t\u00eb gjith\u00eb bot\u00ebn \u00ebsht\u00eb shum\u00eb m\u00eb e lart\u00eb.<\/p>\n<p>Zyra Qendrore Bavareze p\u00ebr Ndjekjen e Krimeve Kibernetike e ka v\u00ebzhguar k\u00ebt\u00eb industri mashtruese dhe zhvillimin e saj prej disa vitesh, ve\u00e7an\u00ebrisht q\u00eb nga viti 2019. Prokurori i lart\u00eb publik pran\u00eb k\u00ebsaj zyre, Dr. Nino Goldbeck, i tha BIRN se pavar\u00ebsisht disa sukseseve n\u00eb hetime dhe operacione gjat\u00eb viteve t\u00eb fundit, situata mbetet kritike.<\/p>\n<p>\u201cPlatformat mashtruese t\u00eb investimeve online vazhdojn\u00eb t\u00eb p\u00ebrb\u00ebjn\u00eb nj\u00eb treg fitimprur\u00ebs, ku jo nj\u00eb apo dy, por disa grupe t\u00eb krimit t\u00eb organizuar shkaktojn\u00eb d\u00ebme t\u00eb m\u00ebdha jo vet\u00ebm n\u00eb Gjermani, por edhe n\u00eb shum\u00eb vende t\u00eb tjera t\u00eb Europ\u00ebs,\u201d tha ai.<\/p>\n<p>Sipas Goldbeck, \u00ebsht\u00eb e v\u00ebshtir\u00eb t\u00eb p\u00ebrllogaritet shuma e sakt\u00eb e d\u00ebmit, por vet\u00ebm n\u00eb Gjermani ai arrin n\u00eb qindramilion\u00eb euro \u00e7do vit.<\/p>\n<p><em>\u201cN\u00eb Bavari, humbjet tejkalojn\u00eb 100 milion\u00eb euro n\u00eb vit \u2013 dhe kjo vet\u00ebm nga rastet e raportuara,\u201d<\/em>\u00a0theksoi ai n\u00eb nj\u00eb p\u00ebrgjigje me shkrim.<\/p>\n<p><strong>K\u00ebrc\u00ebnim global\u00a0<\/strong><\/p>\n<p>N\u00eb nj\u00eb bot\u00eb t\u00eb nd\u00ebrlidhur dhe t\u00eb digjitalizuar, mashtrimi n\u00ebp\u00ebrmjet skemave t\u00eb investimeve \u00ebsht\u00eb nj\u00eb nga format m\u00eb t\u00eb p\u00ebrhapura t\u00eb krimit financiar.<\/p>\n<p>Sipas Interpolit, midis viteve 2022 dhe 2023, 85% e njoftimeve nd\u00ebrkomb\u00ebtare p\u00ebr arrest (red notices) lidheshin me raste mashtrimi dhe vet\u00ebm n\u00eb vitin 2023, Qendra Korrupsion dhe Krimit Financiar mb\u00ebshteti m\u00eb shum\u00eb se 700 hetime p\u00ebr raste mashtrimi me vler\u00eb 1.2 miliard USD (1 miliard\u00eb euro). Nj\u00eb nga dy format kryesore t\u00eb mashtrimit ishte ajo n\u00ebp\u00ebrmjet investimeve t\u00eb rreme.<\/p>\n<p>Autor\u00ebt e k\u00ebtyre skemave p\u00ebrdorin taktika t\u00eb ndryshme p\u00ebr manipulimin e viktimave \u2013 nga premtimet p\u00ebr fitime t\u00eb m\u00ebdha te krijimi i nj\u00eb ndjenje urgjence p\u00ebr t\u00eb investuar, dhe n\u00eb disa raste, ato mund t\u00eb marrin form\u00ebn e skemave \u201cPonzi\u2019 ose piramidale.<\/p>\n<p>Ata i rekrutojn\u00eb viktimat e tyre n\u00ebp\u00ebrmjet reklamave n\u00eb rrjetet sociale, faqeve dhe aplikacioneve mashtruese, si dhe p\u00ebrmes\u00a0 telemarketingut nga call center-at, ku operator\u00ebt b\u00ebjn\u00eb thirrje t\u00eb paautorizuara dhe ushtrojn\u00eb presion psikologjik ose p\u00ebrdorin teknika manipuluese t\u00eb inxhinieris\u00eb sociale ndaj viktimave, p\u00ebr t\u2019i nxitur t\u00eb investojn\u00eb n\u00eb skema financiare mashtruese.<\/p>\n<p>P\u00ebrdorimi i gjer\u00eb i kriptovalutave ka krijuar gjithashtu hap\u00ebsira t\u00eb reja p\u00ebr grupet kriminale t\u00eb p\u00ebrfshira n\u00eb skemat e krimit financuar n\u00ebp\u00ebrmjet investimeve mashtruese.<\/p>\n<p>Sipas prokurorit Nino Goldbeck, hapi m\u00eb i r\u00ebnd\u00ebsish\u00ebm p\u00ebr mashtruesit \u00ebsht\u00eb sigurimi i t\u00eb dh\u00ebnave t\u00eb kontaktit t\u00eb personave t\u00eb interesuar p\u00ebr t\u00eb investuar n\u00eb platforma tregtare, t\u00eb cilat mblidhen kryesisht p\u00ebrmes fushatave t\u00eb m\u00ebdha reklamuese t\u00eb zhvilluara nga kompani t\u00eb specializuara marketingu n\u00eb rrjete sociale.<\/p>\n<p><em>\u201cKompanit\u00eb vendosin reklama mashtruese ose t\u00eb manipuluara n\u00eb rrjete sociale si Facebook, n\u00eb faqe lajmesh apo platforma t\u00eb tjera,\u201d<\/em>\u00a0tha ai.<\/p>\n<div class=\"jeg_ad jeg_ad_article jnews_content_inline_3_ads  \">\n<div class=\"ads-wrapper align-center \">\n<div class=\"ads_code\">\n<div class=\"desktopi\">\n<div><\/div>\n\n<\/div>\n<\/div>\n<\/div>\n<\/div>\n<p>Goldbeck theksoi se nj\u00eb nga taktikat m\u00eb t\u00eb p\u00ebrdorura \u00ebsht\u00eb p\u00ebrdorimi i reklamave q\u00eb pretendojn\u00eb se platformat jan\u00eb rekomanduar n\u00eb emisione t\u00eb njohura televizive ose nga figura publike.<\/p>\n<p>Gjat\u00eb pes\u00eb viteve t\u00eb fundit, Tirana, me popullat\u00ebn e saj poliglote dhe relativisht t\u00eb re n\u00eb mosh\u00eb, \u00ebsht\u00eb kthyer nj\u00eb nyje t\u00eb r\u00ebnd\u00ebsishme p\u00ebr call center-at n\u00eb sh\u00ebrbim t\u00eb skemave mashtruese.<\/p>\n<p>Megjith\u00ebse jan\u00eb nd\u00ebrmarr\u00eb dhjet\u00ebra operacione policore p\u00ebr shkat\u00ebrrimin e aktivitetit t\u00eb tyre, hetimet e suksesshme num\u00ebrohen me gishtat e njer\u00ebs dor\u00eb, dhe jan\u00eb regjistruar kryesisht nga Struktura e Posa\u00e7me Kund\u00ebr Krimit t\u00eb Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK), si pjes\u00eb e grupeve hetimore t\u00eb p\u00ebrbashk\u00ebta t\u00eb koordinuara nga Eurojust dhe Europol.<\/p>\n<p><strong>Modus operandi<\/strong><\/p>\n<p>Skemat mashtruese shpesh kamuflohen si biznese reale, nd\u00ebrsa operator\u00ebt p\u00ebrdorin gjuh\u00eb t\u00eb ngjashme me k\u00ebshilltar\u00ebt e investimeve p\u00ebr t\u2019i manipuluar viktimat e tyre.<\/p>\n<p>E vendosur n\u00eb katin e dyt\u00eb dhe t\u00eb tret\u00eb t\u00eb Qendr\u00ebs Condor n\u00eb rrug\u00ebn e Kavaj\u00ebs n\u00eb Tiran\u00eb, \u201cBlue Energy Call\u201d ngjante n\u00eb pamje t\u00eb par\u00eb si \u00e7do kompani tjet\u00ebr telemarketingu, me rreshta t\u00eb gjat\u00eb tavolinash ku dhjet\u00ebra operator\u00eb kryenin telefonata n\u00eb gjuh\u00eb t\u00eb huaj me klient\u00eb t\u00eb ndrysh\u00ebm jasht\u00eb Shqip\u00ebris\u00eb.<\/p>\n<p>Por sipas hetuesve gjerman\u00eb nga Prokuroria e P\u00ebrgjithshme Bamberg, pas fasad\u00ebs fshihej nj\u00eb grup i strukturuar kriminal, i cili n\u00ebp\u00ebrmjet platformave \u2018cybertrading\u2019 mashtronte njer\u00ebz t\u00eb zakonsh\u00ebm n\u00eb t\u00eb gjith\u00eb Europ\u00ebn.<\/p>\n<p>M\u00eb 16 mars 2022, rreth 50 oficer\u00eb t\u00eb policis\u00eb shqiptare, 11 oficer\u00eb nga Departamenti i Hetimeve Kriminale i Bayreuth-it dhe Departamenti i Hetimeve Kriminale t\u00eb Franconis\u00eb s\u00eb Ep\u00ebrme n\u00eb Gjermani, si dhe nj\u00eb prokuror nga Zyra Qendrore Bavareze p\u00ebr Krimin Kibernetik, t\u00eb udh\u00ebhequr nga koleg\u00ebt e tyre shqiptar\u00eb t\u00eb SPAK dhe t\u00eb koordinuar nga Eurojust, bastis\u00ebn zyrat e kompanis\u00eb n\u00eb Tiran\u00eb, si dhe nj\u00eb kompani IT.<\/p>\n<p>Hetuesit verifikuan dhjet\u00ebra persona dhe hetuan lidhjet e tyre me organizat\u00ebn kriminale. N\u00eb shum\u00eb raste, k\u00ebrcit\u00ebn prangat. Mes 15 t\u00eb arrestuarve ishin dhe dy nga t\u00eb dyshuarit si organizator\u00eb kryesor\u00eb t\u00eb skem\u00ebs \u2013 Erion Kasmi dhe Xhulian Xhafa. Sipas prokuror\u00ebve, Kasmi ishte drejtuesi \u2018de facto\u2019 i call center-it \u201cBlue Energy Call\u201d dhe kompanis\u00eb IT-s\u00eb \u2018Cleartech\u2019 shpk, nd\u00ebrsa Xhafa merrej me menaxhimin e rrjetit kompjuterik, p\u00ebr t\u00eb cilin p\u00ebrdorte programin Deepfreeze p\u00ebr t\u00eb fshir\u00eb provat.<\/p>\n<p>P\u00ebr t\u00eb ruajtur provat digjitale t\u00eb krimit, tet\u00eb specialist\u00eb udh\u00ebtuan nga Bayreuth n\u00eb Shqip\u00ebri, posa\u00e7\u00ebrisht p\u00ebr t\u00eb marr\u00eb masa n\u00eb funksion t\u00eb ekspertiz\u00ebs shkencore. Ata p\u00ebrdor\u00ebn laboratorin e avancuar \u2018Paladin\u2019 dhe sekuestruan kompjuter\u00eb, server\u00eb dhe telefona t\u00eb zgjuar.<\/p>\n<p>Sipas Fabian Zhill\u00ebs, ekspert mbi krimin kibernetik me Iniciativ\u00ebn Globale Kund\u00ebr Krimit t\u00eb Organizuar Transnacional, ky ka qen\u00eb nj\u00eb nga momentet m\u00eb t\u00eb kritike t\u00eb hetimit, pasi provat digjitale mund t\u00eb fshihen me nj\u00eb klikim.<\/p>\n<p>\u201cRuajtja e t\u00eb dh\u00ebnave digjitale k\u00ebrkon nj\u00eb shpejt\u00ebsi t\u00eb jasht\u00ebzakonshme dhe nj\u00eb sekret hetimor t\u00eb nivelit t\u00eb lart\u00eb, sepse \u00ebsht\u00eb shum\u00eb e leht\u00eb t\u00eb d\u00ebmtohen,\u201d tha Zhilla p\u00ebr BIRN.<\/p>\n<p>\u201cBlue Energy Call\u201d p\u00ebrdorte sistemin Panda TS, nj\u00eb program kompjuterik i prodhuar nga nj\u00eb kompani izraelite p\u00ebr nd\u00ebrmjet\u00ebs (broker) t\u00eb Forex dhe CFD-ve (kontrata p\u00ebr derivativ\u00ebt financiar\u00eb).\u00a0 Panda TS \u00ebsht\u00eb nj\u00eb platform\u00eb tregtimi \u2018\u00ebhite-label\u2019, q\u00eb mund t\u00eb personalizohet me logo, ngjyra dhe emra t\u00eb ndrysh\u00ebm, si Globalix dhe Brokerz.<\/p>\n<p>E pyetur nga BIRN, kompania Panda Trading Systems nuk i p\u00ebrgjigj nj\u00eb k\u00ebrkese p\u00ebr koment t\u00eb d\u00ebrguar n\u00ebp\u00ebrmjet post\u00ebs elektronike.<\/p>\n<p>P\u00ebrve\u00e7 platformave Globalix dhe Brokerz, kompania \u201cBlue Energy Call\u201d ka p\u00ebrdorur dhe faqe t\u00eb tjera, t\u00eb cilat, sipas Xhulian Xhaf\u00ebs \u201chapeshin dhe mbylleshin p\u00ebr 6 muaj ose nj\u00eb vit maksimumi,\u201d pasi merrnin raportime negative n\u00eb internet dhe humbiste besueshm\u00ebria.<\/p>\n<p>Sipas tij, numrat e qytetar\u00ebve evropian\u00eb t\u00eb mashtruar merreshin nga sistemi Panda CRM, i cili menaxhohej nga shtetas izraelit\u00eb, t\u00eb cil\u00ebt komunikoni kryesisht me Erion Kasmin. Sipas Xhaf\u00ebs, sistemin e kan\u00eb ngritur shtetas nga Izraeli dhe \u201ct\u00eb dh\u00ebnat bankare apo l\u00ebvizjet e tjera menaxhoheshin nga ata.\u201d<\/p>\n<p>Viktimat shpesh manipuloheshin t\u00eb shkarkonin programin \u2018Anydesk\u2019, duke u dh\u00ebn\u00eb mashtruesve qasje n\u00eb kompjuterat e tyre.<\/p>\n<p>Arben Gramo, nj\u00eb avokat shqiptar, i cili p\u00ebrfaq\u00ebson disa nga viktimat n\u00eb \u00e7\u00ebshtjen penale kund\u00ebr Blue Energy Call, p\u00ebrfshir\u00eb \u00e7iftin Breuning, i tha BIRN se forma e mashtrimit e p\u00ebrdorur nga Kasmi dhe agjent\u00ebt e tij ishte e sofistikuar.<\/p>\n<p>\u201cKjo m\u00eb par\u00eb b\u00ebhej me telefonata \u2013 \u2018Alo, alo jam Leonardo DiCaprio\u2019,\u201d tha ai me nj\u00eb buz\u00ebqeshje t\u00eb leht\u00eb, duke iu referuar filmit t\u00eb njohur Ujku i Wall Street, ku aktori hollivudian portretizon Jordan Belfort, nj\u00eb broker amerikan q\u00eb manipulonte qytetar\u00eb t\u00eb zakonsh\u00ebm n\u00ebp\u00ebrmjet telefonit p\u00ebr t\u2019i bindur q\u00eb t\u00eb blinin aksione pa vler\u00eb.<\/p>\n<p>Sipas Gramos, format moderne t\u00eb mashtrimit kan\u00eb evoluar p\u00ebrtej \u201coratoris\u00eb\u201d s\u00eb broker\u00ebve mashtrues \u2013 nj\u00eb metod\u00eb q\u00eb sot konsiderohet e tejkaluar, duke p\u00ebrdorur programe t\u00eb sofistikuara q\u00eb krijojn\u00eb nj\u00eb realitet t\u00eb rrem\u00eb p\u00ebr viktim\u00ebn.<\/p>\n<p>\u201cKjo m\u00ebnyr\u00eb sot \u00ebsht\u00eb pak e vjet\u00ebr dhe ata nuk e besojn\u00eb m\u00eb,\u201d shpjegoi ai. \u201cPor kur njer\u00ebzit shikojn\u00eb emrin e tyre n\u00eb ekran, e fusin n\u00eb kompjuter dhe d\u00ebgjojn\u00eb: \u2018shiko ku je ti k\u00ebtu, shiko si l\u00ebvizin vlerat\u2019, ata fillojn\u00eb ta besojn\u00eb.\u201d<\/p>\n<p>\u201cK\u00ebtu q\u00ebndron mashtrimi,\u201d theksoi Gramo.<\/p>\n<p>N\u00eb mars 2025, Zyra Qendrore e Krimit Kibernetik n\u00eb Bavari ngriti akuza edhe kund\u00ebr nj\u00eb shtetasi 42-vje\u00e7ar nga Izraeli, i cili konsiderohet si truri i k\u00ebsaj skeme. I dyshuari, q\u00eb besohet t\u00eb ket\u00eb qen\u00eb nj\u00eb nga menaxher\u00ebt kryesor\u00eb t\u00eb grupit kriminal, u arrestua n\u00eb Qipro n\u00eb korrik 2024 dhe m\u00eb von\u00eb u ekstradua n\u00eb Gjermani. Ai \u00ebsht\u00eb ngarkuar me 6 akuza p\u00ebr mashtrim si pjes\u00eb e nj\u00eb grupi kriminal.<\/p>\n<p>N\u00eb korrik 2024, Gjykata e Posa\u00e7me e Shkall\u00ebs s\u00eb Par\u00eb Kund\u00ebr Krimit t\u00eb Organizuar dhe Korrupsionit n\u00eb Tiran\u00eb e d\u00ebnoi Erion Kasmin me 11 vjet heqje lirie dhe Xhulian Xhaf\u00ebn me 10 vjet, p\u00ebr mashtrim kompjuterik si pjes\u00eb t\u00eb grupit t\u00eb strukturuar kriminal, nd\u00ebrsa 11 t\u00eb pandehurit t\u00eb tjer\u00eb u shpall\u00ebn t\u00eb pafajsh\u00ebm. Gjykata gjithashtu urdh\u00ebroi sekuestrimin e dhjet\u00ebra pronave dhe llogarive bankare, por n\u00eb prill 2025, Gjykata e Posa\u00e7me e Apelit vendosi ta kthente \u00e7\u00ebshtjen p\u00ebr rigjykim n\u00eb shkall\u00ebn e par\u00eb.<\/p>\n<p><strong>Kosto njer\u00ebzore<\/strong><\/p>\n<p>P\u00ebr shkak t\u00eb natyr\u00ebs s\u00eb krimit t\u00eb mashtrimit, numri global i viktimave \u00ebsht\u00eb i v\u00ebshtir\u00eb t\u00eb p\u00ebrllogaritet.<\/p>\n<p>N\u00eb Mbret\u00ebrin\u00eb e Bashkuar p\u00ebr shembull, n\u00ebse nj\u00eb num\u00ebr i konsideruesh\u00ebm e raportojn\u00eb mashtrimin tek banka e tyre, me shpres\u00ebn s\u00eb do t\u2019i marrin mbrapsht parat\u00eb, vet\u00ebm 5% i drejtohen me kall\u00ebzim policis\u00eb.<\/p>\n<p>Simon Miller, drejtor ekzekutiv p\u00ebr Politikat, Komunikimin dhe Strategjin\u00eb n\u00eb CIFAS, organizat\u00eb q\u00eb ofron sh\u00ebrbime p\u00ebr parandalimin e mashtrimeve n\u00eb Mbret\u00ebrin\u00eb e Bashkuar, shpjegoi se raportimi nuk \u00ebsht\u00eb nj\u00eb hap i leht\u00eb p\u00ebr njer\u00ebzit q\u00eb kan\u00eb r\u00ebn\u00eb viktim\u00eb e mashtrimeve.<\/p>\n<p>\u201cKa nj\u00eb ndjenj\u00eb turpi q\u00eb shoq\u00ebron faktin e t\u00eb qenit viktim\u00eb e nj\u00eb krimi mashtrimi,\u201d tha ai.\u00a0 \u201cNe flasim p\u00ebr njer\u00ebzit q\u00eb bien viktim\u00eb dhe gjithmon\u00eb, mendoj, ekziston nj\u00eb supozim i n\u00ebnkuptuar se ata jan\u00eb treguar t\u00eb pangopur ose t\u00eb trash\u00eb, gj\u00eb q\u00eb krijon k\u00ebt\u00eb ndjenj\u00eb turpi rreth raportimit,\u201d shpjegoi Miller.<\/p>\n<p>Sipas tij, vet\u00ebm n\u00eb Mbret\u00ebrin\u00eb e Bashkuar ka 43 forca t\u00eb ndryshme policore q\u00eb kan\u00eb p\u00ebrgjegj\u00ebsi p\u00ebr trajtimin e mashtrimeve dhe njer\u00ebzit shpesh nuk e din\u00eb se ku duhet t\u00eb raportojn\u00eb.<\/p>\n<p>\u201cNdikimi i mashtrimeve tek individ\u00ebt \u00ebsht\u00eb dometh\u00ebn\u00ebs, edhe kur b\u00ebhet fjal\u00eb p\u00ebr skema t\u00eb vogla,\u201d theksoi ai, nd\u00ebrsa shtoi se n\u00eb shum\u00eb raste viktimat humbasin kursimet e jet\u00ebs, por edhe besimin tek t\u00eb shoq\u00ebria.<\/p>\n<p>\u201cStatistikat tregojn\u00eb nj\u00eb num\u00ebr befasues njer\u00ebzish q\u00eb i japin fund jet\u00ebs si pasoj\u00eb e mashtrimeve ndaj tyre,\u201d shtoi Miller.<\/p>\n<p>Nino Goldbeck, prokuror publik n\u00eb Bavari, konfirmoi se autoritet n\u00eb Gjermani jan\u00eb p\u00ebrballur me raste kur viktima e skemave mashtruese jan\u00eb vet\u00ebflijuar, nd\u00ebrsa shum\u00eb prej tyre kan\u00eb prishur fondet e pensionit ose kan\u00eb marr\u00eb kredi p\u00ebr t\u00eb b\u00ebr\u00eb investime.<\/p>\n<p>\u201c\u00cbsht\u00eb shum\u00eb e r\u00ebnd\u00ebsishme t\u00eb theksohet se parat\u00eb e investuara dhe t\u00eb humbura nuk jan\u00eb thjesht \u201cpara bixhozi\u201d p\u00ebr viktimat,\u201d tha ai. \u00a0\u201cSigurisht, ka edhe viktima t\u00eb pasura q\u00eb arrijn\u00eb ta p\u00ebrballojn\u00eb humbjen financiare, por p\u00ebr shumic\u00ebn, b\u00ebhet fjal\u00eb p\u00ebr kursimet e jet\u00ebs q\u00eb jan\u00eb zhdukur,\u201d shtoi ai.<\/p>\n<p>Miller theksoi se nuk duhet harruar q\u00eb shpesh, edhe autor\u00ebt e k\u00ebtyre skemave jan\u00eb viktima, pasi detyrohen t\u00eb kryejn\u00eb mashtrime n\u00eb kushte t\u00eb ngjashme me skllav\u00ebrin\u00eb \u2013 ve\u00e7an\u00ebrisht n\u00eb Azin\u00eb Juglindore dhe Afrik\u00ebn Per\u00ebndimore.<\/p>\n<p>Ky nuk \u00ebsht\u00eb rasti shqiptar, por kjo nuk do t\u00eb thot\u00eb se t\u00eb rinjt\u00eb n\u00eb Shqip\u00ebri t\u00eb p\u00ebrfshir\u00eb n\u00eb skema mashtruese nuk vuajn\u00eb gjithashtu pasoja.<\/p>\n<p>\u201cPagesat e larta b\u00ebjn\u00eb q\u00eb t\u00eb [rinjt\u00eb] t\u00eb tekrutohen fillimisht pa njohur mir\u00eb procesin, dhe me pas, si t\u00eb \u201cz\u00ebn\u00eb n\u00eb kurth\u201d jan\u00eb p\u00ebrpara dy zgjedhjeve \u2013 l\u00ebnies s\u00eb nje rroge t\u00eb mire ose vazhdimit duke mbyllur nj\u00eb sy p\u00ebr at\u00eb q\u00eb bejne,\u201d tha kriminologu Fabian Zhilla.<\/p>\n<p>\u201cProblemi m\u00eb i madh q\u00eb ka ky lloj aktiviteti kriminal \u00ebsht\u00eb kriminalizimi i t\u00eb rinjve n\u00eb nj\u00eb mosh\u00eb shum\u00eb t\u00eb hershme,\u201d shtoi ai.<\/p>\n<p><strong>400 euro \u00e7do minut\u00eb<\/strong><\/p>\n<p>\u201cBlue Energy Call\u201d \u00ebsht\u00eb vet\u00ebm nj\u00eb nga dhjet\u00ebra call center-at e goditur nga policia shqiptare q\u00eb nga viti 2021. T\u00eb dh\u00ebnat e mbledhura nga njoftimet e Policis\u00eb s\u00eb Shtetit listojn\u00eb dhjet\u00ebra operacione dhe t\u00eb arrestuar. Megjithat\u00eb, t\u00eb dh\u00ebnat e mbledhura nga BIRN n\u00ebp\u00ebrmjet k\u00ebrkesave p\u00ebr t\u00eb drejt\u00eb informimi,\u00a0tregojn\u00eb se \u00e7\u00ebshtjet e d\u00ebrguara p\u00ebr gjykim nga Prokuroria ishin disa her\u00eb m\u00eb t\u00eb vogla n\u00eb num\u00ebr.<\/p>\n<p>Pjesa m\u00eb e madhe e tyre i p\u00ebrkasin SPAK.<\/p>\n<p>Prokuroria e Posa\u00e7me i tha BIRN se n\u00eb vitin 2024 kishte 11 \u00e7\u00ebshtje n\u00ebn hetim p\u00ebr mashtrim n\u00ebp\u00ebrmjet call center-ave si pjes\u00eb e grupeve t\u00eb strukturuara kriminale, dhe gjat\u00eb viteve 2021-2024 kishte d\u00ebrguar p\u00ebr gjykim kat\u00ebr \u00e7\u00ebshtje penale.<\/p>\n<p>Nj\u00eb prej \u00e7\u00ebshtjeve m\u00eb t\u00eb d\u00ebgjuara t\u00eb hetuara nga SPAK lidhet me t\u00eb ashtuquajturin Milton Group \u2013 nj\u00eb organizat\u00eb kriminale me aktivitet n\u00eb Shqip\u00ebri, Maqedonin\u00eb e Veriut, Ukrain\u00eb dhe Gjeorgji.<\/p>\n<p>Sipas t\u00eb dh\u00ebnave t\u00eb mbledhura nga nj\u00eb grup i p\u00ebrbashk\u00ebt hetimor, i p\u00ebrb\u00ebr\u00eb nga SPAK dhe autoritetet gjyq\u00ebsore t\u00eb Spanj\u00ebs, Gjermanis\u00eb, Suedis\u00eb, Finland\u00ebs, Letonis\u00eb, Ukrain\u00ebs, Gjeorgjis\u00eb dhe Maqedonis\u00eb s\u00eb Veriut, t\u00eb koordinuar nga Eurojust, kjo organizat\u00eb kriminale ishte p\u00ebrgjegj\u00ebse p\u00ebr dhjet\u00ebra platforma mashtruese, aktive gjat\u00eb viteve t\u00eb fundit.<\/p>\n<p>N\u00eb nj\u00eb operacion t\u00eb p\u00ebrbashk\u00ebt n\u00eb shtator 2022 kund\u00ebr Milton Group, t\u00eb koordinuar n\u00eb t\u00eb nj\u00ebjt\u00ebn koh\u00eb n\u00eb 10 shtete, SPAK arrestoi 4 persona dhe nd\u00ebrmori kontrolle n\u00eb 15 call center-a.<\/p>\n<p>Sipas Fabian Zhill\u00ebs, fakti q\u00eb k\u00ebto grupe kriminale operojn\u00eb nga juridiksione t\u00eb ndryshme e b\u00ebn t\u00eb v\u00ebshtir\u00eb dhe komplekse pun\u00ebn hetimore.<\/p>\n<p>\u201cServeri q\u00eb mban t\u00eb dh\u00ebnat e platform\u00ebs mund t\u00eb jet\u00eb n\u00eb nj\u00eb juridiksion ku nuk ke bashk\u00ebpunim fare,\u201d tha ai. \u201cMund t\u00eb jet\u00eb n\u00eb nj\u00eb gjuh\u00eb t\u00eb huaj, ku duhet t\u00eb p\u00ebrgatit\u00ebsh k\u00ebrkesa specifike ose t\u00eb formosh grupe hetimore t\u00eb p\u00ebrbashk\u00ebta,\u201d shtoi ai, nd\u00ebrsa theksoi se \u201cato mund t\u00eb jen\u00eb edhe zona lufte ose vende autoritare.\u201d<\/p>\n<p>Vet\u00ebm n\u00eb Spanj\u00eb, kjo organizat\u00eb kriminale dyshohet se shkaktonte m\u00eb shum\u00eb se 50 milion\u00eb euro d\u00ebm financiar tek viktimat \u00e7do tre muaj, ose 400 euro n\u00eb minut\u00eb. Sipas autoriteteve hetimore spanjolle, numri i viktimave arrin n\u00eb 17 mij\u00eb, dhe q\u00eb nga fillimi i hetimeve n\u00eb vitin 2018 e deri n\u00eb goditjen e organizat\u00ebs n\u00eb vitin 2022, ajo vler\u00ebsohet se mund t\u00eb ket\u00eb p\u00ebrfituar 2.4 miliard\u00eb euro.<\/p>\n<p>D\u00ebmi i shkaktuar n\u00eb Spanj\u00eb mund t\u00eb jet\u00eb vet\u00ebm maja e nj\u00eb ajsbergu gjigand. Sipas t\u00eb dh\u00ebnave t\u00eb prezantuara nga autoritete spanjolle n\u00eb nj\u00eb let\u00ebr porosi t\u00eb d\u00ebrguar p\u00ebr k\u00ebt\u00eb \u00e7\u00ebshtje n\u00eb Shqip\u00ebri, viktimat potenciale n\u00eb t\u00eb gjith\u00eb Europ\u00ebn vler\u00ebsohen n\u00eb 235 mij\u00eb, nga t\u00eb cilat numri i madh u tyre dyshohet se \u00ebsht\u00eb n\u00eb Gjermani (82,533).<\/p>\n<p>Nga 173 kall\u00ebzime p\u00ebr mashtrim t\u00eb hetuara nga prokuror\u00ebt n\u00eb Bavari, d\u00ebmi i shkaktuar nga 5 platforma mashtruese t\u00eb lidhura me k\u00ebt\u00eb grup kriminal vler\u00ebsohet n\u00eb 6.1 milion\u00eb euro. P\u00ebrve\u00e7 rajonit t\u00eb Bavaris\u00eb ku jan\u00eb regjistruar k\u00ebta t\u00eb d\u00ebmtuar, edhe shum\u00eb prokurori t\u00eb tjera publike n\u00eb Gjermani kan\u00eb ankesa p\u00ebr t\u00eb d\u00ebmtuar t\u00eb tjer\u00eb n\u00eb k\u00ebto platforma, k\u00ebshtu q\u00eb d\u00ebmi i p\u00ebrgjithsh\u00ebm supozohet t\u00eb jet\u00eb shum\u00eb m\u00eb i lart\u00eb. Sipas prokuror\u00ebve gjerman\u00eb, d\u00ebmi vler\u00ebsohet n\u00eb m\u00eb shum\u00eb se 100 milion\u00eb euro.<\/p>\n<p>Nj\u00eb nga personat ky\u00e7 t\u00eb k\u00ebtij grupi kriminal n\u00eb Shqip\u00ebri ishte Amant Josifi, ish k\u00ebshilltar Ministris\u00eb s\u00eb Mbrojtjes,\u00a0Ortaku i v\u00eb i cili \u00ebsht\u00eb arratisur n\u00eb Dubai.<\/p>\n<p>Josifi kontrollonte disa kompani call center n\u00eb Shqip\u00ebri, me 200-300 t\u00eb pun\u00ebsuar, t\u00eb cilat p\u00ebrdorin metoda t\u00eb inxhinieris\u00eb sociale p\u00ebr t\u00eb mashtruar viktima n\u00eb t\u00eb gjith\u00eb Europ\u00ebn.<\/p>\n<p>SPAK ka sekuestruar rreth 2.2 milion\u00eb euro n\u00eb llogarit\u00eb bankare t\u00eb Josifit dhe t\u00eb af\u00ebrmeve t\u00eb tij, nd\u00ebrsa autoritetet spanjolle dhe ato shqiptare kan\u00eb l\u00ebshuar urdhra arresti.<\/p>\n<p><strong>Operacioni \u201cPandora\u201d\u00a0<\/strong><\/p>\n<p>Kur nj\u00eb grua k\u00ebrkoi t\u00eb t\u00ebrhiqte 100 mij\u00eb euro n\u00eb cash nga nj\u00eb bank\u00eb n\u00eb qytetin gjerman t\u00eb Freiburgut m\u00eb 19 dhjetor 2023, punonj\u00ebsi i sportelit u b\u00eb dyshues dhe m\u00eb pas kuptoi se klientja kishte r\u00ebn\u00eb viktim\u00eb e nj\u00eb \u201cmashtrimi me nj\u00eb polic t\u00eb rrem\u00eb\u201d. Ai njoftoi policin\u00eb e v\u00ebrtet\u00eb, e cila ndaloi q\u00eb viktima t\u2019ua dor\u00ebzonte parat\u00eb mashtruesve.<\/p>\n<p>N\u00eb vend q\u00eb t\u00eb merrnin shum\u00ebn e madhe t\u00eb parave, kriminel\u00ebt e d\u00ebrguar p\u00ebr t\u00eb mbledhur shum\u00ebn n\u00eb dor\u00eb u arrestuan nga oficer\u00ebt e Policis\u00eb s\u00eb Freiburgut, nd\u00ebrsa numrat e telefonit q\u00eb ishin p\u00ebrdorur p\u00ebr t\u00eb b\u00ebr\u00eb mashtrimin u vendos\u00ebn n\u00eb p\u00ebrgjim. Gjat\u00eb hetimit t\u00eb k\u00ebtij rasti, hetuesit kuptuan shpejt se numrat telefonik\u00eb t\u00eb p\u00ebrdorur nga autor\u00ebt mund lidheshin me mbi 28 mij\u00eb telefonata mashtruese brenda 48 or\u00ebve.<\/p>\n<p>Nd\u00ebrsa hetimi u zgjerua, ai iu kalua Zyr\u00ebs s\u00eb Policis\u00eb Kriminale t\u00eb Landit Baden-W\u00fcrttemberg, e cila u mb\u00ebshtet gjat\u00eb gjith\u00eb operacionit nga Zyra Federale e Policis\u00eb Kriminale. Gjetjet e para treguan se autor\u00ebt, t\u00eb vendosur n\u00eb vende t\u00eb ndryshme, kryenin t\u00eb gjitha format e mashtrimeve telefonike.<\/p>\n<p>Telefonuesit mashtrues hiqeshin si t\u00eb af\u00ebrm t\u00eb ngusht\u00eb, punonj\u00ebs banke, agjent\u00eb sh\u00ebrbimi ndaj klientit apo oficer\u00eb policie. Duke p\u00ebrdorur nj\u00eb s\u00ebr\u00eb taktikash manipulimi, ata trondisnin dhe mashtronin viktimat p\u00ebr t\u2019ua marr\u00eb kursimet.<\/p>\n<p>Nga premtimet e rreme p\u00ebr fitime n\u00eb lotari, mund\u00ebsi investimi, k\u00ebrkesa p\u00ebr shlyerje borxhesh, mashtrime me karta t\u00eb parapaguara, e deri te \u201ctelefonatat e shokut\u201d, mashtruesit synonin pa pushim viktimat e tyre t\u00eb ardhshme.<\/p>\n<p>Telefonatat vinin nga qendra thirrjesh n\u00eb vende t\u00eb ndryshme. Mashtrimet me mbledhjen e borxheve kryheshin kryesisht nga Bosnje-Hercegovina, telefonatat mashtruese p\u00ebr \u2018bankingun online\u2019 vinin nga Kosova. Mashtruesit p\u00ebr skema investimesh telefononin kryesisht nga Shqip\u00ebria, nd\u00ebrsa autor\u00ebt e specializuar n\u00eb mashtrime me karta t\u00eb parapaguara vepronin nga zyra n\u00eb Liban.<\/p>\n<p>P\u00ebr t\u00eb parandaluar mashtrimet n\u00ebp\u00ebrmjet call center-ave, policia e Landit Baden-W\u00fcrttemberg hapi vet\u00eb nj\u00eb call center me dhjet\u00ebra oficer\u00eb policie, e cila d\u00ebgjonte telefonatat mashtruese dhe paralajm\u00ebronte viktimat.<\/p>\n<p>\u201cIdeja ishte t\u00eb parandalonim t\u00eb gjitha k\u00ebto krime dhe n\u00eb t\u00eb nj\u00ebjt\u00ebn koh\u00eb t\u00eb b\u00ebnim hetime kund\u00ebr call center-ave,\u201d tha Oliver Hoffman, kreu i Departamentit Kund\u00ebr Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit n\u00eb policin\u00eb e Baden-W\u00fcrttemberg.<\/p>\n<p>\u201cNe filluam me 30 oficer\u00eb duke parandaluar krimet dhe pastaj e zgjeruam struktur\u00ebn, nj\u00eb call-center e jona, nj\u00eb kund\u00ebr call-center me polic\u00eb,\u201d shtoi ai n\u00eb nj\u00eb intervist\u00eb p\u00ebr BIRN.<\/p>\n<p>Kjo ishte dhe pik\u00ebnisja e operacionit Pandora, nj\u00eb nga goditjet m\u00eb t\u00eb m\u00ebdha kund\u00ebr skemave mashtruese kibernetike n\u00eb Europ\u00eb.<\/p>\n<p>Nga dhjetori 2023 e n\u00eb vazhdim, call-center-i u rrit deri n\u00eb 100 oficer\u00eb policie, t\u00eb cil\u00ebt punonin t\u00eb ndar\u00eb n\u00eb turne dhe p\u00ebrgjuan m\u00eb shum\u00eb se 1.3 milion\u00eb telefonata mashtruese. Kur polic\u00ebt kuptonin se dikush mund t\u00eb binte preh e mashtrimit, ata e kontaktonin p\u00ebr t\u00eb parandaluar krimin.<\/p>\n<p>N\u00eb total, call-centeri i polic\u00ebve p\u00ebrgjoi rreth 7500 telefonata q\u00eb p\u00ebrb\u00ebnin vep\u00ebr penale gjat\u00eb nj\u00eb periudhe 4-mujore duke parandaluar 80% t\u00eb krimeve p\u00ebr nj\u00eb vler\u00eb t\u00eb llogaritur n\u00eb 10 milion\u00eb euro.<\/p>\n<p>Sipas komisarit Hoffman, vlera e k\u00ebtij operacioni nuk q\u00ebndron vet\u00ebm t\u00eb parandalimi i d\u00ebmit, por edhe te informacioni q\u00eb u mblodh p\u00ebr taktikat e ndryshme t\u00eb mashtrimit, duke identifikuar tet\u00eb forma t\u00eb ndryshme p\u00ebr t\u00eb cil\u00ebt u p\u00ebrgatit\u00ebn fushata nd\u00ebrgjegj\u00ebsimi p\u00ebr publikun.<\/p>\n<p>N\u00eb fund t\u00eb hetimeve, autoritetet kishin identifikuar mbi 700 persona q\u00eb kishin sh\u00ebrbyer si operator\u00eb n\u00eb skemat mashtruese. Shum\u00eb prej tyre q\u00ebndronin vet\u00ebm nj\u00eb dit\u00eb, pasi d\u00ebshtonin t\u00eb bindnin viktimat dhe z\u00ebvend\u00ebsoheshin menj\u00ebher\u00eb nga t\u00eb tjer\u00eb. Me kalimin e koh\u00ebs, secili zhvillonte metodologjin\u00eb e vet p\u00ebr t\u2019ua drejtuar personave n\u00eb telefon.<\/p>\n<p>\u201cIshte si nj\u00eb thesar, sepse kurr\u00eb nuk kemi pasur nj\u00eb gj\u00eb t\u00eb till\u00eb, mij\u00ebra telefonata, dhe ne mund t\u00eb kuptonim se kush ishte skenari i tyre,\u201d tha Hoffman.<\/p>\n<p>\u201cKupton edhe momentin kur shfaqet prirja p\u00ebr t\u00eb dor\u00ebzuar ose d\u00ebrguar para, dhe pik\u00ebrisht n\u00eb at\u00eb moment ne nd\u00ebrhynim, \u2013 jo n\u00eb t\u00eb nj\u00ebjt\u00ebn bised\u00eb, por duke telefonuar viktim\u00ebn me nj\u00eb num\u00ebr tjet\u00ebr dhe duke e informuar q\u00eb t\u00eb ndaloj\u00eb, sepse \u00ebsht\u00eb nj\u00eb mashtrim,\u201d shtoi ai.<\/p>\n<p><strong>Anatomia e mashtrimit<\/strong><\/p>\n<p>P\u00ebrpara se policia e Baden-W\u00fcrttemberg mund t\u00eb nd\u00ebrhynte dhe t\u00eb p\u00ebrgjonte telefonat mashtruese nga call center-at n\u00eb Shqip\u00ebri dhe vende t\u00eb tjera, hetuesit fillimisht u p\u00ebrball\u00ebn me pyetjen se si do ta realizonin operacionin.<\/p>\n<p>Pasi u p\u00ebrcaktua strategjia, ata kaluan jav\u00eb t\u00eb t\u00ebra duke analizuar infrastruktur\u00ebn teknike p\u00ebr t\u00eb kuptuar m\u00ebnyr\u00ebn se si transferoheshin thirrjet n\u00eb internet, lidhjet e server\u00ebve dhe gjith\u00eb rrjetin mb\u00ebshtet\u00ebs.<\/p>\n<p>\u201cP\u00ebr t\u00eb v\u00ebn\u00eb n\u00eb funksion nj\u00eb skem\u00eb t\u00eb till\u00eb nevojitet nj\u00eb platform\u00eb tregtare, nj\u00eb call center dhe m\u00eb pas menaxher\u00eb \u2013 persona q\u00eb rekrutojn\u00eb stafin, firmosin kontratat dhe administrojn\u00eb t\u00eb gjith\u00eb procesin,\u201d shpjegoi Hoffman.<\/p>\n<p>Ai shtoi se gjat\u00eb operacionit Pandora, p\u00ebr her\u00eb t\u00eb par\u00eb hetuesit pat\u00ebn nj\u00eb pasqyr\u00eb t\u00eb plot\u00eb t\u00eb k\u00ebtyre skemave mashtruese, duke zbuluar se p\u00ebrqindja e telefonatave t\u00eb suksesshme ishte shum\u00eb e ul\u00ebt.<\/p>\n<p>\u201cDuhen b\u00ebr\u00eb rreth 200 telefonata p\u00ebr t\u00eb pasur nj\u00eb telefonat\u00eb t\u00eb suksesshme, pra nj\u00eb rast ku arrijn\u00eb t\u00eb mashtrojn\u00eb dik\u00eb,\u201d tha ai. \u201cPra, shkalla e suksesit \u00ebsht\u00eb rreth 0.5 %,\u201d shtoi Hoffman.<\/p>\n<p>Hoffman shpjegoi se ngritja e nj\u00eb skeme mashtrimi nuk k\u00ebrkon domosdoshm\u00ebrisht investime t\u00eb m\u00ebdha apo njohuri t\u00eb nd\u00ebrlikuara. \u201cN\u00eb thelb, mjafton t\u00eb kuptosh si funksionon sistemi dhe t\u00eb kesh listat me \u2018klient\u00eb\u2019,\u201d tha ai. Pjesa tjet\u00ebr, si infrastruktura teknike dhe softuer\u00ebt, mund t\u00eb blihet me kosto t\u00eb ul\u00ebt, nd\u00ebrsa pajisjet baz\u00eb dhe nj\u00eb kontrat\u00eb interneti jan\u00eb t\u00eb mjaftueshme p\u00ebr t\u00eb nisur aktivitetin.<\/p>\n<p>Ai theksoi se hetimet e zhvilluara n\u00eb kuad\u00ebr t\u00eb operacionit i dhan\u00eb autoriteteve nj\u00eb tablo t\u00eb qart\u00eb q\u00eb tregon se k\u00ebto rrjete nuk njohin kufij. N\u00eb t\u00eb kaluar\u00ebn, call center-at funksiononin me dhjet\u00ebra apo qindra persona n\u00eb nj\u00eb sall\u00eb t\u00eb vetme; sot, skemat operojn\u00eb nga apartamente me 3 deri n\u00eb 5 persona p\u00ebrball\u00eb nj\u00eb kompjuteri.<\/p>\n<p>\u201cN\u00eb krye t\u00eb k\u00ebsaj nd\u00ebrmarrjeje q\u00ebndrojn\u00eb zakonisht ata q\u00eb sigurojn\u00eb platformat dhe softuer\u00ebt, nd\u00ebrsa n\u00eb krah kan\u00eb rrjetet e tyre t\u00eb pastrimit t\u00eb parave,\u201d tha Hoffman. \u201cKjo [struktur\u00eb] ndjek modelin e \u2018krimit si sh\u00ebrbim,\u201d shtoi ai.<\/p>\n<p>N\u00eb rastin e operacionit Pandora, k\u00ebto sh\u00ebrbime ofroheshin nga nj\u00eb grua 50 vje\u00e7are greke me banim n\u00eb Hagen, e cila u arrestua n\u00eb shkurt 2025, dhe konsiderohet si drejtuesja e rrjetit n\u00eb Gjermani.<\/p>\n<p>E pandehura akuzohet se ka lidhur kontrata me ofrues telefonik\u00eb gjerman\u00eb, duke siguruar kapacitet t\u00eb mjaftuesh\u00ebm telefonik p\u00ebr kryerjen e veprave mashtruese, si dhe p\u00ebr hapjen e llogarive p\u00ebr transferimin e t\u00eb ardhurave t\u00eb p\u00ebrfituara n\u00eb m\u00ebnyr\u00eb t\u00eb paligjshme.<\/p>\n<p>Ajo dyshohet se ka ngritur kompani fiktive me ndihm\u00ebn e personave \u201cfasad\u00eb\u201d, ka n\u00ebnshkruar kontratat telefonike n\u00eb em\u00ebr t\u00eb k\u00ebtyre kompanive, ka paguar faturat e prapambetura dhe ka paraqitur ankesa n\u00eb rast nd\u00ebrprerjesh t\u00eb sh\u00ebrbimit.<\/p>\n<p>Duke p\u00ebrdorur k\u00ebt\u00eb infrastruktur\u00eb, mashtruesit telefonik\u00eb kan\u00eb kryer nj\u00eb num\u00ebr t\u00eb madh thirrjesh mashtruese n\u00eb Gjermani, Austri, Zvic\u00ebr dhe vende t\u00eb tjera t\u00eb BE-s\u00eb.<\/p>\n<p>Zyra e Krimeve t\u00eb Landit Baden-W\u00fcrttemberg vler\u00ebson se vet\u00ebm p\u00ebrmes infrastruktur\u00ebs s\u00eb krijuar nga e dyshuara e arrestuar \u00ebsht\u00eb shkaktuar nj\u00eb d\u00ebm prej rreth 1.35 milion\u00eb eurosh.<\/p>\n<p>Sipas hetuesve, gruaja ka vepruar pothuajse n\u00eb anonimat. Ajo kishte qen\u00eb jasht\u00ebzakonisht e kujdesshme dhe p\u00ebr ta identifikuar si personin kryesor p\u00ebrgjegj\u00ebs p\u00ebr organizimin e gjith\u00eb skem\u00ebs u desh nj\u00eb hetim i thelluar q\u00eb zgjati gati nj\u00eb vit.<\/p>\n<p>\u201cAjo nuk punonte askund tjet\u00ebr,\u201d tha Hoffman. \u201cJetonte me ndihm\u00eb sociale n\u00eb Gjermani, merrte rreth 500 euro n\u00eb muaj nga shteti \u2013 nga ne, n\u00eb fakt, dhe koh\u00ebn e saj ia kushtonte k\u00ebsaj veprimtarie.\u201d<\/p>\n<p>I pyetur n\u00ebse kjo ishte nj\u00eb mbules\u00eb perfekte p\u00ebr organizatoren e skem\u00ebs, polici gjerman u p\u00ebrgjigj me ironi.<\/p>\n<p>\u201cDeri diku po, por nuk i doli p\u00ebr mir\u00eb,\u201d tha ai. \u201cTani fjala i takon gjykat\u00ebs.\u201d<em><a href=\"https:\/\/www.reporter.al\/2025\/10\/09\/si-u-kthye-shqiperia-ne-nje-qender-te-industrise-globale-te-mashtrimit\/\">\/BIRN<\/a><\/em><\/p>\n<p>The post <a href=\"https:\/\/gijotina.com\/mashtrimet-milioneshe-me-call-center-rrenjet-ne-shqiperi-fijet-cojne-tek-amant-josifi-ish-ortaku-i-olsi-rames\/\">Mashtrimet milion\u00ebshe me call center: Rr\u00ebnj\u00ebt n\u00eb Shqip\u00ebri, fijet \u00e7ojn\u00eb tek Amant Josifi, ish-ortaku i Olsi Ram\u00ebs<\/a> appeared first on <a href=\"https:\/\/gijotina.com\/\">GIJOTINA<\/a>.<\/p>","protected":false},"excerpt":{"rendered":"<p>E gjitha filloi me nj\u00eb k\u00ebrkim t\u00eb thjesht\u00eb n\u00eb Google me fjal\u00ebt: \u201cmund\u00ebsi investimi\u201d. Nj\u00eb pasdite t\u00eb zakonshme qershori n\u00eb vitin 2019, Carina Christine Breunig dhe bashk\u00ebshorti i saj, Christoph regjistruan t\u00eb dh\u00ebnat e tyre n\u00eb nj\u00eb platform\u00eb online investimesh t\u00eb quajtur Globalix. Brenda pak minutash ra telefoni. N\u00eb linj\u00eb ishte nj\u00eb burr\u00eb me z\u00eb [&hellip;]<\/p>\n","protected":false},"author":0,"featured_media":0,"comment_status":"open","ping_status":"open","sticky":false,"template":"","format":"standard","meta":{"footnotes":""},"categories":[1],"tags":[],"class_list":["post-45368","post","type-post","status-publish","format-standard","hentry","category-uncategorized"],"_links":{"self":[{"href":"https:\/\/zennihost.com\/test\/wp-json\/wp\/v2\/posts\/45368","targetHints":{"allow":["GET"]}}],"collection":[{"href":"https:\/\/zennihost.com\/test\/wp-json\/wp\/v2\/posts"}],"about":[{"href":"https:\/\/zennihost.com\/test\/wp-json\/wp\/v2\/types\/post"}],"replies":[{"embeddable":true,"href":"https:\/\/zennihost.com\/test\/wp-json\/wp\/v2\/comments?post=45368"}],"version-history":[{"count":0,"href":"https:\/\/zennihost.com\/test\/wp-json\/wp\/v2\/posts\/45368\/revisions"}],"wp:attachment":[{"href":"https:\/\/zennihost.com\/test\/wp-json\/wp\/v2\/media?parent=45368"}],"wp:term":[{"taxonomy":"category","embeddable":true,"href":"https:\/\/zennihost.com\/test\/wp-json\/wp\/v2\/categories?post=45368"},{"taxonomy":"post_tag","embeddable":true,"href":"https:\/\/zennihost.com\/test\/wp-json\/wp\/v2\/tags?post=45368"}],"curies":[{"name":"wp","href":"https:\/\/api.w.org\/{rel}","templated":true}]}}