{"id":40657,"date":"2025-09-15T17:27:54","date_gmt":"2025-09-15T17:27:54","guid":{"rendered":"https:\/\/zennihost.com\/test\/2025\/09\/15\/rrefimi-i-te-riut-nga-librazhdi-si-i-humba-parate-ne-platformen-xuex\/"},"modified":"2025-09-15T17:27:54","modified_gmt":"2025-09-15T17:27:54","slug":"rrefimi-i-te-riut-nga-librazhdi-si-i-humba-parate-ne-platformen-xuex","status":"publish","type":"post","link":"https:\/\/zennihost.com\/test\/2025\/09\/15\/rrefimi-i-te-riut-nga-librazhdi-si-i-humba-parate-ne-platformen-xuex\/","title":{"rendered":"Rr\u00ebfimi i t\u00eb riut nga Librazhdi: Si i humba parat\u00eb n\u00eb platform\u00ebn XUEX!"},"content":{"rendered":"<p>Nga Jona Cenameri<\/p>\n<p>\u201cSi nuk prit\u00ebn dot dhe nj\u00eb jav\u00eb k\u00ebto mediat, sa t\u00eb merrja edhe un\u00eb lek\u00ebt\u2026\u201d , shfryu i riu nga Librazhdi.<\/p>\n<p>N\u00eb jav\u00ebn e fundit t\u00eb gushtit 2025, \u00ebndrra e tij p\u00ebr pasurim t\u00eb shpejt\u00eb, e ushqyer p\u00ebr muaj t\u00eb t\u00ebr\u00eb nga premtimet e platform\u00ebs XUEX, nisi t\u00eb shembet si k\u00ebshtjell\u00eb r\u00ebre.<\/p>\n<p>N\u00eb dukje kishte zbuluar xhindin e Aladinit, q\u00eb me tre \u201csinjale\u201d t\u00eb b\u00ebnte t\u00eb pasur. Miqt\u00eb po fitonin, t\u00eb njohurit dhe kush\u00ebrinjt\u00eb tregonin histori mbres\u00ebl\u00ebn\u00ebse. 5 mij\u00eb dollar\u00eb t\u00eb t\u00ebrhequra brenda pak muajsh.<\/p>\n<p>N\u00eb fillim nuk e besoi. Refuzoi nj\u00eb mikesh\u00eb q\u00eb i ofroi ta fuste n\u00eb platform\u00eb. Intuita i thoshte se nj\u00eb skem\u00eb e till\u00eb, patjet\u00ebr, do t\u00eb ishte mashtrim.<\/p>\n<p>Teksa muajt kalonin dhe mikesha e tij kishte gjeneruar disa mij\u00ebra dollar\u00eb, nd\u00ebrsa ai asgj\u00eb, vendosi t\u00eb futej. Fundja, mashtrim ose jo, njer\u00ebzit po fitonin para t\u00eb thata n\u00eb dor\u00eb, pa b\u00ebr\u00eb asgj\u00eb. Tundimi fitoi mbi logjik\u00ebn dhe n\u00eb korrik 2025, i riu vendosi t\u00eb \u201cinvestonte\u201d edhe vet\u00eb 1000 dollar\u00eb n\u00eb XUEX, me shpres\u00ebn p\u00ebr t\u00eb hyr\u00eb n\u00eb radh\u00ebn e fitimtar\u00ebve.<\/p>\n<p>Procesi i futjes s\u00eb parave<br \/>\nProcesi i futjes s\u00eb parave ishte m\u00eb i nd\u00ebrlikuar sesa dukej. Fillimisht, ai duhej t\u2019i t\u00ebrhiqte nga nj\u00eb bank\u00eb fizike dhe t\u2019i kalonte n\u00eb nj\u00eb exchange parash digjitale. P\u00ebrmes nj\u00eb QR kodi t\u00eb d\u00ebrguar nga nj\u00eb person nga brenda platform\u00ebs, ai logohej n\u00eb XUEX. P\u00ebr t\u2019u autentifikuar k\u00ebrkohej ID\u2011ja. Hapi i radh\u00ebs ishte kalimi i parave nga exchange-i i kriptomonedhave n\u00eb llogarin\u00eb e XUEX\u2011\u00ebs. Sipas d\u00ebshmis\u00eb s\u00eb p\u00ebrdoruesit nga Librazhdi p\u00ebr Faktoje.al, shuma minimale p\u00ebr t\u2019u b\u00ebr\u00eb pjes\u00eb e platform\u00ebs ishte 1000 dollar\u00eb.<\/p>\n<p>Ky ishte pragu i hyrjes q\u00eb i lejonte investitorit t\u00eb ndiqte sinjalet e p\u00ebrditshme.<\/p>\n<p>Aplikacioni i XUEX-\u00ebs nuk ekzistonte n\u00eb App apo Play Store, por vinte si nj\u00eb aplikacion i bazuar n\u00eb link, q\u00eb instalohej n\u00eb telefon. Po i nj\u00ebjti person q\u00eb i kishte d\u00ebrguar kodin, e fuste m\u00eb pas n\u00eb grupin e Telegramit ku ishin t\u00eb gjith\u00eb p\u00ebrdoruesit. Sipas t\u00eb riut, XUEX kishte nj\u00eb grup t\u00eb madh me dhjet\u00ebra mij\u00ebra pjes\u00ebtar\u00eb, mbi 14 mij\u00eb kur u b\u00eb publike n\u00eb media, dhe disa grupe m\u00eb t\u00eb vegj\u00ebl sipas agjent\u00ebve, me dhjet\u00ebra an\u00ebtar\u00eb secili. Grupi i tij kishte rreth 25 veta.<\/p>\n<p>Grupet dhe administrator\u00ebt<br \/>\nN\u00eb grupin e madh, sipas rr\u00ebfimit t\u00eb t\u00eb riut, administrator\u00eb ishin dy figura: Leo Smith dhe Joana.<\/p>\n<p>Leo, nga gjuha dhe stili, dukej formal, i sakt\u00eb dhe robotik. Mesazhet e tij p\u00ebrngjasonin me ato t\u00eb gjeneruara nga inteligjenca artificiale. Ai identifikohej si amerikan dhe p\u00ebrve\u00e7 njoftimeve p\u00ebr sinjalet, d\u00ebrgonte rregullisht mesazhe motivuese p\u00ebr sukses e pasuri, si t\u00eb ishte nj\u00eb \u201ck\u00ebshillues financiar i v\u00ebrtet\u00eb\u201d.<\/p>\n<p>Joana, nga gjuha, dukej si person fizik dhe mbase ishte ura lidh\u00ebse e Leos me p\u00ebrdoruesit shqiptar\u00eb t\u00eb k\u00ebsaj platforme.<\/p>\n<p>As i riu dhe as miqt\u00eb e tij nuk dinin gj\u00eb p\u00ebr k\u00ebto dy figura. Mbase Joana s\u2019ishte fare grua, edhe n\u00ebse ishte, ndoshta p\u00ebrdorte nj\u00eb em\u00ebr t\u00eb rrem\u00eb. Po ashtu, Leo mund t\u00eb ishte nj\u00eb i huaj q\u00eb p\u00ebrdorte inteligjenc\u00ebn artificiale p\u00ebr t\u00eb gjeneruar p\u00ebrgjigjet, apo kryek\u00ebput robot IA. Por t\u00eb gjitha k\u00ebto dyshime, i riu thot\u00eb se nuk i interesonin, kur mendonte se do t\u00eb fitonte para.<\/p>\n<p>Rituali i p\u00ebrditsh\u00ebm<br \/>\nRituali ishte i thjesht\u00eb p\u00ebr nj\u00eb p\u00ebrdorues t\u00eb zakonsh\u00ebm si ai, q\u00eb nuk kishte futur asnj\u00eb person tjet\u00ebr p\u00ebr t\u00eb marr\u00eb p\u00ebrfitime shtes\u00eb. P\u00ebr t\u2019u b\u00ebr\u00eb agjent k\u00ebrkohej t\u00eb sillje t\u00eb pakt\u00ebn pes\u00eb persona t\u00eb rinj n\u00eb platform\u00eb. Agjent\u00ebt shp\u00ebrbleheshin me 3 deri n\u00eb 4 sinjale n\u00eb dit\u00eb, nd\u00ebrsa p\u00ebrdoruesit e zakonsh\u00ebm kishin vet\u00ebm dy. K\u00ebshtu, agjent\u00ebt fitonin m\u00eb shpejt dhe kjo i shtynte t\u00eb sillnin m\u00eb shum\u00eb njer\u00ebz.<\/p>\n<p>\u00c7do dit\u00eb, n\u00eb grupin e Telegramit, Leo i lajm\u00ebronte p\u00ebr koh\u00ebn e sinjaleve. I riu hynte n\u00eb XUEX. Klikonte dhe shihte fitimet n\u00eb faqen e tij. \u00c7do dit\u00eb shuma rritej e fitimi dukej m\u00eb i preksh\u00ebm. Nga 1000 dollar\u00eb t\u00eb hedhur, llogaria i shfaqte pothuajse 2000 kur platforma u ekspozua n\u00eb media. Thot\u00eb se nuk donte ta besonte. Gjente \u00e7do arsye p\u00ebr t\u00eb menduar se mediat g\u00ebnjenin dhe Leo kishte t\u00eb drejt\u00eb, kur thoshte se \u201cXUEX ishte e v\u00ebrtet\u00eb, jo si platformat e tjera mashtruese dhe po sulmohej padrejt\u00ebsisht p\u00ebr interesa t\u00eb fshehta\u201d.<\/p>\n<p>Ekspozimi publik<br \/>\nM\u00eb 26 gusht gjith\u00e7ka ndryshoi. Teksa lundronte n\u00eb Instagram, syt\u00eb i ran\u00eb mbi nj\u00eb shkrim t\u00eb publikuar nga portali \u201cJeta osh Qejf\u201d (JOQ) me titull: \u201cSkema piramidale online, TXEX po grabit shqiptar\u00ebt\u201d. N\u00eb fillim, thot\u00eb se u ndje i qet\u00eb: nuk ishte XUEX, por nj\u00eb tjet\u00ebr platform\u00eb, TXEX, dhe ai e kishte t\u00eb leht\u00eb ta bindte veten se hajdutja ishte ajo.<\/p>\n<p>Por vet\u00ebm nj\u00eb dit\u00eb m\u00eb pas JOQ publikoi nj\u00eb tjet\u00ebr artikull, k\u00ebsaj here p\u00ebr XUEX\u2011\u00ebn. Nuk donte ta besonte. Miqt\u00eb e tij kishin fituar, kush\u00ebrinjt\u00eb kishin t\u00ebrhequr shuma parash, dhe kjo nuk mund t\u00eb ishte e pav\u00ebrtet\u00eb. N\u00eb mendjen e tij ky ishte nj\u00eb sulm mediatik i pabazuar.<\/p>\n<p>Denoncimi<br \/>\nPas publikimit nga JOQ m\u00eb 26 gusht, deputeti Erion Bra\u00e7e ngriti i pari alarmin n\u00eb nivel zyrtar. Ai e quajti fenomenin \u201cpiramidat e reja, online, n\u00eb \u00e7do telefon\u201d dhe paralajm\u00ebroi se Divjaka ishte goditur me mbi nj\u00eb mij\u00eb persona t\u00eb p\u00ebrfshir\u00eb.<\/p>\n<p>Deputeti u b\u00ebri thirrje qytetar\u00ebve t\u00eb t\u00ebrhiqeshin menj\u00ebher\u00eb dhe t\u00eb dor\u00ebzonin telefonat n\u00eb polici, q\u00eb hetuesit t\u00eb ndiqnin gjurm\u00ebn e parave.<\/p>\n<p>Menj\u00ebher\u00eb pas sinjalizimit t\u00eb Z. Bra\u00e7e, m\u00eb 28 gusht dol\u00ebn me njoftime publike Policia e Shtetit, AKSK dhe AMF.<\/p>\n<p>Policia e Shtetit doli me nj\u00eb deklarat\u00eb m\u00eb 28 gusht, duke njoftuar nisjen e nj\u00eb hetimi penal p\u00ebr skemat e dyshuara piramidale online. Drejtoria e Krimit Kibernetik dhe ajo e Krimit Ekonomik &amp; Financiar u angazhuan p\u00ebr dokumentimin ligjor.<\/p>\n<p>Reagimet<br \/>\nAgjencia Komb\u00ebtare p\u00ebr Sigurin\u00eb Kibernetike (AKSK) paralajm\u00ebroi publikisht se TXEX, XUEX dhe Grokrexduu ishin platforma mashtruese.<\/p>\n<p>Si ra n\u00eb gjurm\u00ebt e tyre? AKSK sqaroi p\u00ebr Faktoje se ishte v\u00ebn\u00eb p\u00ebr her\u00eb t\u00eb par\u00eb n\u00eb dijeni m\u00eb 28 gusht, p\u00ebrmes nj\u00eb e-maili elektronik t\u00eb deputetit t\u00eb PS, Erion Bra\u00e7e. Pasi identifikoi \u201cdomain-et xuexa[.]com dhe grokrcoiod8[.]com\u201d, AKSK ia p\u00ebrcolli Autoritetit t\u00eb Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) p\u00ebr bllokim. AKEP konfirmoi p\u00ebr Faktoje se kishte urdh\u00ebruar menj\u00ebher\u00eb bllokimin e domain-eve t\u00eb p\u00ebrcjella nga AKSK: TXEX, XUEX dhe Grokrexduu.<\/p>\n<p>Sipas institucionit, operator\u00ebt kryesor\u00eb t\u00eb internetit e zbatuan menj\u00ebher\u00eb urdhrin, nd\u00ebrsa p\u00ebr t\u00eb tjer\u00ebt vijon monitorimi.<\/p>\n<p>AKEP paralajm\u00ebroi gjithashtu se moszbatimi i bllokimit p\u00ebrb\u00ebn shkelje ligjore dhe sjell masa administrative, p\u00ebrfshir\u00eb gjoba.<\/p>\n<p>Asnj\u00eb denoncim nga qytetar\u00ebt<br \/>\nAKSK n\u00ebnvizoi se, deri n\u00eb momentin e kthimit t\u00eb p\u00ebrgjigjes p\u00ebr Faktoje, nuk kishte marr\u00eb asnj\u00eb raportim nga qytetar\u00ebt e prekur, nj\u00ebsoj edhe Policia. Kjo e fundit, tha p\u00ebr Faktoje, se \u00e7\u00ebshtja \u00ebsht\u00eb aktualisht n\u00eb hetim dhe \u00e7do informacion i m\u00ebtejsh\u00ebm i takon prokuroris\u00eb.<\/p>\n<p>Kush i kontrollon k\u00ebto platforma?<br \/>\nAutoriteti i Mbik\u00ebqyrjes Financiare (AMF) njoftoi publikisht se platformat nuk kishin asnj\u00eb licenc\u00eb p\u00ebr t\u00eb operuar n\u00eb Shqip\u00ebri dhe se mekanizmi i \u201csinjaleve t\u00eb blerjes\u201d ishte krejt\u00ebsisht fiktiv. N\u00eb p\u00ebrgjigjen p\u00ebr Faktoje, AMF nuk shtoi asgj\u00eb m\u00eb shum\u00eb p\u00ebrtej k\u00ebtij njoftimi, duke rikujtuar se deri m\u00eb sot nuk ka licencuar asnj\u00eb subjekt p\u00ebr tregje t\u00eb bazuara n\u00eb teknologjin\u00eb blockchain.<\/p>\n<p>Banka e Shqip\u00ebris\u00eb n\u00eb p\u00ebrgjigjen e saj zyrtare, sqaroi se nuk ka kompetenc\u00eb t\u00eb drejtp\u00ebrdrejt\u00eb mbi k\u00ebto platforma. Por theksoi se bankat tregtare jan\u00eb t\u00eb detyruara t\u00eb raportojn\u00eb \u00e7do transaksion t\u00eb dyshimt\u00eb, sipas kuadrit ligjor p\u00ebr parandalimin e pastrimit t\u00eb parave.<\/p>\n<p>Fajtori, jetim<br \/>\n\u201cAMF thot\u00eb \u2018ne licencojm\u00eb kur na k\u00ebrkohet\u2019, pra roli i saj \u00ebsht\u00eb pasiv. Policia aktivizohet vet\u00ebm pas nj\u00eb sinjalizimi, jo mbi baz\u00eb monitorimi t\u00eb tregut. AKSK pret denoncime, por nuk ka mekanizma p\u00ebr t\u00eb monitoruar n\u00eb koh\u00eb reale. AKEP thirret n\u00eb fund t\u00eb zinxhirit p\u00ebr t\u00eb bllokuar domain-et, por shpesh kjo nuk b\u00ebhet n\u00eb m\u00ebnyr\u00eb sistematike dhe disa faqe mbeten aktive edhe pasi shpallen mashtruese,\u201d v\u00ebren p\u00ebr \u201cFaktoje\u201d ekspertja e kriptovalutave, Denisa Kele.<\/p>\n<p>Sipas saj, problemi thelb\u00ebsor \u00ebsht\u00eb se askush nuk mban p\u00ebrgjegj\u00ebsi t\u00eb plot\u00eb.<\/p>\n<p>\u201cDuhet nj\u00eb nj\u00ebsi komb\u00ebtare e p\u00ebrhershme p\u00ebr mashtrimet online, q\u00eb t\u00eb bashkoj\u00eb AMF, Policin\u00eb, AKSK dhe AKEP n\u00eb nj\u00eb tryez\u00eb. Sinjalizimet duhet t\u00eb shkojn\u00eb aty, t\u00eb analizohen dhe urdhrat t\u00eb dalin menj\u00ebher\u00eb. N\u00ebse nj\u00eb domain shpallet mashtrues, AKEP dhe operator\u00ebt duhet t\u00eb detyrohen me ligj ta bllokojn\u00eb brenda nj\u00eb kohe fikse, jo me vonesa, jo si rekomandim. Vet\u00ebm k\u00ebshtu kjo skem\u00eb mund t\u00eb ndalet realisht,\u201d thot\u00eb ajo.<\/p>\n<p>Investimet n\u00eb kriptomonedha<br \/>\nDenisa Kele, eksperte n\u00eb tregtin\u00eb e kriptomonedhave, zbulon m\u00eb shum\u00eb mbi k\u00ebt\u00eb fush\u00eb ende pak t\u00eb njohur p\u00ebr publikun shqiptar. Q\u00eb n\u00eb fillim, Kele e b\u00ebri t\u00eb qart\u00eb se: \u201cInvestimi n\u00eb kriptomonedha nuk funksionon sipas logjik\u00ebs \u2018sot fut para dhe nes\u00ebr i ke dyfish\u2019. Nj\u00eb gj\u00eb e till\u00eb \u00ebsht\u00eb e pamundur. Askush nuk mund t\u00eb parashikoj\u00eb me sakt\u00ebsi koh\u00ebn apo p\u00ebrmas\u00ebn e fitimit. Premtimet p\u00ebr fitime t\u00eb shpejta jan\u00eb tregues klasik\u00eb t\u00eb nj\u00eb skeme piramidale\u201d<\/p>\n<p>Sipas saj, ka disa elemente ku ndryshojn\u00eb platformat mashtruese nga ato t\u00eb rregulluara, me licenca nd\u00ebrkomb\u00ebtare.<\/p>\n<p>\u201cMashtruesit p\u00ebrdorin platforma demo p\u00ebr t\u00eb t\u00eb b\u00ebr\u00eb t\u00eb besosh se po fiton, kur n\u00eb fakt gjith\u00e7ka \u00ebsht\u00eb e fabrikuar,\u201d sqaron ajo. N\u00eb k\u00ebto versione \u201cdemo\u201d zakonisht shkruhet qart\u00eb \u201cdemo account\u201d, nuk ka para reale dhe kur provon t\u00eb b\u00ebsh \u201cWithdraw\u201d (t\u00ebrheqje) procesi nuk funksionon. Platformat mashtruese zakonisht nuk k\u00ebrkojn\u00eb asnj\u00eb identifikim. Platformat reale, t\u00eb licencuara kan\u00eb procedura KYC (Know Your Customer\/Njih p\u00ebrdoruesin t\u00ebnd) ku ngarkon kart\u00ebn e identitetit, nj\u00eb foto personale dhe nj\u00eb selfie p\u00ebr regjistrim.<\/p>\n\n<p>\u201cInvestimi n\u00eb kriptovaluta \u00ebsht\u00eb i ligjsh\u00ebm dhe i pranuar gjer\u00ebsisht n\u00eb shum\u00eb vende t\u00eb bot\u00ebs, por mashtrimet online po shfryt\u00ebzojn\u00eb boshll\u00ebkun e informacionit dhe munges\u00ebn e p\u00ebrvoj\u00ebs tek qytetar\u00ebt,\u201d shpjegon ekspertja.<\/p>\n<p>Megjithat\u00eb, k\u00ebto skema, sipas saj, nuk jan\u00eb nj\u00eb fenomen thjesht shqiptar. Raste t\u00eb ngjashme jan\u00eb evidentuar edhe n\u00eb Itali e Rumani, ku shum\u00eb njer\u00ebz u mashtruan sepse nuk arrit\u00ebn t\u00eb b\u00ebjn\u00eb dallimin mes nj\u00eb investimi t\u00eb ligjsh\u00ebm dhe nj\u00eb mashtrimi.<\/p>\n<p>\u201cP\u00ebr t\u00eb ngritur nj\u00eb platform\u00eb t\u00eb till\u00eb duhet t\u00eb jesh ekspert i teknologjis\u00eb s\u00eb informacionit. Jan\u00eb grupe t\u00eb organizuara me dije t\u00eb thella teknologjike, jo individ\u00eb t\u00eb zakonsh\u00ebm,\u201d n\u00ebnvizon Kele.<\/p>\n<p>Certifikatat e rreme<br \/>\nN\u00eb grupet e XUEX-\u00ebs, administratori Leo Smith kishte shp\u00ebrndar\u00eb tre \u201ccertifikata\u201d (t\u00eb cilat Faktoje.al i disponon) p\u00ebr t\u00eb krijuar iden\u00eb e nj\u00eb platforme t\u00eb ligjshme. Por si\u00e7 sqaron ekspertja e kriptomonedhave Denisa Kele, dokumentet nuk kan\u00eb asnj\u00eb vler\u00eb financiare.<\/p>\n<p>\u201cJan\u00eb vet\u00ebm regjistrime biznesi, jo licenca. Mund t\u2019i marr\u00eb kushdo p\u00ebr pak dollar\u00eb dhe platformat mashtruese i p\u00ebrdorin si mbules\u00eb legjitimiteti,\u201d shpjegon ajo.<\/p>\n<p>N\u00eb realitet, sipas saj, vet\u00ebm licencat e autoriteteve si FCA (Britani), CySEC (Qipro), BaFin (Gjermani) apo SEC (SHBA) garantojn\u00eb se nj\u00eb platform\u00eb \u00ebsht\u00eb e rregulluar.<\/p>\n<p>Kush \u00ebsht\u00eb n\u00eb t\u00eb v\u00ebrtet\u00eb \u201cprofesori\u201d?<br \/>\nEdhe pse emri Leo Smith ting\u00ebllon real, ai nuk ka asnj\u00eb lidhje me persona t\u00eb v\u00ebrtet\u00eb q\u00eb mbajn\u00eb k\u00ebt\u00eb em\u00ebr. N\u00eb internet gjenden figura t\u00eb ndryshme, nj\u00eb ish-drejtor financiar n\u00eb New Hampshire q\u00eb vet\u00eb ra viktim\u00eb e nj\u00eb mashtrimi kibernetik, nj\u00eb investitor amerikan i pasurive t\u00eb paluajtshme, madje edhe muzikanti i njohur i xhazit Wadada Leo Smith, por asnj\u00ebri prej tyre nuk ka lidhje me XUEX-\u00ebn.<\/p>\n<p>N\u00eb portalin EG Investment, ai prezantohet si \u201cAnthony Leo Smith\u201d, i lindur n\u00eb vitin 1985 n\u00eb SHBA, me doktoratur\u00eb n\u00eb Princeton, ish-president i nj\u00eb shoqate financiare amerikane dhe ekspert n\u00eb parashikimin e t\u00eb dh\u00ebnave me p\u00ebrvoj\u00eb investimi\u201d.<\/p>\n<p>Por asnj\u00eb nga k\u00ebto t\u00eb dh\u00ebna nuk verifikohet n\u00eb regjistrat publik\u00eb apo n\u00eb ndonj\u00eb burim serioz akademik e profesional.<\/p>\n<p>N\u00eb t\u00eb v\u00ebrtet\u00eb, jasht\u00eb kontekstit t\u00eb grupeve n\u00eb Telegram, faqeve false dhe raportimeve mbi mashtrimin, nuk ekziston asnj\u00eb person real q\u00eb p\u00ebrputhet me profilin e k\u00ebtij \u2018profesori\u2019.<\/p>\n<p>Pritja\u2026<br \/>\nN\u00eb val\u00ebn e t\u00eb gjitha k\u00ebtyre zhvillimeve, i riu nga Librazhdi ende po priste dyfishimin e shum\u00ebs s\u00eb tij n\u00eb platform\u00eb q\u00eb t\u00eb mund t\u00eb t\u00ebrhiqte parat\u00eb. Sipas rregullave t\u00eb XUEX\u2011\u00ebs, n\u00ebse i t\u00ebrhiqje parat\u00eb pa u b\u00ebr\u00eb dyfishi, platforma mbante 20% t\u00eb tyre. Kur shuma dyfishohej, mbahej vet\u00ebm 5%. P\u00ebr k\u00ebt\u00eb arsye, ai donte t\u00eb besonte ende n\u00eb fjal\u00ebt e bukura t\u00eb Leos se \u00e7do problem me t\u00ebrheqjen vinte nga bllokimet qeveritare e institucionale, jo nga mashtrimi.<\/p>\n<p>Madje, edhe pse AKSK dhe institucione t\u00eb tjera deklaruan publikisht se kishin bllokuar k\u00ebto platforma, ai thot\u00eb se vijonte t\u00eb aksesonte XUEX\u2011\u00ebn dhe grupin n\u00eb Telegram pa asnj\u00eb lloj problemi dhe pa p\u00ebrdorur VPN.<\/p>\n<p>P\u00ebr t\u00eb, asgj\u00eb nuk kishte ndryshuar.<\/p>\n<p>Nj\u00eb p\u00ebrdoruesi t\u00eb thjesht\u00eb si ai, q\u00eb s\u2019kishte futur asnj\u00eb person tjet\u00ebr e s\u2019kishte marr\u00eb asnj\u00eb bonus, i duheshin rreth 40 dit\u00eb p\u00ebr ta dyfishuar shum\u00ebn e futur. Kishte llogaritur se shuma do t\u2019i dyfishohej m\u00eb 2 ose 3 shtator, por ky afat nuk u arrit. Tani priste dat\u00ebn 8 ose 9 shtator. Por kjo pritje nuk do t\u00eb zgjaste shum\u00eb.<\/p>\n<p>N\u00eb 4 shtator, Leo Smith d\u00ebrgoi mesazhin e tij t\u00eb fundit. \u201cParat\u00eb, \u2013 tha ai, \u2013 ishin bllokuar dhe do t\u00eb mund t\u00eb t\u00ebrhiqeshin vet\u00ebm n\u00eb 1 gusht 2026\u201d.<\/p>\n\n<p>Nga XUEX tek SKLCOIN<br \/>\nLeo Smith vijoi t\u00eb mbante t\u00eb gjall\u00eb shpres\u00ebn e p\u00ebrdoruesve me premtime p\u00ebr fitime dhe mb\u00ebshtetje.<\/p>\n<p>Q\u00eb prej dat\u00ebs 4 shtator, ai u propozoi p\u00ebrdoruesve nj\u00eb alternativ\u00eb t\u00eb re: nj\u00eb platform\u00eb t\u00eb quajtur SKLCOIN. N\u00eb grupin e Telegramit, ku sot jan\u00eb rreth 8 mij\u00eb an\u00ebtar\u00eb, ai reklamon \u00e7do dit\u00eb SKLCOIN-in.<\/p>\n<p>Fitim fiks ditor prej 1.65%. Tre sinjale tregtimi \u00e7do dit\u00eb. Mund\u00ebsi t\u00ebrheqjeje \u201cn\u00eb \u00e7do koh\u00eb\u201d, me nj\u00eb komision prej 20%. P\u00ebr m\u00eb tep\u00ebr, n\u00ebse depoziton mbi 1,000 dollar\u00eb para dat\u00ebs 15 shtator, t\u00eb ofrohet nj\u00eb \u201cbonus\u201d prej 50%.<\/p>\n<p>Deri n\u00eb momentin e publikimit t\u00eb k\u00ebtij shkrimi, Leo vazhdon t\u00eb rekrutoj\u00eb p\u00ebrdorues n\u00eb k\u00ebt\u00eb platform\u00eb t\u00eb re.<\/p>\n\n<p>Epilog<br \/>\nP\u00ebr t\u00eb riun nga Librazhdi, humbja ishte e prekshme dhe e v\u00ebrtet\u00eb. \u201cM\u00eb ik\u00ebn 1000 dollar\u00eb, rreth 90 e ca mij\u00eb lek\u00eb,\u201d tha ai, duke pranuar se do t\u2019i duhej t\u00eb punonte jo pak p\u00ebr t\u2019i b\u00ebr\u00eb parat\u00eb q\u00eb kishte humbur.<\/p>\n<p>K\u00ebmb\u00ebnguli ta ndante historin\u00eb e tij me Faktoje.al, por k\u00ebrkoi t\u00eb mbetej anonim. Me motivin se familja e tij nuk ishte n\u00eb dijeni t\u00eb situat\u00ebs dhe i r\u00ebndej t\u00eb \u201cdilte\u201d publikisht si i mashtruar.<\/p>\n<p>Edhe pse e p\u00ebrshkroi p\u00ebrvoj\u00ebn si nj\u00eb m\u00ebsim t\u00eb hidhur, ai ende nuk \u00ebsht\u00eb larguar nga grupet e XUEX-\u00ebs n\u00eb Telegram.<\/p>\n<p>N\u00eb mesazhin e tij t\u00eb fundit drejtuar Faktoje.al, ai k\u00ebrkoi: \u201cM\u00eb mbani t\u00eb p\u00ebrdit\u00ebsuar\u201d \/Faktoje.al<\/p>\n<p>The post <a href=\"https:\/\/lapsi.al\/2025\/09\/15\/rrefimi-i-te-riut-nga-librazhdi-si-i-humba-parate-ne-platformen-xuex\/\">Rr\u00ebfimi i t\u00eb riut nga Librazhdi: Si i humba parat\u00eb n\u00eb platform\u00ebn XUEX!<\/a> appeared first on <a href=\"https:\/\/lapsi.al\/\">Lapsi.al<\/a>.<\/p>","protected":false},"excerpt":{"rendered":"<p>Nga Jona Cenameri \u201cSi nuk prit\u00ebn dot dhe nj\u00eb jav\u00eb k\u00ebto mediat, sa t\u00eb merrja edhe un\u00eb lek\u00ebt\u2026\u201d , shfryu i riu nga Librazhdi. N\u00eb jav\u00ebn e fundit t\u00eb gushtit 2025, \u00ebndrra e tij p\u00ebr pasurim t\u00eb shpejt\u00eb, e ushqyer p\u00ebr muaj t\u00eb t\u00ebr\u00eb nga premtimet e platform\u00ebs XUEX, nisi t\u00eb shembet si k\u00ebshtjell\u00eb r\u00ebre. [&hellip;]<\/p>\n","protected":false},"author":0,"featured_media":40658,"comment_status":"open","ping_status":"open","sticky":false,"template":"","format":"standard","meta":{"footnotes":""},"categories":[1],"tags":[],"class_list":["post-40657","post","type-post","status-publish","format-standard","has-post-thumbnail","hentry","category-uncategorized"],"_links":{"self":[{"href":"https:\/\/zennihost.com\/test\/wp-json\/wp\/v2\/posts\/40657","targetHints":{"allow":["GET"]}}],"collection":[{"href":"https:\/\/zennihost.com\/test\/wp-json\/wp\/v2\/posts"}],"about":[{"href":"https:\/\/zennihost.com\/test\/wp-json\/wp\/v2\/types\/post"}],"replies":[{"embeddable":true,"href":"https:\/\/zennihost.com\/test\/wp-json\/wp\/v2\/comments?post=40657"}],"version-history":[{"count":0,"href":"https:\/\/zennihost.com\/test\/wp-json\/wp\/v2\/posts\/40657\/revisions"}],"wp:featuredmedia":[{"embeddable":true,"href":"https:\/\/zennihost.com\/test\/wp-json\/wp\/v2\/media\/40658"}],"wp:attachment":[{"href":"https:\/\/zennihost.com\/test\/wp-json\/wp\/v2\/media?parent=40657"}],"wp:term":[{"taxonomy":"category","embeddable":true,"href":"https:\/\/zennihost.com\/test\/wp-json\/wp\/v2\/categories?post=40657"},{"taxonomy":"post_tag","embeddable":true,"href":"https:\/\/zennihost.com\/test\/wp-json\/wp\/v2\/tags?post=40657"}],"curies":[{"name":"wp","href":"https:\/\/api.w.org\/{rel}","templated":true}]}}