Gjykata e Hagës dënoi me 25 vite burg Hashim Thaçin, reagon djali i ish-liderit të UÇK: Ne e dimë historinë, ushtarët tanë e kanë të gdhendur në lëkurë

Pas vendimit të Gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë për dënimin e ish-liderëve të UÇK, ka reaguar për herë të parë djali i Hashim Thaçit.

Ai thotë se asnjë vendim nuk e ndryshon historinë.

“Falënderoj të gjithë vëllezërit dhe motrat shqiptare që udhëtuan dhe që pritën me orë të tëra për vendimin. Në veçanti, ata që nuk e ndalën zërin edhe pas vendimit.

Mirënjohja ime shkon për secilin prej jush që na u bëtë krah ndër vite, në këtë rrugëtim të padrejtë të babit dhe shokëve të tij.

Sapo të kthehem, do t’i bashkëngjitem edhe unë zërit tuaj, sepse kjo betejë nuk ka mbaruar. Ashtu si babi sot, që me kokën lart u përball me këtë ditë, edhe ne do të vazhdojmë përpara me kokën lart, me dinjitet dhe maturi.

Ne e dimë historinë tonë. Ushtarët tanë e kanë të gdhendur në lëkurë, ndërsa dëshmorët tanë e kanë vulosur me gjakun e tyre. Këtë histori nuk mund ta ndryshojë asnjë vendim”, shkruan ai.

Endrit Thaçi ishte sot në Hagë, ndërsa pas vendimit u pa i trishtuar duke dalë nga Gjykata, por nuk pranoi që të jepte asnjë koment për gazetarët.