Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas shpalljes së aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, duke theksuar se lufta çlirimtare mbetet, sipas saj, pjesë e rëndësishme e historisë së Kosovës.
“UÇK-ja mbetet pjesa më krenare e historisë moderne të popullit tonë: dje, sot e përjetësisht!”, ka shkruar Osmani.
Ajo ka përmendur viktimat e luftës në Kosovë, duke theksuar se mbi 13 mijë njerëz janë vrarë gjatë luftës, ndërsa rreth 10 mijë prej tyre, sipas saj, ishin civilë. Osmani ka theksuar gjithashtu se më shumë se 1 mijë e 500 persona vazhdojnë të figurojnë të zhdukur.
Në reagimin e saj, ish-presidentja ka përmendur edhe dhunimet seksuale, torturat, vrasjen e fëmijëve dhe krime të tjera të kryera gjatë luftës, duke kritikuar Serbinë për mohimin e krimeve dhe për atë që ajo e cilëson si mungesë të drejtësisë për viktimat.
Osmani ka thënë se populli i Kosovës u ngrit kundër këtyre krimeve dhe e ka përshkruar UÇK-në si “ushtrinë e popullit të Kosovës”.
“Sot e përgjithmonë, do ta mbrojmë drejtësinë e luftës sonë çlirimtare”, ka deklaruar Osmani, duke e mbyllur reagimin me theksin se shteti i pavarur dhe sovran i Kosovës është amanet i përbashkët.
The post “Serbia vrau mbi 13 mijë persona”, Osmani: UÇK ishte betimi i përgjakur i njerëzve të shtypur që donin çlirimin appeared first on GIJOTINA.