Avokati i Hashim Thaçit, Pierre-Richard Prosper, ka reaguar pas shpalljes së aktgjykimit ndaj klientit të tij nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, duke e cilësuar vendimin një “tallje me drejtësinë” dhe duke paralajmëruar apelimin e tij.
Prosper pretendoi se rezultati i procesit ishte i paracaktuar dhe akuzoi Dhomat e Specializuara se po “rishkruajnë historinë”. Sipas tij, gjykata e ka paraqitur UÇK-në si një strukturë të organizuar dhe i ka atribuar Thaçit përgjegjësi që mbrojtja i kundërshton.
Avokati bëri të ditur se kishte biseduar me Thaçin pas vendimit dhe se do ta takonte sërish. Sipas tij, ish-presidenti e vlerëson mbështetjen që ka marrë dhe është i përgatitur për të vazhduar betejën ligjore.
Ai kritikoi gjithashtu formulimin e përdorur nga gjykata gjatë shpalljes së vendimit, duke thënë se kishte reaguar fort kur gjykatësi shqiptoi fjalët “në emër të popullit të Kosovës”. Prosper pretendoi se argumentet e mbrojtjes nuk ishin dëgjuar siç duhej gjatë procesit.
Avokati i Thaçit iu drejtua gjithashtu institucioneve të Kosovës, duke kërkuar që Kuvendi të rishikojë raportin me Dhomat e Specializuara.
Sipas Prosper, Kosova duhet të marrë një “vendim sovran” lidhur me këtë çështje.
Në përfundim, avokati shprehu bindjen se Thaçi do të lirohet në një moment, ndërsa konfirmoi se mbrojtja do të vazhdojë përpjekjet për të kundërshtuar vendimin.
“Fola me z.Thaçi dhe ai e vlerëson shumë mbështetjen e njerëzve. Është i përgatitur që të luftojë për veten dhe Kosovës. Dhe një koment tjetër ndoshta mund të hyj në telashe për këtë. Kam goditur kokën time me grushte kur gjykatësi shqiptoi ‘në emër të popullit të Kosovës’. Ata nuk dëgjuan mbrojtjen.
Parlamenti i Kosovës duhet ta shohë këtë. Sepse ky është partneritet mes BE-së dhe Parlamentit të Kosovës. Unë do e hiqja mbështetjen që nesër. Kosova duhet të marrë një vendim sovran. Në disa raste duhet të çohesh në këmbë dhe të marrësh një vendim. Ai do të lirohet në një pikë. Beteja dhe lufta vijojnë”, tha avokati.
The post Avokati i Thaçit: Godita kokën me grushte kur gjykatësi tha ‘Në emër të popullit të Kosovës”! appeared first on GIJOTINA.