Prishtina në pritje të vendimit nga Haga, qytetarët kalojnë natën në shesh pranë “Flakës së Lirisë”

Sot në Hagë do të zhvillohet seanca për shpalljen e vendimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Seanca do të nisë në orën 10:00 dhe pritet të përfundojë rreth orës 12:00. Ajo do të jetë publike, ndërsa transmetimi në shqip, anglisht dhe serbisht do të bëhet me rreth 10 minuta vonesë. Për këtë arsye, publiku do të mund ta ndjekë praktikisht duke nisur nga ora 10:10.

Në pritje të vendimit, qindra qytetarë janë mbledhur në sheshin e Prishtinës, ku shumë prej tyre kanë kaluar të gjithë natën. Me këngë, flamuj kombëtarë dhe pranë “Flakës së Lirisë”, ata kanë shprehur mbështetjen për ish-krerët e UÇK-së.

Në shesh është vendosur edhe një ekran i madh, nëpërmjet të cilit qytetarët do të ndjekin drejtpërdrejt shpalljen e vendimit nga Haga. Ndërsa afrohet nisja e seancës, numri i të pranishmëve vijon të rritet.