Presidenti Begaj vizitë zyrtare në Abu Dhabi: Shqipëria synon më shumë investime nga Emiratet e Bashkuara Arabe

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bajram Begaj, zhvilloi një vizitë zyrtare në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Kjo ishte vizita e parë e një Presidenti të Republikës së Shqipërisë në Emiratet e Bashkuara Arabe, e cila rikonfirmoi angazhimin e dy vendeve për forcimin e mëtejshëm të partneritetit Shqipëri–EBA, të orientuar drejt së ardhmes.

Presidenti i Republikës u prit nga Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Lartësia e Tij Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan.

Gjatë takimit, Presidenti Begaj falënderoi Emiratet e Bashkuara Arabe për solidaritetin dhe miqësinë e treguar ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve në momente të vështira, veçanërisht gjatë luftës në Kosovë, pas tërmetit të vitit 2019 dhe pas sulmit kibernetik të vitit 2022.

Në takim u shpreh vullneti i përbashkët për të avancuar më tej axhendën e bashkëpunimit të fortë dhe të qëndrueshëm ndërmjet dy vendeve, si dhe për të shfrytëzuar potencialet reale për zgjerimin e tij në fusha me interes të ndërsjellë.