Rrogat e magjistratëve/ GJKKO e Apelit padit Ministrinë e Financave dhe Thesarin

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka depozituar një tjetër padi ndaj Ministrisë së Financave dhe Thesarit për bllokimin e pagave të magjistratëve.

Padia është dorëzuar më 11 shtator në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë nga zëvendëskryetari i GJKKO-së së Apelit, Dhimitër Lara.

Në proces janë përfshirë Ministria e Financave dhe Dega e Thesarit Tiranë, ndërsa Avokatura e Shtetit është palë dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor është thirrur si person i tretë.

Në qendër të padisë është bllokimi i pagave për muajin gusht. Sipas padisë, Ministria e Financave ka pezulluar urdhër-shpenzimet e dërguara nga gjykata për ekzekutimin e pagave, duke penguar kalimin e tyre në bankat tregtare.

Për këtë arsye, Gjykata e Posaçme e Apelit kërkon shfuqizimin e shkresës së Ministrisë së Financave, të datës 2 shtator 2026, përmes së cilës u pezulluan pagesat.

Kërkesa kryesore është që pagat e muajit gusht të ekzekutohen sipas nivelit të ri të përcaktuar për magjistratët dhe të mos rikthehen në parametrat e pagave të muajit korrik.

Paga e re referuese

Në argumentet e saj, pala paditëse i referohet vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe vendimit pasues të Këshillit të Lartë Gjyqësor, të cilët përcaktuan nivelin e ri të pagës bazë referuese për magjistratët.

Sipas këtyre përcaktimeve, paga e pozicionit është 222,425 lekë, ndërsa për kualifikimin parashikohet një shtesë prej 14,000 lekësh.

Në thelb, pretendimi i GJKKO-së së Apelit është se Ministria e Financave nuk mund të bllokojë zbatimin e pagave të përcaktuara nga organet përkatëse të sistemit gjyqësor përmes kontrollit të urdhër-pagesave në sistemin e Thesarit.

Sipas padisë, bllokimi nuk ka prekur vetëm gjyqtarët, por edhe punonjësit e administratës së gjykatës. Për këtë kategori, paditësja pretendon se nuk ekziston ndonjë problem ligjor lidhur me pagesat.

Një tjetër çështje e ngritur në padi lidhet me mënyrën e trajtimit të pagave. Sipas pretendimit të gjykatës, taksat dhe sigurimet shoqërore e shëndetësore janë llogaritur dhe mbajtur mbi bazën e pagave të reja, ndërsa vetë pagat janë bllokuar në Thesar.

Kërkohet edhe masë e përkohshme

Përveç padisë, Gjykatës Administrative i është kërkuar edhe marrja e një mase të përkohshme, me qëllim pezullimin e menjëhershëm të vendimit të Ministrisë së Financave dhe zhbllokimin e pagesave.

Ndërkohë, po më 11 shtator, Gjykata Administrative ka dhënë urdhër për ekzekutimin e pagave të gjyqtarëve të Gjykatës së Posaçme.

Çështja shënon një tjetër përplasje institucionale lidhur me zbatimin e pagave të reja të magjistratëve dhe mënyrën se si ato duhet të ekzekutohen përmes sistemit të Thesarit.

The post Rrogat e magjistratëve/ GJKKO e Apelit padit Ministrinë e Financave dhe Thesarin appeared first on GIJOTINA.