Rama shkarkon nga detyra Besfort Lamallarin, ja kush vjen në postin e ministrit të Brendshëm

Kryeministri Edi Rama ka shkarkuar nga detyra ditën e sotme ministrin e Brendshëm, Besfort Lamallari.

Në vend të tij, në krye të Ministrisë së Brendshme është emëruar Ervin Demo,  i cili deri sot mbante postin e ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor.

Lëvizja shënon një ndryshim në drejtimin e një prej dikastereve kryesore të qeverisë, ndërsa Demo do të marrë tashmë përgjegjësinë për çështjet e rendit dhe sigurisë publike.

Lamallari kishte marrë drejtimin e Ministrisë së Brendshme pas ndryshimeve të mëparshme në kabinetin qeveritar.

Pasi ka zyrtarizuar ndryshimin në drejtimin e Ministrisë së Brendshme, Rama ka njoftuar kalimin e Besfort Lamallarit në ekipin e Kryeministrisë dhe emërimin e Ervin Demos në krye të dikasterit.

Rama tha se Demo, i cili deri tani ka drejtuar Ministrinë e Shtetit për Pushtetin Vendor, do të marrë në ngarkim Punët e Brendshme, ndërsa çështjet vendore do të integrohen në strukturën e re të ministrisë.

“Besforti, nga drejtimi i Ministrisë së Brendshme, do të kalojë në stolin tim, bashkë me mua dhe ekipin këtu në Kryeministri. Ndërkohë që Ervini, ministri i deritanishëm i Pushtetit Vendor, do të mbulojë Punët e Brendshme, ku do të integrojmë edhe çështjet vendore”, tha Rama.

Kryeministri e falënderoi Lamallarin për punën e bërë deri tani, duke i uruar vijimin e angazhimit të tij në ekipin e Kryeministrisë.

Nga ana e tij, Lamallari e konsideroi eksperiencën në qeveri si një periudhë të rëndësishme në aspektin profesional dhe personal.

The post Rama shkarkon nga detyra Besfort Lamallarin, ja kush vjen në postin e ministrit të Brendshëm appeared first on GIJOTINA.