Rama prezanton “Programin e Strehimit”: Do marrin banesat e konfiskuara

Strehimi pritet të marrë një tjetër qasje nga qeveria. Programi i ri Kombëtar i Strehimit parashikon gjashtë skema të reja, me fokus te familjet e reja dhe të rinjtë që hasin vështirësi për të siguruar një banesë.

Gjatë prezantimit, Kryeministri Edi Rama tha se programi nuk është thjesht një skemë financiare, por mishërimi i një reforme strukturore, e cila synon t’u përgjigjet vështirësive në rritje që familjet e reja dhe të rinjtë hasin për të siguruar një banesë.

Kryeministri bëri të ditur se reforma do të mbështetet në gjashtë programe të reja, ndërsa i pari që do të vihet në zbatim është programi i banesave sociale me qira.

Sipas Ramës, skema do të zgjerohet përtej modelit tradicional të ndërtimit të banesave të reja. Për sigurimin e stokut të banesave sociale do të përdoren disa instrumente, mes tyre blerja e drejtpërdrejtë e banesave në treg, përshtatja e objekteve shtetërore apo e objekteve të konfiskuara, bonusi i qirasë dhe partneritetet publik-private.

“Dhënia e banesave sociale me qira do të jetë një program që do të bëhet më kompleks. Këto banesa do të parashikojnë ndërtim të ri, blerje të drejtpërdrejtë nga tregu, përshtatje të objekteve shtetërore ose të konfiskuara”, deklaroi Rama.

Ai theksoi gjithashtu se objektet e konfiskuara për shkak të shkeljeve të lejeve të ndërtimit mund të përdoren në kuadër të programit të ri të strehimit.

Rama e cilësoi strehimin si një problem që nuk prek vetëm Shqipërinë, por edhe vende të tjera europiane, duke argumentuar se rritja e kostove dhe vështirësitë për të siguruar një banesë kanë ndryshuar mënyrën se si të rinjtë e shohin të ardhmen e tyre.

Drafti i reformës, sipas kryeministrit, është tashmë në përgatitje dhe pritet të kalojë së shpejti në konsultim publik, përpara se të dërgohet në Kuvend.

“Janë pjekur kushtet pas një pune intensive njëvjeçare për të bërë publike piketat kryesore të programit të ri kombëtar të strehimit”, tha Rama, duke shtuar se synimi është “të ndryshojë qasja ndaj kësaj teme kaq të rëndësishme”.

Programi i ri pritet të adresojë në mënyrë të integruar nevojat për strehim, përmes gjashtë programeve që qeveria synon t’i zbatojë si pjesë e një reforme tërësore të sektorit.