Studiuesi Taulant Muka ka reaguar lidhur me rezultatet e Shqipërisë në raportin PISA 2025, duke ngritur shqetësime mbi mënyrën e përzgjedhjes së kampionit dhe përfaqësimin e shkollave shqiptare në testim.
Muka thekson se mes shifrave të raportit ndodhet një element që, sipas tij, nuk duhet anashkaluar, rezultatet e Shqipërisë shoqërohen me një “sinjal të kuq” për mënyrën se si duhet të interpretohen.
Sipas studiuesit, shkollat me më pak se 21 nxënës të kualifikueshëm për PISA nuk janë kontaktuar fare për testimin. Ai i referohet vlerësimit të OECD-së se shkollat që kanë mbetur jashtë kampionit mund të jenë në mënyrë disproporcionale në zona rurale dhe socio-ekonomikisht më të disavantazhuara, ku rezultatet historikisht kanë qenë më të ulëta.
Një tjetër problem i evidentuar nga Muka lidhet me pjesëmarrjen e shkollave të kontaktuara. Sipas të dhënave të raportit, vetëm 76% e shkollave u përgjigjën, ndërsa standardi i PISA-s është një normë pjesëmarrjeje prej të paktën 85%.
Studiuesi thekson se OECD e përshkruan mungesën e shkollave të vogla si një “structural coverage gap”, një boshllëk strukturor në mbulimin e kampionit që nuk mund të korrigjohet përmes metodave statistikore.
Për këtë arsye, Shqipëria është shënuar me një asterisk (*) në raport, ndërsa raportimi për vendin është kufizuar dhe OECD nuk ka raportuar trendin e rezultateve të Shqipërisë.
Sipas Mukës, këto të dhëna nënkuptojnë se kampioni mund të ketë një bias në favor të rezultateve më të larta, pasi shkollat e vogla dhe nxënësit nga zona më të varfra apo rurale mund të jenë të nënpërfaqësuar.
Studiuesi ngre edhe një pikëpyetje mbi arsyen e kësaj problematike. Ai pyet nëse bëhet fjalë vetëm për një problem metodologjik në organizimin e testimit apo nëse mënyra e përzgjedhjes së kampionit mund të ketë favorizuar një rezultat më pozitiv për Shqipërinë.
Sipas Mukës, kjo është një çështje që kërkon vëmendje të veçantë në interpretimin e rezultateve të PISA 2025, pasi shifrat nuk mund të shihen të shkëputura nga kufizimet që OECD ka evidentuar për kampionin shqiptar.
The post Rezultati i PISA-s për arsimin/ Studiuesi: Të dhënat e Shqipërisë me sinjal të kuq! Dyshohet se janë fasifikuar appeared first on GIJOTINA.