Forumi Shqiptar, subjekt politik i drejtuar nga Nik Gjeloshaj dhe pjesë e shumicës parlamentare në Mal të Zi, ka marrë vendim unanim për të mbështetur shkarkimin e kryetarit të Kuvendit, Andrija Mandiq.
Vendimi u mor në mbledhjen e Kryesisë së Forumit Shqiptar më 7 shtator, ku u diskutua situata politike në vend, marrëdhëniet brenda shumicës parlamentare dhe iniciativa për shkarkimin e Mandiqit.
Kryesia vendosi që shefi i Klubit Parlamentar të Forumit Shqiptar të nënshkruajë iniciativën për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit, ndërsa deputetët e Forumit Shqiptar do të votojnë pro shkarkimit. Vendimi është marrë njëzëri.
Në qendër të qëndrimit të Forumit Shqiptar është çështja e qëndrimit ndaj Ratko Mlladiqit, i dënuar përfundimisht nga drejtësia ndërkombëtare për gjenocid dhe krime lufte.
Forumi Shqiptar thekson se debati nuk duhet parë thjesht si një votim pro ose kundër një politikani, por si një çështje që prek orientimin e vetë Malit të Zi.
“Çështja thelbësore është nëse Mali i Zi e pranon glorifikimin e kriminelëve të luftës apo qëndron në anën e drejtësisë ndërkombëtare, viktimave dhe vlerave evropiane”, thuhet në reagimin e Forumit Shqiptar.
Sipas këtij subjekti, çdo përpjekje për glorifikimin e Mlladiqit është e papranueshme, antievropiane dhe në kundërshtim me të ardhmen që kanë zgjedhur qytetarët e Malit të Zi.
Qëndrimi i Forumit Shqiptar vjen në një moment të ndjeshëm për shumicën parlamentare. Kryesia e subjektit ka shprehur pakënaqësi për mënyrën se si funksionojnë marrëdhëniet mes partnerëve të koalicionit, duke vlerësuar se ato nuk janë gjithmonë në nivelin e partneritetit dhe përgjegjësisë së përbashkët.
Forumi Shqiptar kërkon gjithashtu një qasje më të respektueshme ndaj tij dhe ndaj kërkesave legjitime të shqiptarëve në Mal të Zi.
“Partneriteti nënkupton respekt të ndërsjellë, dialog të sinqertë dhe zbatimin e asaj për të cilën është rënë dakord”, thuhet në reagim.
Megjithatë, Forumi Shqiptar nënvizon se vota për shkarkimin e Mandiqit nuk përfaqëson mbështetje politike për propozuesin e iniciativës.
“Ky vendim nuk përfaqëson mbështetje për propozuesin e nismës. Ai buron nga parimet dhe vlerat e Forumit Shqiptar, të cilat nuk mund të jenë objekt i kalkulimeve të politikës së ditës dhe as i kompromiseve politike”, theksohet në deklaratë.
Me këtë qëndrim, Forumi Shqiptar sinjalizon se bashkëpunimi brenda shumicës parlamentare nuk mund të jetë pa kufij dhe se çështjet që lidhen me krimet e luftës, drejtësinë ndërkombëtare dhe orientimin evropian të Malit të Zi përbëjnë një vijë të kuqe politike.
Pavarësisht pakënaqësive, Forumi Shqiptar deklaron se do të vazhdojë të veprojë me përgjegjësi në mbrojtje të interesave të qytetarëve, stabilitetit politik dhe objektivit strategjik që Mali i Zi të bëhet anëtari i ardhshëm i Bashkimit Evropian.
Në deklaratë theksohet edhe kontributi i përfaqësuesve të Forumit Shqiptar në Qeverinë e Malit të Zi, duke nënvizuar se ata kanë kontribuar drejtpërdrejt në mbylljen e pothuajse gjysmës së kapitujve të mbyllur gjatë mandatit të Qeverisë së 44-të.
Pas votimit për iniciativën për shkarkimin e Mandiqit, Kryesia e Forumit Shqiptar do të vlerësojë marrëdhëniet brenda shumicës parlamentare dhe do të marrë vendimet e mëtejshme, duke pasur parasysh interesat e shqiptarëve, stabilitetin politik dhe perspektivën evropiane të Malit të Zi.
Ndërkohë, Kongresi i Forumit Shqiptar është caktuar të mbahet më 31 tetor 2026. Sipas Forumit, kongresi do të përfaqësojë një hap të ri në bashkimin, forcimin dhe organizimin politik të shqiptarëve në Mal të Zi.
Vendimi i Forumit Shqiptar për të votuar shkarkimin e Mandiqit pritet të ketë peshë në raportet brenda shumicës parlamentare dhe në debatin e ardhshëm për orientimin politik të Malit të Zi.