Diaspora në këmbë/ Për herë të 16-të, shqiptarët në Milano protestojnë: “Shqipëria nuk është në shitje”

Shqiptarët që jetojnë në Milano kanë zhvilluar protestën e 16-të radhazi kundër qeverisë së Edi Ramës.

Protestuesit u mblodhën në Piazza Mercanti, ku me flamuj kuqezi dhe pankarta përsëritën mesazhin “Shqipëria nuk është në shitje”.

Protesta në Itali është pjesë e lëvizjes qytetare të nisur në fund të majit në Shqipëri, e cila në fillim u fokusua te kundërshtimi i ndërtimit të një resorti luksoz në një zonë të mbrojtur natyrore.

Me kalimin e kohës, kërkesat e protestuesve janë zgjeruar.

Aktivistët shqiptarë në Milano kërkojnë ndryshime politike, zgjedhje të lira dhe mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve.

Në fokusin e protestës është vendosur gjithashtu edhe marrëveshja mes Shqipërisë dhe Italisë për qendrat e emigrantëve që janë ngritur në territorin shqiptar.

Organizatorët kanë paralajmëruar se protestat do të vijojnë edhe në qytete të tjera të Italisë.

Ndërkohë, po shqyrtohet mundësia e organizimit të një marshimi nga Konsullata shqiptare në Milano drejt Piazza del Duomos, në kuadër të mobilizimit të diasporës kundër qeverisë shqiptare.

The post Diaspora në këmbë/ Për herë të 16-të, shqiptarët në Milano protestojnë: “Shqipëria nuk është në shitje” appeared first on GIJOTINA.