Pse vizita në SHBA e Berishës nuk e shpëton dot nga drama elektorale PD-në

Nga Hermes Kafexhiu

I kemi ezauruar thuajse të gjitha rreth Berishës. Por fragmenti i fundit i vajtjes së tij në SHBA kërkon, në raport me opinionin publik, një sqarim për një turbullirë që përhapet vazhdimisht nga reklama të panevojshme politike “alla-shqiptarçe”, ku sipas disa njerëzve miti i shkuarjes në SHBA kinse glorifikon gjithë gropën elektorale të demokratëve.

Në fakt, Berisha tani, me vajtjen në SHBA, më ngjan fiks si ato memet që bëjnë krahasime me artikujt e TEMU-s. Edhe kjo vajtje e Berishës është fiks në këtë linjë humori, pa asnjë lloj ndikimi. Është thjesht një fasadë për të krijuar edhe një rezistencë më të madhe artificiale lidhur me atë që ka ndodhur në PD këto kohë, ku ka rënë gjëma e murtajës elektorale dhe nuk ka asnjë shans, në horizont, jo ta ngrejë PD-në, por as ta nxjerrë nga shtrati i saj i sakatimit elektoral.

Përtej gjithë keqardhjes, duhet një analizë e ftohtë.

Jo më shumë se pak kohë më parë, vetë Berisha ka folur për një sondazh që ka qarkulluar në media, i supozuar si sondazh i brendshëm i PS-së. Berisha doli dhe foli për rënien e PS-së si reflektim i protestave, por nuk tha asnjë fjalë për të njëjtin sondazh në pjesën që kishte të bënte me subjektin që ai përfaqëson.

Partia Demokratike, sipas atij sondazhi, ka një rënie edhe më të madhe elektorale dhe gati të parikuperueshme politikisht. Madje, sipas tij, demokratët rrezikojnë që në Tiranë të mos kapin as 15 për qind.

Në këtë kuadër, jo vetëm sot, iu servir medias një pamje reklamuese në stil TEMU, ku plaku më i vjetër i politikës u nis nga Rinasi, i përcjellë nga deputetë si krushq, të cilëve vetëm lulet u mungonin në dorë, për të treguar se rikthimi i Berishës në SHBA pas “non gratës” reflekton, gjoja, një mbështetje, apo krijon idenë se atje po e pret dikush që lëviz fijet dhe do të ndikojë që ai të vijë në pushtet.

Gjithmonë për të krijuar atë legjendën e kafenesë: se tani që Rama ka disa ditë të vështira dhe të dobëta politikisht, dikush po hedh ujë nga burimi i Saliut dhe i PD-së për të bërë magjinë elektorale. Në fakt, këto janë përralla.

Në disa sondazhe serioze, por edhe në përditshmërinë tonë, shihet qartë se ekziston një 29 për qindësh që është kundër partive tradicionale elektorale dhe, sidomos, alternativës së PD-së. Këtë e përforcojnë edhe zgjedhjet e fundit të brendshme, ku disa figura që pritej të largoheshin, vazhduan të mbanin karriget.

Po kështu, disa figura që kanë rezultate të dobëta elektorale vazhdojnë ende të mbajnë poste, pa krijuar besueshmëri. Aq më tepër që asnjë glorifikim nuk i sjell këtij udhëtimi fakti se ekspozeja e së shkuarës politike të Berishës, për ngjarje të forta në historinë e vendit, ruan ende një kujtesë që nuk mund të injorohet.

Ka një konglomerat aq të gjerë faktorësh, sa nuk ka asnjë veshje amerikane që ta shpëtojë Berishën dhe PD-në me Berishën nga mbytja elektale. Ky udhëtim, që ai e quajti udhëtimin e jetës, nuk e ndryshon këtë realitet.

Është shumë e thjeshtë: udhëtimet në një vend mik, apo përdorimi i SHBA-së si kredo politike, sado ndikim simbolik të kenë, nuk mund të jenë aq përmbysëse kur gjendja e brendshme e një partie ka tradhtuar pothuajse tërësisht sakrificën e atyre që kanë besuar te një alternativë, e cila ka injoruar kërkesën e tyre të vazhdueshme për rinovim.