Inspektoriati kthehet në “smart”, Rama: S’ka më kontrolle pa paralajmërim

Kontrollet rutinë të bizneseve pa paralajmërim do të marrin fund. Kryeministri Edi Rama ka njoftuar ndryshimin e mënyrës së funksionimit të inspektimeve, duke kërkuar që inspektorët të mos fokusohen te kapja e sipërmarrësve në shkelje, por te ndihma për korrigjimin e tyre dhe përmbushjen e standardeve.

“Kontrollet e inspektimeve duhet të kalojën testin e besës. Nuk duhet të ketë më asnjë kontroll pa paralajmërim. Inspektoi nuk vjen te dera e biznesit si skenë krimi, por si shteti që njofton, të mbikëqyr dhe të ndihmon të korrigjohesh.”

Deklarata e Ramës u bë pas takimit me ministren e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, dhe Inspektorin e Përgjithshëm, Dashnor Sula.

Kreu i qeverisë theksoi gjithashtu se duhet të ndryshojë edhe mënyra e ndëshkimit të bizneseve, duke e konsideruar gjobën si masë të fundit dhe jo si një mjet presioni apo shantazhi ndaj sipërmarrësve.

“Qëllimi ynë nuk është t’i kapim subjektet në gabim, por ti ndihmojmë të përmirësohen dhe në përmbushjen e standardeve. Gjoba është arma e fundit, jo e para. Kurrë një spate shantazhi mbi qafën e sipërmarrësit. Kush nxjerr gjobën para fjalës së mirë, nuk po e mbron shtetin.”

Në kuadër të ndryshimeve të paralajmëruara, çdo inspektor do të pajiset me kamera inteligjente të trupit dhe uniformë, ndërsa kontrollet do të duhet të bëhen me paralajmërim.

“Kujt i vjen inspektim pa paralajmërim për kontroll rutinë, duhet ta denoncojë menjëherë të inspektori i përgjithshëm. Këtë të drejtë ne mund ta vendosim vetëm së bashku, së shpejti çdo inspektoi që troket në emër të shtetit te dera e një tatim paguesi, do jetë i pajisur me kamera inteligjente të trupit dhe i veshur me uniformë, dhe ai ta dijë se në çdo minutë është i mbikëqyrur”, tha Rama.