Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, deklaroi në takimin informal të ministrave të Jashtëm të BE-së në Irlandë, se procesi i zgjerimit duhet të vijojë me ritëm dhe se grup-kapitujt negociues që presin të hapen duhet të hapen sa më shpejt.
Kos veçoi Malin e Zi dhe Shqipërinë si vende që po avancojnë në procesin e integrimit evropian.
Komisionerja theksoi se zgjerimi mund të ndodhë gjatë mandatit të Komisionit aktual, ndaj BE-ja duhet të përgatitet për një Union me 28, 29 apo 30 vende anëtare, duke përmirësuar edhe proceset e saj të vendimmarrjes.
Në fokusin e diskutimeve ishte edhe Ukraina, ndërsa Kos nënvizoi se BE-ja dhe partnerët e saj duhet të rrisin mbështetjen për vendin përpara dimrit.