Përfundon mandati i Sokol Sadushit/ Hapet gara për kryetarin e ri të Gjykatës së Lartë, afatet dhe procedurat e zgjedhjes

Gjykata e Lartë ka çelur zyrtarisht procedurën për zgjedhjen e kryetarit të saj të ri, i cili do të marrë drejtimin e institucionit pas përfundimit të mandatit trevjeçar të Sokol Sadushit.

Sadushi, i cili mori drejtimin e Gjykatës së Lartë më 17 tetor 2023, përmbyll zyrtarisht detyrën më 17 tetor 2026. Procesi për zëvendësimin e tij është hapur 60 ditë përpara përfundimit të afatit ligjor, me qëllim garantimin e vijimësisë administrative të institucionit dhe shmangien e çdo vakance.

Përmes një njoftimi zyrtar, Gjykata e Lartë u ka bërë thirrje të gjithë gjyqtarëve të trupës që plotësojnë kriteret ligjore dhe synojnë drejtimin e këtij institucioni të paraqesin interesin e tyre.

Sipas procedurës së përcaktuar, kandidatët e interesuar kanë kohë deri më 11 shtator 2026 për të dorëzuar kërkesën me shkrim së bashku me platformën e tyre drejtuese.

Pas përmbylljes së aplikimeve, kryetari i ri do të zgjidhet me votim të fshehtë nga Mbledhja e Përgjithshme e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, mbështetur në rregulloren e miratuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor në vitin 2023.

E drejta e kandidimit u takon ekskluzivisht anëtarëve me mandat brenda trupës së gjyqtarëve të kësaj gjykate.

Në bazë të ligjit për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, drejtuesi i Gjykatës së Lartë zgjidhet për një mandat 3-vjeçar, pa të drejtë rizgjedhjeje të menjëhershme.

Kryetari i ri pritet të marrë zyrtarisht detyrën më 18 tetor 2026.

The post Përfundon mandati i Sokol Sadushit/ Hapet gara për kryetarin e ri të Gjykatës së Lartë, afatet dhe procedurat e zgjedhjes appeared first on GIJOTINA.