Theu xhamat e autobusit pas sherrit me shoferin, arrestohet 33-vjeçari në Tiranë

Një konflikt verbal me drejtuesin e një autobusi urban ka përfunduar me dëmtimin e mjetit dhe arrestimin e një 33-vjeçari në Tiranë.

Ngjarja ka ndodhur pasditen e së enjtes në rrugën “Muhamet Gjollesha”. Sipas Policisë, i riu është përfshirë në një debat me shoferin për motive të dobëta dhe më pas situata ka agravuar.

33-vjeçari dyshohet se ka fyer dhe bërtitur ndaj drejtuesit të autobusit, përpara se të godiste me grushte xhamin e përparmë të mjetit dhe xhamin e derës, duke i thyer të dy.

Rasti u bë i njohur edhe përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, ku shfaqej personi duke dëmtuar autobusin.

Pas marrjes së njoftimit, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 kryen veprimet hetimore dhe procedurale dhe arrestuan në flagrancë shtetasin me iniciale Ç. K., 33 vjeç.

Ai akuzohet për veprat penale “Shkatërrimi i pronës” dhe “Prishja e qetësisë publike”.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për vijimin e hetimeve dhe veprimeve të mëtejshme.

 

The post Theu xhamat e autobusit pas sherrit me shoferin, arrestohet 33-vjeçari në Tiranë appeared first on GIJOTINA.