Sherri për pronën mes dy vëllezërve në Vlorë, arrestohet njëri prej tyre me pistoletë

Një konflikt për motive pronësie mes dy vëllezërve në lagjen “Uji i Ftohtë” në Vlorë ka përfunduar me arrestimin e një 47-vjeçari dhe sekuestrimin e një arme zjarri.

Policia e Vlorës njofton se ka finalizuar operacionin e koduar “Lidhja”, pas marrjes së informacionit për një konflikt brenda një familjeje.

Sipas policisë, 47-vjeçari J. T., me precedent kriminal për trafikim të lëndëve narkotike, dyshohet se për motive pronësie ka kanosur me armë zjarri vëllanë e tij.

Pas njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë kanë ndërhyrë menjëherë në vendngjarje, duke bërë të mundur parandalimin e përshkallëzimit të konfliktit.

Gjatë ndërhyrjes, policia ka sekuestruar një armë zjarri pistoletë, dy krehra dhe 30 fishekë.

Sipas autoriteteve, ndërhyrja e shpejtë ka parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit dhe ngjarje të tjera kriminale brenda familjes.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.

Hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht rrethanat e konfliktit dhe përgjegjësinë e personit të arrestuar.

gijotina.com/

The post Sherri për pronën mes dy vëllezërve në Vlorë, arrestohet njëri prej tyre me pistoletë appeared first on GIJOTINA.