Riaktivizohet zjarri në Krujë, flakët pranë depove të eksplozivit në Zidonë`

Situata e zjarreve në Krujë vijon të mbetet e vështirë, ndërsa një vatër është riaktivizuar në lagjen ‘Abaze’ të qytetit.

Dyshohet se zjarri është riaktivizuar nga era e fortë, e cila mund të ketë ndezur sërish trungje që nuk ishin shuar plotësisht.

Në lagjen ‘Abaze’, banorët janë detyruar të ndërhyjnë me mjete rrethanore, së bashku me forcat zjarrfikëse, pasi terreni i vështirë e bën të pamundur ndërhyrjen me mjete zjarrfikëse.

Ndërkohë, një tjetër vatër vijon të jetë aktive në Krastë, në afërsi të depove të eksplozivit në zonën e Zidonës.

Era po favorizon përhapjen dhe riaktivizimin e flakëve, duke e bërë veçanërisht të vështirë kontrollin e situatës nga toka.

Për përballimin e zjarrit është angazhuar edhe një helikopter, i cili vijon ndërhyrjet nga ajri, duke lëvizur mes zonës së Abazes dhe Zidonës.

Situata paraqitet problematike, pasi terreni i thyer dhe era e fortë po vështirësojnë ndërhyrjen e forcave në tokë.

Forcat zjarrfikëse dhe banorët vijojnë përpjekjet për izolimin e vatrave, ndërsa helikopteri po ndërhyn nga ajri për të frenuar përhapjen e flakëve.

 

The post Riaktivizohet zjarri në Krujë, flakët pranë depove të eksplozivit në Zidonë` appeared first on GIJOTINA.