Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka reaguar pas ekstradimit të Sokol Hoxhës, duke theksuar se SHBA-ja nuk do të shërbejë si strehë për personat që keqpërdorin sistemin e imigracionit për t’iu shmangur përgjegjësisë për krime të kryera jashtë vendit. Sipas Ambasadës, Hoxha ka përdorur identitet të rremë dhe ka arritur të sigurojë qëndrim të ligjshëm në SHBA, ndërsa për dekada iu është shmangur autoriteteve.
Identifikimi dhe arrestimi i tij u mundësuan nga bashkëpunimi mes institucioneve amerikane, shqiptare dhe ndërkombëtare, përfshirë Shërbimin e Sigurisë Diplomatike të SHBA-së, ICE, Departamentin e Drejtësisë, INTERPOL-in dhe Policinë e Shtetit. Hoxha ishte dënuar në mungesë për një vrasje të dyfishtë në Shqipëri në vitin 2000 dhe për një tjetër vrasje në Belgjikë në vitin 2010. Ambasada e SHBA e cilësoi rastin si një shembull të qartë se keqpërdorimi i sistemit të imigracionit nuk mund të përdoret për t’iu shmangur drejtësisë.
Ambasada e SHBA në Tiranë:
Sokol Hoxha mendoi se mund t’i shpëtonte së kaluarës së tij. I dënuar në mungesë për një vrasje të dyfishtë në Shqipëri (2000) dhe për një vrasje tjetër në Belgjikë (2010), Hoxha kaloi dekada duke iu shmangur autoriteteve të zbatimit të ligjit- duke përdorur një identitet të rremë, duke siguruar status ligjor në një tjetër vend europian dhe, përfundimisht, duke përfituar qëndrim të përhershëm të ligjshëm në Shtetet e Bashkuara nën një emër të rremë.
Kjo ndryshoi falë punës së palodhur të Njësisë së Hetimeve Penale Ndërkombëtare të Shërbimit të Sigurisë Diplomatike (DSS) pranë Ambasadës së SHBA në Tiranë. Duke bashkëpunuar me Shërbimin e Marshallëve në SHBA, ICE, Departamentin e Drejtësisë, INTERPOL-in dhe Policinë e Shtetit Shqiptar, DSS luajti një rol kyç në identifikimin e saktë të Hoxhës- duke zbuluar një periudhë gati 30-vjeçare fshehjeje të identitetit të tij.
Ky rast është një kujtesë e fuqishme: Shtetet e Bashkuara nuk do të shërbejnë si strehë e sigurt për ata që keqpërdorin sistemin tonë të imigracionit për t’iu shmangur përgjegjësisë për krime të dhunshme të kryera jashtë vendit. DSS është krenare që qëndron përkrah partnerëve tanë vendas dhe ndërkombëtarë në këtë mision.
gijotina.com/
The post Pas ekstradimit, reagon Ambasada e SHBA: Nuk do të ketë strehë për ata që i shmangen drejtësisë appeared first on GIJOTINA.