Turizmi shqiptar rikuperon ritmin e rritjes në korrik, ndërsa ekonomia e eventeve duket se ka dhënë një shtysë të rëndësishme për sezonin veror.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, përmes një reagimi në rrjetet sociale, e ka cilësuar këtë zhvillim si një dëshmi të rëndësisë së eventeve në ecurinë e turizmit.
“Në korrik 2026, Shqipëria u vizitua nga 1,955,099 vizitorë të huaj, kundrejt 1,825,490 vizitorëve në korrik 2025”, shkruan Gonxhja, duke theksuar se bëhet fjalë për 129,609 vizitorë më shumë, ose një rritje prej rreth 7.1% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Sipas tij, edhe krahasimi me qershorin tregon një rikuperim të fortë. Në korrik u regjistruan 608,820 vizitorë të huaj më shumë se një muaj më parë, duke shënuar një rritje mujore prej 45.22%.
Gonxhja vëren se të dhënat dëshmojnë për një përmirësim të ndjeshëm pas ngadalësimit të regjistruar në qershor. Gjatë periudhës janar–maj 2026, rritja e numrit të vizitorëve të huaj kishte arritur në 8.2%, ndërsa në qershor ritmi zbriti në 1.3%, për t’u rikthyer në 7.1% në korrik.
“Këto rezultate tregojnë se ngadalësimi i qershorit nuk u shndërrua në një prirje të qëndrueshme rënëse”, thekson ministri, duke e konsideruar korrikun si një muaj rikuperimi të ndjeshëm për turizmin.
Megjithatë, sipas llogaritjes së paraqitur prej tij, shifrat faktike mbeten ende nën nivelin që do të arrihej nëse trendi i mëparshëm i rritjes do të ishte ruajtur. Në këtë rast, korriku do të mund të kishte regjistruar rreth 2,094,542 vizitorë të huaj.
Diferenca mes këtij skenari dhe rezultatit faktik është 139,443 vizitorë, ose rreth 6.7% më pak.
Eventet, një faktor kyç për turizmin
Në reagimin e tij, Gonxhja e vendos theksin te ekonomia e eventeve, duke e cilësuar atë si një faktor që ka ndihmuar në përmirësimin e ecurisë së sezonit.
Festivalet, itineraret tematike, festat, koncertet dhe eventet ndërkombëtare kanë krijuar flukse të reja vizitorësh, duke gjeneruar njëkohësisht aktivitet ekonomik për hotelet, restorantet, transportin, shërbimet dhe bizneset e tjera që lidhen me turizmin.
Në këtë panoramë kanë spikatur gjatë korrikut evente të mëdha artistike dhe kulturore, përfshirë eventin e YE (Kanye West) në Tiranë, koncerte dhe shfaqje të skenës së pavarur artistike, aktivitete të organizuara nga institucionet dhe bashkitë, si dhe evente ndërkombëtare e konferenca të zhvilluara në vend.
Në vëmendje kanë qenë edhe aktivitete të veçanta artistike, si nata e Zucchero, së bashku me turet tematike dhe aktivitetet që synojnë të lidhin turizmin me kulturën dhe ekonominë kreative.