Infantino i premton Marokut finalen e Botërorit që të shpëtojë postin në FIFA

Xhani Infantino po kalon një nga periudhat më të vështira në krye të FIFA-s, mes kritikave dhe humbjes së mbështetjes në botën e futbollit.

Presidenti i FIFA-s është vënë nën presion pas polemikave të fundit dhe dështimit të projektit për privatizimin e një pjese të aktiviteteve komerciale të Kupës së Botës.

Plani hasi në kundërshtim të fortë, veçanërisht nga UEFA, e cila kërcënoi me bojkot të partnerëve të saj.

Përballë reagimeve, FIFA u detyrua të tërhiqej zyrtarisht nga projekti.

Sipas raportimeve të “Sky Sports”, Infantino ka zhvilluar një mbledhje emergjente në Rabat me drejtues të lartë të FIFA-s.

Në të njëjtën kohë, “The Times” zbulon një detaj që ka ngritur shumë pikëpyetje.

Sipas gazetës britanike, Infantino i ka propozuar Marokut që finalja e Botërorit 2030 të zhvillohet në stadiumin e ri “Hasan II” në Kasablankë.

Impianti pritet të ketë një kapacitet prej rreth 115 mijë spektatorësh.

Oferta vjen në një moment kur presidenti i FIFA-s thuhet se po humbet mbështetje edhe brenda organizatës.

Analistët e lidhin këtë lëvizje me përpjekjet e Infantinos për të forcuar aleancat përpara një rizgjedhjeje të mundshme.

Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse kjo do të mjaftojë për të zbutur krizën që po përjeton numri një i FIFA-s.

E ardhmja e Infantinos në krye të qeverisë botërore të futbollit duket më e pasigurt se kurrë.

 

 

The post Infantino i premton Marokut finalen e Botërorit që të shpëtojë postin në FIFA appeared first on GIJOTINA.