Këmbët e oligarkut dhe këmbët e gazetarit

Nga Ilir Demalia

Një video e shkurtër e “oligarkut” Gjergj Luca tregon shumë për dallimin mes njerëzve të punës dhe tallagjarëve gjobaxhinj të medias, që Luca i ka përballë çdo ditë. Sepse ai e ka ndërtuar gjithçka me punë, duke punuar 14–16 orë në ditë.

Ky njeri, që kënaqësinë e gjen te puna dhe te e vërteta që buron prej saj, që ka ngritur perandorinë e Rozafës vetëm nëpërmjet punës, vazhdon të punojë edhe sot sikur të ishte ende për bukën e gojës. Jam dëshmitare e kësaj në objektin e ri që po ndërton në Apolloni, të cilin ai e quan “Tempulli i Shpirtit”. Prej pesë muajsh shkon aty çdo ditë, nga mëngjesi deri kur ngryset, duke ndjekur çdo detaj të punimeve dhe duke përballuar vapën përvëluese të fushës së Myzeqesë.

I skuqur nga dielli si punëtorët e fushave të shalqirit, me një palë pantallona të shkurtra dhe një bluzë sportive, nuk pushon së lëvizuri nga një cep në tjetrin të objektit. E sheh kudo, duke kontrolluar, duke pyetur, duke zgjidhur probleme e duke ndjekur çdo punë deri në fund.

Luca nuk ka vilë as në Rolling Hills, as në Palasë, as në mal e as në fushë. Vilat e tij janë objektet e Rozafës, ndërsa brand-i Rozafa ka mbërritur në tre kontinente.

Për vete, për të jetuar, ka ndërtuar vetëm një kabanon ushtarak në Labinot, te Fish City.

Po t’u kthehemi tani këtyre gazetarucëve gjobaxhinj, që lëmojnë e lyejnë thonjtë e këmbëve, rrinë nëpër studio duke bërë moral dhe, me paratë e allishverisheve e të gjobave, shkojnë për pushime në vendet më ekzotike. Kanë vila në Rolling Hills, në Palasë e ku të munden. Rrogat i deklarojnë 2–3 mijë euro, ndërsa pasuritë u shtrihen deri në Itali, në zonat më të shtrenjta. E megjithatë dalin çdo mbrëmje e u japin leksione morali njerëzve të zakonshëm.

Mos, o Zot, na ruaj prej këtyre vemjeve që e quajnë veten gazetarë dhe shfaqen si laraska në vanitetin e pisllëkut të tyre.

Kjo është një pjesë e gazetarisë së sotme në Shqipëri.