Sondazhi: 48% e shqiptarëve fajësojnë korrupsionin dhe ndërtimin e dobët për problemet me rrugët

Pothuajse gjysma e shqiptarëve besojnë se problemet me rrugët dhe tunelet në vend janë pasojë e ndërtimit të dobët, korrupsionit dhe mungesës së mirëmbajtjes.

Sipas Sondazhit Kombëtar për Shqipërinë të Institutit Republikan Ndërkombëtar, 48% e të anketuarve i konsiderojnë faktorët njerëzorë si shkakun kryesor të dëmtimeve në infrastrukturë.

Vetëm 18% mendojnë se problemet lidhen kryesisht me fatkeqësitë natyrore, ndërsa 33% besojnë se ato janë rezultat i kombinimit të faktorëve njerëzorë dhe fenomeneve natyrore.

Në total, 81% e qytetarëve përfshijnë faktorët njerëzorë në shpjegimin e problemeve, qoftë si shkaku kryesor apo si një nga shkaqet.

Sondazhi tregon se banorët e Tiranës janë më kritikët ndaj cilësisë së punimeve dhe administrimit të infrastrukturës.

Në kryeqytet, 54% fajësojnë kryesisht ndërtimin e dobët, korrupsionin dhe mungesën e mirëmbajtjes, krahasuar me 42% në zonat rurale.

Nga ana tjetër, në zonat rurale 21% i atribuojnë problemet kryesisht fatkeqësive natyrore, një përqindje më e lartë se në qytete.

Edhe ndarja sipas moshës tregon se faktorët njerëzorë mbeten shpjegimi dominues në të gjitha grupmoshat.

Megjithatë, qytetarët mbi 56 vjeç u japin më shumë peshë fatkeqësive natyrore sesa grupmoshat e tjera.

The post Sondazhi: 48% e shqiptarëve fajësojnë korrupsionin dhe ndërtimin e dobët për problemet me rrugët appeared first on GIJOTINA.