Shtetet e Bashkuara kanë një drejtues të ri të komunitetit të inteligjencës. Jay Clayton është betuar si drejtori i 9 i Inteligjencës Kombëtare, pasi u konfirmua nga Senati javën e kaluar.
Clayton, i cili më parë ka shërbyer si Prokuror i Shteteve të Bashkuara për Distriktin Jugor të Nju Jorkut do të koordinojë punën e 18 agjencive të inteligjencës dhe do të jetë këshilltari kryesor i presidentit Donald Trump për çështjet e sigurisë kombëtare.
Pas ceremonisë së betimit, Clayton falënderoi presidentin Trump për besimin e dhënë, duke theksuar se forcimi i kapaciteteve të inteligjencës do të jetë prioriteti i tij kryesor.
Ai deklaroi se institucionet duhet të jenë në gjendje tu përgjigjen me efikasitet kërcënimeve ndaj Shteteve të Bashkuara.
Clayton premtoi më shumë mbikëqyrje, transparencë dhe llogaridhënie në komunitetin e inteligjencës, duke theksuar se agjencitë duhet të mbeten të përqendruara te misioni i tyre dhe të mos përdoren për qëllime politike.
Posti i Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare mbeti vakant në muajin qershor, pas dorëheqjes së Tulsi Gabbard, e cila njoftoi se po largohej për t’u kujdesur për bashkëshortin e saj, i diagnostikuar me sëmundje të rëndë.