Nga Hermes Kafexhiu
Dritëroi vazhdon të jetë i vdekur. Mirëpo është një i vdekur që ecën i gjallë. E di që kjo tingëllon klishe, si ato fjalitë ku ngrihen kumte, për të krijuar pandehmën se diç do të thuash më vonë. Nuk nisa ta shkruaj për të ngritur ndonjë pandehmë, edhe as për të marrë ndonjë vëmendje të caktuar. Vdekja, kudo që shkel e kudo thuhet se ecën, e bën vetë lajmin e saj të kobshëm.
Tek ecja në kohën e gazetave, një histori që rrokullisej mes atyre fletave të mëdha që shiteshin në kioskat e mëngjesit, pashë faqet e para. Në faqet e para gjithmonë zinte vend parlamenti. Parlamenti, tempulli ynë, i miliona barsaletave, shpotive, sharjeve, urrejtjeve, kontradiktave, gjykimeve, vrulleve të verbra për t’u korruptuar dhe idealeve të grisura si rrobat e Ver Llapës që rrinte me gjuhën jashtë te Rruga e Kavajës, por që edhe ai ka vdekur.
E tek ecja në ca shkrime të vjetra të Bardhyl Londos, ndalova mes gazetës si një gishto dhe më doli Dritëro Agolli. Nuk kishte vdekur ende ato kohë.
E kishte lënë politikën dhe parlamentin, po ishte sërish në gazeta.
Mu shfaq ashtu serbes, i pirë tap, krejt i padëshëm dhe aq i bukur, i pavdekur, dhe më tha:
“Ti ke qenë i vogël për të kujtuar atëherë, ç’u ndale këtu?!”
“E tashmja më solli këtu”, i thashë.
Përtej tij nisi të qeshte edhe Moikom Zeqo dhe vdekja e tij vijon të jetë e gjatë edhe ende e gjallë.
Po unë me Agollin e kisha bisedën. Ai më doli përpara krejt bunec dhe ashtu si ai ujë i ftohtë i lumit që zbrazet në det, më çpoi këmbët dhe më hapi sytë për të parë një histori krejt tjetër ende të pangjallur.
Dikush atëherë fliste, dikush atëherë kishte diçka për të thënë, dikush atëherë tregonte, dikush atëherë të bënte të ndaleshe, dikush atëherë të hiqte nga rutina dhe të bënte të mendoje për ca gjëra. Tani është një shkretëtirë e madhe të gjallësh në kërkim të vdekurish.
Edhe unë si Çiçikovi i Gogolit, i ndalur në nostalgjinë e gazetave, pashë diskursin e dikurshëm e politikës që tani nuk reflekton vetëm më nostalgji, po duket si një himn i munguar shoqëror.
Në kërkim të këtyre frymëve të vdekura që sot ne endemi, mediokriteti parlamentar që del gërthet me llomotitje të madhe si shportë dardhash të vrara që i vjel nga pemët për mos të ardhur insektet, endemi e s’gjejmë asgjë mes sasisë.
Nuk ka më as diskurs, edhe është kaq fataliste dhe dëshpëruese.
Edhe po aq e dhimbshme kur Agolli më pyeti dhe më tha:
– Hë, a ju ka marrë malli për mua, a më kujton njeri?
Edhe unë krejt pa zgjidhje dhe i pafuqishëm i them:
– Nuk di ç’të them, vijon ende të jesh i vdekur, vdekja juaj është kaq e gjatë, Dritëro.