Arrestohet i dyshuari për vrasjen makabre të gazetarit, fshihej në një ndërtesë të braktisur

Policia italiane ka arrestuar një 26-vjeçar me origjinë tuniziane, i dyshuar si autor i vrasjes së gazetarit Luigi “Luca” Esposito, ngjarje që ka tronditur opinionin publik në Itali. I riu u lokalizua gjatë natës në një ndërtesë të braktisur pranë zonës ku u gjet trupi i pajetë i gazetarit në periferi të Ebolit.

Hetuesit arritën në identifikimin e tij pas analizimit të pamjeve të kamerave të sigurisë dhe krahasimit me të dhënat e telefonisë celulare. Sipas ekspertizës mjeko-ligjore, Esposito ishte dhunuar brutalisht dhe dyshohet se ishte ende gjallë kur autori i vuri zjarrin trupit të tij.

Shkaku i vdekjes është përcaktuar si asfiksi, ndërsa analizat kanë konfirmuar se viktima kishte thithur tym, duke përforcuar dyshimet se ai u dogj i gjallë pas sulmit. Arma e krimit dhe telefoni celular i gazetarit nuk janë gjetur ende.

Autoritetet italiane vijojnë hetimet për të zbardhur motivet e krimit dhe për të përcaktuar nëse në ngjarje kanë qenë të përfshirë edhe persona të tjerë. Ndërkohë, miq dhe familjarë të Espositos kanë kërkuar drejtësi, duke shprehur besimin se e vërteta do të dalë plotësisht në dritë.

The post Arrestohet i dyshuari për vrasjen makabre të gazetarit, fshihej në një ndërtesë të braktisur appeared first on GIJOTINA.