Sa më e madhe paraja që jepet me tender, aq më i madh tundimi për korrupsion. Edhe Brunilda Mersini, kryetarja e Bashkisë Vlorë, i eliminoi të gjithë konkurrentët e firmës “ZDRAVA”, së cilës i dha brenda ditës dy tendera me vlerë totale mbi 3.5 miliardë lekë.
Po raportojmë prokurimin e Bashkisë Vlorë “Rikualifikimi urban në bllokun e banesave”, që është ndarë në dy tendera LOTI I dhe LOTI II.
Projektit përfshin hapësirën midis rrugëve “Fatos Arapi”, “Hasan Kushta”, “Ismail Qemali” dhe “Misto Mele”, në qytetin e Vlorës, ose të njohur ndryshe “Blloku i Orizit”.
Fondi Limit për LOTI I është përllogaritur në vlerën 208.6 milionë lekë të reja pa përfshirë TVSH.
Filtrat e Open Data Albania kanë kapur shkelje të rregullave në procedurë, prandaj është klasifikuar me përshkrimin “Skualifikim i të gjithë operatorëve konkurrues përvec fituesit/ Skualifikim i ofertës me vlerë më të ulët”. Procedura është shënuar me “Flamur të kuq” që sinjalizon riskun e korrupsionit.
Më konkretisht, në tenderin e mbajtur më 19 qershor 2026, ku morën pjesë 7 operatorë, komisioni i vlerësimit është kujdesur të eliminojë plotësisht konkurrencën. Pra, 6 kompanitë e tjera pjesëmarrëse janë skualifikuar menjëherë me justifikime të ndryshme.
Qëllimi është vetëm të zbatohet porosia për fituesin e paracaktuar, ndërsa kursimi i parave të buxhetit të bashkisë nuk është fare problemi i zyrtarëve. Nëse do të merreshin në konsideratë ofertat e tjera, do t’i kurseheshin bashkisë të paktën 800 milionë lekë të vjetra.
Kështu, bashkimi i operatorëve ekonomikë “PE – VLA – KU” shpk dhe “XHAST” SHPK ka propozuar ta kryejë këtë punë me 178,7 milionë lekë (të rej) pa TVSH.
Po ashtu, “C O L O M B O” shpk në bashkëpunim me “BLERIMI” shpk ofruan vlerën e pritshme të kontratave 179,7 milionë lekë pa TVSH. Bashkimi i firmave “NDREGJONI” shpk dhe “UDHA” shpk kanë bërë ofertën 144,7 milionë Lekë pa TVSH.
Kompania “ISEC” shpk dhe “ALGES KONSTRUKSION” shpk në bashkëpunim kanë afruar ta zbatojnë projektin 120,9 milionë lekë pa TVSH. Në këtë linjë, kompania “CARA” shpk ka ofruar ta bëjë punën me 128 milionë Lekë pa TVSH.
Përkundrazi, komisioni i vlerësimit, më 17 korrik 2026 ka shpallur fituese kompaninë “ZDRAVA” shpk që kishte ofertën më të lartë, 200,9 milionë lekë pa TVSH.
Këtu vecojmë edhe një manipulim tjetër, të pronarëve të kompanisë “Zdrava”. Për t’u siguruar nga ndonjë e papritur, fituesi ka futur në “garë” me veten, edhe një kompani tjetër në pronësinë e tij.
Operatori “BASHKIMI/L” shpk, që ka hyrë në bashkëpunim me firmën “ASI-2A CO” shpk, është pronë e Dashnor Sinanit dhe e Ylli Zdravës.
E njëjta pasqyrë e veprimeve të komisionit të vlerësimit të ofertave paraqitet edhe në tenderin tjetër LOTI II, me fond limit 142.3 milionë lekë pa TVSH.
Edhe pjo procedurë është me flamur korrupsioni. Kryebashkiakja e kishte ndarë në lote qëllimisht tenderin që kompania “Zdrava” të plotësonte kriterin për “punë të ngjashme”.
Kompania “Zdrava” shpk u themelua në vitin 1998 nga vëllezërit Zdrava nga Lushnja dhe një shtetas grek nga Athina që zotëronte 49% të aksioneve. Pas disa vjetësh, pronari grek u tërhoq dhe në vend të tij zunë vend Dashnor Sinanaj (Zdrava) dhe vëllezërit e tij.
Kompania “Zdrava” krahas tenderave ku është favorizuar haptazi nga zyrtarë të korruptuar, ka përfituar edhe koncesione dhe privatizime. Gjithashtu, “Zdrava” është subjekt përfitues nga Programi IPARD Instrumenti për Asistencën e Para-Aderimit për Zhvillimin Rural (BE)]. Sipas të dhënave nga faqja zyrtare e AZHBR-së (Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural) “Zdrava ka marrë grant rreth 1 milion euro.
Kompania është shfrytëzuar nga krybashkiakja e Lushnjes Eriselda Sefa, e cila pastronte paratë e korrupsionit duke i dhënë firmës tendera dhe duke marrë rroga për familjen e saj.
Dyshohet se 5 pronarët lushnjarë e përdorin biznesin për pastrim parash. Konkretisht, kompania “Bashkimi/L” shpk e krijuar prej tyre, megjithëse ka përfituar fonde publike, rezulton me humbje për shumë vite me radhë.
Dhe nuk mjaftojne parate e kontratave! Kompania e ndërtimit ‘Zdravo’ me administrator Dashnor Sinanaj (Zdrava) është kapur duke vjedhur fondet publike, përmes mashtrimit me zbatimin e kontratave publike, duke marrë para nga drejtorë dhe kryebashkiakë të korruptuar për punime të pakryera.
Vetëm gjatë viteve të fundit, kompania ‘Zdravo’ ka fituar rreth 70 tendera të dyshimtë, me vlerë dhjetëra milionë euro, në bashkitë Lushnje, Berat, Përrenjas, Peqin, Tiranë dhe në Fondin Shqiptar të Zhvillimit.
Kompania e ndërtimit është në pronësi të Faik Sinanaj, Dashnor Sinanaj, Kastriot Sinanaj, Ylli Zdrava dhe Arben Zdrava, ndërsa administrator është Dashnor Sinanaj. Pesëshja janë nga Fier-Shegani i Lushnjes.
Një kontratë e ka verifikuar Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe ka zbuluar mashtrimin me volumin e punimeve. Bëhet fjalë për tenderin me flamur të kuq për rikonstruksionin e rrugës së fshati Çekin dhe zëvendësimin e tubacionit kryesor të Ujësjellësit Çekin në Gramsh.
Kontrata me vlerë rreth 1 milionë USD është lidhur nga kryetari i Bashkisë së Gramshit, Klodian Taçe. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar abuzimin e zbatimin e kësaj kontrate, ku Bashkia Gramsh ka likuiduar punime të pakryera. KLSH-ja ka kërkuar që të kthehen paratë në buxhetin e shtetit.
Kurse kryetarja e bashkisë Vlorë, Brunilda Mersini, ka probleme të hapura në SPAK. Në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) vitin e kaluar është dorëzuar një kallëzim penal me akuza të rënda ndaj Brunilda (Bruna) Mersini, bashkëshortit të saj Genc Mersini dhe ndërtuesit të njohur Alaudin Malaj.
Kallëzimi është depozituar nga shtetasi Mentor Mustafaraj, i cili pretendon se ka prova konkrete për një skemë të mirëorganizuar korrupsioni, pastrimi parash, falsifikimi dokumentesh dhe grabitje pronash, të zhvilluar në mënyrë të koordinuar midis funksionarëve publikë dhe biznesmenëve.
Sipas dokumentit të dorëzuar në SPAK, ku përmenden konkretisht dispozitat penale të cituara, të kallëzuarit akuzohen për disa vepra penale të parashikuara në Kodin Penal:
Korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike (neni 244 i Kodit Penal), që lidhet me veprimtarinë e Brunilda Mersinit si drejtoreshë e Spitalit Rajonal Vlorë dhe bashkëshortit të saj Genc Mersini, mjek ortoped në të njëjtin institucion;
Grup i strukturuar kriminal (neni 333), me organizator të supozuar Alaudin Malaj;
Pastrimi i produkteve të veprës penale (neni 287), ku përfshihen të tre personat e kallëzuar;
Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera publikë (neni 258), lidhur me tenderat e zhvilluar në Spitalin Rajonal Vlorë nën drejtimin e Brunilda Mersinit
Një pjesë e rëndësishme e kallëzimit lidhet me dyshimet për pastrim parash dhe përfitime korruptive të çiftit Mersini përmes tenderave publikë të zhvilluar nga Spitali Rajonal i Vlorës.
Mustafaraj kërkon që SPAK të hetojë të gjitha tenderat që janë zhvilluar gjatë drejtimit të Brunilda Mersinit, si kryetare e entit prokurues, të sekuestrojë dokumentet financiare, si dhe të verifikojë raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) mbi aktivitetin financiar të spitalit.
Sipas kallëzimit, ekzistojnë “dyshime të arsyeshme se fondet e përfituara përmes tenderave janë përdorur për të financuar ndërtimin dhe përshtatjen e kateve të ndërtesës si hotel dhe lokal”.
Ndoshta me tenderin e fundit kryetare Mersini do të përfundojë kate të tjera të hotelit të saj në Vlorë.
Ndoshta e tronditur nga hetimet e SPAK, Mersini ka nisur të urdhërojë vartëset që t’i firmosin tenderat, me qëllim që të shmang përgjegjësinë direkte.
Kryetarja mund të delegojë firmat, por nuk mund të fshehë pasurimin dhe gjurmët e tjera të korrupsionit.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
The post Tenderi 3.5 MLD lekë i Brunilda Mersinit, paratë ua jep 5 lushnjarëve/ Kush janë pronarët e “Zdrava-s”, që do sistemojë “Bllokun e Orizit”? appeared first on GIJOTINA.