Një punonjës i OSHEE-së ka humbur jetën në orët e para të mëngjesit të sotëm, gjatë një ndërhyrjeje për riparimin e një defekti në rrjetin elektrik në zonën e Himarës.
Sipas informacioneve paraprake, bëhet me dije se ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:00, në momentin kur ekipet teknike po punonin për të rikthyer energjinë elektrike në zonat e prekura nga moti i keq dhe erërat e forta.
Viktima është 55-vjeçari Bashkim Boçi nga Elbasani, i cili ishte dërguar në Himarë për t’u ardhur në ndihmë ekipeve që po punonin në terren për riparimin e dëmtimeve të shkaktuara në rrjetin elektrik.
Dyshimet e para tregojnë se punonjësi mund të ketë rënë në kontakt me rrymën elektrike, megjithatë shkaku i saktë i vdekjes do të përcaktohet vetëm pas përfundimit të hetimeve dhe ekspertizës teknike.
Policia dhe grupi hetimor kanë nisur menjëherë veprimet në vendngjarje për të dokumentuar rrethanat e ngjarjes.
Stuhia, e shoqëruar me erëra të forta, shkaktoi dëme të shumta në jug të vendit, duke rrëzuar pemë, dëmtuar automjete dhe lënë pa energji elektrike disa zona.
The post Po punonte për të rikthyer rrjetin elektrik pas stuhisë në Himarë, humb jetën punonjësi i OSHEE-së appeared first on GIJOTINA.