Dëmi rreth 3 milionë euro Postës Shqiptare në Durrës/ Arrest me burg për ish-drejtoreshën

Gjykata e Durrësit ka caktuar masat e sigurisë për tre punonjëset e Postës Shqiptare në Durrës, të dyshuara për shpërdorim detyre dhe përvetësim të fondeve të pensioneve në një skemë që mund të ketë shkaktuar një dëm prej deri në 3 milionë euro.

Pas shqyrtimit të kërkesës së Prokurorisë, gjykata vendosi masën “Arrest me burg” për ish-drejtoreshën Elisabeta Mataj, ndërsa ndaj Valbona Dunit dhe Paola Danajt u caktua masa “Arrest në shtëpi”.

Sipas hetimeve paraprake, tre punonjëset dyshohet se kanë abuzuar me detyrën duke përvetësuar fonde të destinuara për pagesën e pensioneve.

Prokuroria po vijon hetimet për të zbardhur të gjithë mekanizmin e skemës dhe për të identifikuar përgjegjësit e mundshëm.

Pas zbulimit të rastit, Posta Shqiptare bëri me dije se ka marrë masa administrative ndaj punonjësve të përfshirë dhe ka depozituar kallëzim penal në Prokurori, duke dorëzuar të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për hetimin.

Nga të dhënat e deritanishme, dëmi i konstatuar llogaritet rreth 700 mijë euro, por hetuesit po verifikojnë nëse shuma e përvetësuar është shumë më e lartë.

Dyshimet paraprake flasin për një dëm që mund të arrijë deri në 3 milionë euro, çka e bën këtë një nga rastet më të rënda të dyshuara të abuzimit me fondet e pensioneve në vend.

The post Dëmi rreth 3 milionë euro Postës Shqiptare në Durrës/ Arrest me burg për ish-drejtoreshën appeared first on GIJOTINA.