Konventa e Bernës kritikon qeverinë për Vjosë-Nartën, kërkon shpjegime dhe paralajmëron për masa të tjera

Byroja e Konventës së Bernës ka ashpërsuar qëndrimin ndaj qeverisë shqiptare, duke shprehur shqetësim për mungesën e informacionit mbi projektet infrastrukturore dhe turistike në zonën e mbrojtur të Vjosë-Nartës, e propozuar si pjesë e Rrjetit Emerald.

Në një letër të datës 15 korrik 2026, drejtuar Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, Konventa kërkon një Vlerësim të ri të Ndikimit në Mjedis (VNM), i cili duhet të analizojë ndikimin e kombinuar të Aeroportit të Vlorës dhe projekteve të reja turistike të planifikuara në zonë.

Dokumenti, i publikuar nga EcoAlbania, konfirmon se situata në Vjosë-Nartë është shqyrtuar gjatë mbledhjes së Byrosë në qershor, pas ankesave të organizatave mjedisore dhe denoncimeve të qytetarëve.

Konventa ka përshëndetur pezullimin e përkohshëm të punimeve dhe angazhimin e autoriteteve shqiptare për hartimin e një VNM-je të re.

Megjithatë, Byroja shpreh “keqardhje” për faktin se institucionet shqiptare nuk kanë ofruar informacion të plotë mbi zhvillimet në zonën kandidate Emerald dhe ende nuk kanë dorëzuar Formularin e përditësuar të të Dhënave Standarde për zonat Emerald në Shqipëri.

Konventa paralajmëron se qasja e ndjekur nga autoritetet shqiptare mund të krijojë precedent edhe për zona të tjera të mbrojtura në vend, duke ngritur shqetësime për respektimin e detyrimeve ndërkombëtare në fushën e mbrojtjes së mjedisit.

Nga ana e saj, organizata EcoAlbania e cilësoi letrën si një mesazh të fortë ndaj qeverisë shqiptare.

Drejtori ekzekutiv i organizatës, Olsi Nika, deklaroi se Vjosë-Narta është një zonë me rëndësi të jashtëzakonshme natyrore dhe se autoritetet duhet të zbatojnë vendimet e Konventës së Bernës, në vend që t’u hapin rrugë investimeve brenda zonave të mbrojtura.

Në letër rikujtohet edhe kërkesa e Komitetit të Përhershëm të Konventës, e bërë në dhjetor 2025, për pezullimin e ndërtimit të Aeroportit të Vlorës deri në përfundimin e një VNM-je të re dhe gjithëpërfshirëse.

Sipas Konventës, ky proces lidhet edhe me detyrimet që Shqipëria ka në kuadër të integrimit evropian.

Byroja i ka lënë afat qeverisë shqiptare deri më 15 gusht 2026 për të dorëzuar dokumentacionin e kërkuar, përfshirë informacion mbi lejet e dhëna, procedurat e ndjekura dhe hartat që tregojnë mbivendosjen e projekteve zhvillimore me zonat e mbrojtura.

Në muajin shtator pritet të vendoset nëse do të dërgohet një mision vlerësues në terren.

 

 

 

The post Konventa e Bernës kritikon qeverinë për Vjosë-Nartën, kërkon shpjegime dhe paralajmëron për masa të tjera appeared first on GIJOTINA.