Shkelën rregullat e sigurisë në det, Policia Kufitare e Vlorës bllokon gomonet, gjoba të majme për drejtuesit  

Policia Kufitare ka intensifikuar kontrollet në vijën bregdetare të Vlorës, duke ndëshkuar dy drejtues mjetesh lundruese që u kapën duke lundruar pranë brigjeve, në shkelje të rregullave të sigurisë detare dhe duke rrezikuar pushuesit.

Rasti i parë u evidentua pas një njoftimi se një gomone po lëvizte në afërsi të bregut në plazhin e Potamit.

Shërbimet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë lokalizuan mjetin në plazhin e Drimadhes, ku e bllokuan.

Drejtuesi i saj, shtetasi H. L., u ndëshkua me një gjobë prej 500 mijë lekësh.

Gjatë patrullimeve në vijën bregdetare, efektivët konstatuan edhe një gomone tjetër që po lundronte pranë bregut në zonën e njohur si “Plazhi i Hidrovorit”.

Edhe ky mjet u bllokua, ndërsa drejtuesi, shtetasi E. Sh., u gjobit me 510 mijë lekë. Nga verifikimet rezultoi se ai nuk kishte në bord dokumentacionin e detyrueshëm sipas ligjit.

Në total, dy drejtuesit u ndëshkuan me mbi 1 milion lekë gjoba, ndërsa gomonet e tyre u bllokuan.

Policia Kufitare bëri të ditur se patrullimet do të vijojnë përgjatë gjithë sezonit turistik në të gjithë hapësirën detare të qarkut Vlorë, ndërsa u bën thirrje qytetarëve dhe pushuesve të denoncojnë çdo shkelje që cenon sigurinë detare, duke garantuar reagim të menjëhershëm dhe zbatim të ligjit.

Njoftimi i Policisë Kufitare:

“Rrezikuan pushuesit, duke lundruar në afërsi të brigjeve dhe pa dokumentacion në bord, në Potam dhe në “Plazhin e Hidrovorit”, ndëshkohen me gjoba 500 000 dhe 510 000 lekë.

Gjithashtu iu bllokohen mjetet lundruese (gomone).

-Menjëherë pas njoftimit se një mjet (gomone) ishte konstatuar duke lundruar afër bregut, në plazhin e Potamit, shërbimet e DVKM Vlorë organizuan punën për identifikimin dhe ndëshkimin e drejtuesit të tij. Mjeti u lokalizua në plazhin e Drimadhes dhe u bllokua. Ndërkaq, drejtuesi i tij, shtetasi H. L., u ndëshkua me 500 000 lekë gjobë.

-Gjatë patrullimeve në të gjithë vijën bregdetare në juridiksionin e DVKM Vlorë, u konstatua një tjetër mjet lundrues (gomone), duke lëvizur në afërsi të bregut, në zonën e quajtur “Plazhi i Hidrovorit”. Mjeti u ndalua dhe u bllokua, ndërkaq, drejtuesi i tij, shtetasi E. Sh., u ndëshkua me 510 000 lekë gjobë. Nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se ky shtetas nuk kishte në bord, dokumentacionin e kërkuar nga ligji.

Patrullimi vijon në të gjithë hapësirën detare të qarkut Vlorë.

Policia e Shtetit fton qytetarët, pushuesit dhe vizitorët, që të denoncojnë menjëherë, çdo paligjshmëri që cenon sigurinë detare dhe atë publike në përgjithësi, dhe i garanton se reagimi do të jetë i menjëhershëm dhe konform ligjit”.

The post Shkelën rregullat e sigurisë në det, Policia Kufitare e Vlorës bllokon gomonet, gjoba të majme për drejtuesit   appeared first on GIJOTINA.