Arrestohen në Durrës dy persona me rrezikshmëri të lartë, ishin në kërkim nga autoritetet maqedonase

Dy persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore janë arrestuar në Durrës gjatë një operacioni ndërkombëtar të policisë, pasi ishin shpallur në kërkim nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut për një sërë veprash të rënda penale.

Operacioni i koduar “Fury” u finalizua nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale e Departamentit të Policisë Kriminale në bashkëpunim me strukturat e Policisë së Durrësit dhe partnerët ndërkombëtarë.

Në pranga kanë rënë shtetasit me inicialet M. Xh., 26 vjeç, i lindur në Shkup, dhe S. N., 34 vjeç, i lindur në Norvegji.

Për të dy, INTERPOL kishte lëshuar urdhër-arreste ndërkombëtare për akuza që lidhen me vrasje, plagosje, armëmbajtje pa leje dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale në territorin e Maqedonisë së Veriut.

Gjatë kontrollit, policia u ka gjetur të arrestuarve dokumente identifikimi të dyshuara si të falsifikuara, të cilat dyshohet se janë përdorur për t’iu shmangur autoriteteve dhe për të dalë nga territori i Maqedonisë së Veriut.

Në vijim të operacionit është arrestuar edhe një shtetas nga Maqedonia e Veriut, Xh. R., 26 vjeç, i dyshuar se u ka siguruar dy personave të kërkuar dokumentet false.

Ai akuzohet për “Përkrahje të autorit të krimit” dhe “Falsifikim dokumentesh”.

Gjatë kontrollit në banesën e tij, policia ka sekuestruar edhe një sasi të vogël lënde të dyshuar narkotike Cannabis Sativa.

Policia e Shtetit bëri të ditur se operacioni u zhvillua falë bashkëpunimit me partnerët amerikanë të Shërbimit Diplomatik të Sigurisë (DSS) në ambasadat e SHBA-së në Tiranë dhe Shkup, si dhe me autoritetet homologe të Maqedonisë së Veriut.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

The post Arrestohen në Durrës dy persona me rrezikshmëri të lartë, ishin në kërkim nga autoritetet maqedonase appeared first on GIJOTINA.