Policia e Tiranës ka identifikuar dhe shpallur në kërkim një 41-vjeçar, A. Sh., i dyshuar se ka mbajtur peng 34-vjeçarin Eglant Koçin.
Ndërkohë, është arrestuar edhe një 25-vjeçar, i dyshuar për përkrahje të autorit të krimit.
Sipas njoftimit zyrtar, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës, në drejtimin e Prokurorisë, kanë nisur hetimet pas kallëzimit të bërë më 5 qershor 2026 nga familjarët e 34-vjeçarit për humbjen e kontakteve me të.
Nga veprimet hetimore është bërë e mundur gjetja e motomjetit të viktimës së dyshuar, si dhe identifikimi i një ambienti ku ai dyshohet se është futur. Më pas, nga ai ambient ka dalë autori i dyshuar, i cili dyshohet se e ka marrë 34-vjeçarin me automjet.
Policia ka ushtruar kontrolle të imtësishme në ambientin e dyshuar si dhe në zona të tjera përreth, por deri më tani nuk është bërë e mundur gjetja e 34-vjeçarit.
Gjithashtu, rezulton se autori i dyshuar ka larguar motomjetin e të zhdukurit nga vendi ku ishte parkuar fillimisht.
Automjeti me të cilin dyshohet se është transportuar 34-vjeçari është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Ndërkohë, është arrestuar në flagrancë shtetasi E. Z., 25 vjeç, i dyshuar për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, pasi dyshohet se ka ndihmuar 41-vjeçarin.
Polica bën të ditur se duke qenë se hetimet janë në vijim, për të mos cenuar ecurinë e tyre, në këtë fazë nuk mund të bëhen publike të gjitha rezultatet e hetimit.
Policia vijon kërkimet intensive për gjetjen e shtetasit E. K., si dhe punën për lokalizimin dhe kapjen e të shpallurit në kërkim.