Zhdukja e 34-vjeçarit në Tiranë, arrestohet një person dhe një tjetër shpallet në kërkim

Policia e Tiranës ka zbardhur një pjesë të rëndësishme të rrethanave të zhdukjes së Eglant Koçit, 34 vjeç, i denoncuar si i humbur nga familjarët e tij më 5 qershor.

Hetimet paraprake kanë ngritur dyshime se i riu mund të jetë rrëmbyer dhe më pas ekzekutuar, megjithëse trupi i tij ende nuk është gjetur.

Sipas njoftimit zyrtar, hetimet kanë çuar në identifikimin e shtetasit Armand Shaka, 41 vjeç, i cili dyshohet se ka mbajtur peng 34-vjeçarin.

Ai është shpallur në kërkim policor, ndërsa strukturat e Policisë vijojnë operacionet për lokalizimin dhe kapjen e tij.

Nga veprimet hetimore të kryera deri tani, është bërë e mundur gjetja e motomjetit të 34-vjeçarit, si dhe identifikimi i ambientit ku ai dyshohet se ka hyrë.

Sipas hetuesve, nga ky ambient ka dalë autori i dyshuar, i cili mund ta ketë marrë me vete 34-vjeçarin me automjet.

Policia ka ushtruar kontrolle të imtësishme në ambientin ku dyshohet se mbahej peng i riu, si dhe në një sërë zonash të tjera, por pa mundur të gjejë gjurmë të 34-vjeçarit.

Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se autori i dyshuar ka lëvizur motomjetin e viktimës nga vendi ku ishte parkuar fillimisht.

Ndërkohë, automjeti me të cilin dyshohet se është transportuar 34-vjeçari është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Në kuadër të këtij hetimi është arrestuar në flagrancë edhe shtetasiEnea Zyferi, 25 vjeç, i dyshuar për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, pasi dyshohet se ka ndihmuar 41-vjeçarin pas ngjarjes.

The post Zhdukja e 34-vjeçarit në Tiranë, arrestohet një person dhe një tjetër shpallet në kërkim appeared first on GIJOTINA.