Prej 4 qershorit, 35-vjeçari Eglant Koçi rezulton i zhdukur, ndërsa familjarët e tij kanë denoncuar rastin në polici. Për vendndodhjen e tij nuk ka ende asnjë informacion, teksa hetimet vijojnë.
Duke folur për këtë rast, gazetari Artan Hoxha tha se Koçi punonte si korrier që transportonte para cash mes pikave të këmbimit të kriptomonedhave. Sipas tij, ai është parë për herë të fundit në zonën e Sheshit Wilson në Tiranë, ndërsa më pas telefoni i tij është fikur dhe çdo kontakt me të është ndërprerë.
Hoxha bëri të ditur se pas zhdukjes nuk është regjistruar asnjë lëvizje në llogaritë e 35-vjeçarit. Ai shtoi se motori që përdorte Koçi u gjet një ditë më vonë në zonën e 5 Majit, pasi ishte lënë aty nga një person ende i paidentifikuar, i cili më pas ishte larguar.
“Familja dhe policia kanë bërë përpjekje për ta gjetur, por deri tani nuk ka asnjë gjurmë. Nëse dikush ka informacion që mund të ndihmojë në zbardhjen e rastit, ai do të ishte shumë i vlefshëm”, u shpreh gazetari.
Duke komentuar ngjarjen, Hoxha ngriti shqetësimin për shtimin e rasteve të rrëmbimeve dhe zhdukjeve në vend, duke theksuar se kalimi i kohës e vështirëson gjithnjë e më shumë zbardhjen e tyre. Ai apeloi për vëmendje më të madhe ndaj këtyre rasteve dhe për intensifikim të hetimeve.
The post U zhduk pa lënë gjurmë, Eglant Koçi transportonte para cash nga këmbimi i kriptomonedhave appeared first on GIJOTINA.