Moti i keq shkakton dëme në Kalanë e Dodës, përroi merr para 10 krerë lopë –

Pasditen e djeshme, në fshatin Radomirë të Njësisë Administrative Kala e Dodës, Bashkia Dibër, është regjistruar një ciklon i fortë shiu i shoqëruar me breshër, i cili ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në zonë.

Banorët bëjnë me dije se në vendin e quajtur “Lugu i Radëve”, prurjet e mëdha të ujit në përrenjtë e Radomirës kanë marrë përpara rreth 10 krerë lopë. Sipas tyre, bagëtitë janë gjetur më pas të ngordhura rreth një kilometër larg vendit ku janë rrëmbyer nga përroi, për shkak të rrjedhës së fuqishme të ujit.

Ndërkohë, përfaqësues të Bashkisë Dibër kanë mbërritur në fshatin Radomirë për të vlerësuar dëmet e shkaktuara.

Sipas informacioneve paraprake, përveç humbjeve të bagëtive, reshjet kanë shkaktuar edhe dëme në bujqësi dhe në infrastrukturën rrugore të zonës, ndërsa autoritetet lokale po vijojnë verifikimet në terren për të përcaktuar shkallën e plotë të dëmeve.