Zyrtare/ Zbardhet lista e kandidatëve për Drejtorin e Ri të Policisë

Pesëmbëdhjetë janë kandidatët që kanë shprehur interes për postin e Drejtorit të Policisë së Shtetit, në përfundim të afateve të aplikimeve (18 Shtatori).

Lista u zyrtarizua këtë të enjte nga Ministria e Brendshme, institucion që ka nën varësi Policinë e Shtetit.

Procedura

Lidhur me procedurën e shpalljes së fituesit, ministria njofton se brenda 10 ditëve pune nga përfundimi i afatit të dorëzimit të shprehjeve të interesit, Komisioni i Posaçëm kryen vlerësimin paraprak, me qëllim verifikimin e plotësimit të kushteve ligjore.

“Në përfundim të vlerësimit paraprak, Komisioni harton listën e kandidatëve që plotësojnë kushtet ligjore dhe të kandidatëve që nuk i plotësojnë këto kushte, bazuar në dokumentacionin e paraqitur nga kandidati dhe dokumentacionin shtesë të mbledhur nga Komisioni. Komisioni merr vendim për përjashtimin e kandidatëve që nuk plotësojnë kushtet ligjore dhe i njofton me shkrim kandidatët e përjashtuar, në mënyrë të arsyetuar për shkaqet e përjashtimit. Komisioni organizon seancë dëgjimore me kandidatët dhe i njofton ata të paktën 3 ditë para seancës dëgjimore. Anëtarët e Komisionit vlerësojnë të gjithë informacionin e vënë në dispozicion prej kandidatëve, dokumentacionin e mbledhur dhe informacionin e marrë gjatë seancës dëgjimore dhe i dorëzojnë Ministrit renditjen e kandidatëve, së bashku me vlerësimet me shkrim”, sqaron MB. Më pas, ministri i propozon kryeministrit një nga kandidatët me vlerësimin më të lartë.

Komisioni i Posaçëm, sipas një udhëzimi të Ministrisë së Brendshme që mban datën 2 Shtator 2024, ka si kryetar një nga zëvendësministrat, i caktuar nga Ministri i Brendshëm. Ndërsa anëtarë janë sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme dhe drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore. Udhëzimi thotë se vendimet për kualifikimin ose s’kualifikimin e aplikantëve merren me shumicën e votave, ndërsa vendimet për vlerësimin e kandidatëve merren individualisht nga çdo anëtar i Komisionit.

Ish-kreu i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku njoftoi dorëheqjen pasi në krye të ministrisë së Brendshme erdhi Ervin Hoxha. Në 6 Shtator, ministri i ri njoftoi pas dorëheqjes së Muhamet Rrumbullakut, komandimin përkohësisht të Sokol Bizhgës në krye të Policisë. Ervin Hoxha njoftoi gjithashtu çeljen e aplikimeve për zgjedhjen e drejtuesit të ri.

Lidhur me garën, ka pasur aludime se është fiktive dhe se drejtori i ri është paracaktuar. Një ndër emrat e përfolur për tu katapultuar në krye të Policisë është Ilir Proda, emri i të cilit listohet mes 15 kandidatëve që kanë aplikuar për të marrë detyrën e numrit 1 të Policisë së Shtetit.

Kandidatët

Adriatik Tafçiu
Altin Mena
Ardian Çipa
Gentjan Shehaj
Hajrulla Xhivini
Ibrahim Disha
Idajet Faskaj
Ilir Proda
Lutfi Minxhozi
Neritan Nallbati
Pëllumb Seferi
Rebani Jaupi
Sami Rasha
Shemsi Prençi
Skënder Hita

The post Zyrtare/ Zbardhet lista e kandidatëve për Drejtorin e Ri të Policisë appeared first on GIJOTINA.