Qeveria miraton kompensimin e shoqatave të transportit publik me 50 lekë

Qeveria ka miratuar kompensimin financiar për shoqëritë e transportit qytetës, rrethqytetës dhe ndërqytetës, për shkak të situatës në tregun e karburanteve.

Sipas vendimit, kompanitë e transportit do të përfitojnë 50 lekë kompensim për çdo litër karburanti të konsumuar gjatë muajve mars, prill dhe maj 2026.

Kompensimi do të llogaritet mbi sasinë e karburantit të përdorur në këtë periudhë, por jo më shumë se konsumi i të njëjtëve muaj të vitit 2025 për secilën kompani.

Fondi total i parashikuar për këtë mbështetje është 250 milionë lekë. Një pjesë do të mbulohet nga fondi rezervë i shtetit, ndërsa për linjat urbane të Tiranës financimi do të bëhet nga Bashkia e Tiranës.

Për të përfituar kompensimin, subjektet duhet të aplikojnë çdo muaj pranë tatimeve dhe të dorëzojnë dokumentacionin përkatës, përfshirë faturat e karburantit dhe licencat e transportit.

Kërkesat do të pranohen deri më 1 gusht 2026.

Qeveria thekson se do të kryhen edhe kontrolle në terren për të shmangur abuzimet me skemën e kompensimit.

The post Qeveria miraton kompensimin e shoqatave të transportit publik me 50 lekë appeared first on Lapsi.al.