Marshimi i PD dështoi/ 6 militantë nën hetim për sulmet me molotovë ndaj policëve, Klevis Balliu si organizator

Gjashtë militantë të Sali Berishës janë vënë nën hetim pas sulmeve me molotovë ndaj efektivëve të policisë në protestën e 8 majit. Ndaj tyre rëndojnë tre akuza “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik”, “Goditja për shkak të detyrës” dhe “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”.

Me një pjesëmarrje minimale dhe më të ulëtën krahasuar me të gjitha tubimet e mëparshme të Sali Berishës, protesta nisi e qetë para Kryeministrisë ku nuk u mbajt asnjë fjalim dhe nuk u hodh asnjë molotov. Militantët qëndruan aty për afro një orë dhe më pas u urdhëruan të marshojnë në drejtim të Ministrisë së Brendshme. Por, këtu u zunë në pritë nga efektivët e policisë të cilët kishin krijuar një kordon për të mos i lejuar militantët të marshojnë nëpër qytet, pasi leja për organizimin e protestës ishte marrë vetëm për në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Tensionet u zhvendosën pranë bllokut të ministrive. Reagimi i policisë për t’i shpërndarë me ujë dhe spraj solli kundërshtimin e militantëve të cilët i sulmuan me molotovë. Nga sulmet me lëndët plasëse mbetën të lënduar 3 efektivë policie të cilët u dërguan për të marrë ndihmë mjekësore në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Për aktet e dhunës tashmë 6 militantë janë nën hetim, ndërsa policia ka sekuestruar në terren vetëm 1 molotov, lëndë piroteknike dhe sende të forta.